Ndodhi

Më në fund një zgjidhje për vend depozitimin e mbetjeve urbane në Mat

16 dhjetor 2019/ Dritan Kurti/ Porta Vendore/ Mat

Për më shumë se dy dekada banorët e fshatit Muzhakë në Njësinë Administrative Komsi në Bashkinë e Matit janë përballur me pasojat që vinin nga vendgrumbullimi i hapur i mbetjeve urbane të qytetit të Burrelit. Situata u përkeqësua akoma edhe më shumë në 3 vitet e fundit, pasi në këtë vendgrumbullim nuk hidheshin vetëm mbeturinat e qytetit të Burrelit, por të të gjithë Bashkisë Mat e Klos.

Më 10 maj 2018 Porta Vendore i kushtoi një artikull situatës alarmante që gjendej në këtë vendgrumbullim, ku ngriti shqetësimin e banorëve të Muzhakës por edhe qytetarëve të Burrelit të cilët kishin një përballje të përditshme me ndotjen që shkaktohej nga mbeturinat

Vendgrumbullimi ndodhet fare pranë Varrezave të Dëshmorëve të Matit në një distancë jo shumë të largët nga qyteti i Burrelit. Për shkak se aty mungonte siguria, aksesi për personat që gërmonin për skrap, ishte i lehtë. Në këtë mënyrë, mbeturinat digjeshin pothuajse çdo ditë nga personat që gërmonin për të gjetur ndonjë metal, që më pas e shisnin. Por djegia e tyre shkaktonte një ndotje të tmerrshme të ajrit. E si të mos mjaftonte kjo, një kope e madhe qensh ushqeheshin në këto mbeturina e më pas shëtisnin në rrugët e qytetit të Burrelit, duke u kthyer në një vatër infeksioni për mijëra qytetarë matjanë.

Një tjetër pasojë negative ishte edhe për turistët, të cilët nëpërmjet rrugës së Komsisë i drejtoheshin Parkut Kombëtar të Qafështamës. Ndërkohë, prej pak ditësh ky vendgrumbullim mbetjesh ka ndryshuar pamje. Bashkia Mat ndërhyri këtu me mjetet e saj dhe fuqinë punëtore duke ndryshuar gjithçka. Mbetjet që ishin ngjitur me rrugën Burrel–Komsi u zhvendosën dhjetëra metra më poshtë. Për disa ditë me radhë u punua intensivisht për zhvendosjen e mbeturinave. Po ashtu, ato u ndanë dhe u mbuluan nga qindra metër kub dhe. Sipas drejtuesve të Bashkisë Mat kjo do të eliminojë aromën e keqe, e cila përhapej në Muzhakë e që shkonte deri në qytetin e Burrelit. Po ashtu, mbulimi i mbetjeve eliminoi mundësinë e djegies së tyre nga persona të papërgjegjshëm.

“Është normale që ka ndryshuar situata me mbulimin e mbeturinave. Na është hequr era e rëndë që vinte prej tyre. Po ashtu, nuk ka më as tym që dilte si pasojë e djegies së plastikës. Na ishte bërë tmerr sa herë kalonim këtej. Kishte raste që tymi bllokonte edhe fushëpamjen e rrugës. Tani që ato mbulohen, nuk ka më erë të keqe, nuk ka më tym e nuk ka më njerëz që mbledhin metale. Shpresoj të vazhdojë kështu”, tha Ilir Xhepa, banor i fshatit Burrel në NjA Komsi.

Fusha e mbetjeve e pastruar. Foto: Dritan Kurti

Për shkak se mbeturinat ndodhen shumë larg vendburimeve apo lumit Mat, ato pritet të trajtohen në vazhdim me metodën e dekompozimit të mbyllur. Po ashtu, paralelisht pritet që sa herë të depozitohen mbetjet e konsumit të përditshëm në këtë pikë, ato të mbulohen me dhe, në mënyrë që të izolohen mundësitë e djegies apo përhapjes së infeksioneve nëpërmjet ajrit apo qenve endacakë. Këtë e deklaroi vetë Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj gjatë një takimi në ambientet e bashkisë me Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, duke pranuar gjithashtu se kjo nuk është zgjidhja më e mirë, por do të jetë funksionale deri në gjetjen e një venddepozitimi tjetër. Firma e cila është kontraktuar për pastrimin e qytetit tashmë ka edhe një detyrë të re, sa herë që do të depozitojë mbetje në fushë, duhet edhe t’i mbulojë ato.

Rreth autorit:
Dritan Kurti ka studiuar Gazetari dhe Komunikim, prej dhjetë vitesh është i angazhuar dhe punon në median lokale e kombëtare për Qarkun Dibër.