*Pamjet janë marrë gjatë paradites së sotme në Thumanë. Realizoi videon Gulian Hysaj
Situata dhe paniku
Forcat speciale po gërmojnë në 6 pika mes zonave të Durrësit, Kënetës dhe Thumanës: tek tre pallatet e rrëzuara në Thumanë, tek hotel MiraMare në Durrës, hotel Tropikal, tek lagjja nr.6 në Durrës dhe në afërsi të pallatit të shembur te Kryqi i Kuq në Durrës. Lidhur me operacionet e kërkimit janë angazhuar grupet e shpëtimit nga Kosova, Italia, Greqia, Franca dhe Kroacia, Serbia, Mali i Zi dhe Rumania. Forcat franceze dhe italiane janë fokusuar në kërkimin e njerëzve të gjallë nën rrënoja. Në operacion marrin pjesë edhe forcat speciale shqiptare. Ndonëse forcat speciale po punojnë me ritme të shpejta, ata tregojnë se procesi vonon për shkak të kujdesit të veçantë që duhet treguar gjatë gërmimeve me shpresën se ende do të gjenden persona të mbijetuar. Kreu i operacionit të kërkim-shpëtimit në Thumanë, Genti Jaupi, ka deklaruar për mediat se kërkimet do të vazhdojnë deri në fund pa u ndalur. Jaupi ka thënë se puna e grupit të shpëtimit po bëhet në atë mënyrë sikur çdo person që ndodhet poshtë rrënojave të jetë i gjallë. “3-4 persona nga ne do ta trajtojmë të gjithë territorin në mënyrë të veçantë. Kemi dy fronte që po punohet. Po bashkëpunojmë me njëri tjetrin. Do të shkojmë deri në fund. Ne e trajtojmë vendin e ngjarjes sikur të gjithë poshtë janë gjallë”, tha Jaupi. Ndërsa një nga efektivët specialë të skuadrës italiane u shpreh se “nuk duhen shuar shpresat, pasi gjatë tërmetit në Aquila, kemi gjetur njerëz të gjallë edhe pas 72 orësh”.
Megjithatë, shpresa vdes e fundit edhe për familjarët të cilët presin me padurim informacion për njerëzit e tyre që ndodhen ende nën rrënoja. Nga ana tjetër frika ka pllakosur tek shumë qytetarë si në qarkun e Durrësit, ashtu edhe në Tiranë, e kjo ka bërë që shumë qytetarë të kalojnë natën jashtë shtëpive të tyre. Sipas të dhënave të Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe IGJEUM që prej mëngjesit të 26 nëntorit ora 3.54 kur goditja kryesore pati magnitudë 6.3 ballë, e deri mëngjesin e së mërkurës janë shënuar 310 pasgoditje. Në kampingun e Thumanës dhe pranë objekteve të dëmtuara janë ngritur 67 çadra në të cilat janë akomoduar 700 banorë. Pranë kampingut të ngritur në qytetin e Durrësit dhe fshatrat Ishëm, Manzë, Sukth dhe Katund i Ri janë ngritur 181 çadra, ku janë akomoduar rreth 1450 banorë, si dhe janë montuar 10 banja fushore.
Kjo gjendje e krijuar ka bërë që qeveria të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa 27 nëntori është shpallur ditë zie si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, ku flamujt kombëtarë janë ulur në gjysmë shtizë. Flamuri shqiptar është ulur në gjysmështizë edhe në selinë e NATO-s.
Të dy vendimet u morën mëngjesin e së mërkurës, një ditë pas tërmetit. “Është thënë se ne po shmangim gjendjen e jashtëzakonshme për të mos marrë përsipër përgjegjësitë tona, pa e ditur fare se çfarë është në të vërtetë gjendja e jashtëzakonshme. Dje nuk ka qenë momenti për këtë. Dje ka qenë momenti për të adresuar hemorragjinë e tmerrshme që ka shpërthyer. Ne dje kemi folur me njëri-tjetrin vetëm në rrugë digjitale. Ministrja e Infrastrukturës është gdhirë në atë rrugicën e rrënojave që mbajnë ende brenda njerëz. Ne sot do të shpallim gjendjen e jashtëzakonshme. Ashtu si Kushtetuta dhe legjislacioni e thonë do jetë në perimetrin e vendeve që janë të prekura. Tiranës dhe Durrësit. Ne marrim vendim për gjendjen e jashtëzakonshme, por nuk harrojmë se kjo është një ditë kur plagët janë aty”, tha Rama.
Por vonesa e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ka shkaktuar edhe debat, duke qenë se ajo nuk po shpallej nga qeveria. “Gjendja e jashtëzakonshme duhej të ishte shpallur që dje në orën 8 të mëngjesit siç thotë edhe ligji, 3 orë pas katastrofës, pasi përveç shkatërrimeve në infrastrukturë kishte edhe viktima. Ose maksimumi duhej të ishte shpallur në orën 12 të drekës, ku ishin konfirmuar 18 viktima. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme sot ishte e vonuar dhe e pajustifikuar nga qeveria shqiptare”, shpjegon Shemsi Premçi, ekspert i emergjencave civile dhe ish-drejtor i Drejtorisë së Emergjencave Civile, për Portën Vendore.
Gjendja e Jashtëzakonshme
Por çfarë është gjendja e jashtëzakonshme. Neni 174 i Kushtetutës thotë se “për parandalimin ose mënjanimin e pasojave të një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit”. Dhe sot Shqipëria është përballë një fatkeqësie natyrore. Ligji i miratuar më 17 korrik 2019 parashikon se qeveria mund të vendosë për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit. Rama deklaroi se ka shpallur këtë gjendje në Tiranë dhe Durrës. Por, sipas ligjit për mbrojtjen civile, zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore përtej afatit 30-ditor mund të bëhet vetëm me miratimin e Kuvendit. Gjatë gjendjes së fatkeqësisë natyrore vendosen dhe të zbatohen disa masa të jashtëzakonshme për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë. Ndër masat që parashikohen janë detyrimi për përdorimin e burimeve financiare të parashikuara në buxhetin vjetor, si dhe rivlerësimin e buxhetit vjetor për përballimin e fatkeqësisë, detyrimi për vënien në dispozicion të burimeve njerëzore dhe logjistike si dhe caktimi i objekteve shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion për strehimin e popullsisë së evakuuar. Ndërkaq, strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civil duhet të bëjnë evakuimin e detyruar për popullsinë e rrezikuar si dhe detyrimin për organizimin e kontrollit të njëanshëm ose në bashkëpunim me komunitetin të banesave dhe objekteve private për gjetjen e të mbijetuarve dhe të viktimave të fatkeqësisë, si dhe procedurat e detyruara për kryerjen e shërbimeve funerale.
Sipas ligjit të miratuar në 17 korrik 2019, parashikohet që shteti shqiptar të përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie (neni 41 pika 1). Në çdo rast, kur shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore, kompensimi mund të bëhet me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit. Ligji parashikon edhe bashkëpunimin ndërkombëtar e marrjen e asistencës ndërkombëtare nga shtetet e tjera (neni 53,54) dhe donatorët e huaj japin për parandalimin dhe përballimin e situatës së krijuar nga fatkeqësitë. Autoriteti përgjegjës për koordinimin e mbështetjes së vendit pritës, në rastet e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, është Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile, ndërsa në rastet e tjera është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Neni 42, pika 2 paragrafi b) parashikon aktivizimin dhe organizimin e procedurës së evakuimit të detyruar për popullsinë e rrezikuar. Për këtë foli edhe kryeministri Rama i cili tha se “nuk do të toleroj asnjë banor që të qëndrojë në banesën e dëmtuar. Teoria që unë nuk lë shtëpinë nuk do të funksionojë.
Ligji ka renditur edhe atë që quhet infrastrukturë kritike, që duhet mbajtur në parametra pune e kontrolli, si furnizimi me energji elektrike, menaxhimi i gazit, naftës e nënprodukteve të saj, rrjeti i telekomunikacionit, furnizimi me ujë, me ushqime, gatishmëria e spitaleve, qendrave shëndetësore e ambulancave, sistemet e transportit të brendshëm, rrjeti hekurudhor, aeroportet dhe portet.
Në nenin 57 thuhet se përveç të drejtës për informacion në mënyrë të përhershme e të përditësuar në situatat e fatkeqësive natyrore, kanë edhe të drejtë të kërkojnë mbrojtjen e jetës së tyre dhe të pronës nga strukturat e mbrojtjes civile, sigurimin e kushteve për jetesë kur janë prekur nga fatkeqësia, deri në momentin e rikthimit në gjendje normale.
Por, kjo gjendje sjell edhe disa kufizime politike. Kushtetuta parashikon në nenin 170, pika 5, që “Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohet asnjë prej këtyre akteve: Kushtetuta, ligjet për zgjedhjet për Kuvendin dhe për organet e pushtetit vendor, si dhe ligjet për masat e jashtëzakonshme”. Po ashtu në pikën 6 parashikohet që “Gjatë periudhës së zbatimit të masave të jashtëzakonshme nuk mund të zhvillohen zgjedhje vendore, nuk mund të zhvillohet referendume, si dhe nuk mund të zgjidhet një President i ri i Republikës. Kjo do të thotë se deri më 27 Dhjetor të gjitha nismat ligjore të ndërmarra do të ndërpriten dhe këtu vlen të përmendet Reforma Zgjedhore.
Kaosi me shifrat
Por përballë kësaj situatë tejet kritike të fatkeqësisë natyrore është vënë re edhe një kaos me shifrat. Ministria e Mbrojtjes, raportimin e fundit zyrtar e ka pasur në orën 06:00 të mëngjesit, duke deklaruar se “deri në atë orë janë shënuar 26 viktima nga tërmeti”, por pa dhënë asnjë të dhënë tjetër, as emra dhe as moshë. Pak orë më vonë, Policia e Shtetit raportoi se “mëngjesin e sotëm e deri tani nga rrënojat në Thumanë janë nxjerrë 3 persona të pajetë dhe kërkimet vijojnë pa ndërprerë”, duke e çuar numrin në 29 viktima nga tërmeti. Por pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes dha një tjetër shifër. “Janë 27 persona që kanë ndërruar jetën, konkretisht 12 në Durrës, 13 në Thumanë dhe 1 në Lezhë (Laç)”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes. Nga ana tjetër, televizionet informative kanë raportuar për 31 viktima, duke publikuar edhe emrat e viktimave të nxjerra nga rrënojat. Megjithatë, këto shifra dhe të dhëna nuk janë unifikuar ende nga institucionet përgjegjëse, duke krijuar një kaos me shifrat dhe emrat e viktimave. Madje, në këtë kaos ishte edhe një prej familjarëve të viktimave, i cili për orë të tëra kërkonte me pasaportë në dorë mbesën e tij në Thumanë, konkretisht Drita Cakonin, që në orët e mbrëmjes u konfirmua se trupi i saj i pajetë ishte në morgun e Lezhës. Por, këto nuk janë shifrat e vetme që janë kaos, pasi emergjencat civile ende nuk kanë publikuar një shifër për shtëpitë e dëmtuara. Deri më tani vetëm Bashkia Tiranë dhe Bashkia Lezhë kanë nxjerrë nga një shifër paraprake, por ato nuk janë bashkërenduar me grupin e punës, që tashmë pritet të ngrihet për shkak të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ku do të përcaktohen edhe detyrat për secilin. Madje, Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu ka dalë në një deklaratë duke kërkuar që edhe kjo bashki të hyjë në listën e qyteteve ku është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. “Në qytetin e Lezhës të dëmtuara janë gjithsej 74 objekte shtetërore dhe private kanë dëmtime, prandaj kërkojmë që edhe ne të jemi në listën e gjendjes”, u shpreh Ndreu
E kjo situatë, për ekspertin e emergjencave civile, Shemsi Premçi, i ka gjetur strukturat shtetërore të papërgatitura. Situata mund të ishte menaxhuar më mirë. Ne nuk ishim fare të përgatitur dhe këtë e treguam edhe në mënyrën se si funksionuam. Forcat e kërkim-shpëtimit kanë shkuar pa mjetet përkatëse, mjete të cilat ekzistojnë për forcat e emergjencës, si kasë, kostume, qen, dhe aparate termike, por nuk i kane marrë me vete duke e nënvlerësuar situatën. Edhe ushtria me duar në xhepa, përveç kapeleve që kishin. Ato kanë qenë gjithë kohës të rrezikuar për shkak se ndonjë nga tronditjet më të vogla të tërmetit që kanë qenë prezent gjatë ditës së sotme e të djeshme mund të kishin shembur edhe pjesët e tjera të pallatit në Thumanë, duke shkaktuar një tragjike edhe me të madhe. Mund të ishin shpëtuar më shumë jetë, por ka qenë një operacion kuturu, kjo edhe sepse nuk jemi përballur me këto situata, por aty dje s’ka pasur një “kokë” që të drejtonte operacionin. Plus është e gabuar që gjithë ato forca speciale por vetëm disa punonin e shumica bënin sehir”, deklaroi Premçi, ish drejtor i Emergjencave Civile.
Pasojat financiare
Ndërsa njerëzit po presin edhe gërmimet e fundit që po bëhen nga grupet e kërkim-shpëtimit, një tjetër hall u ka rënë mbi kokë, ai i mbetjes nën qiell të hapur. Gjatë një vizite që kryeministri Rama pati në Durrës në zonat e kërkim-shpëtimit, shumë qytetarë kërkuan të dinë sesi do shkojë halli i tyre. Duke iu përgjigjur interesimit të qytetarëve, Rama është shprehur se shpreson që brenda 2020 të gjithë shtëpitë e rrënuara nga tërmeti do të ndërtohen. “Është situatë shumë e vështirë, por besoj që do t’ia dalim. Ajo që nuk bëjmë dot është të kthejmë në jetë ata që humbën jetën. Kemi shumë të plagosur, pjesa më e madhe me plagë të lehta. Kemi gatishmëri për t’i çuar edhe jashtë. Është një super skuadër, janë të përgatitur të gjitha ekipet. Me njerëzit që janë jashtë kemi vendosur ti akomodojmë në hotele sepse nuk mund të rrinë në çadër në dimër. Në momentin kur ndodh krizë e tillë të gjithë mblidhen. Kemi shumë suport të gjitha vendet. Brenda 2020 besoj do i kemi futur të gjithë në shtëpia”, tha kryeministri Rama.
Megjithatë, deklarata e kryeministrit u bë pa pasur ende një inventar zyrtar për dëmet e shkaktuara nga tërmetet, ku pasojat nuk kanë qenë vetëm në Tiranë dhe Durrës, por edhe në Lezhë, Kukës, Kurbin e qytete të tjera, pasi vala e tërmetit ka qenë tejet e gjerë.
Solidariteti njerëzor
Pasojat e rënda të shkaktuara prej këtij tërmeti kanë sjellë edhe solidarizimin e mijëra qytetarëve, por edhe të institucioneve si shqiptare, ashtu edhe ndërkombëtare. Qytetarët shqiptarë janë gjendur të parët, të cilët që natën e parë kanë ofruar ndihma, si rroba dhe ushqime për të prekurit nga tërmeti, por edhe grupime të ndryshme kanë organizuar nisma të tilla. Madje, disa biznesmenë shqiptarë dhe ndërkombëtarë kanë ofruar fonde dhe ndihma për përballimin e situatës, ku vlen të përmendet miliarderi amerikan, George Soros, i cili ka dhuruar 500 mijë USD për viktimat e tërmetit, aq sa ka dhuruar edhe qeveria e Kosovës, ndërkohë që një traget ka mbërritur me ndihma nga Italia dhe shumë të tjera priten nga qeveritë e tjera, si fqinje, ashtu edhe të BE.