6 dhjetor 2019/Elisa Gjerani/ Eljona Ballhysa/ Porta Vendore
Pasojat e rënda të tërmetit tragjik të 26 nëntorit treguan tiparin e vullnetarizmit shqiptar, jo vetëm brenda kufijve të territorit të Shqipërisë, por kudo që ata ndodhen. Data 5 dhjetor, dita ndërkombëtare e vullnetarizmit, i gjeti shqiptarët bashkë në një kauzë që nuk ka prekur vetëm ata që u dëmtuan nga tërmeti, por këdo. Në këto ditë të emergjencës për fatkeqësitë natyrore, mijëra shqiptarë e kanë shfaqur vullnetin e tyre, jo vetëm duke u treguar të gatshëm për të ofruar shërbimet dhe punën vullnetare, por edhe duke dhuruar donacione të shumta, që në total arrijnë në miliona euro për ringritjen pas tërmetit me pasoja katastrofike.
Qindra vullnetarë në shtabet e emergjencës
Menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit një grup i madh vullnetarësh në mënyrë individuale ose të organizuar kanë qenë në terren në ndihmë të banorëve të prekur. “Aktualisht janë 302 vullnetarë individualë, të cilët vijnë nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora gjithashtu dhe një numër i madh i tyre nga Kosova”, deklarohet nga Ministria e Brendshme për Portën Vendore, e cila është pjesë e grupit të koordinimit në terren. Konkretisht, vetëm nga Kosova kanë mbërritur 30 inxhinierë dhe 50 psikologë. Ministria e Brendshme tha se të gjithë vullnetarët janë angazhuar menjëherë në terren në ndihmë të banorëve të prekur nga tërmeti. Grupi i vullnetarëve ka qenë kryesisht në Durrës, Shijak, Krujë, Bubq etj. Madje, për të organizuar më mirë vullnetarët dhe për të çuar ndihmat atje ku ka nevojë, qeveria ka centralizuar informacionin. Faqja ‘E-Albania’ i ka dhënë mundësi çdo qytetari, vullnetari apo organizate jofitimprurëse të regjistrohet duke dhënë dhe informacionin sa herë në ditë ata mund të shërbejnë, në çfarë harku kohor dhe frekuence, në çfarë vendesh dhe çfarë shërbimi mund të japin.
Por veç individëve, nga të dhënat mësohet se janë 18 organizata jofitimprurëse, të cilat po veprojnë në terren. “Mënyra sesi janë organizuar deri më tani organizatat jo fitimprurëse është se në qendrat e akomodimit, ata janë munduar të krijojnë kampe ose qendra të vogla lojërash për fëmijët”, tha Ministria e Brendshme. Po ashtu, OJF-të kanë shtrirë veprimtarinë e tyre edhe në dhënien e ndihmave për qytetarët e mbetur jashtë pas tërmetit, si në rroba, ashtu edhe me ushqime. Madje, ata janë ofruar edhe pranë qendrave të ngritura për shërbime të ndryshme
Po ashtu, pranë çdo qendre janë vendosur vullnetarë nga Urdhri i Psikologëve, ku aktualisht ka 350 psikologë, të cilët ofrojnë shërbimin e tyre të mbështetjes psikologjike në gjitha vendet ku janë akomoduar qytetarët e dëmtuar nga tërmeti.
Vullnetarë të shumtë kanë ardhur dhe nga vendet e tjera, ku të parët, pas Kosovës, ishin zviceranët dhe izraelitët. Një ekip me 15 specialistë të mobilizuar nga qeveria zvicerane kanë ardhur në Shqipëri për të ndihmuar vendin me pasojat e tërmetit më të rënde në dekadat e fundit. Ekipi përfshin ekspertë në dy fusha: inxhinierë që vlerësojnë gjendjen e ndërtesave dhe ekspertë që vlerësojnë nevojat dhe planifikojnë veprimet në përgjigje të tyre. Gjithashtu, Zvicra ka dhuruar 70 çadra të kompletuara për dimër me 280 krevate në zonat rurale në Kurbin, ndërsa në rajonin e Durrësit 30 çadra dhe 130 krevate. Gjithashtu, pjesë e pajisjeve janë batanijet dhe mbulesa tarpauline, të cilat sigurojnë komoditetin e duhur si dhe rezistencë ndaj motit të keq. Për shumë njerëz të cilët janë strehuar në lloje të ndryshme ndërtesash, ekipi zviceran po siguron krevate dhe batanije. Zvicra gjithashtu e do të ofrojë asistencë financiare për familjet e prekura nga tërmeti por kjo do të bëhet në bashkërendim me qeverinë dhe bashkitë.
Vullnetarët në “fushën e betejës”
Porta vendore kontaktoi me disa nga vullnetarët e angazhuar pas tërmetit të 26 nëntorit. Adriatik Lapaj, një aktivist i njohur, ka qenë një ndër vullnetarët e situatës së vështirë që ka kapluar vendin tonë. “Në kuadër të solidaritetit me të dëmtuarit nga tërmeti dhe konkretisht për familjet në fshatra, të cilat nuk mund të largohen për strehim në hotele apo banesa në qytet, pasi jetën e kanë të lidhur me tokën dhe gjënë e gjallë (për shkak se kanë bagëti, mjete të teknikës bujqësore, ushqimin e gjësë së gjallë, plaçkat në shtëpitë e dëmtuara), Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit vendosi që të propozojë ndërtimin e banesave kontejnerë për përdorim të përkohshëm nga banorët e fshatrave, deri në rindërtimin e banesave të tyre. Kësaj ideje iu përgjigjën qytetarë të ndryshëm, të cilët kanë paguar për ndërtimin e tyre pranë fabrikës ku prodhohen. Këto banesa kanë nisur të ndahen prej ditës së djeshme dhe do vazhdojnë, ndaj ftoj këdo ka dëshirë, të porosisë një të tillë vetë dhe t’ia dhurojë një familjeje të dëmtuar”, tha për Portën Vendore, aktivisti dhe avokati Adriatik Lapaj.
Ndërsa Albiona Mucoimaj ka 7 vite që është pjesë e organizatave vullnetare, që prej kohës kur ka qenë në vitet e para të studimit. Për të, vullnetarizmi është ndjesi. “Mua më pëlqen t’i bëj njerëzit të ndihen plot jetë, ndaj mendoj se vullnetarizmi është një mënyrë për të marrë pjesë në mundësinë e të bërit të njerëzve të ndihen të tillë”, tregon Albiona, e cila ka mbaruar studimet për punonjëse sociale. Si shumë aktivistë të tjerë, ajo nuk mund të qëndronte larg nga drama e 26 nëntorit. Pas tërmetit, ishin të shumtë njerëzit që kishin nevojë për të. “Kur u lajmërua që shumë banesa ishin dëmtuar, në mendje kisha fëmijët që kishin përjetuar atë situatë, sidomos në zonën e Durrësit dhe Thumanës, që u preken më shumë. Së bashku me dy kolege të miat të punës sociale dhe me ndihmat që Ecovolis grumbullon u nisëm për në Thumanë. Aty, fëmijë dhe të rritur kishin nevojë për shpresë, për pak buzëqeshje, dhe kjo është ajo që unë do të zgjidhja të bëja gjithmonë pa u menduar 2 herë”, rrëfen Albiona, ndërsa shton se në mendje i ka mbetur e gjithë ajo situatë traumatike e njerëzve të pafajshëm që u sprovuan nga një fatkeqësi natyrore siç ishte tërmeti.
Flavia është një tjetër e re, e cila u angazhua si vullnetare.
Ajo ka rreth 1 vit që punon pranë organizatës NewVision, duke dhënë kontributin e saj pranë fëmijëve me probleme në shikim si dhe pranë qendrave sociale në Tiranë. “Mblodhëm ndihma të ndryshme si: batanije, veshje, ushqime, dhe materiale higjienike. Bashkë me to, u nisëm për Thumanë ku gjendja që pamë ishte shumë shokuese dhe e prekshme. Ishte rrëqethëse kur dëgjoje banorë që qanin apo flisnin se si kishin humbur njerëzit e afërt në ato rrënoja që shkaktoi tërmeti. Atë ditë organizova grupin që të shpërndanim në mënyrë të shpejtë ushqimin e drekës, që ishte përgatitur për gjithë banorët e sistemuar nëpër çadra, si dhe dhashë ndihmën mjekësore për disa fëmijë të vegjël. Kujdesi për fëmijët ishte i veçantë. Ato u argëtuan me lojëra të ndryshme dhe terapi psikologjike. Kur i bëmë të buzëqeshnin ata fëmijë, për mua ajo ishte fillimi i një rilindje”, na rrëfen psikologia Flavia Pelushi. “Më shumë më kujtohen fytyrat e pafajshme të fëmijëve që ishin të frikësuar dhe disa nuk arrinin as të kthenin përgjigje kur i flisje. Më ka bërë shumë përshtypje gjithë ky solidaritet dhe mbështetje që kanë krijuar shqiptarët dhe jam ndjerë krenare, pasi janë të bashkuar nga të gjitha trevat shqiptare”, shton ajo.
Por në këtë emergjencë civile në terren drejt zonave të nxehta si Durrësi e Thumana nuk vërshuan vetëm juristë, punonjës socialë ose psikologë, por angazhimi qe maksimal nga të gjithë. Fatjon Kaca është djaloshi 30-vjeçar që ka rreth 5 vite që merret me shtresat vulnerabël, të klasifikuar si njerëzit e rrugës. “Gjatë këtyre ditëve të emergjencës shkaktuar nga tërmeti, ne si grup aktivistësh ishim në zonat ku gjenden komunitete në nevojë, kryesisht të minoritetit rom dhe egjiptian me të cilat kemi krijuar kontakte më parë, për shkak të nevojave të tyre social-ekonomike. Situata më e vështirë, ku rrezikohej edhe jeta e banorëve për shkak të gjendjes së rëndë teknike në të cilën ndodhet pallati edhe para se të binte tërmeti, është në lagjen 10, në një zonë përballë komisariatit nr. 4 në Tiranë, që quhet ish-konvikti i komunales. Ndërtesa është shumë e vjetër dhe në të jetonin rreth 60 familje. Përgjatë 4 ditëve dhe netëve pas tërmetit të datës 26 nëntor, familjet fjetën jashtë në disa tenda të sajuara keq me materiale të rastësore. Përveçse motit me shi, frikës së tërmeteve, varfërisë që është ulur këmbëkryq prej 30 vitesh në atë pallat, presionin më të madh banorët e kishin nga institucionet që në fakt duhet t’i përkrahnin dhe ndihmonin njerëzit më vulnerabël. Rreth 200 persona kërkonin një zgjidhje të qëndrueshme për strehimin e tyre, pasi e dinin që nëse do largoheshin nga aty, shumica prej tyre nuk do mundte më të blinte një shtëpi dhe të gjendur midis ndërtesës së dëmtuar nga tërmeti dhe të ardhmes të pasigurt, vendosën të rezistojnë shpërnguljen dhe të përballen me institucionet. Përgjatë ditëve që fjetën jashtë, banorëve iu ofrua ndihmë nga donatorë ndërkombëtarë, OJF lokale dhe dashamirës, të cilët ndihmuan të lehtësonin sadopak situatën me ndihma në ushqime, veshmbathje dhe materiale higjienike”, shprehet Kaca. Sipas tij, banorët arritën të fitonin mbështetjen e institucioneve përgjegjëse dhe një garanci që do ktheheshin sërish në pallatin e tyre, të rikonstruktur ose ndërtuar nga e para.
Donacionet, 61 milionë euro
Por, veç punës vullnetare dhe ofrimit të shërbimeve, shqiptarët kanë shfaqur vullnetarizmin e tyre edhe në donacione të shumta të ofruara si pranë autoritetet shtetërore, ashtu edhe pranë organizatat jofitimprurëse. Nga një vëzhgim i Portës Vendore rezulton se deri tani janë dhuruar mbi 60 milionë euro nga donatorë të mëdhenj, ndërsa nuk kanë munguar donacionet edhe nga njerëz të artit, sportit dhe kulturës, ku disa prej tyre i kanë bërë publike, disa të tjerë jo. Por, ajo që vihet re është fakti se janë mbi 20 donatorë, biznesmenë, apo shtete të huaja, që deri tani kanë dhuruar nga 100 mijë deri në 20 milionë dollarë. Madje, sipas përllogaritjeve rezulton se aktualisht janë dhuruar rreth 40.5 milionë euro dhe 22.6 milionë dollarë. Një kontribut i vyer është dhënë edhe nga shqiptarët e thjeshtë, të cilët kanë një llogari bankare, ku nëpërmjet platformës “E-albania”, kanë dhuruar mbi 500 mijë euro.
Sa i takon biznesmenëve rezulton se dhurime ka pasur si nga shqiptarë brenda vendit, ashtu edhe jashtë vendit. Lazim Destani, babai i aktorit Blerim Destani ka dhuruar 3 milionë, euro, Shefqet Kastrati, 1.5 milionë euro; Behgjet Pacolli, 1 milion euro dhe një pallat; Samir Mane me Balfin Group, 1.2 milionë euro; kompania Salillari, 1 milion euro; Bashkim Ulaj me kompaninë Gener 2, 1 milion euro dhe 20 apartamente.
Por nuk kanë munguar donacionet edhe nga bizneset e huaja. Dy kompani me pronësi kineze që operojnë me koncesione në Shqipëri, konkretisht, Bankers Petrolium dhe koncesionari i Tirana Airport “Nënë Tereza”, që kanë dhuruar nga 1 milion euro secili. Po ashtu, miliarderi amerikan George Soros ka dhuruar 500 mijë USD.
Lista me dhurimet nuk ndalet me kaq, pasi edhe OJF-të kanë arritur të mbledhin fonde të konsiderueshme parash. Fondacioni Firdeus me administrator Elvis Naçin ka arritur të mbledhë 5.1 milionë euro; “Fundjava Ndryshe” me administrator Arbër Hajdari, 2 milionë euro dhe gazetari Marin Mema me fondacionin “Rrënjët Shqiptare” 2.1 milionë USD. Megjithatë, Arbër Hajdari ka deklaruar se nga fondet e mbledhura nga OJF-të, rezulton se janë mbledhur rreth 20 milionë euro, pavarësisht se ende nuk ka të dhëna mbi OJF-të e tjera.
Po ashtu Komisioni Europian ka deklaruar se do të dhurojë 15 milionë euro, pa përjashtuar edhe donacione të konsiderueshme nga shtetet e tjera. Katari mban vend të parë me 20 milionë USD, ndërkohë që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë premtuar 3.2 milionë euro. Ndërsa Presidenti i Turqisë, Taip Erdogan ka deklaruar se do të ndërtojë 500 shtëpi. Ndihmë të konsiderueshme kanë dhënë edhe Kosova, Maqedonia e Veriut, Austria, Azerbajxhani dhe Greqia. Lidhur me donacionet e deritanishme, Kryeministri Rama deklaroi nga Kuvendi i Shqipërisë se donacionet përllogariten deri tani në 7 miliardë lekë të reja, ose e thënë ndryshe rreth 60 milionë euro, aq sa rezulton edhe nga përllogaritja e bërë nga Porta Vendore për donacionet e mëdha.
Po ashtu, gjatë ditëve në vijim pritet që të organizohet edhe një konferencë ndërkombëtare për mbledhje donacionesh, konferencë e kërkuar nga kryeministri Rama gjatë një takimi me Trump, Merkel dhe Macron gjatë samitit të NATO-s, të zhvilluar në Londër. Kjo konferencë donatorësh pritet të zhvillohet në Francë, pas kërkesës së bërë nga vetë Presidenti Macron për t’u zhvilluar në vendin e drejtuar prej tij.
Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa media kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.
Eljona Ballhysa është gazetare e çështjeve të aktualitetit në Tiranë.