26 nëntor 2019/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës
Shqipëria u godit mëngjesin e së martës nga një tërmet 6.4 ballë i shkallës rihter, duke sjellë humbjen e jetës së 11 personave që mbetën nën rrënojat e ndërtesave. Rreth orës 4 të mëngjesit të së martës tërmeti me epiqendër 15 kilometra në veri të Durrësit solli rrënimin e të paktën 5 godinave në Durrës dhe Thumanë.
Në Durrës një ndërtesë disakatëshe në lagjen numër 18 u shemb, duke lënë në rrënoja pjesëtarët e familjeve që banonin aty, të të njëjtit fis. Deri më tani nga rrënojat u nxorën pa jetë 3 persona, teksa vijon puna për shpëtimin e familjarëve të tjerë që gjenden nën rrënoja dhe me shenja jete. Në një pallat tjetër pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, banorët mbetën të izoluar për shkak se u shkatërruan shkallët e pallatit.

Godina e ndërtuara përpara viteve’ 90 humbi shkallët kryesore dhe pësoi shembje të një kati, duke izoluar dhe rrezikuar jetët e familjeve që banojnë në të. Në një deklaratë për mediat, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, konfirmoi se deri më tani numri i viktimave në të gjithë vendin ka shkuar në 11 persona.
“I thash gruas në orën 2 të mëngjesit, hajde dalim se nuk i dihet. Kur ja dha pas 2 orësh. Dolëm me vrap dhe kur u kthyem e gjetëm apartamentin të çarë gjithandej”, tregon për Portën Vendore, Ali Xhakosi.

Apartamenti ku banon së bashku me bashkëshorten është plasaritur kudo, duke u kthyer në të pabanueshëm. “Nuk e di si do bëhet me ne, pasi apartamenti është kthyer në të pabanueshëm dhe duhet riparuar”, tregon me shqetësim Xhakosi, teksa po shkon tek kafeneja e lagjes, me shpresën që të mos e gjej tërmeti i radhës në apartament.
Policia e Durrësit në një njoftim për mediat sqaroi se u shpëtuan nga rrënojat e ndërtesave të shembura rreth 22 persona, të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjekësore. Ajo i kërkoi të gjithë qytetarëve të Durrësit dhe rrethinave që të kufizojnë në maksimum lëvizjet me mjetet e tyre, për t’u dhënë mundësi autoriteteve dhe shërbimeve të emergjencave civile të qarkullojnë lirshëm në rrugë.

Porta Vendore mësoi se të dëmtuara kanë mbetur edhe monumentet e kulturës. Në orët e para të mëngjesit nga muret rrethuese të Kalasë së qytetit u shkëput Kulla B, e periudhës bizantine. Tërmeti copëtoi në disa blloqe një pjesë të murit që ngrihet në mbi 8 metra lartësi.

“Do të presim vlerësimin e dëmeve nga ekspertët dhe zgjidhjet e mundshme që do të ofrohen për monumentin e dëmtuar”, sqaroi për Portën Vendore Alban Ramohitaj, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës. Tërmeti gjithashtu solli dëme edhe në monumente të tjera në vend, si në kalanë e Krujës dhe të Prezës, kryesisht me plasaritje.

Rreth autorit:
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.