7 nëntor 2019/ Geri Emiri/ Porta Vendore/ Durrës
Mbrëmja e 6 nëntorit i ka gjetur shumicën e rrugëve të qytetit të Durrësit të përmbytura nga shiu me intensitet, që nuk zgjati më shumë se 1 orë. Uji që vërshoi në rrugët e qytetit paralizoi lëvizjen e këmbësorëve dhe solli trafik të rënduar në rrugët kryesore të qytetit bregdetar.
Rruga Egnatia, nga hyrja e qytetit tek Stacioni i Trenit, deri në Portin e Qytetit u përmbyt, duke arritur një nivel uji në mbi 30 centimetra. Po ashtu kryqëzimi i “Valutës”, pranë bulevardit qendror u përmbyt i gjithi. Lagja numër 4, 12, 17 dhe 18 ishin pothuajse të pakalueshme në akset kryesore rrugore.
Bashkia Durrës ka investuar rishtazi në ndërtimin e trotuareve të reja dhe shtrimin e rrugës në lagjen numër 4, nga kryqëzimi i “Valutës” deri tek Rruga Egnatia, por mbrëmjen e 6 nëntorit u përsërit situata e përvitshme ku rrugët e qytetit përpihen nga uji. Shkëputja e energjisë elektrike në disa prej lagjeve kryesore të qytetit u përsërit disa herë përgjatë mbrëmjes të së mërkurës.
Qytetarë me pantallona të përveshura e këpucë në dorë dhe automjete që u fikën midis rrugës nga futja e ujit, ishin skena që u ripanë në qytetin bregdetar. Kryebashkiakia e re, Valbona Sako, përmes një postimi në rrjetin social Facebook njoftoi se po punohej për pastrimin e pusetave për t’i prirë shirave që parashikohen.
“Brenda kësaj jave përfundojmë ndërtimin e linjës së re të kanalizimeve për disiplinimin e ujërave të shiut në lagjen 17, duke i ardhur në ndihmë banorëve të zonës”, shkruan Sako. Porta Vendore ka monitoruar në kohë punimet e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës dhe përveç tejkalimit të afateve për mbarimin e punimeve, investimet e reja deri më tani duket se nuk kanë arritur të shmangin përmbytjen e rrugëve të qytetit.
Pothuajse një vit më parë Porta Vendore raportoi për një situatë të ngjashme në qytetin bregdetar. Nga Bashkia Durrës asnjë zyrtar nuk ishte i arritshëm për të dhënë një koment për situatën e krijuar në qytet mbrëmjen e sotme.
“MIE dhe institucionet e varësisë në gatishmëri të plotë për të përballuar situatat që mund të krijohen nga moti i keq i 3 ditëve të ardhshme”, njoftoi sot Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës. Policia Rrugore nisur nga reshjet e shumta në vend apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes të veçantë, pasi ka prezencë të ujit në disa rrugë.
Rreth autorit:
Geri Emiri – Diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Ai është themelues dhe editor online i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, të profilizuar në raportimin mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.