Festa e Pavarësisë e gjeti Shqipërinë të gjunjëzuar nga një tërmet që i mori jetën të paktën 41 personave dhe plagosi qindra të tjerë. 107 vite pas shpalljes së pavarësisë, vendi pati nevojë për aleatët e saj nga shtetet e tjera, për të përballuar pasojat e tërmetit të 26 nëntorit, 6.4 ballë i shkallës rihter.
Flamuri me shqiponjën dy krenare dhe fushën e kuqe u ul në gjysmë shtizë. Ditë zie kombëtare. Kryeministri Edi Rama njofton se qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në territorin e Durrësit dhe Tiranës.
Në Thumanë ankthi i pritjes së viktimave të tjera apo shpresa se ka endë të gjallë në rrënoja ka mbaruar. Operacioni i shpëtimit u mbyll me një bilanc tragjik. Pas operacionit që zgjati 48 orë, u gjendën të pajetë trupat e 22 personave.

Në Durrës, përtej shiritave “Mos kalo”, qëndrojnë ende familjarë. Herë pas here dikujt i bien të fikët, teksa nga qielli i zi sterr kanë filluar të bijnë pika shiu. Shpesh ndalon puna për kërkimin e trupave dhe diku dëgjohen njerëz që bërtasin e vrapojnë. Po bie tërmeti i radhës. Në mesditë, midis lotëve, të afërm, qytetarë dhe intelektualë të qytetit përcollën për në banesën e fundit familjen Reçi.
Me erën që fishkëllen kudo në qytet, gjethet e vjeshtës që kanë mbuluar rrugët, dridhjet e herë pas hershme të tokës, në ambientet e Teatrit “Aleksandër Moisiu” u zhvilluan homazhe për 4 pjesëtarët e familjes Reçi. Mbrëmjen e djeshme Ekipi Rumun i Kërkimit dhe Shpëtimit Urban (RO-USAR), së bashku me kolegët shqiptar arritën të nxjerrin nga rrënojat trupat e pajetë të 21 vjeçarit Klaus Reçi dhe nënës së tij, Dolora 49 vjeçe.
Klausi dhe nëna e tij ishin bllokuar nga një kolonë. Gjendeshin pranë njëri-tjetrit dhe pas punës për prerjen e materialeve ndërtimore, ata arritën të nxirreshin nga rrënojat po bashkë. Më herët nën pallatin e shembur pranë stadiumit të Durrësit, u gjetën trupat e kryefamiljarit, Eduart Reçi, 54 vjeç dhe vajzës, Kristi Reçi. 25 vjeçarja kishte mbaruar studimet për mjekësi dhe ishte duke zhvilluar stazhin 1 vjeçar.

Numri i viktimave sipas autoriteteve deri më tani ka shkuar në 41 persona. Ministria e Mbrojtjes bëri publik emrat e tyre dhe saktësoi se në Durrës në total kanë humbur jetën 15 persona, në Krujë 23 dhe në Lezhë-Mamurras ka humbur jetën 1 person (i aksidentuar).
Lagjet numër 6, 13 dhe 17 në Durrës janë tre pikat ku janë fokusuar ekipet e kërkim-shpëtimit, me shpresën e gjetjes së personave të gjallë apo trupave të atyre që janë deklaruar nga familjarët si të humbur.
Durrësi, nën pushtetin e lëkundjeve të tokës dhe solidaritetit ndërkombëtar
Kryqëzimi i Stadiumit në Durrës është kthyer në një pikë graviteti për solidaritetin njerëzor. Ekipe mjekësore, ndihma humanitare, vullnetarë, vijnë minutë pas minute. “Porsa morëm lajmin për numrin e madh të viktimave dhe të plagosurve në Shqipëri, Shërbimi Emergjent mori vendim që të sillnim ekip vullnetar për ndihmë në Durrës. U paraqitën mjekë dhe infermierë vullnetar dhe u nisëm menjëherë për këtu”.
Kështu e përshkruan për Portën Vendore ardhjen në Durrës doktor Sylejman Baxhaku, mjek i Shëndetit Primar në Prizren, Kosovë. Në një shesh tjetër të qytetit, “Liria”, kanë ardhur ekipe mjekësore nga Serbia.
Mbrëmjen e djeshme autoritet vendore vendosën dërgimin e një pjese të banorëve nga çadrat e ngritura, drejt ambienteve të shkollave të qytetit, për shkak se pritet të nisin shirat. “Familjet banesat e të cilave do të vlerësohen si të pabanueshme do të strehohen në hotele ku qeveria do të lidhi kontrata, ku janë të paguara të gjitha. Kjo do të zgjas disa muaj deri në rindërtimin e plotë të banesave”, tha për Portën Vendore, Artur Lekbello, shefi i Emergjencave Civile në Qarkun Durrës.
Në rrugët e qytetit gjen pak makina që qëndrojnë me qytetarë që duan t’i shpëtojnë lëkundjeve të tërmetit. Shumica kanë marrë familjarët, duke mbushur makinat me valixhe dhe janë larguar jashtë Durrësit. Rrugët për të dalë nga qyteti paraqiten me rradhë kilometrike, si një eksod pas tërmetit.
Pogradeci dhe Korça duken më të preferuarit. Të moshuarit që kanë fëmijët jashtë vendit i janë drejtuar aeroportit për të kaluar përtej Adriatikut. Shumica e dyqaneve kanë ulur qepenat dhe pak kafene gjenden hapur.

Shefi i Emergjencave Civile në Durrës shpjegon se nuk ka vend për panik. Nuk ka një situatë evakuimi të qytetarëve, por vetëm për familjet të cilat nuk kanë ku të banojnë, për shkak se banesat e tyre janë shpallur të pabanueshme. Deri më tani në hotelet e qytetit janë akomoduar 300 persona dhe vijon puna për transferimin e të tjerë qytetarëve banesat e të cilëve janë dëmtuar shumë nga tërmeti dhe deri më tani kanë qëndruar në çadra.
Grupet e kërkim-shpëtimit të ardhura nga Franca dhe Izraeli, të pajisur edhe me qen për kërkim janë duke zhvilluar një operacion në lagjen numër 6 të Durrësit. Një pallat 6 katësh u shemb duke fundosur dy kate. Fqinjët flasin se disa pësuan fraktura pasi dolën më shpejtësi nga apartamentet, por shembja e shkallëve kryesore i hodhi ata në hapësirën boshe.
“Kati i katërt u kthye në të dytin pasi u shemb pallati. Kanë dalë njerëzit me çarçafë nga dritaret”, tregon një banor me zë të ulët. Pak pas shirit gjenden familjarët që presin lajme, të pushtuar nga ankth i pritjes për gati 72 orë.
Teksa shumë qytetarë kanë zgjedhur ta braktisin qytetin, ekipet e kërkim-shpëtimit me flamurin francez apo shqiptar të qepur në krah, vijojnë punën me vendosmëri për nxjerrjen e dy trupave të pajetë që gjenden nën rrënoja dhe nuk e ndalojnë operacionin pavarësisht tërmeteve që nuk reshtin së shkunduri tokën.

Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.