Vëzhgim/Analizë

CILI INSTITUCION ‘FSHEH’ MË SHUMË INFORMACIONIN?

11 dhjetor 2019/ Diana Malaj/ Porta Vendore/ Kamëz                                         

Sipas Indeksit të Transparencës për vitin 2019, të publikuar së fundmi nga Qendra Ligjore “Res Publica”, Kryeministria renditet ndër të fundit për nivelin e ulët të transparencës ndërsa Bashkia Shkodër kryeson listën e 100 institucioneve të monitoruara.

Qendra ligjore “Res Publica” ka publikuar së fundmi indeksin e transparencës për institucionet kryesore të Republikës së Shqipërisë. Nëpërmjet këtij studimi u arrit të monitorohen 100 institucione të pushtetit ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor dhe organeve të pavarura kushtetuese për periudhën nëntor 2018 – shtator 2019. Monitorimi u bë për të vlerësuar sa më shumë transparencën, jo vetëm sipas sasisë së informacionit, por kryesisht sipas cilësisë së informacionit që bëhet publik, nisur nga rëndësia dhe sensitiviteti i këtij të fundit.

Disa nga pyetjet e këtij studimi ishin; Cili është niveli i transparencës së organeve shtetërore në Shqipëri dhe sa e respektojnë këto, të drejtën e informimit të qytetarëve? A ka pengesa ligjore dhe procedurale me te cilat ndeshen në punën e përditshme aktivistë dhe profesionistë për të siguruar informacione? Cila është sjellja e institucioneve kundrejt kërkesave të gazetarëve investigativë?

Pas studimit të vitit 2018, ku institucionet kishin bërë hapa mbrapa në të drejtën e informimit, ky studim nxjerr në pah edhe një herë përkeqësimin e situatës së nivelit të informimit, neglizhencën e institucioneve në vonesat e përgjigjeve dhe mungesën e monitorimit të vazhdueshëm nga Komisioneri i të Drejtës së Informimit të institucioneve që nuk zbatojnë rëndom kërkesat minimale të ligjit për të drejtën e informimit. Në studim janë përfshirë 100 institucione kryesore, kundrejt të cilave janë drejtuar 251 kërkesa për informim nëpërmjet platformës publeaks.al, 76 prej tyre janë adresuar nga gazetarë investigues.

Kanë kaluar tashmë 5 vite nga momenti i miratimit të ligjit për të drejtën e informimit, dhe pavarësisht kohës së konsiderueshme nga momenti i hyrjes në fuqi, niveli më i lartë i transparencës së institucioneve ka arritur vetëm në masën 26.5%, duke mbetur gjithsesi në një vlerë shumë të ulët.

Ajo çfarë del në pah nga studimi është fakti se prej muajit mars 2019 institucionet e secilit pushtet kanë mbetur në vend numëro në raport me të drejtën e informimit, dhe në disa raste të tjera kanë bërë hapa mbrapa sa i përket transparencës proaktive. Institucionet ekzekutive (të pushtetit qendror dhe atij lokal), si dhe drejtoritë në varësi të tyre dallohen për mungesën e transparencës, moskthimin e përgjigjeve për qytetarët dhe kanë rezultuar më hermetiket në procesin e informimit publik.

Nga viti 2017 kur është realizuar për herë të parë ky monitorim, vihet re një ulje e dukshme në përqindje për institucionet, si më poshtë:

Objekt i këtij studimi janë dhe 20 bashkitë kryesore[1] në Shqipëri, të cilat dallohen se kanë një përmirësim të lehtë krahasuar me vitet e kaluara, e që pasohet nga një rënie drastike në periudhën qershor- gusht 2019, kohë që koinçidon me periudhën e zgjedhjeve vendore. Bashkia Shkodër kryeson në raport me të gjitha bashkitë e tjera dhe institucionet e përzgjedhura duke arritur vlerën më të lartë të pikëve në të gjitha vitet: 86 pikë prej 100 pikëve të mundshme;

Institucionet të cilat dallohen për rritjen e transparencës së tyre proaktive janë:

 

Për t’u vlerësuar është fakti i përmirësimit te disa institucioneve, të cilat nga vlerësimi me 0 pikë kanë arritur vlerën mbi 20-65 pikë, si psh Bashkia Elbasan, Bashkia Lushnje dhe Prefektura Tiranë, të cilat kanë përshtatur programin e transparencës për institucionin e tyre dhe e kanë publikuar në faqet e tyre online.

Institucionet që kanë të publikuar më shumë dhe më mirë informacionet zyrtare, sipas monitorimit të vazhdueshëm të programit të transparencës janë:

–  Bashkia Shkodër me pikët më të larta (86 nga 100)

– Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe Komisioneri Publik ( me 75 pikë, i pari ndër organet e pavarura kushtetuese)

–  Komisioneri Publik

–  Gjykata e Lartë me 71 pikë (e para ndër organet gjyqësore)

–  Aluizni

Ndërsa institucionet me rezultatin më të ulët spikatin:

  • Kryeministria e cila dallohet dhe për mungesën e kthimit të përgjigjeve në kohë të adresuara nga qytetarët (me penalitete -19)
  • Bashkia Lushnje
  • Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes
  • Prokuroria e Përgjithshme[2]
5 Bashkitë me rezultatin më të lartë dhe 5 Bashkitë me rezultatin më të ulët

Nga 20 Bashkitë e monitoruara, pesë bashkitë që kanë performuar më mirë për sa i përket transparencës janë Bashkia Shkodër, Elbasan, Durrës, Korçë dhe Tiranë, ndërsa pesë bashkitë me rezultate më negative janë Bashkia Krujë, Gjirokastër, Sarandë, Tropojë dhe Tepelenë.

Një rezultat tjetër është se nga 100 institucionet e monitoruara rezulton se 25% prej tyre janë pa program transparence, dhe disa prej tyre janë pa faqe interneti. Vetëm 16% e institucioneve ka realizuar publikimin e informacioneve në më shumë se 50%, dhe asnjë institucion në Shqipëri nuk e ka plotësuar 100% programin e transparencës, detyrim ky i parashikuar në ligjin për të drejtën e informimit.

Kategoria e informacionit që duhet të jepet nga institucioni, sipas ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e Informimit” përfshin strukturën organizative dhe funksionet e titullarit të institucionit, konventat dhe ligjet në të cilat mbështetet aktiviteti kryesor i organit publik, informacionet mbi kontaktet dhe vendndodhjen, informacioni mbi pagat, arsimi dhe detyrat e funksionarëve, informacioni mbi buxhetin, planin e shpenzimeve dhe raportet vjetore; informacion për kontratat, shumën, palët kontraktuese, etj.

 

Por cili është informacioni që nuk përmbushet më shpesh nga institucionet?

Nga studimi del në pah që pothuajse të gjitha institucionet nuk publikojnë kryesisht procedurat e prokurimit, procedurat konkurruese të koncesionit/partneritetit publik privat dhe proceset monitoruese të zbatimit të kontratave të lidhura me PPP. Institucionet janë më të rezervuara pikërisht për këto informacione delikate, në të cilat mund të zbulohen eventualisht mangësi apo parregullsi ligjore.

Por, përveç informacionit që e vë vetë institucioni në dispozicion, çfarë ndodh me kërkesat për informim të dërguara nga qytetarët, aktivistët dhe gazetarët investigues?

Vihet re një tendencë në rritje të dhënies së informacionit të pjesshëm dhe neglizhencë e madhe e organeve të pushtetit vendor (bashkitë) sidomos gjatë kohës së përgatitjes për fushatën zgjedhore (qershor 2019) për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve.

Ndër institucionet më pak transparente spikat Kryeministria (-19 pikë, penalizime edhe për moskthimin e përgjigjeve), Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Shtetit për Diasporën.

Një pikë tjetër shumë e rëndësishme, në fokus të studimit është sjellja ndaj gazetarëve investigues, pyetjet e të cilëve janë më specifike, më hulumtuese dhe për çështjet aktuale më delikate (materialet mbi ndërtimin e HEC-eve, planet urbanistike të rilindjes urbane, shpenzimet shtetërore të zyrtarëve të shtetit etj). Institucionet, kanë kaluar afatet e kthimit të përgjigjeve për të tilla kërkesa. Shpesh përgjigjet kanë qenë jo të plota, si dhe ka raste kur nuk kanë kthyer asnjë përgjigje, gjë që rezulton dhe nga ankimet e depozituara te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe çështjet gjyqësore, të nisura prej Qendrës me qëllim sigurimin  e informacionit.

Nga të dhënat e marra, për të njëjtin numër kërkesash, në 42% të rasteve ankimohen nga gazetarët, ndërkohë që nga qytetarët përqindja është më e ulët (28%). Nga 10 ditë pune që është afati i parashikuar brenda të cilit duhet marrë përgjigje, gazetarët e marrin atë në një mesatare prej 28 ditësh, ndërsa qytetarët në një mesatare prej 26 ditësh.

Nga 76 kërkesa të bëra nga gazetarët, më shumë se 50% prej tyre janë ankimuar dhe rreth 9% të rasteve i janë drejtuar gjykatës administrative për shkak se edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit nuk ka realizuar detyrën e vet përmes një vendimmarrjeje.

Studimi në fjalë nuk rezervohet të shënojë rekomandimet dhe masat e domosdoshme që duhen marrë me qëllim përmirësimin e zbatimit dhe respektimit të njërës prej të drejtave themelore të njeriut: ajo e informimit dhe lirisë së shprehjes. Ndër rekomandimet me rëndësi përmendet rritja e llogaridhënies së atyre institucioneve të cilat ende nuk e kanë caktuar koordinatorin për të drejtën e informimit, aplikimi i masave administrative nga ana e Komisionerit ndaj institucioneve që shkelin rregullisht të drejtën e informimit, kontroll dhe marrje e masave administrative në rastet kur institucioni nuk përditëson, plotëson dhe mundëson aksesimin te programi i transparencës dhe regjistrat e kërkesë-përgjigjeve, etj.

Rreth autorit:
Diana Malaj është aktiviste e grupit rinor ATA në Kamëz dhe gazetare pranë gazetës lokale www.nyje.al.

[1] Lista e bashkive të monitoruara: Bashkia Shkodër, bashkia Tropojë, bashkia Kukës, bashkia Lezhë, bashkia Dibër, bashkia Durrës, bashkia Krujë, bashkia Tiranë, bashkia Kavajë, bashkia Elbasan, bashkia Pogradec, bashkia Korçë,  bashkia Lushnje, bashkia Fier, bashkia Berat, bashkia Vlorë, bashkia Himarë, bashkia Tepelenë, bashkia Gjirokastër, bashkia Sarandë

[2] Transparenca proaktive përfshin publikimin e programit të transparencës nga institucioni, pra informacion që bëhet publik pa kërkesë nga qytetari dhe duhet të jetë në faqen zyrtare të internetit të çdo organi publik. Transparenca reaktive përfshin reagimin e institucionit dhe përgjigjet e tij kundrejt kërkesave të adresuara nga qytetarët, profesionistët, gazetarët, akivistët etj.

Facebooktwittergoogle_plusredditpinterestlinkedinmail