Ndodhi

Durrësakët drejt Elbasanit, 300 të strehuar, 6 hotele në dispozicion

29 nëntor 2019/ Bardha Nergjoni/ Porta Vendore/ Elbasan

Shumë banorë të Durrësit i janë drejtuar Elbasanit për strehim të përkohshëm, si qyteti më i afërt dhe më i sigurtë pas tërmetit të 26 nëntorit. Gjatë gjithë pasdites së 28 nëntorit, me dhjetëra familje janë strehuar tek të afërm, hotele dhe njësi akomodimi të ofruara privatisht dhe nga Bashkia Elbasan.

Sipas të dhënave të bashkisë janë rreth 300 persona që deri në mesditën e 29 nëntorit janë strehuar në hotele, në konviktin e shkollës pedagogjike dhe në disa familje elbasanase. Janë edhe 6 hotele në Llixhë të Elbasanit të gatshëm për të pritur të pastrehët e tërmetit.

“Ne nuk kemi një shifër të saktë të strehuarish. Aktualisht kemi identifikuar 300 të strehuar dhe presim akoma edhe më shumë. Bashkia Elbasan ka ofruar kapacitetet e saj akomoduese si dhe po asiston me veshje dhe ushqim të strehuarit në hotelet private. Ne kemi edhe 6 hotele në dispozicion për të pritur ata që dëshirojnë të strehohen në territorin e Bashkisë Elbasan”, tha Taulant Sinani, përgjegjës për asistimin e të ardhurve nga Durrësi pranë njësisë vendore.

Ndërkohë vetë banorët e mbërritur gjatë orëve të mbrëmjes së datës 28 nëntor dhe gjatë ditës së 29 nëntorit kanë deklaruar se shtëpitë janë të pabanueshme dhe vazhdimi i lëkundjeve bëri që të merrnin vendimin për tu larguar pas 4 netëve në makina apo në qiell të hapur. Ata kanë falenderuar qytetin e Elbasanit për mikpritjen. “Elbasani është qyteti më i afërt për ne dhe nuk ka pësuar dëmtime. Më mirë në Elbasan se sa të rrinim akoma në Durrës. Ne kemi më shumë nevojë të qetësojmë fëmijët”, tha një banor i strehuar në hotel Kriva në Elbasan. Ndërkohë një tjetër familje e strehuar në hotelet në Llixhë të ofruara nga biznesmenë elbasanas, tha se kanë marrë vetëm rrobat e trupit, pasi për shkak të lëkundjeve nuk kanë mundur të kthehen në apartamentin e tyre të dëmtuar. Ka dhe nga ata banorë që janë larguar për shkak të panikut edhe pse shtëpitë e tyre nuk kanë pësuar dëmtime.

Bizneset mbledhin 260 mijë Euro për të dëmtuarit nga tërmeti
Ndërkohë pasditen e 29 nëntorit është organizuar edhe një mbledhje fondesh. Të majtë e të djathtë, besimet fetare dhe biznesmenë janë bërë bashkë në një iniciativë për mbledhje fondesh të organizuar nga qendra e bashkëpunimit ndërfetar në Elbasan. Biznesmenët kanë ofruar vlera monetare të konsiderueshme për të dëmtuarit nga termeti i 26 nëntorit. Ndër to vlerat më të mëdha i ofruan biznesmenët Vullnet Sina me 10 milionë lekë dhe Gjergj Luca gjithashtu me 10 milionë lekë. Vlera të konsiderueshme parash kanë ofruar edhe biznese të njohura në Elbasan si dhe kompania Kurum, që do të ofrohet për të rindërtuar objektet e shkatërruara në qytetin e Durrësit me materialet e hekurit. Ndërkohë kryetarët e bashkive të qarkut kanë ofruar pagën e tyre të muajit nëntor si dhe kanë deklaruar se punonjësit do të jenë kontribues gjithashtu me çfarë të munden duke grumbulluar sa më shumë fonde për të dëmtuarit nga fatkeqësia natyrore. Të dhënat bankare të bizneseve që ofruan kontributin e tyre do të përcillen nëpërmjet portalit unik e-albania ku edhe do të depozitohen paratë e mbledhura.
Elbasani ka identifikuar rreth 40 banesa të dëmtuara kryesisht shtëpi dhe pallate të vjetra. Bashkia i ka ofruar banorëve të dëmtuar si zgjidhje strehimin në konvikte, deri në një vlerësim të dëmeve nga tërmeti. Ndërkohë grumbullimi i ndihmave dhe të ardhurave ka vazhduar qysh nga 26 dhjetori para bashkisë Elbasan, ndihma të cilat janë transportuar drejt Durrësit nga institucioni vendor.
Rreth autorit:
Bardha Nergjoni është gazetare në Elbasan.