26 Nëntor 2019/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës
Gjimnazi Manëz është kthyer prej vitesh në shqetësim për nxënësit që mësojnë aty. Në vitin shkollor që lamë pas u regjistruan 251 nxënës. Në gjimnazin e Njësisë Administrative Manëz (Durrës) nxënësit vijnë edhe nga 5 fshatrat aty pranë. Nxënësit përballen çdo ditë me të ftohtin, lagështirën dhe kushtet e këqija të palestrës.
Klasat me lagështirë, sistemi elektrik jashtë kushteve teknike, laboratorët e amortizuar, duken shqetësime dytësore përballë mungesës së ngrohjes në dimër dhe kushteve të palestrës. Për herë të fundit shkolla e pa rikonstruksionin në vitin 2009, kur ishte në varësinë e Bashkisë Manëz.
Prej 10 vitesh kaldaja është kthyer në suvenir! Kaloriferët janë të montuar në pothuajse të gjithë ambientet. “Marrim rezistenca që i blejmë vetë ose i marrim nga shtëpia, se në dimër nuk kemi asnjë lloj ngrohje, vetëm se veshim disa xhupa”, shpjegon Xhensila Hidri.
Ajo është nxënëse në vitin e tretë dhe shprehet e shqetësuar, në prag të ardhjes së stinës së dimrit.
“Sistemi i ngrohjes (kaldaja) në këtë gjimnaz nuk funksionon, pasi nuk është vënë asnjëherë në funksion që nga rikonstruksion i shkollës”, shpjegon Bashkia Durrës në një përgjigje për Portën Vendore.

Gjimnazi është në varësi të bashkisë, që e ka Manzën njësi administrative të saj. Ajo numëron sot rreth 12 mijë banorë. Gjimnazi i shërben edhe nxënësve që vijnë nga fshatrat aty pranë, si Kuçok, Radë, Armath, Shkallë dhe Shkafane.
“Shkolla ka një sistem të ngrohjes përmes kaldajës, por që nuk është funksional. Ndërkohë procesi mësimor në shkollë ka vijuar rregullisht, pasi kemi gjetur mënyra të tjera për ngrohjen e klasave në ditët e ftohta”, sqaron Zyra Vendore Arsimore Durrës.
Lagështira haset në shumë klasa. Priza të thyera dhe tela korrenti mbi sipërfaqe, është panorama që përshkon një pjesë të klasave. Abazhurë me neon që nuk funksionojnë dhe llamba të varura përbri tyre, duket zgjidhja provizore për të ndriçuar bankat ku studiojnë gjimnazistët.

“Në vijim të viteve, me kontributin e prindërve, janë kryer shërbime mirëmbajtjeje të herë pas hershme, të tilla si: në rrjetin elektrik, tubacione, stukime, lyerje të kangjellave të murit rrethues, apo lyerje të ambienteve brenda e jashtë saj”, shpjegon Zyra Arsimore Durrës.
Pllakat e bardha kuadratike, që kanë veshur tavolinat e laboratorit të fizikës dhe kimisë, duken si të trashëguara nga periudha e socializmit. Tubat që sjellin ujë për zhvillimin e eksperimenteve janë taposur. Laboratori ngjan më shumë si i bastisur, pa asnjë pajisje. Në shkresën e datës 10.07.2018, gjimnazi i drejtoi kërkesë Bashkisë Durrës për blerjen e kompjuterëve të rinj për laboratorin e informatikës, në kushtet e mos funksionimit të tij, por deri më tani s’ka ndodhur asnjë investim.
Lagështira shoqëron shumicën e ambienteve të shkollës. Tavani i banjave ngjason me tabelat e qitjeve në poligon. Pullat e llaçit tentojnë të mbyllin gropat e hapura nga rënia e suvatimit. Problemet me lagështirën, si pasojë e mungesës së izolimit të tarracës, i evidentoi edhe Inspektorati Shtetëror Shëndetësor. Situatë e njohur që në vitin 2018 sipas përgjigjes së sjellë.
Afrimi i dimrit i shton shqetësimin Xhensilës! “Tek palestra gjatë dimrit është shumë ftohtë sepse ka edhe lagështirë lart. Plus që edhe xhamat e dritareve janë të thyera, por aty e zhvillojmë orën mësimore”.
Dritare që mungojnë, kaloriferë të shkulur, një tapet i rrjepur, dëshmojnë për një palestër jashtë kushteve teknike. “Shkolla ka një palestër, e cila funksionon për zhvillimin e orëve të edukimit fizik apo për veprimtari të ndryshme në funksion të zhvillimit të procesit mësimor. Sigurisht që ky mjedis ka nevojë për përmirësim, pasi paraqet probleme me dyshemenë”, shkruan në përgjigje Zyra Arsimore.

Në përgjigjen e sjellë për Portën Vendore më herët, Bashkia Durrës deklaroi se do shihte mundësinë e investimit, duke e përfshirë në buxhetin 2020-2022 pasi në buxhetin e miratuar për vitin 2019-2021, nuk rezulton të jetë parashikuar ndërhyrja për përmirësimin e kushteve në Gjimnazin Manëz.
Gjimnazi në vitin 2018, përgjatë muajve korrik-dhjetor, i ka dërguar 3 kërkesa për marrje masash bashkisë, po ashtu raporti i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, me të gjitha problemet e evidentuara i është dërguar edhe institucionit vendor, që ka në ngarkim infrastrukturën e shkollave.
Bashkia në këto vite ka investuar në shkollat e qytetit dhe të njësive administrative. Ndërtimi i shkollës 9 vjeçare në qytet, “Marie Kaçulini” kushtoi 830 mijë euro. Ish-kryebashkiaku Vangjush Dako pati premtuar ndërtimin e 12 shkollave të reja në mandatin e tij të fundit, por nga verifikimi ynë rezultoi të jenë ndërtuar dhe rikonstruktuar 8 shkolla.
Rreth autorit:
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.