Vëzhgim/Analizë

Post tërmeti, si do të ndërtohen banesat e shkollat? Rrugët ku do të gjenden paratë

3 dhjetor 2019/ Aurora Sulce/ Porta Vendore

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi një bilanc të frikshëm, me 51 viktima, rreth 900 të plagosur e me mijëra ndërtime të dëmtuara, një pjesë e të cilave edhe pallate të rrëzuara. Një javë pas ngjarjes, fatura përfundimtare është ende nuk ka dalë. Pas kalimit të fazës së parë, asaj të emergjencës me nxjerrjen e trupave nga rrënojat dhe sistemimin e të prekurve në kampe e hotele, procesi ka hyrë në fazën e dytë, në atë të vlerësimit të dëmeve dhe gjetjes së fondeve për mbulimin e faturës. Sesa është shifra që do të paguhet, kjo ende nuk dihet. Kjo pasi duhet pritur që të përfundojë procesi i vlerësimit në terren të ndërtimeve të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit dhe post goditjet që e pasuan.

Të dhënat zyrtare të deritanishme tregojnë se në total janë 7.896 ndërtime të dëmtuara, nga të cilat 131 banesa të shembura, 3811 banesa të dëmtuara rëndë dhe 3149 banesa të dëmtuara lehtë. Verifikimet në terren kanë evidentuar se pallate të dëmtuara rëndë janë 461 të tillë, 324 pallate janë të dëmtuara lehtë dhe 20 pallate janë shpallur të pabanueshëm.

BILANCI PARAPRAK I DËMEVE

Banesa të shembura 131
Banesa të dëmtuara rëndë 3.811
Banesa të dëmtuara lehtë 3.149
Pallate të dëmtuara rëndë 461
Pallate të dëmtuara lehtë 324
Pallate të shpallur të pabanueshëm 20
TOTALI 7.896

Ku do të gjenden paratë?

Qeveria nuk ka ende një faturë përfundimtare për dëmet e tërmetit. Kjo edhe për faktin se vijon ende vlerësimi në terren i banesave të dëmtuara. Por ajo që po diskutohet është gjetja e rrugëve për të mbuluar këtë faturë.

Katër janë burimet kryesore: rishikimi i buxhetit të këtij viti; ndryshimi i buxhetit të vitit të ardhshëm, që pritet të miratohet brenda pak ditëve në seancë plenare në parlament; donacionet e huaja dhe kontributi i brendshëm nga  biznese dhe qytetarë. Dhurimet vijojnë ende dhe kanë arritur tashmë në disa milionë euro, por zyrtarisht nuk ka ende një shifër të saktë. Kjo edhe faktin se ato kanalizohen nëpërmjet disa fondacioneve. Nga ana tjetër, janë edhe ndihmat në mjete monetare që do të vijnë nga vendet mike dhe nga organizatat, në të cilat Shqipëria bën pjesë. Edhe grumbullimi i këtyre fondeve është ende në proces dhe deri më tani ka arritur në disa milionë euro, por ende nuk ka zyrtarisht një shifër.

Ajo që dihet me siguri deri në këto momente është lëvizja e qeverisë për të ndryshuar draftin më të rëndësishëm të financave publike: buxhetin e këtij viti dhe atë të vitit të ardhshëm.

“Në buxhetin 2020 do ta kalojmë në parim, por ai do të ndryshohet nen për nen sepse po e them zyrtarisht kryeministri ka vendosur që të përfshijë fondin e rindërtimit në buxhet. Pasi ky fond të jetë përcaktuar atëherë buxheti do të ndryshohet gjatë diskutimeve nen për nen”, deklaroi Arben Ahmetaj, kryetar i Komisionit parlamentar të Ekonomisë dhe Financave në mbledhjen e së hënës.

Ministrja e Financave, Anila Denaj dha disa detaje më shumë. Ajo u shpreh se pjesa kryesore e parave për ndërtimin e banesave do të vijnë nga shkurtimi i investimeve publike, por qeveria do të vërë gërshërë edhe mbi shpenzimet korrente. “Kemi identifikuar disa projekte, të cilat mund të shtyhen me një vit për të krijuar hapësirë që të financojmë programin e rindërtimit”, u shpreh Denaj.

Ndërkaq burime pranë Ministrisë së Financave konfirmojnë për Porta Vendore se projektet e  para që pritet të shtyhen në kohë janë kontratat e reja të formës PPP (Partneritet Publik Privat) të rrugëve Milot-Balldren dhe Orikum Dukat. Gjithashtu, shkurtime do të bëhen edhe për disa projekte të tjera rrugësh dhe fondet që do të çlirohen, do të orientohen drejt ndërtimit të shkollave, që janë dëmtuar nga tërmeti.

Qeveria pritet që të rishikojë edhe buxhetin e këtij viti me një akt normativ. Kjo me qëllim përballimin e një pjese të shpenzimeve emergjente. Burimet e mësipërme nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se përpara se të bëhet ndryshimi i buxhetit, duhen pritur që të dalin të dhënat e muajit nëntor për të parë performancën e administratës fiskale (të ardhurat e mbledhura nga tatimet dhe doganat).

“Kemi identifikuar shkollat e dëmtuara që do të kenë prioritet absolut muajin e ardhshëm. Ndërsa për banesat po shikohet zgjidhja e qerasë, siç e përdorim në shpronësimet. Pra, banorët të strehohen me qira. Do shohim sa hapësira kemi këtë vit dhe do vendosim me komisionin e ekonomisë”, deklaroi Anila Denaj, ministre e Financave.
Në kushtet kur fatura e dëmeve të tërmetit akoma nuk është vlerësuar plotësisht, qeveria ende nuk ka marrë vendim se sa do të jetë pjesa që do të financojë buxheti i shtetit. Kjo do të varet shumë edhe nga donacionet. Vetëm pasi shifra e saktë do të zbulohet, ekzekutivi do të marrë vendimin, nëse duhet të gjejë forma të tjera për ta përballuar. Teorikisht, përveç shkurtimit dhe riorientimit të shpenzimeve ekzistojnë edhe dy instrumente të tjerë për të gjeneruar fonde: në kahun e të ardhurave (rritja e taksave) dhe rritja e borxhit. Por a janë alternativa për t’u marrë në konsideratë në këtë moment. Adrian Civici, ekspert i njohur për ekonominë hedh poshtë mundësinë e rritjes së taksave për ndikimin negativ që do të kishte te konsumi dhe ekonomia në tërësi.

“Edhe pse rritja e taksave është një instrument për të garantuar më shumë të ardhura, në këtë moment dhe në këtë situatë nuk është alternativë që mund të ekzistojë, pasi do të kishte pasoja direkte dhe indirekte në ekonominë shqiptare dhe në konsum. Alternativa e fundit do të jetë rritja e borxhit, nëse nuk do të gjenden zgjidhje të tjera”, shprehet Civici.

Me një panoramë të tillë të financave publike dhe gjendjes së ekonominë, tkurrja e shpenzimeve buxhetore dhe riorientimi i investimeve publike drejt shkollave të dëmtuara dhe fondit të rindërtimit mbetet zgjidhja e vetme.

Rreth autorit:
Aurora Sulce është gazetare e çështjeve ekonomike në Tiranë.