Ndodhi

Unaza e Madhe përplas policinë me banorët, shemben 33 banesa

12 nëntor 2019/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Tiranë

Fadromat e IKMT-së dhe qindra forca policie nisën në orën 06:00 të mëngjesit aksionin për shembjen e 33 banesave të para që preken nga projekti i ri i unazës së madhe, në zonën e Astirit.

Ndonëse 21 prej banesave ishin të legalizuara, aksioni ka qenë shumë i tensionuar. Mes gazit lotsjellës dhe përplasjeve të forta me banorët, 12 të plagosur përfunduan në dyert e spitalit, Inspektoriati Ndërtimor rrafshoi një pjesë të shtëpive që ndodheshin buzë rrugës. Kordonët e gjatë të policisë rrethuan zonën nga rrethrrotullimi i Shqiponjës deri tek ura në Unazën e re, duke bllokuar jo vetëm qarkullimin e automjeteve, por edhe të këmbësorëve.

Në këtë mënyrë qeveria i hapi rrugë zbatimit të projektit të shumëdebatuar për zgjerimin e Unazës së Madhe, segment që nisi nga rrethrrotullimi i doganës dhe shkon deri tek rrethrrotullimi i shkollës Teknologjike. Në total ky projekt parashikon të prekë afërsisht 300 banesa. Porta Vendore e ka pasqyruar nëpërmjet një artikulli një vit më parë projektin e Unazës së Madhe.

Banorët u izoluan fillimisht në një lokal duke bërë rezistencë, por policia ndërhyri duke i shpërndarë me forcë . Videot e përplasjes së policisë me banorët u bënë menjëherë virale, por kjo nuk i shpëtoi nga prishja banesat e tyre.

Policia ka dhënë versionin e saj për ngjarjen ku fajëson banorët si shkaktarë të dhunës: “Banorët kanë sulmuar me gurë, sende të forta dhe bomba molotov punonjësit e Policisë. Si pasojë janë plagosur 5 punonjës të Policisë nga FNSH-ja, Shqiponjat dhe Patrullat e Përgjithshme, të cilët u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin ushtarak” – thuhet në njoftimin për shtyp që ka shpërndarë Policia e Shtetit.

Emineja, është njëra nga banoret që vjen vërdallë kordonit policor. Shtëpia e saj ndodhet pak më sipër zonës ku po zhvillohen prishjet gjatë ditës së sotme, por ndihet e humbur. “Nesër do të vijnë tek ne, çfarë të bëjmë”, – na thotë ajo kur e pyesim se nëse u dorëzuan përballë IMKT-së.

Ajo, së bashku më një grup tjetër banorësh, që edhe atyre u preken shtëpitë nga zgjerimi i Unazës së madhe, e kanë gdhirë mëngjesin pranë komshinjve të tyre, shtëpitë e të cilëve janë të parat që u rrafshuan.

E pashpresë, ajo duket e vendosur të mos lëshojë pe kur të vijë radha e shtëpisë së saj. “Nuk kemi se çfarë humbasim, na tradhtuan të gjithë. Qeveria, bashkia, partitë politike…që na duan vetëm për vota. Ne nuk kemi se çfarë humbasim më, vetëm këtë shtëpi kemi”, – e cila shikon e pikëlluar se si fadromat e IKMT-së po prishin shtëpitë.

Pavarësisht përplasjeve me banorët, duket se situata nuk do të jetë aq e qetë gjatë ditëve në vazhdim, kur fadromat e IKMT-së të zhvendosen më afër zonës, që ka protestuar për thuajse një vit me radhë kundër projektit që rrafshon shtëpitë e tyre.

“Një pjesë e shtëpive që u prishën sot kanë qenë të legalizuara dhe e kanë fituar dëmshpërblimin, por ne që jemi në proces legalizimi dhe që duan të na nxjerrin në rrugë të madhe, çfarë të bëjmë? Të bëjmë sehir se si na prishet mundi i gjithë jetës dhe të dalim në rrugë të madhe? Gjë që nuk bëhet! Aty do të vdesim, bashkë me shtëpinë”, – na thonë banorët e Astirit.

Si pasojë, i gjithë trafiku në këtë zonë u paralizua krejtësisht. por ishin me qindra edhe këmbësorët, që ishin nisur që të shkonin drejt stacionit të urbaneve që lidh veriun e Jugun e Shqipërisë me Tiranë, që mbetën të bllokuar në këtë zonë.

Agimi donte që këtë mëngjes, të kthehej në Vlorë, në qytetin e tij, por nuk mundi të arrijë dot tek stacioni i autobusit. “Nuk më lanë policët që të kaloja, dhe nuk dija se çfarë të bëja. Unë jam nga Vlora, dhe nuk di rrugë tjetër se nga t’i bie për të shkuar tek stacioni, ndaj po qëndroj këtu. Po shpresoj që pak më vonë të lirohet rruga dhe të na lënë të kalojmë”, – thotë Agimi, që në pritje të lirimit të rrugës, po vëzhgon se si prishen shtëpitë.

Në të njëjtën “grackë” kanë rënë edhe disa turistë të thuaj, që këtë mëngjes, Unaza e re ishte rruga nga duhej të kalonin për të arritur në destinacionin e tyre.

Teksa përpiqen t’i shpjegojnë policisë, të cilët kanë krijuar një gardh, për të mos lejuar banorët të afrohen afër zonës ku po prishen banesat, rrugën në hartë nga duhet të kalojnë, detyrohen të kthehen mbrapsht e të kërkojnë një rrugë tjetër.

Ndërsa kanë filluar edhe shirat e para, banorët, shtëpitë e të cilëve do të prishen në ditët në vijim, po fillojnë të mblidhen së bashku për të menduar se si do të reagojnë. “Një gjë do ta bëjmë ne, çfarë na duhet jeta po na morën shtëpitë”, – shprehen ato të vendosur, duke paralajmëruar përplasje të forta me policinë në ditët në vijim.

Sipas një njoftimi nga IKMT , deri më tani janë prishur 24 objekte, prej të cilave 8 objekte dy katëshe, 4 objekte tre katëshe dhe 12 objekte një katëshe. Objektet e tjera janë në proces.

previous arrow
WhatsApp Image 2019-11-12 at 12.12.24 PM
WhatsApp Image 2019-11-12 at 12.12.36 PM
WhatsApp Image 2019-11-12 at 12.12.35 PM
WhatsApp Image 2019-11-12 at 3.33.33 PM
WhatsApp Image 2019-11-12 at 12.12.24 PM (1)
WhatsApp Image 2019-11-12 at 12.12.24 PM (2)
WhatsApp Image 2019-11-12 at 12.12.25 PM
WhatsApp Image 2019-11-12 at 12.12.35 PM (1)
WhatsApp Image 2019-11-12 at 12.15.45 PM
WhatsApp Image 2019-11-12 at 12.15.46 PM
next arrow

Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare për çështjet sociale në Tiranë.