13 nëntor 2019/ Emi Kalaja/ Porta Vendore/ Shkodër
Në Shkodër familjet e pastreha dhe jetimët që jetojnë prej vitesh te konvikti “Safet Spahia” në katet e sipërme kanë marrë një shkresë nga Bashkia Shkodër për t’i liruar ato mjedise. Sipas shkresës që mban datën 11 nëntor, Bashkia Shkodër ka kërkuar zhvendosjen 10 familjeve drejt konviktit të shkollës “Arben Broci”. Ata kanë përfituar strehim nga bashkia në sajë të një vendimi gjykate.
Këto familje dhe jetimet paralajmërojnë kryetaren e bashkisë Voltana Ademi dhe drejtorin e shërbimeve sociale me në krye drejtorin Filip Vila, se për asnjë lloj arsyeja s’do të dalin nga aty ndërsa shprehen të revoltuar, pasi kryebashkiakja nuk i ka pritur ditën e sotme në zyrë.
Në një reagim zyrtar Bashkia Shkodër zbuloi edhe arsyen e zhvendosjes: Zhvendosja do të ndodhë për shkak të rikonstruksionit të thelluar të katit të dytë dhe të tretë të konviktit “Safet Spahia”. Konvikti i shkollës “Arben Broci” ku janë menduar të akomodohen këto familje ka kushte më të mira dhe se do të kenë mbështetjen e bashkisë. Sipas bashkisë, rikonstruksioni tek “Safet Spahia” është më se i domosdoshëm.
Por vetë familjet e prekura nga rikonstruksioni thonë se nuk pranojnë të lëvizin në konviktin “Arben Broci”, pasi aty nuk ka as kushtet minimale për jetesë. Ditën e nesërme është afati i fundit për lirimin e konviktit për rikonstruksion por vetë kjo kategori e njerëzve në nevojë thonë se nuk do largohen nga aty për asnjë lloj arsyeje.
Rreth autorit:
Emi Kalaja është gazetare në rrethin e Shkodrës.