Ngjarje/Personazhe

Kompania rikthehet në Kolonjë, banorët kundër hapjes së gurores

22 nëntor 2019/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Kolonjë

Banorët e fshatrave Radanj,Podë, Gozhdarazhdë, Sanjollas, Shalës e Gërmenji në Kolonjë kanë mbi 1 vit që “luftojnë” për moslejimin e hapjes së gurores në zonën e rezervatit natyror të Gërmenji-Shelegurit, në majën e malit të Omit. Një ndërmarrje e tillë ndot jo vetëm mjedisin e ajrin, por do të largonte edhe turistët, që vitet e fundit janë kthyer në frekuentues të kësaj zone.

Lajmi për hapjen e një guroreje për nxjerrjen e mermerit u mësua në shtatorin e 2018-ës, kur banorët u përballën edhe me njoftimin e parë nga Drejtoria Rajonale e Mjedisit Korçë për zhvillimin e një dëgjese publike.

Në datë 29.10.2018 Drejtorisë Rajonale të Mjedisit i është dërguar kërkesa për të zhvilluar dëgjesa për firmën ”Hazizllari shpk” nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Ky subjekt kishte aplikuar për shfrytëzim gurore të mermerizuar. Ashtu siç e parashikon procedura, DRM Korçë i kërkoi mendim Bashkisë Kolonjë për këtë çështje, ku kjo e fundit u shpreh totalisht kundër ndërtimit të një guroreje në zonën e Gërmenjit. Në letrën e Bashkisë thuhet qartësisht se e gjitha kjo binte ndesh me planin vendor të miratuar për zhvillimin e kësaj zone.

Firma nuk u ndal me mendimin e përfaqësuesit të pushtetit vendor, por donte mendimin edhe të banorëve të zonës, duke realizuar dëgjesën e parë publike.

Kështu me përfaqësues të firmës, specialistë të Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Korçë, e të Bashkisë Kolonjë, në muajin nëntor 2018 u zhvillua dëgjesa publike.

Në dëgjesën e parë, 100% e banorëve ishin kundër dhe arsyet kryesore ishin, sepse kjo zonë mbart resurse të mëdha natyrore, disa kanë investuar në agroturizëm. Edhe ata që nuk kanë pasur mundësi financiare për të investuar vetë, mbahen me paratë e turizmit në mënyrë të tërthortë, pasi ata i tregtojnë produktet e tyre pranë strukturave akomoduese që janë ngritur në këtë zonë.

Por kompania nuk u dorëzua duke zhvilluar një dëgjesë të dytë në 3 dhjetor 2018, ku premtoi vende pune për banorët e zonës dhe 0 ndikime në mjedis. Ndërsa nën rrogoz kishin filluar negociatat me banorët e fshatrave për t’i kthyer mendjen drejt pro-së.

“Unë personalisht jam kundër. Nuk duhet të filloj asnjë lloj punimi në vendin e quajtur Om, sepse gjithçka do të jetë kundër këtij fshati”, tha Etem Mane, banor i kësaj zone. Në të njëjtën mendje është edhe Filloreta Mane, bashkëshortja e tij. “Lere se ç’thonë këta, se kështu thanë , prerja e gurëve do të bëhet me sharrë me ujë, ato do fusin minat atje dhe do shembet çdo gjë”, rrëfen ajo.

Shumë prej banorëve i frikësohen dëmeve që mund të sjellë ndërtimi i kësaj guroreje, disa kanë hallin e shtëpive, se mos i shemben nga shpërthimet që mund të ketë për nxjerrjen e mermerit, disa të tjerë i tremben ndotjes së ajrit, anës financiare, vendit të kullotjes së bagëtive, ujit që mund të kontaminohet nga papastërtitë, largimit të banorëve të fundit mbetur në këto fshatra dhe braktisjes nga ana e turistëve.

“Vetë qeveria e ka miratuar si vend turistik, ku vijnë të huaj. Si është e mundur që në një vend të tillë perlë, të behët një gurore? Të pasurohet një individ dhe të ikë një komunitet, normalisht që do të largohen njerëzit”, pyet me të drejtë Isa Mane, banor i fshatit Gozhdarazhdë.

Në total, nëse gurorja do të marr dritën jeshile nga organet përkatëse, nga ndotja që ajo do të shkaktonte do të prekeshin mbi 1000 banorë në të gjithë zonën.

Ndërsa banorët e 5 fshatrave qëndruan stoik në vendimin e tyre, fshati Podë doli kundër rrymës. Kali i betejës midis kompanisë dhe banorëve ishte premtimi për shtrim e një rruge prej 1.5 km me çakëll.

“Jam pro gurores për interes të fshatit, që të mund të përfitojë një rrugë, por edhe për arsyen e punësimit se jemi në gjendje të keqe ekonomike. Është e vërtetë që kam qenë kundër, por tani jam bindur se neve si fshat nuk na prek gjë, plus që inxhinieri erdhi sërish dhe na sqaroi shumë mirë që s’ka asnjë dëm. Ne kemi firmosur gjithashtu një kontratë bashkëpunimi me firmën për shtrimin e rrugës, kështu që s’kanë se si të na gënjejnë këtë radhë, se jemi të gënjyer gjithë jetën”, rrëfen Altin Veizi, banor i fshatit Podë.

Fshati Podë ka rreth 20 familje dhe mbahen vetëm me pak blegtori e bujqësi. Ndërkohë, firma ka premtuar të punësojë 10 persona në vitin e parë, nga ku 4 roje do të jenë nga ky fshat.

Pas dy dëgjesave publike të zhvilluara në vitin 2018, dhe pas rezistencës së banorëve të 5 fshatrave duket se ujërat u qetësuan, kompania u tërhoq e banorët iu rikthyen jetesës së tyre të mëparshme, pa u trazuar nga ideja se gurorja do të mbinte nga mbrëmja në mëngjes pranë shtëpive të tyre. Qetësia e tyre erdhi edhe pas takimeve me kryebashkiakun e Kolonjës në atë kohë kohe, Ilia Sefo dhe me Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, të cilët premtuan se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në Kolonjë.

Por rreth një muaj më parë më parë, banorët u zgjuan sërish të rrezikuar nga rreziku i hapjes së gurores, pasi kompania ‘’Hazizllari Shpk’’ u shfaq sërish, duke i kërkuar një tjetër dëgjesë publike. Konkretisht ajo ishte planifikuar të realizohej në datë 7 nëntor 2019, por banorët e këtyre fshatrave e braktisën.

Sot ata janë të bindur për të rinisur luftën e tyre, për të mbrojtur tokën e të parëve, atë tokë për të cilën kanë investuar.

Bashkë me banorët janë kundër edhe sipërmarrësit. Çifti Hida ka investuar prej 20 vitesh në bujtinën “Farma Sotira”, strukturë turistike, e cila vizitohet çdo vit nga mbi 4000 turistë.

“Projekti i kompanisë duket se na është larguar pak neve, por ama është afruar më shumë fshatrave të tjerë të banuar. Kompania gjithashtu ka zgjeruar sipërfaqen për ndërtimin e gurores. Por ne nuk kemi ndërmend të ndalemi, do të protestojmë deri në fund për mos ndërtimin e kësaj guroreje, çka do të na sillte veç dëme”, tha Jonida Hida, sipërmarrëse.

Plani i përgjithshëm vendor i Bashkisë Kolonjë e përcakton si zonë turistike, ku përveç dy strukturave ekzistuese, janë në proces ndërtimi edhe dy zona të tjera për agroturizëm në vendin e Leskovikut dhe të Kolonjës. Porta Vendore pyeti kryebashkiakun e Kolonjës, z.Erion Isai i cili tha se; “Ne e kemi refuzuar atë kërkesë. Këtu nuk ka vend për gurore, ndaj po bëhet gati i gjithë dokumentacioni i nevojshëm që kjo çështje të kalojë në këshill bashkiak, e më pas në Ministrinë e linjës, që kjo zonë të jetë e mbrojtur, në mënyrë që të shpëtojmë njëherë e përgjithmonë nga guroret”, tha në një lidhje telefonike kryebashkiaku Isai.

Porta Vendore nuk u mjaftua me kaq, por pyeti edhe në Agjencinë Rajonale të Mjedisit, dega Korçë, mbi këtë çështje. “Firma kishte bërë kërkesë për të pasur një tjetër dëgjesë publike pak ditë më parë, por meqë ajo u bojkotua, firma duhet të bëjë një tjetër kërkesë pranë Agjencisë Kombëtare të Mjedisit në mënyrë që ne të bëjmë lajmërimet e nevojshme. Deri më tani nuk ka asnjë sinjal nga kjo e fundit që do të vijojë me përpjekjet për të tjera dëgjesa publike. Presim që firma të vendosi se çfarë do të bëjë, por ma do mendja që me mediatizimin që po merr sërish kjo çështje, firma do të tërhiqet”, shprehet Gentiano Jance, Drejtor i Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Korçë.

Gjithsesi, banorët kanë përpiluar një peticion për të përfshirë Malin e Omit në zonat e mbrojtura. Ky peticion është firmosur deri më tani nga rreth 500 persona, ndërsa i është dorëzuar Bashkisë, Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Korçë, dhe Ministrisë së Turizmit e Mjedisit.

Rreth Autorit:
Elisa Gjerani, Kryeredaktore e platformës “Porta Vendore”, është gazetare me eksperiencë 10-vjeçare, e cila ka punuar në disa media kombëtare dhe vizive në funksione të ndryshme dhe është fituese e çmimeve të ndryshme për gazetarinë investigative dhe sociale. Ajo ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka Master Shkencor për Drejtim dhe Menaxhim Mediash. Prej disa vitesh është përfshirë edhe në projektet e shoqërisë civile.