Vëzhgim/Analizë

Buxheti 2020 rrit fondet për bashkitë, ekspertët: Të pamjaftueshme

27 nëntor 2019/ Bledar Gilaj/ Ornela Manjani/ Porta Vendore

Fondet që do të jepen nga Buxheti i Shtetit për 61 bashkitë e vendit janë rritur me 2%, duke kaluar nga 199 milionë euro sivjet, në 203 milionë vitin e ardhshëm. Sipas Projektbuxhetit 2020, vetëm bashkitë Gramsh, Librazhd, Lushnje, Patos e Rrogozhinë do të marrin më pak fonde. Të gjithë bashkitë e tjera rezultojnë me rritje fondesh. Por ekspertët mendojnë se këto fonde janë të pamjaftueshme, ndërkohë që ngrenë edhe disa shqetësime për lëvrimin e tyre, duke ia vështirësuar vendimmarrjen bashkive për t’i përdorur në kohën dhe vendin e duhur.

Fondet për bashkitë

Qeveria ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2020, nga i cili rezulton se transferta e pakushtëzuar për bashkitë arrin në shifrën 24,964,000 lekë të reja (203 milionë euro), ose rreth 2% më shumë se në vitin 2019, që ishte 24,475,359 lekë të reja (199 milionë euro).

Nga shifrat rezulton se Tirana do të përfitojë edhe vitin e ardhshëm fondin më të madh si transfertë e pakushtëzuar prej Buxhetit të Shtetit nga 61 bashkitë e vendit. Në Projektbuxhetin 2020 parashikohet që në favor të Tiranës të kalojnë 3.6 miliardë lekë, nga 3.5 miliardë që është fondi i sivjetshëm. Rritja është në masën 2.4%.

Ndërkohë, nga bashkitë e tjera të mëdha, Shkodrës i rriten fondet në masën 3.7 për qind, duke kaluar nga 984 milionë, në 1.21 miliardë lekë të reja; Durrësi ka rritje 2.4 për qind dhe Elbasani 1 për qind. Janë vetëm bashkitë Gramsh, Librazhd, Lushnje, Patos e Rrogozhinë që do të marrin më pak fonde nga buxheti më 2020. Ndërsa të gjithë bashkitë e tjera rezultojnë me rritje fondesh.

Duke e ndarë në zëra transfertën e pakushtëzuar, rezulton se transferta e pakushtëzuar e përgjithshme për vitin 2020 do të jetë 15,913,043 lekë të reja. Ndërsa nga transferta e pakushtëzuar sektoriale mësohet se për arsimin parashkollor është parashikuar 5,593,183 lekë të reja, kurse për atë parauniversitar 475,376 lekë. Për mbrojtjen nga zjarri janë dhënë 1,149,114; Për mbrojtjen sociale, 318,440 lekë; Për rrugët, 520,992; Për ujitjen dhe kullimin, 856,538 dhe për klubet Partizani dhe Studenti 32 000 lekë. Pothuajse në të gjithë sektorët ka pasur rritje krahasuar me vitin 2019, ndërkohë që në të njëjtin nivel mbeten fondet për arsimin, rrugët dhe klubet sportive.

Parashikimi i buxhetit vendor

Të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore në vitin 2020 parashikohen të jenë 26.9 miliardë lekë ose 18.2 për qind më të larta se në vitin 2019. Të ardhurat nga taksat dhe tarifat e veta vendore për vitin 2020, parashikohet të kenë një rritje me mbi 3.8 miliardë lekë më shumë se sa plani i vitit 2019, ndërkohë që krahasuar me vitin 2015, si viti para reformës administrative, të ardhurat vendore parashikohen me një rritje të konsiderueshme me rreth 15.2 miliardë lekë, ose rreth 62 për qind.

“Kjo rritje e të ardhurave do të vazhdojë si rrjedhojë e ndarjes më të drejtë dhe transparente të financave për njësitë e vetëqeverisjes vendore, përmirësimit të vazhdueshëm të skemës së financimit të funksioneve të veta si dhe rritjes së burimeve të financimit të njësive të vetëqeverisjes vendore. Gjithashtu, ndryshimet që po zbatohen në taksën e pronës, kadastrën fiskale parashikojnë të ndikojnë në peshën e rritjes së të ardhurave në buxhetin vendor” evidentohet ne relacionin e projektbuxhetit 2020.

Tabela krahasuese e buxhetit të planifikuar për vitin 2020 me buxhetin e vitit 2019

Nr. Bashkitë Totali 2020 Totali 2019
1 Belsh 178406 173,809
2 Berat 547061 537,085
3 Bulqizë 385289 376,411
4 Cërrik 225526 220,695
5 Delvinë 119418 117,634
6 Devoll 284785 278,072
7 Dibër 640485 626,912
8 Divjakë 313703 322,152
9 Dropull 112942 110,711
10 Durrës 1221012 1,191,470
11 Elbasan 1094333 1,087,217
12 Fier 926192 905,942
13 Finiq 161625 157,996
14 Fushë Arrëz 153188 150,816
15 Gjirokastër 385140 378,413
16 Gramsh 349170 357,865
17 Has 217565 212,417
18 Himarë 167466 163,965
19 Kamëz 677661 660,879
20 Kavajë 358320 350,973
21 Këlcyrë 105291 103,899
22 Klos 201030 196,873
23 Kolonjë 216197 207,263
24 Konispol 97801 95,200
25 Korçë 756814 743,476
26 Krujë 423734 414,327
27 Kuçovë 273889 268,355
28 Kukës 539774 527,599
29 Kurbin 374143 366,047
30 Lezhë 528215 511,266
31 Libohovë 73992 71,637
32 Librazhd 408482 414,811
33 Lushnje 647168 648,303
34 Malësi e Madhe 402417 386,522
35 Maliq 445036 435,529
36 Mallakastër 272577 264,935
37 Mat 329974 324,355
38 Memaliaj 167571 164,519
39 Mirditë 348893 343,112
40 Patos 213051 218,903
41 Peqin 198840 194,363
42 Përmet 189805 186,674
43 Pogradec 547079 529,701
44 Poliçan 156613 154,035
45 Përrenjas 262396 255,993
46 Pukë 205841 202,748
47 Pustec 58073 51,829
48 Roskovec 166997 161,705
49 Rrogozhinë 202847 212,658
50 Sarandë 231120 226,656
51 Selenicë 235910 230,594
52 Shijak 197723 192,400
53 Shkodër 1021374 984,436
54 Skrapar 222789 219,522
55 Tepelenë 157403 154,901
56 Tiranë 3600981 3,508,157
57 Tropojë 296713 290,659
58 Ura Vajgurore 218018 213,344
59 Vau i Dejës 324793 316,612
60 Vlorë 933616 915,284
61 Vorë 189704 184,728

Fonde të pamjaftueshme

Por, ekspertët mendojnë se fondet e transfertës së pakushtëzuar për bashkitë në vitin 2020 janë të pamjaftueshme. Pedagogia e Financës, dr. Sorina Koti mendon se bashkitë ende janë të paafta për të gjeneruar të ardhura nga burimet e tyre, kjo për shkak se duke rritur taksat dhe tarifat, qytetarët dhe bizneset nuk kanë pasur mundësi financiare për t’i paguar dhe kjo ka ulur nivelin e mbledhjes së tyre dhe arsyeja e dytë, ku administrata e bashkive është e paaftë për të mbledhur detyrimet që kanë qytetarët. “Shifrat konfirmojnë realitetin, ku pushteti vendor është totalisht i varur nga Pushteti Qendror. Transferta e pakushtëzuar bashkë me të kushtëzuarën janë rreth 2fishi i të ardhurave në krahasim me burimet e vet bashkive.  Kjo tregon, që procesi i Decentralizimit nuk ka përfunduar dhe kryerja e funksioneve të plota të Bashkive varet nga Qeveria”, shprehet Koti.

I të njëjtit mendim është edhe Agron Haxhimihali, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive. “Unë mendoj që edhe pse matematikisht shifra shënon rritje, kjo rritje është e vogël dhe s’do japë efektet e pritura nëpër bashki. Nuk mendoj që viti që vjen do jetë vit i shëndetshëm për bashkitë. Ky volum financiar s’do plotësojë nevojat e vërteta të bashkive, për rruge, shkolla, ujësjellës, për të pastruar më mirë qytetin dhe zonat tjera. Ky buxhet s’do mund t’i plotësojë kërkesat e bashkive për mirëqenie dhe shërbime sociale, për shërbime me karakter kulturor dhe rinor. Buxheti nuk mjafton as për shërbime për zonat rurale që vërtetë kanë nevoja të mëdha dhe të një natyre tjetër nga zonat urbane”, shprehet Haxhimihali. Po ashtu, ai shton se edhe shërbimet nga transferimi i funksioneve të reja, nuk do të kenë ndonjë tregues shumë pozitiv. “Kjo lidhet edhe me faktin se volumi buxhetor për ndarjen sektoriale nuk mbulon as minimumin e nevojave të kërkesave që kanë bërë bashkitë, por dhe për faktin se funksionet e transferuara akoma nuk janë strukturuar dhe konsoliduar sa duhet që të sigurojnë një stabilitet dhe nivel optimal shërbimi”, shton kreu i shoqatës së bashkive.

Vonesat e kalimit të fondeve

Një tjetër problem që shfaqet me fondet, i evidentuar ndër vite nga bashkitë, ka qenë vonesa e kalimit të tyre, por ekspertët ndahen për këtë çështje. Dr. Sorina Koti shprehet se përveç varësisë që kanë Bashkitë nga Qeveria, një problem tjetër që hasin ato është mos lëvrimi në kohë i fondeve të transfertave. “Gjatë këtyre viteve, kryesisht 4-vjecari i fundit vërehet se fondet u alokohen bashkive gjatë 3-mujorit të dytë të vitit ose u shpërndahet me këste gjatë vitit. Kjo mungesë fondesh nuk u krijon mundësinë Bashkive, që t’i përdorin në kohën e duhur për të ofruar shërbimet ndaj qytetarëve”, shprehet Koti.

Ndërsa Agron Haxhimihali thotë se nuk ka pengesa, veç rasteve, kur bashkitë vonojnë miratimin e buxhetit nga ana e tyre. “Buxhetin nga transfertat, bashkitë e kanë në llogarinë e tyre për zbatim që me 1 janar. Bashkitë e miratojnë atë në fund të vitit dhe çdo gjë fillon me fillim e vitin kalendarik. Me rëndësi këtu është që buxhetet t’i jenë nënshtruar ciklit të konsultimit me pjesëmarrje sa më të gjerë dhe me vendimmarrje reale në këshillat bashkiakë. Me rëndësi është edhe shpërndarja e drejtë e buxhetit, midis shpenzimeve dhe investimeve, midis zonave urbane dhe atyre rurale dhe të sigurojnë shumë shërbime me pak shpenzime dhe aspak borxhe”, deklaron ai.

Si ndahen fondet për bashkitë?

Ekspertja Sorina Koti shpjegon se transferta e pakushtëzuar llogaritet me formulë nga Ministria e Financave, në bazë të popullsisë, sipërfaqes, numrit të banorëve, numrit të shërbimeve, treguesi gjeografik dhe koeficientit rrugë. “Kjo transfertë nuk mund të jetë më pak se 1% e PBB të vendit për atë vit si dhe nuk mund të jetë më e ulët se transferta e vitit paraardhës. Kjo formulë është fikse dhe nuk varet nga performanca. Kurse Transferta e kushtëzuar varet nga funksionet e reja dhe përdoret vetëm për qëllimet e vendosura nga Qeveria. Këtu mund të kemi ndikimin e performancës dhe preferencës së qeverisë kundrejt bashkive. Në varësi të përfitimit, mund të kemi bashki që favorizohen, por edhe bashki që penalizohen. Kjo është transfertë me kritere të përcaktuara nga qeveria, që mund të abuzohet me shpërndarjen e tyre”, shpjegon ajo.

Ndërsa Haxhimihali shpjegon se veç këtyre kritereve të përmendura nga Koti, çdo kriter tjetër që nuk mishërohet në ligj ngel thjesht një dëshirë27 e mirë. “Kjo mund të vlejë kur bashkitë në Shqipëri të kenë përmbushur një herë shërbimet minimale për qytetarët, pastaj të mendojnë për gjëra luksi. Insistoj se duhet të rrisin performancën me mundësitë që kanë dhe aq sa ua lejon buxheti”, shprehet kreu i shoqatës së bashkive.

Bashki, që varin ekzistencën nga këto fonde

Ekspertët mendojnë se në disa bashki varet ekzistenca e tyre nga transferta e pakushtëzuar dhe transferta e kushtëzuar, pasi të ardhurat e tyre vendore janë të papërfillshme. “Bashkitë e vogla nuk kanë mundësi për të gjeneruar fonde (probleme me infrastrukturën bashkiake, lidhjet familjare me qytetarët, mungesë sistemi pagesash etj.) Këto bashki janë të varura nga transferta e pakushtëzuar, nga trasferta e kushtëzuar dhe FZHR”, shpjegon Koti. Sipas të dhënave, në disa bashki, transfertat zënë rreth 80-90% të të ardhurave totale, siç është Bashkia Pustec, Krujë, Libohovë, Pogradec, Mallakastër dhe Pukë, të cilat sipas ekspertëve janë bashki që vuajnë nga mungesa e popullsisë dhe bizneseve dhe që në të ardhmen do të varen edhe më tepër nga transfertat qeveritare.