28 Nëntor 2019/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Kruje
Thumana është fshati që u trondit dhe pati tragjedinë më të madhe njerëzore nga tërmeti i së martës, i cili shkundi Shqipërinë dhe që paslëkundjet e tij vazhdojnë të mbajnë në alarm të gjithë shqiptarët, sidomos në qarkun e Durrësit dhe të Tiranës. 48 viktima dhe qindra të plagosur shkaktoi tërmeti me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter, i cili mendohet se ka arritur në përmasa më shumë se 8 ballë. Pas 48 orësh, kërkimet për të gjallë apo të vdekur kanë përfunduar në Thumanë, duke i lënë tashmë vend dhimbjes së pafund.
Ora shënon 8 e 3 minuta. Pas më shumë se 52 orësh nga tragjedia e tërmetit me magnitude 6.4 e shkallës Rihter (e deklaruar mbi 8 ballë), gjithçka duket e mpirë në Thumanë. Që së largu, kur merr kthesën nga rruga nacionale Fushë Krujë-Milot, duken autokolonat e makinave të ushtrisë, të cilat janë pozicionuar në hyrje të fshatit më të dëmtuar nga tërmeti. Në hyrje të Thumanës shkëmbehemi me 2 makina, ndërsa një furgon policie zhvendos një barrelë drejt një makine tjetër të forcave të emergjencës. Të fundit trupa që u gjetën mëngjesin e ditës së enjte në Thumanë ishin Almir dhe Stela Cara.

Nuk është e lehtë të marrësh kurajën e të vijosh për në qendër të fshatit, e më mandej për në pallatet e dëmtuara, gërmadhat e të cilëve morën jetën e 24 personave. Marr frymë thellë dhe vazhdoj rrugën. Rrugët e rrugicat e Thumanës janë plot e përlot njerëz, aq sa Thumana nuk mban mend ndonjëherë të ketë pasur. Disa nxitojnë të shkojnë në shtëpitë një ose dykatëshe, që i kanë shpëtuar tragjedisë pa asnjë dëmtim, të tjerë nxitojnë të shkojnë për ndonjë ceremoni mortore, pasi siç deklarojnë edhe vetë banorët prej ditës së mërkurë janë hapur dyert e mortit për familjet që kanë humbur njerëzit e tyre me të dashur. Në Thumanë ka me qindra forca policie, ushtarake, forca të kërkim-shpëtimit, automjete zjarrfikëse, autoambulanca, kamionë, ekskavatorë etj. Gjithçka e parë dhe e transmetuar në televizor nuk krahasohet me atë që sot Thumana është. Dhimbja është shumëfish më e madhe. Të gjithë janë të hutuar, të shpërqendruar, të traumatizuar, mbase edhe me pikëpyetjen e madhe: A mund ta kishim parandaluar këtë tragjedi?! A mund të kishim bërë më shumë për të shpëtuar të tjera jetë?! Pyetje të cilat për fat të keq, do t’i shoqërojnë për një kohë të gjatë. “Mbaje dorën e zot”, dëgjohet pasthirrma e një burrë rreth të dyzetave, i cili nuk ia ndan shikimin gërmadhave. Por edhe objektet e kultit, si xhamia në qendër të fshatit, nuk kanë shpëtuar pa dëmtimeve. Ndërsa vetëm pak metra më tutje policia rrugore ka ngritur një postbllok fizik me disa policë ku na komunikon se asnjë nuk mund të vijojë me makinë. Ndërsa zbresim dhe nisim rrugëtimin më në brendësi të fshatit në këmbë, të parin që takojmë është Ramazani, punonjës në njësinë administrative Thumanë. Ai rrëfen për Portën Vendore shumëçka që u përjetua mëngjesin e tmerrit të datës 26 nëntor.

“Ishte e tmerrshme. Vrapuam të gjithë nën rrënoja, u përpoqëm të shpëtonim banorët që ishin nën rrënoja. Shteti erdhi rreth orës 5 të mëngjesit, erdhi shpejt. Por ishte errësirë kudo dhe nuk dallohej, me drita telefoni kemi shkuar”, tregon Ramazani për Portën Vendore. Ndërsa rrëfen mes lotësh, ai shpjegon se “disa nga banorët e shpëtuar, kanë qenë të katit të parë dhe duke u larguar nga pallati, i ka kapur soleta, rreth 3 metra larg pallatit”.
Të gjithë të rinjtë e Thumanës, pasi siguruan se familjarët e tyre ishin mirë, shkuan me vrap për t’i ardhur në ndihmë banorëve që u gjenden nën rrënoja. “Zhurma ishte si një bombë e fuqishme dhe pamë vetëm tym në drejtim të pallateve. Përjetuam një tmerr. Pamë fëmijë e të moshuar poshtë kolonave të betonit. Kemi gërmuar me duar duke asistuar gjithashtu në shpëtimin e djalit të vogël, i cili ishte mbrojtur nga gjyshja e tij, që për fat të keq ndërroi jetë. Akoma më kujtohen skenat. S’ka për të mu hequr kollaj nga mendja gjithë kjo histori”, tregon Endri një 18-vjeçar, i cili ndihmoi në operacionin e kërkim shpëtimit.
“Sardi Cuka e kisha shok klase, nuk më besohet se ka humbur jetën. Kishte aq shumë ëndrra e dëshira. Nuk e meritonte që ai dhe familja e tij të vdisnin kështu. Nuk me hiqet nga mendja e gjitha kjo, e kam të pamundur. Jeta qenka kaq e padrejtë… ”, rrëfen i riu mes lotësh.
Teksa vijojmë rrugën drejt pallateve të rrënuara, në rrugë hasemi me njerëz që vendosin në shtyllat e tej mbushura të Thumanës lajmërime. Në shume lagje ka nisur kuja për familjarët që humbën jetën në dy prej pallateve të rrënuara. Dhimbja është aq e madhe, saqë nuk mund të afrohemi, duke respektuar kësisoj një parim etik e njerëzor. Pas orësh të gjata pritje atyre i vdiq çdo shpresë. Familjet më të prekura nga kjo tragjedi janë disa, të tilla si: Familja Cara, Çupi, Cakoni, Kabili e Greku.

Dy janë pallatet e shembura nga tërmeti i datës 26 nëntor, ndërsa një i tretë u dëmtua deri në kanosje shembjeje nga tërmeti i orës 7 të mëngjesit në Thumanë, por fatmirësisht në të nuk gjendej askush. Thumana duket si në gjendje lufte, rrënojat dhe zgavrat e vrimave në mur të krijojnë më së miri këtë përshtypje.


Këto pallate janë ndërtuar në mënyrë vullnetare pas viteve 1970, dhe cilësia ka lënë për të dëshiruar. Madje këto pallate, sipas disa banorëve janë shpallur të pabanueshëm nga pushteti vendor. Megjithatë
“Nuk ka pasur një vendim me shkrim nga inspektorët pas verifikimeve të tërmetit të 21 shtatorit. Pushteti nuk flet me gojë, flet me shkrim. Ato thjeshtë kanë pasur nevojë për restaurime e gjëra të vogla. Por pallatet kanë qenë të amortizuar, me tulla të dobëta dhe tërmeti ishte shumë i madh”, pretendon Ramazani.
Në këto mure u shuan ëndrrat e shumë familjeve, duke lënë vuajtje e lot tek familjarët që patën fatin të nxirreshin nga rrënojat. Këto gjysmë mure të mbetur duket se kanë shumë për të rrëfyer, pasi ato mbeten pas të mbijetuarve, dëshmitaret e vetme të kësaj tragjedi.
Ndërpriten kërkimet…
Pas 48 orësh, kërkimet kanë përfunduar, ndërsa ekspertët shqiptarë e të huaj ndodhen ende pranë gërmadhave të pallateve duke inspektuar. Perimetri i sigurisë nuk lejon askënd që të futet, duke i mbrojtur kësisoj njerëzit nga ndonjë rrezik potencial shembjeje.
“Këtu është bërë maksimumi për sa i përket kërkimeve. Trupat e kërkimit kanë bërë një punë të shkëlqyer. Ishalla nuk po rrezikohemi më”, shprehet Ramazani, banor i Thumanës.
Megjithëse kërkimi ka përfunduar, fytyrat e zjarrfikësve dhe grupet e kërkim shpëtimit janë të trishta. Të gjitha forcat e emergjencave në vend u bënë bashkë, ku kaluan 48 orët më të vështira të jetës profesionale e njerëzore.
“Ka qenë shumë e dhimbshme. Në gjithë misionet tona të vështira ky ishte më i dhimbshmi.Kemi tejkaluar çdo kapacitet, kemi punuar edhe përtej mundësive tona. Por ajo që ishte më sfiduesja, ishte pikëpamja njerëzore”, shprehet për Portën Vendore Ilir Llapushi, shef i MZSH-së Gramsh.
Pranë qendrës shëndetësore në Thumanë janë ngritur rreth 100 çadra ku janë akomoduar me qindra banorë, ku përveç atyre që i është dëmtuar shtëpia, ka edhe banorë që i kanë kaluar këto dy net në çadër për shkak të frikës, që është e madhe, e që nuk ka prekur vetëm ata.

Por kapacitetet e çadrave sërish janë të pamjaftueshme, ndaj po punohet për ngritjen e çadrave të tjera. Ndërsa në sheshin e shkollës 9 vjeçare e të mesme në Thumanë janë ngritur çadrat e skuadrave të kërkim-shpëtimit. Të gjithë banorët e kampit identifikohen nëpërmjet disa shiritave blu, të vendosur në dorë.
Në kampin e ngritur për banorët duke nisur nga pasditja e djeshme nuk lejohen më kamerat. Në hekurat e kampit bisedojmë me Alfron Muçën, të cilit i është dëmtuar shtëpia dhe plagosur bashkëshortja nga tërmeti famëkeq i datës 26 nëntor. Ai tregon për Portën Vendore nëpërmjet një interviste se nga tërmeti i 21 shtatorit banesa e tij ka rezultuar e pabanuar, megjithëse ai nuk disponon asnjë procesverbal nga inspektimi i kryer.
Ndërsa Valentina bashkëshortja e tij, tregon tmerrin natën e tërmetit, ku mbeti e plagosur me fraktura në kafkën e kokës.
Përtej kordonit të sigurisë që policia ka ngritur ndodhen mediat, gazetarë e operatorë të “rraskapitur” nga dhimbja e nga orët e gjata të transmetimit. Gazetarëve shqiptarë i janë bashkuar edhe mediat e huaja, si greke, italiane e spanjolle.

“Kjo gjë që ndodhi në Thumanë nuk harrohet lehtë. Të gjitha familjet e viktimave janë në vaj, kanë nisur ceremonitë mortore. Dje janë bërë 4-5 ceremoni. Sot kemi 3 të tjera. Janë momente vërtetë të vështira, ku nuk ka fjalë për ngushëllime. Ka familjarë që kanë shpëtuar gjallë, por që nuk e dinë akoma humbjen e personave të dashur”, përfundon Ramazani.
Shumë familje janë dëmtuar nga ana materiale, ku me qindra shtëpi janë kthyer në të pabanueshme. E tillë është shtëpia e Gëzim Qirës, i cili së bashku me 4 pjesëtarë të familjes fle përpara shtëpisë me një çadër të improvizuar plastmasi.

“Kemi dal me vrap nga shtëpia, kisha hallin e fëmijëve të vegjël që u traumatizuan. Kam sajuar këtë plastmas në oborr dhe kemi dy netë që flemë aty. Askush nuk ka ardh të më jap ndihmë. Kam kërkuar pranë njësisë administrative ndihmë, por ata kanë hallin e atyre që janë në çadër”, tha Gëzimi për Portën Vendore.

Tronditjeve të mëdha të tërmetit me magnitudë 6.4 e shkallës Rihter nuk i kanë shpëtuar as vilat e bëra viteve të fundit në Thumanë. Pronari i vilës trekatëshe na tregon se vijon të qëndrojë në shtëpi, pasi ka frikë nga ndonjë hajdut i mundshëm, i cili ruan këto raste.
“Fëmijët i kam çuar tek disa kushurinj e bashkë me gruan po fle në katin e parë të vilës. Normal që kemi frikë por kjo është pasuria jonë e një jete dhe na dhimbset ndaj nuk mund ta lëmë në mëshirë të fatit ose në duart e hajdutëve që këto raste presin”, tha Admiri, pronari i vilës.
Admiri na porosit që të mos guxojmë të hipim lart për të shprehur disa foto pasi i druhet ndonjë tërmeti të beftë.

Në lidhje me pretendimet e disa banorëve për sa i përket manipulimit të procesverbaleve të inspektorëve në post-tërmetin e 21 shtatorit Porta Vendore kontaktoi edhe kryebashkiakun e Krujës z. Artur Bushi të cilin e pyeti për këtë çështje dhe nëse kishte pasur një paralajmërim për banorët në lidhje me sigurinë e banesave, të cilat sot janë të rrënuara, por nuk mori një përgjigje.

Tragjedia e tërmetit, që mori jetën 24 personave, nuk do të harrohet lehtë në Thumanë. E gjitha ngjarja ka shkaktuar një trishtim njerëzor mbarëkombëtar e jashtë kufijve gjithashtu. Thumana u bë e njohur nga tërmeti që tronditi Shqipërinë, e ndërsa lotët nuk janë tharë ende, tronditjet vijojnë prej më shumë se 60 orësh, duke lënë frikë, pasiguri dhe dhimbje në zemrat e gjithsecilit prej nesh.
Rreth autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa media kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.