Ndodhi

Mungesa e transportit publik “izolon” banorët e fshatit Asim Zenel në Gjirokastër

20 nëntor  2019/ Jonida Qirko/ Porta Vendore/ Gjirokastër

Rreth 8 km larg qytetit të Gjirokastrës ndodhet fshati Asim Zenel, një qendër e rëndësishme administrative e qarkut. Ndonëse një nga fshatrat me më shumë popullsi, banorët përballen çdo ditë me mungesën e transportit publik, ndonëse është vendosur një linjë, por që nuk respektohet nga të kontraktuarit.

Para dy vitesh, ish kryetarja e Bashkisë Gjirokastër Zamira Rami, caktoi dy automjete tip furgon 10 vendesh për të bërë të mundur transportin e banorëve drejt qytetit por me një orar të kufizuar. Orari i vendosur është 7:00 e mëngjesit deri në orën 16:00 të drekës. Por të shkosh në qytet bëhet e pamundur për këta banorë. Sipas banorëve të fshatit, furgonat e caktuar nuk e zbatojnë orarin e vendosur.

Gjendja e transportit publik është shumë e keqe. Oraret janë sipas qejfit të shoferëve, dmth nuk kanë orë, vetëm në mëngjes është pak më ndryshe, pastaj orët e tjera mbeten njerëzit atje. Banorët ankohen gjithmonë”, thotë Zilihaja Gaxhaj, banore e fshatit.

Ndërsa zonja Hatije Serjani shqetësimin më të madh e ka për vajzën e saj, e cila siç na tregon është mësuese dhe detyrohet herë pas here që rrugën e fshatit ta bëjë në këmbë për në qytet apo anasjelltas. “Unë kam vajzën arsimtare dhe mbetet te rruga tërë ditën. Nuk ka orare, u mbush furgoni, iku. Të vjen keq, nuk na vjen njeri në fshat se thonë se mbeten tërë ditën te rruga, nuk ka transport. Nëse furgoni nuk mbushet ne do rrimë të presim me orë të tëra. Pas orës 16:00 që është i fundit nuk ka më asnjë mundësi për të shkuar në qytet dhe ne mbesim si të izoluar. Për sa i përket kërkesave, s’kemi kujt t’ia bëjmë se nuk të përgjigjet njeri”, shprehet ajo.

Nga ana tjetër, disa banorë janë detyruar të blejnë makina personale apo disa të paguajnë komshinjtë për të shkuar deri në qytet kur kanë ndonjë emergjencë. “Pas orës 17:00 për një hall a problem shkojmë dhe marrim automjetin e komshiut dhe e paguajmë për të mbaruar punë “, thotë Lutfije Hoda, një tjetër banore e këtij fshati.

Eno Hila, administratori i fshatit, ka mohuar të ketë ankesa me shkrim nga banorët, por vetëm gojarisht. I kontaktuar nga Porta Vendore ai thotë se i gjithë problemi qëndron te dy shoferët e furgonave, të cilët nuk rakordohen me njëri-tjetrin, ndërsa një zgjidhje për oraret e pasdites është e pamundur. “Bashkia nuk ka gjë në dorë gjë, e ka caktuar orarin, le ta zbatojnë shoferët. Nuk bëhet fjalë për furgon shtesë, e kemi diskutuar dhe me kryetarin e ri. Këto janë kushtet”, është shprehur administratori i këtij fshati, duke mos i dhënë zgjidhje se kush duhet të verifikojë për ankesat e banorëve se nuk respektohet orari, duke qenë se vetë shoferët kontraktohen nga bashkia.

Në të tilla kushte, banorët janë të detyruar të pranojnë këtë shërbim të cunguar dhe problematik, me shpresën se një ditë mbase gjërat do të ndryshojnë.

Rreth autorit:
Jonida Qirko është gazetare në Gjirokastër.