15 nëntor 2019/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Skrapar
Në zonën mes Poliçanit dhe Skraparit në Qarkun e Beratit ndodhet fshati Novaj. Pa rrugë, pa ujë të pijshëm, pa shkollë dhe pa qendër shëndetësore, 27 familjet e këtij fshati që dikur numëronte qindra të tilla, ngrysin ditët me ushtrimin e blegtorisë, por mes shumë sfidash. Novaj është sot fshati që po përplas institucionet më të larta të shtetit, siç janë gjykatat, me pronarët e firmave të nxjerrjes së gurit, aktivitet i cili sipas specialistëve ka zhveshur krejtësisht zonën nga bimësia natyrore dhe jeta e egër, duke shkaktuar kështu një masakër të vërtetë mjedisore.
Në aksin kombëtar Berat-Skrapar, një tabelë e vendosur në rrugë, të drejton në Pronovik, zonë nga e cila duhet të vazhdosh udhëtimin për në Novaj, fshatin e Njësisë Administrative Bogovë, në Bashkinë e Skraparit. Janë vetëm shtatë kilometra rrugë që lidhin Novaj me aksin kryesor, rrugë e cila qarkullohet me mjaft vështirësi për shkak të gjendjes shumë të keqe. Një shtresë çakëll duket që është hedhur së fundmi në rrugë, ka mbushur gropat më të mëdha, ndërkohë që terreni i thyer e bën të vështirë qarkullimin e mjeteve fuoristrada, të vetmet që mund të të çojnë në Novaj.
Në anë të rrugës, në këtë vjeshtë të vonë, fëmijë e të moshuar shesin fruta të thata, misra të pjekur dhe prodhime të tjera të zonës. Për shkak të pluhurit që ngrihet në ajër dhe që të shoqëron në të gjithë udhëtimin, nuk janë të shumtë ata që preferojnë të zbresin nga makina për të blerë diçka.
Elisi është 15 vjeç dhe pas përfundimit të klasës së nëntë, ndihmon familjet me punët e përditshme dhe gjatë mesditës, shet në rrugë çfarë të mundë. Me disa qese me bajame në duar, ai është në pritje të blerësve, ndonëse pritshmërinë nuk e ka shumë të lartë. “Dje, nuk shita asgjë. Askush nuk ndaloi sepse ka ditë që nuk ka rënë shi dhe në rrugë makinat bëjnë shumë tym dhe nuk ndalin shumë njerëz për të blerë”, thotë ai për Porta Vendore.
Problemi i rrugës është halli më i madh që kanë banorët e këtij fshati, të cilët lidhen me mjaft vështirësi me qytetin. Kjo zonë ku sot jetojnë 27 familje nuk ka një mjet të transportit publik dhe për çdo hall banorët duhet të faturojnë një makinë që shërben si taksi për të gjithë fshatin. Në dy krahët e rrugës shikon pirgje të mëdha gurësh të prerë e të hedhur shkujdesur. Banorët thonë se firmat e nxjerrjes së gurit i kanë lënë nga puna e dikurshme, pasi Novaj është fshati ku ushtronin aktivitetin e tyre 12 subjekte të nxjerrjes së gurit, të cilat synojnë të rikthehen. Prej 24 muajsh këto subjekte kanë ndalur punën, ndërkohë që shenjat që ka lënë nga pas aktiviteti shumëvjeçar, janë gropa të mëdha të hapura në shpate, gurë të copëtuar hedhur kudo dhe mjete që kthehen hera herës, por që largohen sërish nga prezenca e policisë.

Pas disa muajsh konflikt me policinë e rendit, drejtues të firmave të nxjerrjes së gurit, të cilët kërkojnë rikthimin e aktivitetit, kanë larguar dhe mjetet e fundit. Tanimë në të gjithë zonën mbretëron qetësia, e cila mund të prishet nga dita në ditë. Një vendim për zgjerimin e parkut kombëtar të Malit të Tomorrit nga 24,723 në 26,106 hektarë, marrë në vitin 2017, i hapi rrugën një konflikti mes drejtuesve të subjekteve private, Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit e gjykatave në vend, ku u përfshi Novaj, fshati që dikur është quajtur “Fshati i rasave të gurit”.
Nazmi Dani, një 72-vjeçar nga fshati Novaj, është banori i radhës që po largohet nga fshati, por që duket se nuk është i fundit. Ai qëndron së bashku me bashkëshorten në pritje të ndonjë mjeti të rastit për të udhëtuar drejt Poliçanit, ku djali ka marrë një banesë me qira dhe ku jeton familja e tij tashmë. “Novaj nuk ka rrugë, ka vetëm një shkollë fillore me klasa të përbashkëta, nuk ka ujë, nuk ka mjek, nuk ka qendër shëndetësore, ndaj jemi të detyruar që të ikim”, thotë pa mundur të fshehë trishtimin i moshuari. Nipërit dhe mbesat e tij përfunduan arsimim fillor ku për shkak të mungesës së numrit të nxënësve, mësimi zhvillohet në klasa të përbashkëta, në një shkollë që vetëm emrin ka të tillë, ndaj Dani dhe të tjerë familjarë janë të detyruar që të shpërngulen, për të arsimuar fëmijët. Për shkak të terrenit të thyer, në fshat është më e favorizuar blegtoria, por si pasojë e mungesës së ujit, tregut, rrugës, sfidat që e shoqërojnë ushtrimin e saj janë të panumërta. “Me se do t’i ushqesh bagëtitë, me barin që duhet të ngresh në krah nga fshatrat e tjerë, apo ujin që nuk e siguron dot as për vete, jo më për kafshët”, na rrëfen i moshuari.
Problemet e Novajt sot janë të mëdha, ndërkohë që fshatin e ka shoqëruar prej vitesh epiteti i fshatit ku nxirret guri, të ardhurat e një aktiviteti që nuk përllogariten. Dani e banorë të tjerë të vjetër e kujtojnë kohën ku gurin e nxirrnin vetëm për ndërtimin e banesave të tyre, por që sot, as që nuk mund t’i riparojnë me gurin e malit, pasi nuk u lejohet.
Aktiviteti i gjatë i nxjerrjes së gurit, ka lënë nga pas vetëm konflikte, dëmtime në mjedis dhe varfëri te banorët. Këta të fundit, për shkak të mbylljes së aktivitetit kanë humbur mundësinë për të punuar te subjektet private.
Historia e shpalljes së Tomorit si Park Kombëtar ka filluar që në vitin 1996 me krahun perëndimor të malit që përfshin zonën e Beratit dhe kjo u bë realitet me Vendimin e Këshillit të Ministrave një vit më parë. Parku kombëtar në Tomor është shpallur zonë e mbrojtur që në vitin 1996. Atëherë sipërfaqja ishte 4,000 hektarë, por kjo sipërfaqe iu zgjerua fillimisht në vitin 2012 në 24,723 hektarë. Vitin e shkuar, qeveria vendosi ta zgjeronte edhe më tej parkun në Tomor duke e bërë 26,106 hektarë.
Në vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit, argumentohet se: VKM-është miratuar “pa ndjekur procedurat administrative” duke nxjerrë në pah një sërë anashkalimesh nga ana e Ministrisë së Mjedisit, ku ndër më kryesoret është mungesa e një vendimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
“Ministria e Mjedisit dhe Këshilli i Ministrave nuk morën mendim nga Bashkia Skrapar, nuk kryen as konsultim publikme komunitetin e zonës, pronarët, privatë dhe grupet e interesit. Propozimi i Ministrisë së Mjedisit kaloi në Këshillin e Ministrave pa pasur vendim nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ministria e Mjedisit nuk e mbështeti propozimin me studime paraprake apo të thelluara nga komuniteti shkencor. Këshilli i Ministrave e mori vendimin pa argumentuar vlerat e biodiversitetit që u kërkua të mbrohej”, argumenton gjykata.
Konflikti disamujor, për shkak të aktivitetit të nxjerrjes së gurit në Novaj, si dhe në pika të tjera të malit të Tomorit, ka ngjallur dhe reagimin e shoqërisë civile, institucioneve qendrore në nivel lokal, etj. Për specialistët e mjedisit, guroret që kanë punuar në Parkun Kombëtar të Tomorit, e kanë zhveshur malin nga bimësia natyrore dhe jeta e egër, duke shkaktuar një krim të vërtetë mjedisor. “Aktualisht, brenda kufijve të parkut brezat bimorë më të prekur nga aktiviteti i guroreve janë kullotat alpine, pyjet dhe shkurret mesdhetare, brezi i nën pyllit të Ahut, një zonë e populluar nga formacione shkurresh me shkozë dhe lajthi, të cilat në tërësi përfshijnë 4 habitate me rëndësi për komunitetin evropian dhe rreth 100 specie me vlerë ekonomike, mjekësore dhe shkencore për biodiversitetin”, tha për Porta vendore Ermelinda Mahmutaj, botaniste dhe aktiviste mjedisore.
Për kryeplakun e fshatit, Novruz Kanani, Novaj ndodhet sot i lënë krejtësisht pas dore, ndaj dhe ndërhyrja e bashkisë e institucioneve në nivel qendror, duhet të nisë menjëherë. Sipas tij, burimet natyrore janë mundësia e vetme që banorët kanë për ujë, qendra shëndetësore është pa mjek, shkolla është e rrënuar dhe gjendja e rrugës po i izolon. “Novajt dhe emri do t’i humbë nëse vazhdohet kështu. Banorët e ngelur këtu kanë pak mundësi për të punuar me gjithë resurset e zonës në bimë mjekësore, blegtori të pasur, por s’kanë asgjë veç krahëve”, tha ai për Portën Vendore.
Nga fshati i rasave të gurit, fshati ku dikur ushtrohej aktiviteti i nxjerrjes së gurit dekorativ, sot Novaj është fshati i harruar që dhe pasurinë më të çmuar që kishte dhuratë nga Zoti iu shkatërrua. “Nuk duhet të lejohet më veprimtaria nxjerrëse e gurit në mal brenda kufijve të parkut, por edhe jashtë tij. Disa zona fatkeqësisht mund t’i konsiderojmë të vdekura për nga vlerat e biodiversitetit dhe peizazhit, siç është pjesa mbi fshatin Novaj”, thotë Mahmutaj.
E ndërsa kryeplaku i fshatit dhe banorët japin alarmin se duhet vënë dorë në Novaj, Njësia Administrative Bogovë dhe Bashkia Skrapar japin dritën jeshile për disa projekte, për të cilat kërkojnë fonde që të mos ngelen në letër.
Për kryetarin e Bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema, vendimi për zgjerimin e sipërfaqes së Parkut Kombëtar të Tomorit, ishte i drejtë. Kjo jo vetëm për faktin se ndaloi një masakër mjedisore të ndodhur në mal, por dhe se do t’i hapë rrugën zhvillimit të zonës nëpërmjet turizmit, strategji e vetme kjo për të dalë nga situata ku ndodhet sot Novaj, Tomori e zona të tjera. “Ajo çfarë ka mundur që të bëjë Bashkia e Skraparit është hapja e rrugëve që të jenë të kalueshme, pasi shumë prej tyre përfshi dhe Novaj, kanë qenë fare të pakalueshme dhe kjo ka kosto për banorët sigurisht. Ne po mundohemi që rrugët t’i mbajmë të hapura, t’i shtrojmë sa mundemi me çakëll, si e vetmja mundësi që kemi dhe këtë gjë kemi bërë dhe me rastin e fshatit Novaj”, tha Kryetari i Bashkisë Skrapar Adriatik Mema, për Portën Vendore.
Novaj, por dhe një sërë fshatrash të tjerë që ndodhen në Tomor e poshtë malit, kanë vlera të mëdha, ndaj dhe rehabilitimi i zonës së dëmtuar sipas botanistes Mahmutaj, nuk duhet të vonojë. “Duhet të merren masat e rehabilitimit të zonës, të hartohen planet dhe të zbatohen ato, që të ndihmojnë së paku në rregullimin e peizazhit”, tha Mahmutaj.
Si pjesë e Njësisë Administrative Bogovë, që është mjaft e njohur në zhvillimin e turizmit të natyrës dhe kulinarisë, Novaj synon që të bashkohet me fshatin Bogovë, për të bashkuar resurset e blegtorisë, ato të bimëve mjekësore e të natyrës. “Nëpërmjet një rruge nga Bogova, në vendin e quajtur ‘Ujëvara’ shkohet në fshatin Novaj dhe është një distancë vetëm 1.5 kilometra larg, ndaj dhe ne së bashku me Bashkinë Skrapar do të hartojmë një projekt që të lidhim atë fshat me rrugë dhe t’i japim jetë asaj zone”, tha Flamur Gjoni, kryetari i Njësisë Administrative për Porta Vendore.
Por, me gjithë projektet dhe strategjitë që janë ende në letër, Novaj sot është fshati i harruar, që ka humbur çdo gjë me vlerë të trashëguar nga natyra, dhe që vazhdon të mbetet molla e sherrit mes shtetit dhe biznesit privat, ku banorët e mbetur janë thjeshtë “spektatorë”.
Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.