7 Dhjetor 2019/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore
Tërmeti i datës 26 nëntor nuk kurseu as monumentet e trashëgimisë kulturore e historike në vend. 4 kalatë e rëndësishme historike, pjesë të trashëgimisë kulturore, u gjymtuan në kullat e tyre kryesore. Ekspertët e trashëgimisë kulturore dhe turizmit japin alarmin, në mënyrë që të kthehen sytë nga këto monumente.
Kulla e Sahatit në Kalanë e Prezës, fillimisht u dëmtua nga tërmeti i 21 shtatorit. Por megjithëse Instituti i Monumenteve ka bërë disa ndërhyrje përforcuese, sërish muret dhe kulla e kësaj kalaje gati 500-vjeçare janë dëmtuar.
Kulla e Kalasë së Petrelës në Tiranë, e cila daton në shekullin e VI, gjithashtu është një tjetër vlerë historike e kulturore, e cila mbeti e dëmtuar nga tërmeti i tmerrshëm që tronditi vendin tonë.
Edhe Kalaja e qytetit të Durrësit, e periudhës bizantine, është dëmtuar në një prej kullave të saj, në një pjesë të murit që ngrihet në mbi 8 metra lartësi.
Kulla e Kalasë së Krujës ose siç njihet ndryshe Kulla e Sahatit, struktura e shek. XI ka pësuar çarje gjatësore serioze, duke e vënë në rrezik shembjeje. Dëmtime kanë pësuar edhe muret e kalasë.
E pyetur nga Porta Vendore, Bashkia Krujë tha se gjithçka është në fazën e studimit nga Instituti i Gjeologjisë dhe më pas do të hartohet një projekt. “Do ta bëjmë kullën e kalasë së Krujës edhe më të bukur, ku nga 300 mijë vizitorë që vizitojnë kalanë e Krujës do të bëhen 700 mijë të tillë. Rikonstruksioni do të bëhet me financim nga qeveria, por megjithatë është ende herët për të folur për fillim të punës e terma kohorë”, thanë burime zyrtare nga Bashkia Krujë.
Sipas ekspertëve, gjendja e monumenteve të kulturës së kategorisë së parë është tejet e amortizuar dhe në këto kala kanë munguar investimet serioze të inspektimit të mureve dhe restaurimit të tyre ndër vite.
Ylber Shabani është inxhinieri nga Kosova, i cili u ftua nga Ministria e Kulturës dhe erdhi në mënyrë vullnetare për të inspektuar dëmet në këto kala.
“Unë kam shprehur mendimin tim, që derisa të merret një vendim nga ekspertët përkatës është mirë që banorët poshtë kalasë të largohen, pasi banesat e jeta e tyre rrezikohet seriozisht!”, tha ai.
Lidhur me këtë situatë, burime zyrtare nga Bashkia Krujë thanë për Portën Vendore që kanë hasur në një rezistencë të madhe të familjeve, banesat e të cilave ndodhen poshtë kalasë së Krujës. “Tani kemi urdhëruar policinë bashkiake që të nxjerrë jashtë, qoftë edhe forcërisht banorët lagjes ‘kala’ që bëjnë rezistencë për të qëndruar”, tha Bashkia e Krujës.
E gjithë puna e inspektimit dhe monitorimit në terren është bërë përmes dron-it Falcon8+.
“Çdo monument duhet urgjent të rilevohet dhe të bëhet një model 3d, dhe këto monumente të monitorohen herë pas here për çdo ndërhyrje të nevojshme. Ky lloj droni është i vetmi në llojin e vetë që lejon një fotografim 180 gradë, kjo i jep ekskluzivitetin të jete droni më ideal në inspektim/monitorim”, tha inxhinieri Shabani, i kontaktuar me telefon nga Porta Vendore.
Sipas ekspertëve të turizmit, mbyllja e detyrueshme e kalave pas dëmtimeve të marra nga tërmeti, do të sjellë kosto të mëdha në ekonominë e vendit.
“Natyrisht që dëmtimi i tyre do të thotë kosto të shumëfishuara afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Mjaft të marrim si shembull Krujën, kalaja e së cilës u dëmtua seriozisht. Përveç dëmeve të shembjes, efekti i menjëhershëm u ndje pas mbylljes së Muzeut ‘Gjergj Kastrioti’ dhe atij Etnografik, mbyllja e të cilëve nuk shkaktoi vetëm humbje nga biletat, por paralizoi gjithë jetën e qytetit, sepse bizneset e Krujës janë të fokusuara kryesisht te turizmi dhe shërbimet. Ata jetojnë pothuajse vetëm nga turistët. Miliona lekë të humbura çdo ditë, që ndikojnë jo pak në ekonominë e një qyteti të vogël si Kruja, por edhe në ekonominë e një qyteti të madh si Durrësi, humbjet e të cilit janë të pallogaritshme”, tha Flora Xhemani Baba, eksperte e turizmit, e cila është gjithashtu drejtuese e Revistës Travel, revistë që promovon historinë, arkeologjinë, traditat dhe kulturën shqiptare të çdo qyteti.
Sipas saj, ky është momenti që të kthehen sytë edhe nga këto monumente e për të ndërhyrë në mënyrë kirurgjikale për përmirësimin e tyre. “Kjo është gjendja e trashëgimisë kulturore, që zor se do të ndryshojë pas tërmetit, për të mos thënë që mund edhe të përkeqësohet, për shkak të prioriteteve të tjera, që do të jenë të zhvendosura për një kohë të gjatë në rindërtimin dhe riparimin e qendrave të banimit/pallateve/shtëpive në qytete e fshatra, në zonat e prekura nga tërmeti. Kjo është pasqyra më e zymtë e mundshme e situatës dhe në këtë kuadër, mbetet shumë pak vend për të menduar për meremetimin e Murit të Kalasë së Durrësit, Kalanë e Prezës apo Kalanë e Krujës, sepse ndryshe nga godinat e banimit që kërkojnë vetëm siguri, monumentet e kulturës kërkojnë ndërhyrje specialistësh, të cilat fillojnë nga vlerësimi i dëmit, e deri te mundësitë e riparimit të tij në mënyrë profesionale. Një pasqyrë më optimiste do të ishte që riparimi i monumenteve të shikohej me po aq prioritet sa edhe shtëpitë, nëse pranojmë që turizmin e kemi motor të ekonomisë”, sqaroi Flora për Portën Vendore.
Momentalisht, Ministria e Kulturës ka ndaluar hyrjen e vizitorëve në këto monumente. E pyetur nga Porta Vendore mbi masat që do të marrë Ministria e Kulturës sa i përket restaurimit të këtyre kalave të dëmtuara, kjo e fundit nuk dha një përgjigje. Por rreth një javë ma parë, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka inspektuar nga afër monumentet më të goditura, si kalaja e Krujës, kalaja e Prezës dhe muri bizantin në Durrës, për të evidentuar dëmet dhe marrë masat e duhura, ku theksoi se nuk do të jetë e thjeshtë dhe do të kërkojë kohë i gjithë ky proces restaurimi.
Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa media kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.