8 dhjetor 2019/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Tiranë
Ndonëse zyrtarisht mësimi në të gjitha institucionet arsimore do të rinisë të hënën me datë 9 dhjetor, në Tiranë nuk ka ende një listë të saktë të objekteve arsimore që kanë pësuar dëmtime nga tërmeti dhe si pasojë, nuk do të hapin dyert. Kjo ka rritur pasigurinë te prindërit që në shumë raste, edhe pas grupeve të ekspertëve që kanë monitoruar shkollat, kanë marrë privatisht ekspertë të tjerë, për të qenë të bindur se shkolla ku do të dërgojnë fëmijët e tyre është e sigurt.
Një akt konstatimi i lënë të martën nga Instituti i Ndërtimit ka nxjerrë me probleme shkollën “Emin Duraku” në Tiranë.
“Ka dëmtime në strukturë dhe shkëputje të shtesës nga godina ekzistuese”, – thuhet në këtë akt konstatimi, si pasojë e të cilit kësaj godine i është vënë shiriti i kuq. Por ky akt konstatimi nuk i ka qetësuar prindërit. Mosbesues për masat që do të merren dhe ku do të zhvendosen fëmijët, ata kanë zhvilluar një mbledhje me tone të ashpra me drejtuesit e shkollës “Emin Duraku”, duke kërkuar sqarime se përse nuk janë vënë më parë në dijeni për situatën në të cilën ndodhet godina e shkollës.
“Ne duam që dikush të mbajë përgjegjësi nëse fëmijët futen në këtë shkollë”, kanë deklaruar ata duke kërcënuar se do të braktisin shkollën, nëse nuk janë të bindur se fëmijët e tyre do të futen në një ambient të sigurt.
Drejtuesja e shkollës Besa Tarka, ka sqaruar se deri tani kanë ardhur disa grupe ekspertësh për të bërë verifikimet, por sërish pritet një tjetër grup. “Do të vijë një tjetër grup ekspertësh nga bashkia dhe të huaj. Unë jam në pritje të vendimit të tyre, por e sigurt është që pjesa e fillores do të mbyllet“, tha ajo. Shtesa, dy katet e së cilës janë ndërtuar në vitin 1996 dhe kati i tretë në vitin 2006, strehon rreth 750 nxënës duke filluar që nga parashkollori e deri në klasën e katërt.
Drejtuesja e kësaj shkolle ka sugjeruar si zgjidhje që provizorisht nxënësit të zhvendosen në godinën e 9-vjeçares, e cila si për ironi i ka hapur dyert si shkollë në vitin 1957. Mirëpo edhe kjo, nuk i ka kënaqur prindërit, të cilët kanë këmbëngulur që nuk do të sjellin fëmijët në shkollë para se institucionet të sjellin një përgjigje me shkrim që pjesa e 9-vjeçares nuk ka probleme.
Me kërkesë të prindërve dhe drejtuesve, ambientet e kësaj shkolle janë inspektuar edhe nga inxhinierja e njohur prof. Luljeta Bozo.
Gjatë vizitës në shkollë, Bozo është kujdesur që të mos dalë në përfundime, por ka ngritur pikëpyetje për arkitrarët që përshkojnë klasat e katit të tretë, të cilat mbështeten në mure. “Vetëm pasi të shoh planimetrinë e strukturës, mund të jap një përgjigje përfundimtare”, u ka shpjeguar prindërve Bozo.

Por “Emin Duraku” nuk është e vetmja shkollë që tërmeti i 26 shtatorit i ka shkaktuar probleme.
Shiriti i kuq i është vendosur edhe gjimnazit “Sami Frashëri”. I rikonstruktuar krejtësisht në vitin 2018, nga ku kryetari i bashkisë Erion Veliaj deklaroi se tashmë nxënësit e këtij gjimnazi “Do të bëjnë mësim në ambiente krejtësisht moderne”, ky institucion arsimor ka pësuar dëmtime të shumta. Si pasojë edhe në këtë shkollë, mësimi nuk do të nisë as këtë të hënë, ndërsa nxënësit e saj do të ndjekin procesin mësimor në dy shkolla të tjera.
*Video amatore nga brenda ambienteve të shkollës “Sami Frashëri”.
Një tjetër shkollë që nuk do të hapë dyert të hënën e 9-dhjetorit është edhe shkolla “Musine Kokalari” në zonën e Kombinatit. Në dyert e kësaj shkolle ka shumë prindër që shkojnë të interesohen, pasi nuk dinë se çfarë do të ndodhë me procesin mësimor. “Shkolla ka pësuar disa dëme nga tërmeti, jemi në pritje të fillojë puna për riparimin e tyre”,– na thotë roja, i cili u jep përgjigje të gjithë prindërve që shkojnë të interesohen.
Sipas tij, njoftimi gjendet edhe në faqen zyrtare në Facebook të shkollës, e megjithatë “Porta Vendore” mëson se të gjithë nxënësit e shkollës “Musine Kokalari” do të zhvillojnë mësim pasdite në ambientet e shkollës “Betim Muço”.
Gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, ka pësuar disa dëmtime të vogla, na shpjegon drejtoresha e kësaj shkolle Teuta Braçaj. “Ka dy plasaritje të vogla në shtesën e katit të parë, por që sipas grupit të ekspertëve nuk paraqesin probleme”, shprehet Braçaj, e cila na tregon edhe masat që po merr në rast se do të ketë një situatë të ngjashme tërmeti.
“Po i vendos nxënësit në klasat e katit të parë, dhe po heq kangjellat e dritareve që në çdo rast të mund të dalin fëmijët lirshëm nga dritarja. Ndërkohë që, po ashtu do të heq edhe kangjellat e dritares së katit të dytë, dhe aty do të instaloj një dalje emergjence”, tha drejtoresha e Petro Ninit, Teuta.

Shkolla “Kongresi i Lushnjës” në zonën e Xhamllikut është ndër të parat, fotot e të cilës, u bënë virale në rrjetet sociale, si pasojë e dëmtimeve që pësoi. Sipas drejtuesve të kësaj shkolle, ekspertët kanë ardhur që ditën e parë dhe kanë arritur në konkluzionin se nuk ka dëmtime serioze. Skuadrat e punëtorëve kanë marrë masat dhe aktualisht shkolla është gati që të presë nxënësit e saj këtë të hënë.
Vetë Bashkia e Tiranës, e cila ka nën administrim godinat e institucioneve arsimore na thotë se po punon për të hartuar një listë përfundimtare me shkollat problematike. “Grupet tona kanë dalë disa herë në terren dhe aktualisht po ri- inspektojmë një pjesë të shkollave. Shumë shpejt do të kemi gati edhe listën e shkollave problematike”, thonë burime zyrtare pranë Bashkisë së Tiranës.
Si u fshehën dëmtimet e 21 shtatorit
Rasti i shkollës “Emin Duraku” ka turbulluar prindërit. Kjo pasi, gjatë tërmetit të datës 21 shtator shkolla pësoi dëme të konsiderueshme, por që prindërit nuk u vunë në dijeni. Skuadrat e bashkisë, kanë bërë meremetimet dhe pastaj janë lyer, duke “fshehur gjurmët ” e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti.
“Kjo është absurde, ne vihemi në dijeni sa herë që shkolla ka nevojë për ndonjë gjë apo do të organizojë ndonjë aktivitet, por nuk jemi vënë në dijeni për një problem të tillë. Si mund të kem besim që edhe tani nuk po fshihet diçka” , na thotë një prind, i cili ka fëmijën në klasë të dytë në këtë shkollë.
Asnjë shkollë me dalje emergjence
Thuajse asnjë nga institucionet arsimore në vend nuk është i pajisur me dalje emergjence. Tërmeti i datës 21 shtator i ka vënë në alarm drejtuesit e shkollës, të cilët kanë kërkuar në bashki që të pajisen me shkallë emergjence. Shkolla “Emin Duraku”, ende nuk ka marrë një përgjigje për këtë kërkesë, megjithëse kërkesën e ka bërë që në shtator.
“Vetëm në katin e tretë të kësaj shkolle bëjnë mësim 10 klasa, paradite dhe pasdite. Imagjino se si mund t’i zbresim fëmijët nëse ndodh jo një tërmet aq sa ishte ai i datës 26 nëntor, por edhe një më i vogël…janë vetëm një palë shkallë për 750 fëmijë të vegjël, nga parashkollori e në fillore”, na shpjegojnë të shqetësuara mësueset e ciklit fillor.
Të gjendur në këtë situatë, ata kërkojnë që të vijnë ekspertët dhe të marrin masa urgjente për shkallën e emergjencës. “Lekët i kemi vetë, nga të ardhurat e bordit të prindërve. Ne duam vetëm ekspertët për vendosjen e tyre, pasi situata është vërtetë alarmante”, na thonë mësuesit e kësaj shkolle.
Drejtuesit e gjimnazit “Sami Frashëri” kanë vendosur ta bëjnë vetë shkallën e emergjencës. Edhe kjo shkollë, për shkallën e emergjencës, ka bërë kërkesë që pas tërmetit të datës 21 shtator, por në këtë situatë nuk do të presë më nga institucionet. “Lekët i kemi mbledhur nga bordi i prindërve dhe presim vetëm të na sjellin ekspertët për instalimin dhe ndërhyrjen” , na thotë drejtoresha Braçaj, që në këtë situatë emergjence ka vendosur që disa gjëra t’i zgjidhë vetë.
Ndërsa shkolla “Dëshmorët e Lirisë” ndihet më komode. E rikonstruktuar totalisht në fillim të 2019-ës, ekspertët jo vetëm që nuk konstatuan asnjë problem nga tërmeti, por kjo shkollë ka edhe dy dalje emergjence, përveç derës kryesore.
“Parashkollorin e kemi vënë në fund të korridorit, ngjitur me njërën dalje të emergjencës. Ndërsa edhe klasat e tjera të fillores i kemi lënë afër daljes tjetër”, na shpjegon nëndrejtoresha e kësaj shkolle.

Jo teste pas rifillimit
Rikthimi në shkollë korrespondon me kohën, kur nxënësit duhet t’u nënshtroheshin testeve për përfundimin e tremujorit. Megjithatë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Një udhëzim i shpërndarë gojarisht nga Ministria e Arsimit, u ka sugjeruar mësuesve që nxënësit të ndihmohen për të kaluar traumën e këtyre ditëve. “Do të bëjmë më së shumti orë të lira, do të flasim për pushimet, për dëshirat që ata kanë, por nuk do të jenë orë të stresuara apo ku të kërkohen rezultate. Testet do të shtyhen për më vonë, pasi për momentin e vetmja gjë që ka rëndësi është që fëmijët të jenë të qetë dhe të harrojnë këtë situatë aspak të qetë”, na thonë mësuesit.
Jo pak debate ka shkaktuar në rrjetet sociale edhe një udhëzim i shpërndarë nga Ministria e Arsimit, se si duhet të reagojnë në rast evakuimi. Megjithatë mësuesit shprehen se janë trajnuar për këtë situatë, u kanë shpjeguar edhe fëmijëve se si të reagojnë në rast tërmeti, por e vetmja gjë ku e vënë theksin është pajisja me shkallë emergjence.
Rreth autorit:
Esmeralda këta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.