Vëzhgim/Analizë

Bilanci pas tërmetit, dëme kolosale në 11 mijë banesa e pallate

4 dhjetor 2019/ Bledi Gilaj/ Porta Vendore/ Tiranë

Tërmeti me pasoja tragjike në njerëz, ku 51 persona humbën jetën dhe mbi 950 të tjerë u plagosën, ka shkaktuar edhe një kosto tejet të lartë financiare me banesat dhe apartamentet e dëmtuara nga lëkundjet e forta të 26 nëntorit, ndërsa ende nuk janë mbyllur “hesapet” me tërmetin e 21 shtatorit, i cili edhe pse nuk kishte viktima në njerëz, shkaktoi shumë dëme në ndërtesa. Sa i përket tërmetit të 26 nëntorit, nga të dhënat e grumbulluara deri mesditën e 3 dhjetorit rezulton se paraprakisht janë 1183 ndërtesa private të shembura, 5497 të dëmtuara rëndë dhe 3520 shtëpi të dëmtuara lehtë. Po ashtu rezulton se 558 pallate janë të dëmtuara rëndë dhe 335 të dëmtuara lehtë, ndërkohë që tre pallate janë shembur nga tërmeti, konkretisht dy në Thumanë dhe 1 në Durrës.

Të dhënat për dëmtimet nga tërmeti janë konfirmuar për Portën Vendore nga Ministria e Brendshme, e cila deklaroi se veç Durrësit, Tiranës dhe Lezhës që janë qarqet më të dëmtuara dhe është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, dëme të mëdha ka pasur edhe Dibër, Kukës, Fier, Elbasan dhe Berat. Aktualisht në shifrat e nxjerra nga Ministria e Brendshme janë përllogaritur paraprakisht dëmet në Durrës, Tiranë, Lezhë, Elbasan, Kukës dhe Dibër. Por, veç banesave dhe pallateve të dëmtuara, nga Ministria e Brendshme mësohet se dëme janë evidentuar dhe në biznese, në ku vetëm në Tiranë janë identifikuar 146 të tillë. Dëmtime ka pasur edhe në infrastrukturën publike, me 28 shkolla të dëmtuara, 2 qendra shëndetësore dhe 15 kabina elektrike.

Dëmet sipas qarqeve

Duke i ndarë në qarqe, rezulton se Durrësi, Tirana dhe Lezha janë tre qarqet më të dëmtuara, ndërkohë që aktualisht janë nxjerrë edhe disa të dhëna nga Kukësi dhe Dibra. Ministria e Brendshme deklaroi për Portën Vendore se në total janë shembur 1183 shtëpi private dhe vilat që janë përdorur si hotele, ku 1050 janë dëmtuar në Durrës, 131 në Tiranë dhe 2 në Dibër. Po ashtu janë dëmtuar rëndë 5497 banesa, ku Tirana mban peshën kryesore me 3821 të tilla, i ndjekur nga Durrësi me 1311, ndërkohë që në Lezhë janë dëmtuar rëndë 168 banesa, në Kukës 150 banesa, në Elbasan 34 dhe në Dibër 13. Por, bilanci i dëmeve nuk mbyllet me kaq për banesat, pasi ka pasur edhe 3520 banesa të dëmtuara lehtë, ku 3199 janë në Tiranë, 248 në Elbasan dhe 73 në Dibër.

Veç banesave dëme të mëdha ka pasur edhe në pallate, ku rezulton se deri tani janë konstatuar 558 të tillë, ku 461 janë në Tiranë, 56 në Lezhë, 35 në Durrës, 4 në Kukës dhe nga 1 në Elbasan dhe Dibër. Sipas të dhënave nga grupi i emergjencave, të gjitha banesat dhe pallatet e dëmtuara rëndë, aktualisht janë të pabanueshme dhe vetëm pas certifikimit nga ekspertët do të vendoset nëse ato do të shemben, apo do të rikonstruktohen.

Tabela pasqyruese e qyteteve të prekura nga dëmet e tërmetit të datës 26 nëntor

Por, tërmeti ka shkaktuar dëme të mëdha edhe në vepra publike, ku rezulton se kanë pësuar dëmtime 28 shkolla, ku peshën kryesore e ka Tirana me 11 të tilla, e ndjekur nga Elbasani me 9 shkolla, 5 në Lezhë dhe 3 në Kukës. Po ashtu, në Tiranë janë dëmtuar edhe 15 kabina elektrike dhe 146 biznese. Ndërsa sa i takon qendrave shëndetësore rezulton se deri tani janë verifikuar me dëme të mëdha, 1 në Tiranë dhe 1 në Kukës.

Për këto dëmtime, grupi i emergjencave civile, aktualisht po punon në terren për shembjen e objekteve të pabanueshme. Deri në mesditën e 3 dhjetorit, në qarkun Durrës janë shembur 19 objekte, prej të cilave 10 në Durrës dhe 9 në Thumanë, ku dy pallate u shembën në mesditë. Po ashtu janë në proces shembje 5 objekte në Durrës.

Numri i lartë i ndërtesave të shembura dhe atyre më dëmtime tregon se kjo do të ketë edhe një kosto të lartë financiare, por deri më sot, qeveria ende nuk ka përllogaritur një kosto të tillë dhe kjo është lënë në përfundim të evidentimit dhe verifikimit të gjithë dëmtimeve të pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Tërmeti i 21 shtatorit, ende asnjë investim

Ndërsa pritet fatura gjigante nga këto dëmtime, qeveria ende nuk ka bërë asnjë investim edhe për tërmetin e 21 shtatorit, i cili fatmirësisht nuk pati pasoja në njerëz, por që shkaktoi shumë dëme materiale. Nga të dhënat e publikuara nga Open Data rezulton se për tërmetin e 21 Shtatorit, qeveria shqiptare akordoi për mbrojtjen civile fond për rikonstruksion banesash në vlerën 456 704 940 lekë të re, ose e thënë ndryshe 3.7 milion euro. Sipas të dhënave, në total janë 233 banesa, të cilat kanë pësuar dëme në tërmetin e 21 shtatorit. Por, këto fonde nuk u vunë dot në punë, pasi siç komenton drejtoresha e AIS, Aranita Brahaj, çelja e fondit, vlerësimi dhe kontraktimi (megjithëse me negocim drejtpërdrejtë) u vonua 2 muaj. “Vetëm në datën 25 nëntor një ditë para tërmetit tjetër me shkallë Righter 6.4 u njoftua përzgjedhja e kompanive që do ndërtojnë”, konstaton Brahaj në një postim publik. Sa i përket shtëpive të dëmtuara më 21 shtator, ajo ngre edhe një shqetësim tjetër, duke pasur parasysh faktin se në asnjë dokument zyrtar nuk njoftohet nëse ka një listë me banesa të shpallura “me rrezik dhe të pabanueshme”.

Një ditë para tërmetit të datës 26 nëntor, një banor i zonës së ish parkut të autobuzave , në njësinë administrative nr.7 depozitoi ankesën e tij në lidhje me dëmet ende të pariparueshme që kishte pësuar pallati 5 katësh ku ai vetë banonte. Ankesa erdhi në rubrikën “Raporto” të platformës Porta Vendore. “Nuk është bërë ende asgjë. Kanë ardhur e kanë parë dhe kanë shënuar në procesverbale dëmet por ende pallati jonë ka plasaritje. Nuk e dimë a do të vijnë ta rregullojnë apo të veprojmë vetë”, shkruante ai, një ditë përpara tërmetit me magnitudë 6.4 të shkallës Righter.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme, u realizua mbledhja e Këshillit Bashkiak në Bashkinë Tiranë ku u miratuan një sërë vendimesh në lidhje me përballimin e situatës së emergjencës. Ndër të tjera u miratua: procedurë e përshpejtuar për dhënien e bonusit të qirasë 100% për familjet, banesat e të cilave janë shpallur të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit, dhurimi i 17 apartamenteve për familjet e viktimave të tërmetit të datës 26 nëntor që goditi vendin tonë si dhe, miratimi i 500 dëmshpërblimeve për dëmtimet në banesat e 21 shtatorit në Tiranë.

Ndërkohë situata paraqitet e vështirë edhe në Kamëz, ku shumë banesa janë dëmtuar nga tërmeti i fundit i datës 26 nëntor, megjithëse familjet nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim nga Bashkia Kamëz, as për tërmetin e datës 21 shtator, e as për atë të një viti më parë.

Vendimi i Këshilli Bashkiak Kamëz miratoi shumën e dëmshpërblimit në vlerën e 5.857.961 lekësh për 50 familje në Kamëz të goditura nga tërmeti i datës 04.07.2018. Ky vendim, si shumë të tjerë të kësaj natyre, i është dërguar për financim Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, për shkak se bashkia në atë kohë pretendonte se kishte mungesë fondesh, shpjegojnë aktivistët e grupit ATA në një shkrim të publikuar në nyje.al.

Për Portën Vendore aktivistët e grupit ATA tregojnë gjithashtu se personi me inicialet H.L i cili e ka referuar i pari çështjen tek Klinika Ligjore është prekur gjithashtu nga tërmeti i 21 shtatorit, por ende nuk ka marrë asnjë dëmshpërblim.

 “Jemi në fazën kur i jemi drejtuar Bashkisë Kamëz me një kërkesë për informacion, nëse vendimi i Këshillit Bashkiak i datës 22.10.2018 për të dëmshpërblyer familjet e prekura është firmosur nga prefekti. Nëse ky vendim është firmosur nga prefekti ashtu sikurse e parashikon ligji për vetëqeverisjen vendore atëherë ne si Klinikë Ligjore do ta ndjekim këtë çështje duke e çuar në gjykatë”, tha për Portën Vendore Dorina Ndreka, avokate pranë Klinikës Ligjore Durrës.

Shqetësimi lidhet nëse shtëpitë e rrëzuara në tërmetin e 26 nëntorit, janë në listat e shtëpive të evidentuara për rikonstruksion nga Bashkitë dhe Qeveria pas tërmetit të 21 Shtatorit. Deri tani nuk dihet nëse ka përputhje në ato lista, por banorët janë shprehur se në pallatet e Thumanës ka pasur dëmtime që në tërmetin e parë dhe që duhet të ishin shpallur të pabanueshme, ndonëse Bashkia e Krujës, e pyetur pak ditë më parë nga Porta Vendore nuk ka deklaruar asgjë në lidhje me këtë shqetësim.