5 dhjetor 2019/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës
Kur ka kaluar më shumë se një javë nga të tërmeti që tronditi jo vetëm pallatet por edhe zemrat e mendjet e shqiptarëve situata duket ende e paqartë në terren për banorët e mbetur në qiell të hapur.
Rihane Kica së bashku me bashkëshortin dhe dy djemtë banonte në katin e parë të një pallati tetë katesh në zonën e Plazhit, në Durrës. Mëngjesin e 26 nëntorit nuk e pati të lehtë të dilte nga apartamenti së bashku me familjarët e saj. Lëkundjet e forta të tokës përveç traumës u shoqëruan me fikjen e dritave.
Në krah mban fëmijën e vogël të vajzës, duke u munduar ta argëtojë me një pako patetina. Në shtëpi jeton së bashku me Arjanin 5 vjeçar, më i vogli i familjes. E mbajnë të gjithë nga pak në krah, që të harroj frikën e përcjellë nga lëkundjet që shkundën Shqipërinë.
E lanë Fushë-Bulqizën vite më parë, për t’i shpëtuar fatit të burrave që në të shumtën e rasteve kanë mundësi punësimi në minierë, duke mbetur shpesh viktima të shkëmbinjve prej kromi. Bashkë me kursimet e bashkëshortit, Ismailit, që ka derdhur djersën në minierë, përpara një viti me djemtë blenë shtëpinë ku jetonin për shumë vite me qira. 30 mijë euro ishin gjithçka që kishin.
“Kush don edhe shkon, por ne fëmijët i kemi në punë. E kemi dëgjuar nga televizori. Po presim, të shohim, sa të mundemi ta shtyjmë se po qe nevoja edhe atje do shkojmë [tek hotelet që ofron qeveria]. Normal kemi frikë ta lejmë vetëm apartamentin”, tregon Rihanja.
Investimi i kursimeve të jetës në apartamente duket se i mban të lidhur me to banorët. Në lagjen numër 4 të Durrësit, buzë rrugës, mbi një copëz toke të gjelbër është ngritur një çadër që nuk ngjan me asnjërën në qytet. “Ditën e parë kur ra tërmeti, na erdhën 2 polica dhe nja 2-3 civilë dhe na thanë mos u fusni brenda pa sjellë përgjigje”, tregon Ismet Byku, ulur mbi një dyshek në çadrën e rrethuar me plastmas.

Teksa tregon se ende nuk ka mbërritur ndonjë grup ekspertësh që ta kontrollojnë pallatin nga ana teknike, shpjegon se të vetmen herë që e ka “thyer urdhrin”, ka qenë për të marrë ndonjë batanije në apartament.
Nga pallati i ndërtuar në vitin 2001, katër familje me 8 kryefamiljarë qëndrojnë në një çadër të ngritur vetë përbri murit të portit të qytetit. “Nuk është punë shteti kjo, është punë njerëzimi. Duhet të interesohen, te vijnë e të na pyesin njëherë si e keni hallin. Askush nuk na ka ardh. Na ka sjell një shkodran bukë pramrom dhe mromë”, tregon Ismeti.
Bashkëshortja e tij, Xhevahirja, ulur në një stol po zien një kafe turke. “Po boj një kafe se na ka marr uria. Jemi të stresuar jashtë mase”, shpjegon e moshuara. “Shyqyr që e kishim këtë çadrën që na strehoi pak, të shofim edhe shtëpinë se ka fillu edhe vjedhja”, tregon shton ajo.

Durrësi, kryqëzim i dhimbjes me solidaritetin
Ka kaluar 1 javë nga tërmeti i mëngjesit të 26 nëntorit. Me magnitudë 6.3 i shkallës rihter, e shkundi qytetin që kishte rënë në qetësi prej shekujsh.
Tërmetin thotë se e ka ndjerë deri në Prizren edhe Latif Hoxha. Është specialistit i psikologjisë klinike dhe psikoterapisë. Me të kuptuar që ishte tërmet dhe se ku ishte epiqendra, së bashku me disa kolegë bënë thirrje në rrjetet sociale. 50 psikologë, ndër to 7 studentë po ofrojnë shërbim vullnetar në Shijak, Durrës dhe Golem.

“Ne e presim që të ketë një sjellje jo normale, një ndjesi më të theksuar drejt vigjilencës dhe natyrisht do kohë që të kalojë dhe prandaj kërkon një mbështetje sociale”, tregon Latifi. Përjetimi i tërmetit të zhurmshëm duket se është ngulitur fort në mendjen e të madhi e të vogli në Durrës.
“Tërmeti ka lënë shumë pasoja. Disa janë pa banesa, e disa i kanë por ende nuk i ka ardhur bashkia që t’i kontrollojë nëse janë në gjendje të banueshme. Ata që janë brenda shtëpive duan ushqime e veshmbathje, ndërsa të tjerët duan strehim”, përshkruan situatën aktivisti Juri Lubonja.
I riu nga Tirana nxiton. Është në kërkim të identifikimit të familjes së radhës në nevojë. Së bashku me disa vullnetarë të tjerë po shpërndajnë ndihma nën logon e organizatës humanitare Kryqi i Kuq Shqiptar. Juri shpreh habi se si shumica kanë kërkuar që të shkojnë në Kosovë dhe e injorojnë Tiranën apo Vlorën.
Në ditën që duhej të festohej çlirimi i vendit, Durrësi u zbraz si rrallë më parë. Ankthi i përsëritjes së tërmeteve i detyroi familjet që me makinat e mbushura deng me njerëz e rroba, të largoheshin sa më larg qytetit bregdetar. Ekipet e huaja të kërkim-shpëtimit apo të ndihmës teknike e mjekësore nuk u larguan për asnjë moment nga qyteti.
Pranë bashkisë së Durrësit, teksa përshëndesim një ekip mbi një kamionçinë me mbishkrimin “San Giovanni Rotondo – Emergjenca Civile”, nga rajoni i Pulias, drejt nesh afrohet Antonio Del Sorbo. Është vullnetar nga Italia dhe ka ardhur të ofrojë kontributin e tij për rimëkëmbjen e komshinjve përtej Adriatikut.
“Jemi këtu në Shqipëri në misionin për verifikimin e pasojave të tërmetit. Jemi nga Pulia (Puglia), Bazilikata (Basilicata), Molise dhe “Vigili Del Fuoco”, nga Roma. Kemi montuar një tendë në portin e Durrësit, stadiumin e qytetit, në Tiranë, për ndihmesën e qytetarëve”, shpjegon i riu.
Paraditen e së hënës përfaqësuesit e qeverisë paraqitën bilancin e dëmeve në qytetin e Durrësit. Në Bashkinë Durrës janë inspektuar 187 objekte, duke shpallur si të pabanueshme 86 prej tyre dhe 4 duhet të prishen. Operacioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit është shtrirë nga Thumana deri në Durrës, duke prishur 14 objekte të “gjymtuara” nga tërmeti.

Banorët, banesat e të cilëve u dëmtuan nga tërmeti i 26 nëntorit rrëqethen kur kujtojnë se çfarë kanë lënë pas. Arben Fasku banonte në lagjen 14 të Durrësit. “Me zor kemi gjet edhe rrugën me hap derën. Jam në kat të katërt, me nusen e sëmurë nëpër shtëpi, invalidë, me një fëmijë të vogël të djalit”, kujton Arbeni.

Vendos dy duart mbi gjunjët, sikur do të pengojë lëshimin e trupit. Qëndron në një prej komplekseve turistike në Durrës, ku qeveria shqiptare po strehon familjet e prekura nga tërmeti, të cilët sot zyrtarisht janë të pastrehë. 1961 persona sipas zyrtarëve të qeverisë janë strehuar në hotelet e Durrësit, Shëngjinit dhe Kavajës.
“Policia i ka vendosur shiritin, ku të shkojmë?! As nuk më bjen mëndja me e pa mo, kam frykë me hyp nalt. Ne do bojm atë që thotë shteti, çfarë mase do marri për ne”, tregon Arbeni, fytyra e të cilit shpreh një vendosmëri për të mos u kthyer më në apartamentin e rrënuar.
Banorët marrin çfarë ka mbetur nga banesat
Buzë pistës së biçikletave në Rrugën Pavarësia, në Plazh të Durrësit, përpara një godine qëndron në këmbë Sami Zina. Është i qetë se shtëpia e tij 3 katëshe nuk ka lëvizur nga tërmeti. Po ruan orenditë e fqinjit të tij në pallatin ngjitur.
Po shpëton çfarë ka mbetur në apartamentin brenda pallatit nëntë katesh. Tregon se deri në kat të shtatë muret janë shkëputur. “S’banon më njeri këtu, është i pabanueshëm. I çojnë orenditë tek shtëpitë e vëllezërve dhe farefisit”, tregon 72 vjeçari.
Por pasionet që kemi nuk njohin kohë të mirë, a kohë të keqe, ato janë gjithnjë aty, të gatshme për të na rrëmbyer. Biçikleta! Kjo ishte fjala që na katapultoi jashtë realitetit. Samiu nis të rreshtojë markat e biçikletave që ka në shtëpi, “Legnano”, “Lamborghini” dhe një që i ka ardhur së fundmi nga Amerika. “Ultra fare”, thotë me vetëkënaqje teksa krenohet se vëllain e ka pasur kampion republike, “mjeshtër i merituar”, ka qenë vetë çiklist, por ka edhe çunin e vëllait çiklist. Dikush afrohet dhe sjell një fshesë korrenti. Kaq u desh. Humbi qetësia dhe muret e pallatit të zhveshura nga tullat nuk lanë më shteg për të diskutuar për pasionet.
15 kilometra më larg, në Shijak, pazari që organizohet në një nga rrugët kryesore është rikthyer si çdo të dielë. Buzë rrugës po shet rroba si gjithmonë Ismet Manovi. Prej vitesh punon si tregtuar ambulant. Banesa e tij ja ka hedhur paq lëkundjeve të forta. “Ka shumë pak lëvizje, njerëzit janë të frikësuar, kanë ikur”, tregon qetë Ismeti.

Në Bashkinë Shijak qeveria njofton zyrtarisht se ka inspektuar 45 objekte, duke shpallur 25 prej tyre si të pabanueshme, por fatmirësisht asnjë nuk duket se ka nevojë për t’u prishur.
Perde, dollapë dhe çdo orendi e mundshme po shkulen nga muret që i rezistuan tërmetit pa u shembur. Plasaritjet kryq e tërthor pallateve kanë zbehur shpresat e banorëve. Pa mbaruar mirë inspektimi, ata kanë vendosur të zbrazin apartamentet ku rritën fëmijët e tyre dhe investuan çfarë kishin.

“Në katin e tretë është prishur fare, shtëpia ka dalë jashtë përdorimit, nuk kemi marrë asnjë ndihmë deri tani edhe po rrimë sa andej-këtej. Pallatit tonë ja ka vendosur shiritin. Unë po rri tek kunata ime, sa me fjet gjumë”, tregon Hamide Bulaj. Stresi i shkaktuar është ai që ka lënë pasojat më të dukshme tek banorët. “Tema thotë, tema, tërmet thotë nipi 3 vjeçar. Jemi të gjithë të terrorizuar”, shton Hamide Bulaj.

Teksa qeveria shqiptare përmes zëvendësministres së brendshme deklaroi se palestrat për pritjen e personave të pastrehë në Durrës janë mbyllur tashmë, duke i vendosur në hotele, në Shijak palestra e një shkolle dhe një fushë sportive e mbuluar janë streha e qytetarëve që e humbën banesën nga tërmeti që la pas 51 viktima.

Rreth autorit:
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.