9 dhjetor 2019/ Esmeralda Keta/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë
Rreth dy javë pas tërmetit që bëri të pabanueshme rreth 350 pallate në Tiranë, banorët e mbetur në shtëpi po përballen me krizën e vërtetë. Pallatet që iu është vënë shiriti i kuq janë boshatisur, ndërsa banorë të dhjetëra pallateve të tjera ndihen të dëshpëruar dhe pa rrugëdalje, pasi ende asnjë ekspert nuk ka ardhur të shohë banesat e tyre të rrënuara.
Enver Aliko, është banori i vetëm që nuk e ka braktisur ende pallatin ku ka jetuar pjesën më të madhe të jetës, në Kombinat. Ekspertët e Institutit të Ndërtimit i kanë vënë shiritin e kuq dhe kanë ndaluar në mënyrë strikte që asnjë banor të mos futet më në të, por Enveri thotë se nuk ka ku të shkojë. Sapo është kthyer nga njësia administrative ku ka dorëzuar dokumentacionin për të përfituar bonusin e qirasë, por ndihet i dëshpëruar.
“Uroj që të shembet e të më zërë brenda. Nuk kam ku të shkoj. Banoj në katin e pestë dhe e kam gruan e paralizuar, fëmijë nuk kam… e ku do ta gjej unë një shtëpi me qira”, na thotë Enveri, i cili duket se tërmeti i ka rrëmbyer edhe atë pakëz shpresë.
*Enver Aliko duke u ngjit në shtëpinë e tij në katin e 5-të.
Kombinati është një nga zonat më të prekura nga tërmeti i nëntorit. Më të dëmtuara janë pallatet që janë ndërtuar në vitet 1950-1960 dhe deri më tani vetëm në këtë njësi administrative janë shpallur të pabanueshme 20 pallate (pallatet me nr. 11; 130; 131; 138; 140; 141; 149; 150; 154; 155; 158; 159; 152; 153; 160; 161; 163; 164; 165; 98), ndërkohë që vazhdojnë verifikimet në terren edhe në pallate të tjera.
*Njerëzit duke zhvendosur orenditë shtëpiake nga banesat e ndërtuara.
Olta Konino, të gjitha kursimet e saj familjare (afërsisht 6 milionë lekë të reja), i harxhoi në fillim të shtatorit kur bleu apartamentin e saj në Kombinat. Pallati 153, buzë rrugës kryesore, e ngjitur me shkollën “Betim Muço” ishte ideali për këtë familje të re me dy fëmijë, 2 vjeç dhe 9 vjeç. Por nuk mundi ta gëzojë shumë. Aktualisht këtij pallati i është vënë shiriti i kuq, por Olta nuk pranon të largohet nga shtëpia. “Na kanë thënë të largohemi, po ku të shkojmë? U bënë 10 ditë që flemë në makinë, fëmijët i kam petë, por nuk e lë shtëpinë”, na thotë ajo.

Ashtu si Olta, një pjesë e madhe e familjeve të këtij pallati refuzojnë të largohen, megjithëse një pjesë kanë nisur e bëjnë plaçkat gati. “Na ishte dëmtuar që në tërmetin e parë dhe më në fund, të dielën para tërmetit i lyem dhe e rregulluam, blemë edhe një komplet të ri divanesh, por që nuk u ulëm kurrë në to. Këtu rrezikon të bëhet një Thumanë tjetër, çfarë presin këta, që të përfundojmë si pallatet e atyre fatkeqëve”, na rrëfejnë mes lotësh bashkëshortët Qerime e Petri Guci, të cilët nuk dinë se ku të shkojnë. Në katin e parë të këtij pallati kanë qenë dikur edhe zyrat e njësisë bashkiake nr. 6, si dhe biblioteka e lagjes, ndaj ata akuzojnë drejtuesit lokalë se kanë dëmtuar strukturën e pallatit, me ndërhyrjet që kanë bërë, gjë që çoi edhe në dëmtimin serioz të tij.

Arben Meçe, ka qenë ai që inspektoi këtë pallat dhe e shpalli atë të pabanueshëm, madje kërkoi edhe ndërhyrjen e policisë, e cila më pas vuri shiritin “Ndalim kalimi” dhe madje një patrullë policie qëndroi dy ditë në hyrje të pallatit. I kontaktuar nga “Porta Vendore”, ai shprehet se banorët duhet të nxirren me forcë nga këto banesa dhe askush të mos futet në to. “Një pallat, i cili shpallet si i pabanueshëm nga ekspertët, në mënyrë kategorike, nuk duhet lejuar që të futet askush në të. Shteti dhe Policia duhet të ndërhyjë dhe të mos lejojë banorët që të futen në to, dhe jo më të kalojnë netët nëpër këto shtëpi”, na thotë inxhinier Meçe. Sipas tij, e njëjta situatë është për të gjithë ata banesa që janë shpallur të pabanueshme. “Ekspertët e kanë dhënë mendimin e tyre dhe nëse kanë arritur në përfundimin ‘të pabanueshme’, atëherë do të thotë se ato janë të pabanueshme. Të gjitha këto banesa janë një kërcënim serioz për jetën e banorëve, edhe për një tërmet të shkallës 4 apo 4 e pak, ndaj njerëzit vërtetë i kanë të çmuara plaçkat e shtëpisë, por më e çmuar është jeta”, sqaron ai.

Në pallatin 163 që po ashtu i është vënë shiriti i kuq, takojmë familjen Hashani, e cila po ngarkon rrobat dhe orenditë në një kamionçinë të vogël. 4 anëtarët e kësaj familje, dy prindërit dhe vajza me djalin 11-vjeçar, po çmontojnë mobiliet e fundit. Plaçkat e shtëpisë janë e vetmja pasuri që u kanë mbetur dhe nuk mund të largohen pa to, megjithëse e dinë se mund të vënë në rrezik jetën duke u futur brenda në shtëpi. “Kur e shpallën të pabanueshëm pallatin, na erdhën të bashkisë dhe na thanë merrni vetëm rrobat e trupit sepse plaçkat e tjera do të vijë zjarrfikësja dhe do t’i nxjerrim ne…por u bënë 10 ditë dhe nuk ka ardhur askush, ndaj ne i nxorëm vetë”, na thotë e zonja e shtëpisë.

Me dy prindër të moshuar, vajzës së familjes Hashani, e cila është e divorcuar, i ka rënë barra më e madhe këto ditë. Ajo çmonton mobiliet e shtëpisë, e po ashtu mezi ka arritur të gjejë një shtëpi me çmim të arsyeshëm. “I kam dorëzuar dokumentet në bashki dhe më thanë se duhet ta gjeja vetë shtëpinë me qira dhe vetëm pasi t’u dërgoja kontratën e qirasë, na kanë thënë se do të na japin bonusin e qirasë. Mezi arrita të gjej një shtëpi në Yzberisht me 20 mijë lekë në muaj, në kat të pestë me dy prindër të moshuar, ndërkohë që edhe djalit duhet t’i ndryshoj shkollën. Është një situatë absurde dhe nuk e dimë nëse do të na japin lekët e qirasë apo jo, apo sa lekë do të na japin, sepse qiradhënësi i do lekët në dorë”, na thotë ajo. Kryefamiljari duket se është ai që e ka përjetuar më keq të gjithë këtë situatë. “Kaloj poshtë pallatit e lutem që të më bjerë ndonjë tullë kokës, aq keq jemi. Nuk e dimë se çfarë do të bëhet me ne”, thotë ai e dëshpërimi i lexohet qartë në fytyrë.

Një tjetër banor që takojmë para pallatit na flet i revoltuar. “Po ku dimë ne se çfarë do të ndodhë. Në njësinë administrative më thanë dorëzo dokumentet dhe mu qëro nga sytë se kemi gjithë ata njerëz në radhë…E ç’të bëj unë? Ku ta gjejmë shtëpinë me qira? Në vend që të na e gjejnë vetë ata e të na thonë se ku të shkojmë”, na thotë ai.
Kamela Mema jetonte me qira në këtë pallat që u shpall i pabanueshëm në kombinat. Ka mundur të marrë deri tani vetëm lavatriçen që kishte vetëm dy muaj që e kishte blerë dhe krevatin për djalin e saj 13-vjeçar, që vuan nga autizmi. Gjithçka tjetër i ka mbetur brenda.“Isha dy ditë te motra në Berat, por ai nuk pranon të flejë askund, ndaj u detyrova të marr vetëm krevatin e tij. Unë e di që nuk përfitoj gjë se jam me qira, por ama edhe për mua duhet të ketë ndonjë mbështetje të veçantë”, na thotë mes lotësh ajo, e cila është në kërkim të një shtëpie të re me qira.

Dhjetra pallate, ende asnjë ekspert
Në rrugën e Qelqit, në Kombinat, anës së cilës ka një bllok të madh pallatesh të vjetra dy dhe trekatëshe, situata është edhe më alarmante. Thuajse të gjithë këto pallate, të ndërtuara në vitet 60’-të, kanë pësuar dëmtime serioze, por banorët pretendojnë se ende nuk u ka ardhur asnjë ekspert për t’i parë.
Familja prej 4 anëtarësh e Fred Saraçit, që banojnë në pallatin 12, kanë ngritur një çadër para pallatit. Futen në shtëpi vetëm sa për të gatuar një vakt të ngrohtë, pasi shtëpia është çarë krejtësisht dhe drita e diellit futet mes përmes tullave, por ende askush nuk ka ardhur që t’i inspektojë. “U bëmë 10 ditë që rrimë në atë çadër, në shtëpi nuk na e mban të futemi, vetëm për ndonjë supë të ngrohtë për fëmijët, por askush nuk ka ardhur të na inspektojë apo të na pyesë si jeni”, na thotë ai.

E njëjta situatë është edhe në të gjithë pallatet rreth e rrotull, ata me numër 7, 115, 11 dhe 116. Hektor Hoxha rrëfen se i ka larguar të gjithë pjesëtarët e familjes, por vetë qëndron gjithë ditës në pritje të grupeve të ekspertëve, që nuk janë dukur deri më tani. “Dy ditë pas tërmetit erdhën ata të urbanistikës dhe na thanë që të gjithë pallatet janë të pabanueshme, por nuk na lanë asnjë letër, apo ndonjë dokument për këtë, pasi sipas tyre do të vinin ekspertët. E kuptojmë që kanë shumë punë, por u bënë 10 ditë dhe ne nuk dimë se çfarë të bëjmë. Nuk dimë të kërkojmë shtëpi me qira apo jo”, na shpjegon ai. Sipas tij, ai ka dorëzuar dokumentacionin, pranë bashkisë, por ende nuk ka një përgjigje se çfarë duhet të bëjnë më tej.

E njëjta situatë paraqitet edhe për banorët e pallatit në rrugën e “Ali Demit” i cili pësoi rënie masive të suvasë në pjesën e jashtme, përbri rrugës. Punonjësit e bashkisë kanë ndërhyrë katër ditë më vonë, por banorët tregojnë që askush nuk ka ardhur brenda banesave të tyre që të mund të shikojnë çarjet në mure. “Jam me qira prej 5 vitesh në këtë pallat. Shtëpia më është bërë kasaphane nga çarjet, ku më kanë dëmtuar edhe mobiliet. Por normal unë nuk përfitoj gjë. Duhet të kërkoj shtëpi tjetër, por thuajse të gjitha ato që kam parë këto ditë, kanë plasaritje muresh e suvaje ndaj kam frikë, se i bie të shkoj nga shiu në breshër. Këtu tek ky pallat nuk ka ardhur askush, përveç pronarit të shtëpisë, që normalisht është i merakosur për pronën e tij”, tha një banore e këtij pallati.

Nevoja për shtëpi, nisin abuzimet me çmimet e qirave
Në mbledhjen e këshillit bashkiak të dy ditëve më parë, kreu i bashkisë Erion Veliaj, ndërsa miratoi bonusin e qirasë, u shpreh se priten që nga ky bonus të përfitojnë rreth 1000 familje. Situata e emergjencës që ka përfshirë këtë zonë, ka bërë që të rritet kërkesa për shtëpi që lëshohen me qira, por kjo kërkesë e shtuar ka bërë që të lulëzojnë abuzuesit. Thuajse të gjitha familjet që takojmë ankohen se çmimet e shtëpive me qira, janë rritur sa hap e mbyll sytë. “I kanë çuar qiratë 250 -300 euro, ku ta gjejmë një shtëpi ne? Në Yzberisht mezi gjeta një shtëpi 1+1, 22 mijë lekë të reja, ndërsa nuk e dimë se sa lekë do të na japë bashkia për lekët e qirasë”, na thonë Vera, e cila e ka shtëpinë në pallatin 153 në Kombinat.
Sipas vendimit të Këshillit Bashkiak, qiraja do të paguhet në varësi të shtëpisë që kanë pasur në pronësi familjet e dëmtuara dhe numrit të anëtarëve të familjes. Nëse shtëpia e dëmtuar ka qenë 1+1, atëherë edhe bonusi i qirasë do të paguhet për një shtëpi 1+1 që shkon në vlerën e 18 mijë lekëve të rinj, 2+1 do të paguhet 24 mijë lekë të rinj.

Banorët na thonë se pjesa më e madhe e qiradhënësve duan ta japin shtëpinë pa kontratë qiraje dhe për të bërë kontratën u kërkojnë para shtesë, ndërkohë që në njësinë administrative duhet patjetër të dorëzojmë kontratën e qirasë për të përfituar bonusin. “Qiradhënësit duan që tu paguajmë edhe 15% të kontratës ne, por a bëhen këto gjëra?” , shprehen banorët.
E njëjta situatë abuzive është vënë re edhe nga transportuesit dhe punëtorët që këto ditë i klasifikojnë si të “arta”, pasi shumë familje kanë nevojë të transportojnë orenditë shtëpiake.
“Na kanë kërkuar deri në 150 mijë lekë (të vjetra) për rrugë, na thonë familjarët Hashani. Po ku kemi ne aq lekë vetëm për të transportuar plaçkat e shtëpisë? Ndaj një pjesë të madhe të gjërave i bëjmë vetë, ndonëse na e kanë ndaluar rreptësisht të futemi në shtëpi”.
Unaza e re, braktiset pallati
“Rafaelo 2002” është mbyllur të martën e datës 3 dhjetor nga Instituti i Ndërtimit dhe është shpallur i pabanueshëm. Banorët e kanë braktisur krejtësisht që prej disa ditësh, ndërsa të martën kanë pasur edhe një përplasje të fortë me pronarët. “Ky pallat pati probleme edhe gjatë tërmetit të parë, por erdhën e na thanë që nuk ka probleme. Dje, ndërtuesi i pallatit solli skuadrat e veta e filluan të bëjnë punime, derisa pasdite erdhi prokuroria dhe i pezulloi punimet”, na tregon një banor, që ka ardhur të marrë dokumentet e pronësisë, për t’i dorëzuar në njësinë administrative.
“U bënë disa ditë që qëndroj te njerëzit e afërt, por tani duhet të kërkoj një shtëpi me qira, e ne nuk kemi para”, na thotë ai ndërsa na tregon qartë gjurmët e punimeve që firma e ndërtimit nisi pas dëmeve serioze që pësoi ky pallat nga tërmeti i 26 nëntorit.
*Puna e restaurimit të pallatit “Rafaelo 2002” në Unazën e re.
“Rafaelo 2002” është i vendosur në një kompleks pallatesh në formë U-je. Shiritat e kuq janë vendosur vetëm në njërën pjesë të kompleksit, ndërkohë që banorët e tjerë e kanë braktisur, për shkak të frikës. “Është e tmerrshme të vish në darkë, vetëm 4 apo 5 familje flenë natën. Jemi të pasigurt, kemi bërë kërkesë që të vijnë ekspertët, por ende askush nuk ka ardhur, pavarësisht se i vunë shiritin e kuq gjysmës së pallatit”, na thotë një banor i shqetësuar.

Një tjetër pallat në rrugën “Hoxha Tahsim” është rrethuar me shiritin e sigurisë duke e shpallur të pabanueshëm. Në të shihen forca policie dhe nuk gjejmë asnjë banor.
Sorollatjet dhe dilemat
Të gjithë ata që kanë dëmtime në banesa, duhet të bëjnë një ankesë në njësinë administrative. Banorët duhet të dorëzojnë certifikatën familjare, certifikatën e pronësisë me gentplanin përkatës, foto të dëmtimeve në shtëpi, por banorët janë detyruar të shkojnë disa herë në zyrat e njësisë administrative.
“Dorëzova në bashki një fotokopje të hipotekës, por ata duan edhe gentplanin. Po ku ta di unë ku ka rënë pas atij tërmeti. U thashë atyre të bashkisë që të ma gjejnë ata një shtëpi me qira, unë jam 80 vjeç…e çfarë shtëpie do të gjej unë”, shprehet i humbur Enver Aliko, ndërsa ngjitet në shtëpinë e shpallur të pabanueshme, të kërkojë mes rrëmujës për gentplanin që ta dorëzojë në bashki. “
Unë i kam dorëzuar të gjitha, përveç certifikatës familjare, pasi ka shumë radhë e nuk arrita ta marr”, thotë Hektori, një tjetër banor i këtij pallati.
Të pastrehë dhe të zhgënjyer, banorët e pallatit 153 në Kombinat që po ashtu është shpallur i pabanueshëm, kërkojnë që shtëpia e re e tyre, të jetë në po të njëjtin vend, në të kundërt ata kërcënojnë se nuk do të braktisin shtëpitë e tyre dhe madje mund të futen edhe në grevë. “Vetëm nëse pallati i ri ndërtohet po në këtë vend, në të kundërt unë nuk dal nga shtëpia. Kam harxhuar të gjitha kursimet e mia për këtë shtëpi, në këtë vend, dhe nuk pranoj të më çojnë atje ku u leverdis atyre”, shpjegojnë banorët e këtij pallati. Është kjo arsyeja që 36 familjet e këtij pallati, kanë plotësuar një dosje të përbashkët dhe e kanë dorëzuar në bashki, pasi janë të shqetësuar nga deklarata e kryeministrit se do “të ndërtojë lagje të reja”.
Qendrat sociale
“Egi Center” është një ndërtesë private që ka hapur dyert në mënyrë vullnetare, për një pjesë të banorëve të Unazës së re, të cilët janë strehuar dhe po kujdeset për rreth 100 banorë që kanë ardhur nga zonat më të prekura, si Laçi, Thumana, Ishmi apo edhe Tirana. Mes tyre 30 janë fëmijë dhe një pjesë e konsiderueshme janë me probleme të mëdha shëndetësore. 84-vjeçarja është më e veçanta. Ajo nuk ka pranuar të qëndrojë në qendrën pritëse “Misto Mame”, sepse sipas saj nuk kishte kushte. “Ishim 50 persona me një banjë, e unë nuk mund të qëndroja”, thotë e moshuara që prej një jave është strehuar te “Egi center”.

Flamur Dajçi, pronari i ndërtesës, na rrëfen se ata kanë vështirësi në kujdesin ndaj këtyre personave, pasi asnjë nga strukturat shtetërore nuk u ka ofruar asnjë ndihmë. “Gjithçka deri tani është bërë privatisht nga banorët e Unazës së Re, por nuk mund të vazhdojmë gjatë kështu. Vetëm një natë më parë na kanë ardhur përfaqësues të bashkisë dhe na kanë premtuar të na ndihmojnë. Tani mbetemi në pritje”, thotë ai për Portën Vendore.
Qendra sociale “Misto Mame” po ashtu është kthyer në një qendër pritëse, të prekurit në këtë qendër vijnë e ikin e nuk qëndrojnë më shumë se një apo dy ditë.

Ndërkohë, edhe shkolla “Betim Muço” ka hapur dyert, për ata që tërmeti i la pa shtëpi. Aktualisht janë disa dhjetëra persona që kalojnë ditë/netët e pas tërmetit aty.
Kur e pyesim Fred Saraçin se përse nuk shkon në një nga qendrat komunitare, por qëndron në një çadër para pallatit me dy fëmijët e tij të mitur, ai shprehet se nuk do ta pranonte kurrë një zgjidhje të tillë. “Pse në kohë lufte jemi ne? Unë jam familjar, jam me dy fëmijë të mitur…Nuk mundet që disa t’i çojnë në hotele luksi, ndërsa disa të tjerë i çojnë në palestra shkollash. Nuk shkoj unë në asnjë qendër të tillë, dua shtëpi”, na thotë ai.
Verifikimi vazhdon
Porta Vendore pyeti pranë Bashkisë Tiranë se si po ecën procesi dhe a është verifikuar në terren gjithçka. “Jemi akoma në punë e sipër. Grupet e vlerësimit po punojnë intensivisht në terren për të pasur një pasqyrim të plotë të të gjithë situatës e të dëmeve që ka shkaktuar tërmeti i datës 26 nëntor. Procesi i vlerësimit nga ekspertët ende nuk ka përfunduar”, është shprehur Bashkia Tiranë, nëpërmjet burimeve zyrtare të saj.
Fake news
Megjithatë si në shumë ngjarje të tjera, edhe në këto ditë të dhimbshme kur raportohej për tërmetit nuk mundëm të shpëtonim nga fakenews. Dy ditë pas tërmetit filloi të qarkullonte në rrjetet sociale një informacion dhe foto nga pallati disakatësh i ndodhur në rrugën e Kavajës, pranë godinës aktuale të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Kujdesit Social. Në foto thuhej se ky pallat është anuar nga tërmeti dhe rrezikon shembjen.
“Jetoj në kat të nëntë. Jemi trembur pafund nga tërmeti, dhe sikur të mos mjaftonte kjo, pa marrë veten akoma, pamë këtë lajm në rrjetet sociale. Kam ardhur me vrap nga të afërmit, ku rrija për të parë se çfarë kishte ndodhur. Këtë lajm të rremë e kanë shpërndarë disa persona për interesa të caktuara. Por megjithatë ekspertët erdhën, pasi vërtetë u alarmuam, dhe nuk konstatuan asnjë anim të pallatit apo rrezik tjetër”, shprehet Alma, banorja 20-vjeçare e këtij pallati.

Po pre e fake- news ra edhe hoteli gjigand në qendër të Tiranës, Plaza. Fotoja që e paraqiste hotelin shumëkatësh të çarë përgjysmë bëri xhiron në rrjetet sociale, aq sa detyroj pronarin e këtij hoteli të bënte një përgënjeshtrim të këtij lajmi të rremë që qarkulloi për orë të tëra në internet.
Pallatet që nuk u “prekën”
Shumë pallate në zonën e “21 dhjetorit” të ndërtuara nga të burgosurit në vitet 70’ treguan qëndresën e tyre ndaj tërmetit me magnitudë 6.4 të shkallës Righter. Shumë banesa në këtë lagje të përbëra nga një bllok i konsiderueshëm pallatesh 5 dhe 6-katëshe kanë pësuar vetëm plasaritje të vogla të suvasë.
“Unë jam banor këtu, por jam edhe inxhinier. Megjithëse në pension vijoj punën meqë e kam licencën, por ne jemi ndryshe nga këta të rinjtë. Në atë kohë kur ne kemi punuar vepra publike e sociale nuk bënim kompromis. Mendoj se ajo që ndodhi në zonat ku pati shembje ka të bëjë me mentalitetin e pronarëve që ndërtojnë. Më ka ndodhur shpesh që të më kërkojnë një punë me kosto më të ulët ndërtimi e material kuturu, por nuk kam pranuar. Por e keqja është që ka pranuar dikush tjetër dhe ja ku ndodhi gjëma”, tha një ish inxhinier.

Ish-inxhinieri i mëshon fort idesë që duhet të ketë më shumë kontrolle për ndërtimet. “Në kohën e komunizmit kemi pas një institut vlerësimi për projektet që shërbente si një filtër për çdo inxhinier dhe ku mbante përgjegjësi njësoj si zbatuesi e kolauduesi. Ndaj përveçse duhet të respektojmë ligjet shqiptare e standardet europiane kur bëhet fjalë për ndërtim, duhet gjithashtu që të krijohet një institucion që të kontrolloj punën e studiove të projektimit, në mënyrë që të mos ndodhin këto gabime fatale me humbje të jetëve njerëzore”, tha inxhinieri për Portën Vendore.
Të tjera pallate, sidomos ato të rejat kanë pasur një sërë problemesh në suvanë e jashtme, të cilat pronarët e pallatit i kanë rregulluar sa hap e mbyll sytë, duke tentuar kështu të fshehin gjurmët e një tërmeti shkatërrimtar, jo vetëm nga fasada e pallateve, por edhe nga mendjet e njerëzve.
Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa media kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.