26 nëntor/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore
Thumana dhe Durrësit janë dy zonat më të prekura nga Tërmeti ku janë shënuar më shumë dëme njerëzore dhe materiale. Deri më tani flitet për një bilancë tragjik ku kanë mbetur të pajetë 13 persona. Tërmeti i datës 26 nëntor ka qenë fatal për qindra familje shqiptare, të cilët kanë humbur familjarët e të tjerë që kërkojnë nën rrënoja me shpresën se ata do të jenë shëndosh e mirë. E gjithë qeveria, ushtria, emergjencat civile, trupa mjekësore, e spitalet private janë në gjendje gatishmërie, ku secili po jep kontributin e tij në këtë ngjarje të jashtëzakonshme që goditi Shqipërinë këtë mëngjes.
Tërmeti i orës 4 shënoi magnitudën 6.4 të shkallës Rihter dhe u paralajmërua nga një sërë tërmetesh të tjera të vogla. Ndërkohë që në total deri më tani, numërohen më shumë se 27 tërmete të rëna në një hark kohor prej 7 orësh dhe madje disa nga goditjet e tjera të cilat kanë rezultuar më të vogla se tërmeti i orës 4.00, kanë gjysmë ndërtesat në Durrës e Thumanë duke e bërë edhe më të vështirë situatën për familjet që kishin mbetur të ngujuara.
*Pamjet janë nga pallati i dëmtuar në zonën e stacionit të trenit, Durrës.
Deri më tani bilanci është dramatik, dhe pritet të ketë ende persona të tjerë nën rrënoja. 13 persona kanë humbur jetën, 600 të tjerë janë plagosur ku kanë marrë ose po marrin trajtimin e specializuar mjekësorë në Spitalin e Traumës, QSUT, Spitalin e Durrësit, Lezhës, Krujës, ndërsa dhjetëra të tjerë janë nën rrënoja, ku skuadrat e shpëtimit po punojnë për shpëtimin e tyre.
*Pamjet janë nga një tjetër pallat i viteve të fundit ndërtuar në zonën e stacionit të trenit në Durrës.
Me këtë situatë të jashtëzakonshme që po kalon vendi ynë, janë solidarizuar edhe vendet fqinj, duke na ndihmuar me ushtrinë e tyre e grupet e shpëtimit si dhe është ofruar gjithashtu mbështetja e ndërkombëtarëve. Ndërsa lajmi për tërmetin dhe pasojat që ai pati në Shqipëri këtë mëngjes është transmetuar e publikuar në të gjithë botën.
Emergjencat civile po përgatisin ngritjen e çadrave në Durrës e Thumanë për të gjithë personat e mbetur në qiell të hapur, ku nuk ka ende një bilancë për dëmet materiale.

Megjithëse tërmetet kanë pasur si epiqendër Detin Adriatik, lëkundjet janë ndjerë edhe në qytete të tjera por me dëme të vogla materiale, si në Lezhë, Fier e Tiranë. Qytetarët e terrorizuar kanë dal që në orët e para të mëngjesit jashtë dhe qëndrojnë ende nëpër kafene ose në rrugë.

Ndërkohë Bashkia e Tiranës do të bëj sot një mbledhje emergjente të Këshillit Bashkiak , ku kryebashkiaku Veliaj ka premtuar se do të rindërtojë të gjithë shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i sotëm, ku do të planifikohet kalimi i 500 pagesave për 500 familje të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit. Në një deklaratë për mediat, kryebashkiaku tha se do të mund ta menaxhojnë edhe këtë situatë ashtu siç u menaxhua me sukses edhe tërmeti i 21 janarit.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë marrë masa për furnizimin me medikamente dhe materiale mjekësore dhe ekipi i urgjencës po organizon shërbimin në territor. Janë mbi 500 thirrje të përballuara nga Urgjenca Kombëtare, e cila ka kryer 120 misione me autoambulancë. Ekipet mjekësore aktualisht janë në gjendje gatishmërie të plotë në spitale.