18 dhjetor 2019/ Elisa Gjerani/Porta Vendore/ Tirane
Paketa anti-shpifje, e propozuar nga qeveria është kundërshtuar masivisht nga reporterët, shoqatat dhe grupet e gazetarëve, por kjo nuk e ka penguar mazhorancën ta çojë në Kuvend për miratim. Kjo ka detyruar gazetarët të dalin në protestë, ndërkohë që ata shprehen se nuk do të dorëzohen në luftën e tyre për të ndaluar implementimin e këtij ligji, i cili sipas tyre nuk është një paketë kundër fake news, pasi për këtë ka ligje të tjera që e ndalojnë, por një atentat ndaj fjalës së lirë.
Ashtu sikurse ishte paralajmëruar, ditën e sotme u mblodhën gazetarë, aktivistë, ish deputetë të opozitës, moderatorë televizivë, drejtues të sajteve online, pedagogë të gazetarisë dhe qytetarë. Ata protestuan për disa orë para parlamentit të Shqipërisë, ndërkohë që brenda ambienteve të tij, pritej të mbahej votimi për kalimin e paketës anti-shpifje.
Jo vetëm ata që sot ishin në protestë, por shumë më shumë njerëz të medias janë shprehur kundër këtij ligji, ku sipas tyre cenon në mënyrë të tejskajshme lirinë e shprehjes. Gjatë kësaj proteste paqësore nuk munguan edhe parullat si; “Media kontrollon qeverinë, jo qeveria median!”, “Gazetaria nuk është krim”, “Të pandershmit e kanë frikë lirinë e medias”, “Pas Timonit dhe Tepsisë, Lapsin dhe Mikrofonin?”.

Mediat vizive dhe online e transmetuan gjerësisht këtë ngjarje të rëndësishme që po ndodh në Shqipëri.
I pyetur nga Porta Vendore, Koloredo Cukali, anëtar i Këshillit Shqiptar të Medias tha se: “Kjo protestë sot nuk është që t’i mbushim mendjen njeriut që të mos e votojë atë ligj, pasi këtë e vendos një njeri i vetëm. Por kjo protestë sot po tregon që ne jemi të gjithë të bashkuar. Nëse do të ishte me votim të fshehtë, edhe mund të mos miratohej, pra deputetët të dilnin kundër, ata që kanë pak ndërgjegje”, tha ai.
Ndërsa gazetari dhe aktivisti Erion Kristo i kërkoi përpara mediave Kryeministrit Rama që të bëjë transparencë për ERTV-në. “Unë s’e di ku i gjen ato para. O na i merr ne nga shkollat e fëmijëve, tavanet e rëna të shkollave, investimet që s’po bëhen, o nga ISIS. Këtu ka rëndësi më shumë fotografimi sesa puna. Të bëjë transparencën e medias së vet, ku i bleu dronet, kamerat e televizionit të vet ku i bleu, të shpjegojë ku e ka licencën ERTV-ja, pasi të bëjë transparencën e vetes së vet, i pari që do e ndryshojë gjuhën e komunikimit siç e do ai, do jem unë, por pasi të japë llogari. Askush s’mund ta prekë fjalën e tij, por as ai nuk do ta prekë fjalën tonë”, tha Kristo.
Qytetarët gjithashtu ishin bërë pjesë e thirrjeve të aktivistëve dhe gazetarëve që kanë vërshuar këto 2-3 ditët e fundit nëpër rrjetet sociale.
“Unë jam kundër këtij ligji. Ky koncept nuk duhet të ekzistojë fare, nëse shpif shkon në gjykatë, e le ta rregullojë ajo. Nëse kryeministri e ka për mediat, atëherë të thotë filan media, dhe ta çojë në gjykatë. Kjo media ka gënjyer të thotë. Do vazhdoj të protestoj deri në fund, ashtu siç kam protestuar edhe për armët kimike në vend”, tha për Portën Vendore Vera, e moshuara që mori pjesë në këtë protestë të datës 18 dhjetor.
Simboli i protestës së sotme, mbajtur përpara institucionit të parlamentit ishte shamia e zezë në gojë.
Luftë ndaj Fake News apo lirisë së shprehjes?
Paketa anti-shpifje e ka fillimin e saj që në dhjetor të vitit 2018, kur fillimisht qeveria dorëzoi dy projektligje, si një përpjekje për të luftuar epideminë e Fake News (lajmeve të rreme), për të mbrojtur fëmijët nga abuzimet online, për të forcuar Autoritetin e Mediave Audio- Vizuale, (AMA).
Paketa ligjore në fjalë u kritikua ashpër nga gazetarë, shoqata të tyre dhe ato të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, në korrik, mazhoranca bëri disa ndryshime dhe projektligjin ia çoi AMA-s për miratim, por bordi i saj e rrëzoi me tre vota kundër dhe dy vota pro, duke e cilësuar ligjin si cenim i medias.
Në shtator, mazhoranca bëri disa ndryshime në paketën “anti-shpifje”, duke ftuar dhe grupet e interesit për të dhënë mendimin e tyre mbi dy projektligjet e paketës. Ligji i jep Këshillit të Ankesave tek AMA pushtetin që të detyrojë ofruesit e shërbimeve online në fushën e publikimeve të ndryshojnë / korrigjojnë përmbajtjen e tyre, të publikojnë ankesa, që duhet të shfaqen njëlloj si reklamat online, sa herë që në publikimet online cenohet/dhunohet dinjiteti ose privatësia e qytetarëve. Në rast të kundërt Këshilli i Ankesave ka pushtetin të vërë gjoba që shkojnë nga 400 mijë deri në 800 mijë lekë të reja. Këshilli i Ankesave do të menaxhojë edhe të drejtën e përgjigjes / replikës së palëve të prekura që nga qytetarët deri tek institucionet, anëtarët e qeverisë, deputetët, kryebashkiakët etj.
Projektligji i dytë ka të bëjë me një tjetër institucion administrativ: Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), të cili i jepet pushteti të vendosë inserte, njëlloj si reklamat te portalet online, nëse Këshilli i Ankesave konstaton se ofruesit e publikimeve online nuk kanë zbatuar ligjet e reja. Nëse portalet nuk zbatojnë edhe AKEP-it i jepet me ligj e drejta t’u vërë gjoba që shkojnë nga 400 mijë deri në 800 mijë lekë të reja, shumë që përbën në rastin më të mirë gjithë pagën vjetore të një gazetari që mund të gjobitet për një shkrim të vetëm online, në rastin më të keq pagën e dy viteve.
Në dy projektligjet e mësipërme parashikohet që gjobat duhen paguar menjëherë dhe më pas subjektet e prekura mund t’i drejtohen gjykatës. Paketa ligjore e sapo miratuar nga qeveria përmban edhe detyrimin e krijimit në AMA të një regjistri të mediave online. Dy projektligjet e saj nuk bëjnë diferencime mes portaleve të fuqishme online dhe blogjeve individuale.
Pikërisht kompetencat që marrin këto dy institucione ndaj medias ishin kundërshtitë e gazetarëve, shoqatave dhe grupeve të tjera të interesit. Kjo për arsyen se “arbitri” nuk është i pavarur, pasi AMA zgjidhet nga subjektet politike (sipas ligjit propozohen nga mazhoranca dhe opozita), ndërsa AKEP emërohet nga subjekti në pushtet. Por, pavarësisht kundërshtive, këtë javë, Komisioni i Medias, pa marrë parasysh kërkesat e gazetarëve e kaloi për votim në kuvend paketën anti-shpifje.
Reagimi i grupeve gazetareske u bë dhe më i fortë saqë Komisioni Europian dhe Këshilli i Europës kërkuan (17 dhjetor) që të rishikohet paketa anti-shpifje. Edhe OSBE, e cila fillimisht kishte kundërshtuar paketën, reagoi sërish, duke deklaruar se janë bërë disa përmirësime.
Pse të gjithë janë kundër?
Katër ditë më parë është hapur online dhe peticioni kundër kësaj pakete, ku deri më tani është firmosur nga 535 persona. Ndërsa 35 organizata ndërkombëtare i kanë kërkuar kuvendit nëpërmjet një deklarate që të bëj një hap pas, e të mos e miratojë këtë ligj në parlament. Në të thuhet gjithashtu: “Organizatat vërejnë se dy projektligjet pjesë e paketës antishpifje i akordojnë AMA-s dhe AKEP-it, kompetenca gati gjyqësore, me natyrë sanksionuese ndaj operatorëve mediatikë, ndërkohë që këto organe, edhe pse të pavarura sipas ligjit nuk ofrojnë garanci funksionale për të qenë efektivisht të pavarura, sikurse janë organet e pushtetit gjyqësor”. Në këtë deklaratë organizatat i bëjnë thirrje gjithashtu Qeverisë Shqiptare dhe Kuvendit të Shqipërisë të marrin parasysh të gjitha kundërshtitë e përsëritura nga ana e institucioneve ndërkombëtare (të tilla si OSBE, BE, Këshilli i Europës dhe Kombet e Bashkuara), prezenca e të cilave kontribuon në vendin tonë për sundimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, të shprehen qartë dhe publikisht mbi projektligjet në fjalë, si masa në dhunim të lirisë së shprehjes.
“Dy draftligjet antishpifje që janë votuar në komisionin e ligjeve, janë amendime që prodhojnë censurë, pasi ato ndikojnë drejtpërdrejt në heqjen ose jo të lajmeve, pra në përmbajtjen mediatike, kryesisht portaleve. Dhe gjykimin për vërtetësinë e lajmit e jep një agjenci rregulluese e cila formalisht është e pavarur dhe që ligji i jep kompetencën e gjykatës pasi gjobat janë në formën e një titulli ekzekutiv. Kjo përbën dëm financiar dhe censurë indirekte të gazetarëve dhe mediave”, u shpreh Elvin Luku, drejtues i qendrës “Medialook”.
Edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit shprehet kundër këtij ligji, ku sipas Erida Skëndajt, Drejtuese e këtij komiteti, miratimi i këtij ligji do të rëndojë shumë mbi median, si pushtet i katërt. “Nëse ky ligj do miratohej do të minonte pushtetin e katërt median, pasi krijon premisa për cenimin e lirisë së shprehjes, censurë dhe vetëcensurë. 11 Komitete Helsinki në mbarë botën kanë kërkuar rrëzimin e kësaj pakete ligjore në kuvend, përfshi këtu edhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit”, tha Skëndaj për Portën Vendore.
Aktivistët, gazetarët dhe organizatat janë për ndryshimin në total të këtij ligji dhe jo thjesht për rregullime të disa nene të veçanta. “Ne e kontestojmë në frymë si ligj, pasi ai është konceptuar nga qeveria, një pushtet i cili monitorohet nga media dhe kjo nuk ndodh askund. Ajo që ne propozojmë, në të njëjtën linjë me homologët ndërkombëtarë është fokusimi te procesi i vetërregullimit. Ndoshta mund të jetë dhe një ligj tjetër, por që duhet bërë nga grupet e interesit dhe me një konsultim sa më të gjerë me ekspertë të fushës. Ajo që duhet thënë është që ligji nuk e lufton shpifjen dhe fake news-in. Madje ligji, fabrikuesin më të madh të lajmeve të rreme, ose propagandës, që është politika e të dyja krahëve e përjashton”, përfundon Elvin Luku, Drejtues i Qendrës Shqiptare MediaLook, gazetar.
Avokati i popullit, gjithashtu është shprehur që në fillim kundër këtij ligji, ku mbrëmjen e djeshme ka reaguar nëpërmjet një statusi në rrjetin social facebook. “Ky projekt-ligj nuk ofron garancitë e pranuara nga standardet ndërkombëtare për ushtrimin e rolit të medias dhe të gazetarëve si burime të indicies për hetime të mëtejshme në lidhje me çështje të caktuara. Në thelb filozofia e lirisë së medias si pushtet i katërt është pikërisht pushteti kontrollues përkundrejt pushtetit shtetëror. Si përfundim, vërejmë se edhe në draftin e projektligjit të bërë publik pasditen e datës 17 Dhjetor, ligji mbetet ende jo në përputhje me standardet ndërkombëtare, siç dhe u bë publike sot nga delegacioni i Bashkimit Evropian dhe Komisionerja për të Drejtat e Njeriut pranë Këshillit të Evropës, qëndrime të cilat kanë ardhur pas komenteve të bëra pak ditë më parë edhe nga Harlem Desir, i cili është përfaqësues i OSBE për lirinë e medias”, theksohet në qëndrimin e AP.
Megjithatë aktivistët dhe gazetarët janë të vendosur për ta çuar dhe më tej këtë çështje. “Ka akoma hapa ligjorë, në të cilat mund të kalojë ky ligj. Nuk e besoj se Shqipëria ka pasur ndonjëherë një presion të tillë ndërkombëtar. Ka edhe institucione europiane ku mund ta çojmë këtë ligj, pasi ai cenon lirinë e shprehjes. Problemi i medias nuk është te gazetari, por problemi i medias janë çështjet ekonomike dhe pronarët e saj, dhe e gjitha kjo nuk ndreqet me këtë ligj”, tha Cukali, për Portën Vendore.
Ndërkohë, ajo që vihet re është se me këtë paketë krijohet një gjykatë e re për shpifjen, rolin e së cilës e merr AMA, kur kjo vepër penale është e sanksionuar në Kodin Penal dhe nuk përfshin vetëm gazetarët, por të gjithë qytetarët.
Sipas nenit 120 të Kodit Penal, përhapja e qëllimshme e thënieve, si dhe çdo informacion tjetër, duke e ditur se janë të rreme, që cenojnë nderin dhe dinjitetin e personit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në një milion e pesëqind mijë lekë. Po kjo vepër, kur kryhet botërisht, në dëm të disa personave ose më shumë se një herë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga pesëdhjetë mijë gjer në tre milionë lekë.