Vëzhgim/Analizë

Dekriminalizimi dhe kriza politike fusin në kaos dy bashki

14 dhjetor 2019/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore/ Shkodër/Vorë                        

Dekriminalizimi dhe përplasjet politike kanë futur në kaos dy bashki të rëndësishme të vendit, të cilat funksionojnë respektivisht njëra me kryetar bashkie “në detyrë” dhe tjetra pa kryetar, duke vënë në diskutim edhe mënyrën sesi do të administrojnë këto bashki shërbimet ndaj qytetarëve të tyre. Zgjidhja për këto dy bashki, konkretisht Bashkia Shkodër, një nga bashkitë më të mëdha në vend dhe një bashki e rëndësishme për veriun e vendit, por dhe Bashkia Vorë, tejet e rëndësishme për shkak të veprimtarisë ekonomike që zhvillohet në territorin e saj, ku ushtrojnë aktivitetin një sërë biznesesh të mëdha, duket shumë e largët, të paktën deri në krijimin e Gjykatës Kushtetuese, që është institucioni që mund të marrë një vendim për të kapërcyer këtë amulli. Ekspertët mendojnë se rasti i Shkodrës është i paprecedentë, ndërsa për Vorën ka pasur raste të mëparshme dhe ngërçi i krijuar është më shumë politik.

Bashkia Shkodër

E para që dha shkëndijën e një bllokimi institucional në vend ishte Bashkia Shkodër, pasi kryetari i zgjedhur i kësaj bashkie në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, Valdrin Pjetri dha dorëheqjen vetëm një javë para betimit të tij, duke mos e marrë detyrën. Dorëheqja e tij erdhi pas zbulimit të shkuarës së tij, ku rezultonte se vite më parë, ai ishte proceduar penalisht në Itali për vepra penale që lidhen me narkotikët dhe këtë nuk e kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Sipas ligjit për dekriminalizimin, mosdeklarimi i të dhënave të sakta në formular përbën veprën penale të “falsifikimit të formularëve”. Pikërisht për të shmangur një ndjekje penale për këtë çështje, Pjetri dha dorëheqjen, para se të bëhet objekt i këtij ligji. Por çfarë ndodhi?! Ky veprim la pa kryetar të ri Bashkinë Shkodër dhe sipas Kodit Zgjedhor, Presidenti i Republikës duhet të dekretonte një tjetër datë për zgjedhje të pjesshme në Shkodër për kryetar bashkie. Pikërisht këtu, dekriminalizimit i shtohet edhe përplasjet politike për të futur dhe më në kaos pushtetin vendor. Për shkak të përplasjes mes Presidentit dhe Kuvendit të Shqipërisë për zgjedhjet e 30 qershorit, të cilat kreu i shteti nuk i njeh, pasi kishte dekretuar datën 13 tetor për zgjedhje vendore, ndërsa Kolegji Zgjedhor kishte lënë në fuqi 30 qershorin, nuk u dekretua një datë e re për zgjedhje të pjesshme në Shkodër, duke lënë në detyrë kryetaren aktuale të Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, të cilës i ka mbaruar mandati 4-vjeçar, por që ligji për vetëqeverisjen vendore deklaron se ajo “qëndron në detyrë derisa të zgjidhet Kryetari i ri i Bashkisë”. Por kur mund të zgjidhet kryetari i ri? Sipas ligjit, e vetmja zgjidhje është Gjykata Kushtetuese, e cila mund të vendosë të njohë ose jo zgjedhjet e 30 qershorit. Por për të ardhur te ky vendim, fillimisht duhet të ngrihet Gjykata Kushtetuese, e cila është në një tjetër ngërç për shkak të mungesës së anëtarëve të saj dhe që gjasat janë se ajo nuk mund të plotësojë vakancat, të paktën deri në pranverën e vitit 2020, kjo e përllogaritur sipas afateve ligjore për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo do të thotë se derisa Gjykata Kushtetuese të japë një vendim mbi këtë çështje, Bashkia Shkodër do të vijojë të drejtohet nga kryetarja në detyrë, Voltana Ademi.

Por sa kohë mund të drejtohet një bashki nga një kryetar në detyrë? Eksperti i çështjeve vendore, Fatlum Nurja e cilëson këtë çështje cenim të demokracisë dhe që këshilli bashkiak duhet të kishte zgjedhur një nënkryetar për të drejtuar Shkodrën. “Mendoj që ka cenim të demokracisë, pasi mandati është 4-vjeçar dhe mbaron në të njëjtën datë dhe orë 4 vite më pas. Nëse i referohem ligjit organik, respektivisht nenit 62, pika 1/a dhe 5, duhej që këshilli të emëronte një nga nënkryetarët aktualë të bashkisë për të kryer detyrën deri në zgjedhjet e parakohshme për Kryetar”, shpjegon Nurja. Sipas tij, kryetari ka një mandat 4-vjeçar dhe këtë e thotë Kodi Zgjedhor në nenin 10, ku flet për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Ndërsa Afrim Krasniqi, Drejtor i Institutit të Studimeve Politike shprehet se ligjërisht procesi funksionon si në periudhën e drejtimit me mandat të plotë të kryetarit të bashkisë, por rëndësi ka bashkëpunimi i kryetarit me këshillin bashkiak. “Legjislacioni shqiptar nuk ka kufizime lidhur me ushtrimin e mandatit dhe përgjegjësitë gjatë këtij ushtrimi, por legjislacioni nuk e ka parashikuar rastin e Shkodrës, kur mandati është tejkaluar dhe ende nuk ka një vendimmarrje për zgjedhjet normale në bashki. Teknikisht në secilin nga mandatet e fundit zgjedhore të bashkive (2007, 2011 dhe 2015) ka pasur kryetarë bashkie që kanë pasur shumë më tepër mandat sesa periudha 4-vjeçare (mesatarisht 4.2. deri 4.6 muaj) në varësi nga bashkia dhe zgjatja e procesit zgjedhor. Për shembull mandati i kryetarëve të bashkive të zgjedhur në tetor 2003 vijoi deri në mars 2007, pra rreth 6 muaj nga periudha kohore kushtetuese e zgjedhjes (tetor 2003- tetor 2006) për shkak të legjislacionit zgjedhor. Rëndësi në rastin e Shkodrës ka bashkëpunimi ndërmjet këshillit bashkiak, prefektit dhe kryetarit të bashkisë, sidomos në çështjet e buxhetit dhe të administratës”, shprehet Krasniqi.

Bashkia Vorë

Situata komplikohet ndryshe në Bashkinë Vorë, kjo jo vetëm për shkak të dekriminalizimit, por edhe për shkak të veprimeve të dyshuara abuzive të kryetarit të bashkisë Vorë në ditën e shkarkimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Tashmë, i shkarkuar nga KQZ, ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku është shpallur dhe në kërkim policor për “shpërdorim detyre”. Por çfarë ka ndodhur në këtë bashki. Pas zgjedhjes së Kajmakut në krye të Vorës, fakte të reja u denoncuan nga politika për të shkuarën kriminale të tij. Sipas të dhënave zyrtare, ai është gjykuar në Greqi për falsifikim parash, fakt të cilin ai e ka mbajtur të fshehtë në formularin e vetëdeklarimit. Prokuroria e Përgjithshme, pas denoncimeve publike, verifikoi akuzat dhe arriti në konkluzionin se sipas ligjit për dekriminalizimin, Kajmaku kishte falsifikuar formularin e vetëdeklarimit. Në këto kushte, Prokuroria kërkoi shkarkimin e tij pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, vendim i cili u mor nga KQZ më 1 nëntor. Por, pa kaluar asnjë javë nga shkarkimi, Prokuroria e Tiranës e shpalli në kërkim ish-kryetarin e Bashkisë Vorë për shpërdorim detyre. Prokuroria e Tiranës tha për Portën Vendore se Kajmaku ka vijuar të ushtrojë detyrën edhe pas shkarkimit, ndërsa dyshohet se ka falsifikuar edhe datën e dy vendime për shkarkimin e nënkryetarëve të tij, Hekuran Brahimaj dhe Laureta Omeri, ndërkohë që ka emëruar vetëm një nënkryetar, konkretisht shefin e tij të kabinetit, Gent Picari. “Këto vendime të Kryetarit të Bashkisë Vorë”, sipas prokurorisë “janë marrë pasi ai është shkarkuar dhe për këtë arsye, ndaj ka nisur procedimi penal për shpërdorim detyre”. Por për të emëruar nënkryetar Picarin, sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, duhet që emri i tij të votohet nga këshilli bashkiak, vendim i cili nuk mund të merret pa u mbyllur hetimi i prokurorisë mbi këtë çështje. Nga ana tjetër, zgjedhje të parakohshme për Bashkinë Vorë nuk mund të realizohen për shkak të përplasjes institucionale të shpjeguar më lart. Eksperti Nurja shpjegon se edhe në këtë rast është e njëjta gjë.

Ndërsa për Krasniqin, situata e krijuar në Vorë është përplasje brenda të njëjtës forcë politike. “Ligji është i qartë dhe zëvendëskryetari caktohet kryetar deri në zgjedhjet e reja. Kemi pasur praktika të tilla më përpara edhe në Kavajë, Dibër, etj, dhe nuk ka pasur probleme në funksionim për sa kohë që këshilli, administrata dhe titullari janë në funksion. Problemi në Vorë është më shumë politik sesa teknik, pasi zëvendëskryetari i caktuar në detyrë nuk është i preferuari i forcës politike dhe kjo kërkon ndryshim të sjelljes politike, jo ndryshim të praktikës ligjore”, shpjegon Krasniqi.

Cenimi i shërbimeve dhe zgjidhja e krizës

Por ky kaos institucional ka sjellë pasiguri te qytetarët edhe për cenimin e shërbimeve që ofron bashkia, por sa ndikon kjo në kryerjen e detyrave? “Shërbimet nuk kanë se përse të cenohen nga pikëpamja administrative, por mendoj indirekt se ato cenohen, pasi burimet bjerëzore nuk ndjehen totalisht të motivuar dhe kërkesa e llogarisë, pra mbikëqyrja bie. Këshilli, si ai i Shkodrës, por dhe gjithë Shqipëria është atipik, por njëkohësisht në retorikë të përditshme citohet nga kryetarja e Bashkisë si i paligjshëm… Njëkohësisht dërgon për miratim projekte te ky ‘këshill i paligjshëm’ dhe zbaton vendimet sipas nenit 54 dhe 64 të ligjit organik nga ky ‘organi i paligjshëm’… Pra situatë absurde”, shpjegon eksperti Faltum Nurja. Kurse drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, shpjegon që ka ndodhur disa herë rasti i “Vorës”, kurse ai i Shkodrës është i paprecedentë. “Situata nuk është shqetësuese për sa kohë është pranuar në heshtje nga të gjitha palët, por është shqetësuese në aspektin se pa pasur të zgjedhur legjitim nuk mund të ketë 100% përkushtim të bashkive ndaj qytetarëve”, shton Krasniqi.

Ndërkohë, një situatë e tillë duket se nuk do të jetë afatshkurtër, duke pasur parasysh edhe faktin se ligji nuk parashikon se sa kohë bashkia mund të vazhdojë të funksionojë me nënkryetar ose “kryetar në detyrë”. “Ligji ka parashikuar kalimin në zgjedhje të parakohshme menjëherë sapo krijohet vakanca dhe komunikohet midis KQZ e Presidentit. Kjo do të duhej të ndodhte në Vorë, kurse në Shkodër do të duhej të kishte zgjedhje nga e para. Aktualisht nuk po ndodh sepse situata në Shkodër është e paprecedentë edhe në aspektin ligjor dhe se Presidenti pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese, lidhur me vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit, prej ku bazohet dekretimi i zgjedhjeve të pjesshme të parakohshme lokale. Ligji është i qartë, por është çështje e vullnetit politik dhe institucional”, shprehet kreu i ISP, Afrim Krasniqi.

Problemet për qytetarët

Por, veç anormalitetit që sjell drejtimi i bashkive me të emëruar, kjo mund të shkaktojë probleme edhe për qytetarët, megjithëse ekspertët thonë se shërbimet ndaj tyre nuk preken drejtpërdrejt. Agron Haxhimihali, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, shprehet se ndërmjet të zgjedhurit dhe të emëruarit ka diferencë shumë serioze. “I zgjedhuri qëndron pas votës dhe elektoratit dhe si i tillë ka një përgjegjshmëri të madhe, të imponuar nga votuesi. Ndërsa i emëruari qëndron pas emërimit me një përgjegjësi administrative të një institucioni. Bazuar në këtë kontekst dhe parimet e funksionimit  dhe organizimit të institucioneve të bashkive, Kushtetuta i përcakton si organe të pavarura që drejtohen nga kryetari i zgjedhur dhe këshilli i zgjedhur sipas ligjit dhe Kodit Zgjedhor. Kjo do thotë që në të dyja bashkitë, por përfshirë së fundmi edhe Bashkinë e Durrësit, apo dhe raste të tjera që mund të lindin, nuk mund të themi se jemi në situatë dhe kushte normale. Vetë fakti që këto bashki nuk kanë drejtuesin e zgjedhur nga vetë qytetarët është një problem, sa politik, moral dhe ligjor. Përgjegjshmëria e të zgjedhurit në këto raste mungon, presioni qytetar mungon tek i emëruari, vizioni dhe premtimet nga i zgjedhuri janë një guidë drejt shërbimit më të mirë, ndërsa i emëruari nuk e ka këtë, ndaj zhvillimi i ekonomik social i bashkive do të jetë më i amortizuar”, shpjegon Haxhimihali.

Ndërsa tregon se jeta lokale do të vazhdojë dhe me të emëruar, drejtori ekzekutiv i shoqatës së bashkive, shprehet se mungesa e drejtuesit të zgjedhur cenon vizion e zhvillimit social ekonomik të bashkisë, bën bashkinë me një integritet moral e politik të dobët, dhe të pafuqishme.

Megjithatë, derisa të vendoset një zgjidhje përfundimtare për këto dy bashki, situata mbetet anormale. Kjo nuk është hera e parë që ndodh largimi para kohe i një kryetari bashkie, por në rastet e tjera, kriza nuk ka zgjatur ka shumë dhe nuk ka ndikuar kaq drejtpërdrejt në funksionimin e pushtetit vendor.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail