Ndodhi

Porto Romano park rekreativ? Duket se po i vjen fundi kalvarit të përpjekjeve të aktivistëve

10 dhjetor 2019/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Durrës

Pas ndotjes shumëvjeçare të vendgrumbullimit të Porto Romanos, për të cilën Porta Vendore ka ngritur disa herë shqetësimin dhe Klinika Ligjore e OSFA-s, e mbështetur nga Lëviz Albania ka çuar këtë çështje edhe në gjykatë, qeveria ka dhënë lajmin e madh të shndërrimit të kësaj ‘gangrene’ mjedisore në një park rekreativ, me pishina, kënde lojërash, fusha futbolli e kënde për aktivitetet sportive. Inertet e pallateve të shembura nga tërmeti i datës 26 nëntor 2019, dhe ato gjatë ndërhyrjeve të IKMT-së, do të përdoren si bazament për krijimin e parkut me të madh në Shqipëri me një sipërfaqe prej 155 mijë metra katrorë.

Në korrik të vitit 2018, këshilli bashkiak Durrës shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore në Porto Romano, si pasojë e situatës problematike me mbetjet në të gjithë vendgrumbullimet e kësaj bashkie. Të gjitha forcat politike votuan pro shpalljes së emergjencës mjedisore.

Por në atë kohë u ndalua vetëm djegia e mbeturinave dhe nuk u morën masa të tjera. Në këto kushte, në nëntor të vitit 2018 banorët e zonës së Porto Romanos dhe studentë të UAMD kanë paraqitur një kërkesë pranë Bashkisë Durrës për mbylljen e landfillit, ndalimin e djegies së mbetjeve dhe rehabilitimin e zonës. Kërkesa u shoqërua edhe me një protestë të gjerë të studentëve të UAMD, të cilën Porta Vendore e ka sjellë në vëmendjen e publikut hap pas hapi.

Për këtë shqetësim madhor u angazhua dhe Klinika Ligjore e OSFA, dega Durrës, e mbështetur nga Leviz Albania, e cila në atë kohë, i dërgoi një kërkesë Bashkisë Durrës mbi këtë çështje.

“Por për shkak se Bashkia Durrës nuk ktheu një përgjigje brenda afatit 45 ditor (ndërkohë u ndalua vetëm djegia e mbetjeve), në muajin janar paraqitem kërkesë padinë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Durrës. Për shqyrtimin e padisë nuk është caktuar ende një datë”, tha për Portën Vendore Dorina Ndreka, avokate pranë Klinikës Ligjore Durrës.

Sipas Klinikës Ligjore, kërkesa pranë Bashkisë Durrës dhe padia pranë Gjykatës janë shoqëruar edhe me një akt ekspertimi privat i cili përmban pasqyrimin e problemeve dhe masat që sugjerohen të merren për rehabilitimin e zonës.

Megjithatë, Klinika Ligjore nuk u dorëzua me kaq, pasi ajo vijon ende sot të ndjekë këtë çështje me interes të lartë për shëndetin e banorëve në këtë zonë. “Klinika Ligjor Durrës ka vijuar të mbajë kontakt me institucionet dhe në datën 4 dhjetor 2019 kemi marrë një përgjigje nga AKUM për projektin e rehabilitimit të venddepozitimit ekzistues të Porto Romanos”, sqaron avokatja Ndreka.

përgjigjen e datës 4 Dhjetor 2019, që Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve i dha Klinikës ligjore lidhur me situatën emergjente të Porto Romanos thuhet se:

“Për situatën emergjente mjedisore dhe sociale që paraqet prej disa vitesh zona e Porto- Romanos, Bashkia Durrës, angazhoi një sërë strukturash të qeverisë qendrore që merren drejtpërdrejtë dhe në datën 29.10.2018, në Bashkinë Durrës, u zhvillua Mbledhja e dytë e Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve.. Komiteti vendosi mos shpalljen e emergjencës civile, por investimin në këtë zonë nga ana e qeverisë qendrore për  kushtet normale higjeno-sanitare. Vendimi i Këshillit Teknik të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së mbetjeve (AKUM) mbledhur më datë 31.01.2019 la detyra dhe rekomandime, që projekti i paraqitur për rehabilitimin e vend depozitimit të Porto Romanos, të plotësohej dhe të realizonte qëllimin e tij final për garantimin e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm, në përputhje me standardet e kërkuara, kuadrin ligjor për menaxhimin e integruar të mbetjeve në R.SH. dhe direktivat e BE-së për investimet në infrastrukturën e mbetjeve”.

Por vetëm 3 ditë më pas, në datën 7 dhjetor Kryeministri Edi Rama inspektoi fillimin e punimeve në zonën e Porto Romanos në Durrës, ku dha edhe lajmin se inertet e pallateve e hoteleve të shembura nga tërmeti do të vendosen si bazament në të gjithë sipërfaqen e Porto Romanos, për ta kthyer kështu më shpejt se ç’pretendohej në një park të madh multifunksional.

 “Ideja është që me këtë rast, ne t’i japim një përshpejtim të madh projektit, që kemi gati prej disa kohësh. E kisha menduar për shkak të mundësinë në një afat më të gjatë kohor, por tani me këtë rast ta transformojmë fare të gjithin. T’i heqim të gjitha plehrat, ta shndërrojmë në park. Inertet t’i përdorim për të sistemuar bazamentin dhe pjesët e infrastrukturës së re. Dhe nga një zonë kanceroze që ka 50 vjet që prodhon helm edhe papastërti të kthehet në një park, dhe të jetë një model”, tha Kryeministri Rama për mediat, duke shtuar se “i kam lënë porosi edhe policisë që të ruajnë pikat e grumbullimit, që i gjithë materiali hekurit të shitet për skrap e më pas, ai fond të përfshihet në grantin e ndërtimit”.

Ky projekt në të vërtetë pritej të zgjaste 3 vite, por me situatën e re të inerteve nga rreth 33 ndërtesa të shembura nga IKMT dhe që priten edhe 55 të tjera, afatet kanë ndryshuar, ndaj Kryeministri Rama ka vendosur një afat prej 18 muaj që gjithçka të jetë gati.

Projekti i Parkun rekreativ në Porto Romano.

“Çdo krizë është një mundësi, çdo katastrofë me të gjitha të këqijat sjell shansin që të çojmë më përpara një ide. Se me ato ritme që e kishim menduar ne, i bie të shkonte 3 vit e ca projekti. Porto Romano ka qenë zona kënetore dhe ajo duhet konsoliduar njëherë. Nëse nuk do ekzistonin këto inerte do të duhej gjysmë mali që të sillnim këtu. Edhe në Itali janë përdorur inertet e tërmeteve për të bërë parqe, kodra etj. Kjo nuk është një shpikje e jona, por shansi ynë që ta bëjmë siç duhet tani”, deklaroi kreu i qeverisë.

Projekti i qeverisë në lidhje me fytyrën e re që pritet të marrë kjo fushë famëkeqe mbetjesh e ndotjeje, është tejet ambicioz, në të do të ketë ambienteve sportive, (përkatësisht; 3 fusha basketbolli, 1 fushë mini-futbolli dhe 2 fusha tenisi), parkim, kopsht botanik, mure kacavjerrës prej 28 metrash (climbing), kënde lojërash, hapësira dedikuar aktiviteteve sportive. Projekti pritet të përfundojë në qershor të 2021, ku fëmijët e kësaj zone do të kenë dhe një park të ri për 1 qershorin e vitit 2021.

Me projektin e ri pritet që të marrë fund historia e mbetjeve dhe ndotjes në zonën e Porto Romanos, pasi Bashkia Krujë e Durrës do t’i dërgojnë mbetjet në Landfillin e Tiranës. Fusha aktuale e mbetjeve në Porto Romano, e cila pritet të rehabilitohet është rreth 155 000 metra katrorë. Prej afro më shumë se 1 dekadë, kjo fushë e kishte mbyllur ciklin e saj të grumbullimit, paçka se aty vijonin të hidheshin mbetje nga Bashkitë e qarkut Durrës.

Porto Romano është dëshmia e gjallë e përpjekjeve të banorëve, shoqërisë civile, medias dhe vullnetit të pushtetit vendor e qendror për t’i ndryshuar më në fund fytyrë. Por nga Klinika Ligjore na pohojnë se sëbashku me aktivistët do të vazhdojnë të monitorojnë procesin deri në rehabilitimin e plotë të kësaj zone, në mbrojtje të interesave të qytetarëve.