Ngjarje/Personazhe

Gjirokastra në optikën e një turisti

4 nëntor 2019/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër

Gjirokastra rrit numrin e turistëve nga viti në vit, ku vetëm gjatë periudhës janar-gusht 2019 është vizituar nga 80 mijë turistë. Në fakt, rrugët e qytetit fillojnë të gëlojnë nga turistët vendas dhe të huaj që nga muaj mars, e ku kulmin e ka muaj gusht e shtator. Por megjithatë edhe pse një nga qytete muze më të bukur e përfaqësuese të Shqipërisë, Gjirokastra nuk po njeh ende politika të tilla sa për ta shtrirë turizmit gjatë të gjithë vitit, ndërsa turistët duhet të përballen edhe me disa paradokse.

Në kalanë e Gjirokastrës, turistët duhet të paguajnë dy bileta, njëra për vizitimin e kalasë që administrohet nga Ministria e Kulturës dhe një biletë tjetër për të vizituar muzeumet që ndodhen brenda kalasë e që menaxhohen nga bashkia e qytetit. Ndërsa për turistët që njohin Kadanë e bëjnë një ndalesë në shtëpinë muze të tij, mund të gjejnë në ekspozitorin e botimeve vetëm vepra në gjuhën shqipe dhe jo përkthime në anglisht, çka e vështirëson blerjen e titujve të shkrimtarit të njohur, nga vetë ata.

Turizmi mposht paragjykimet e turistëve të huaj

Qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar i turistëve, ku pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit. Turistët që vijnë nga vende të ndryshme të botës, shprehin vlerësimet e tyre për gjithçka kanë mundur të shikojnë në ditët e tyre të qëndrimit në Shqipëri, edhe pse pohojnë se nuk kanë ditur asgjë më parë për vendet të cilat kanë vizituar, ndërsa përshtypja e përgjithshme për Shqipërinë nuk ka qenë aspak pozitive.

Të vizitosh Shqipërinë duket se është kthyer në një sfidë me veten për ata turistë që vendosin të vinë për herë të parë në vendin e shqiponjave. Shumë prej tyre janë të përgatitur për t’u përballur me situata mbijetese, ku këshilla kryesore që marrin nga guidat e tyre është qëndrimi në grup, jo për të mos humbur rrugëve të një vendi të panjohur, por për të shmangur mundësitë e vjedhjeve apo grabitjeve.

Janë të gjitha gënjeshtra”, pohon një turist italian. “Mund të eci rrugëve i qetë, pa asnjë shqetësim. Këtu gjithçka është e bukur, ushqimi shumë i mirë dhe vendet të bukura. Nga ato që na kishin treguar prisja më keq” – vijon më tej ai – “por këtu gjithçka është e mrekullueshme”. “Na kishin folur për vjedhje, grabitje, por përkundrazi eci në rrugë i qetë, pa asnjë shqetësim. Është gjithçka një gënjeshtër. Me sa duket janë larguar të gjithë hajdutët nga Shqipëria”, shton duke buzëqeshur.

Peter Koçis me profesion inxhinier, tregon se me grupin e tij çek ishin përgatitur të shkonin në një vend të pasigurt e të rrezikshëm, por gjithçka gjetën në Shqipëri ishte mikpritja dhe panorama e mrekullueshme. “Jam nga Sllovakia dhe shoqëroj një grup turistësh nga Republika Çeke. Është hera e parë për ne në Shqipëri dhe në Gjirokastër. E prisja më keq, por është shumë më mirë. Kemi pasur pak frikë, pasi kemi dëgjuar shumë për mafian shqiptare dhe zëra që na thoshin ‘Mos shkoni aty, është e rrezikshme’, por them me bindje se është një vend i sigurt, njerëzit janë miqësorë dhe Gjirokastra është një qytet i vjetër i mrekullueshëm. Kemi parë disa shtëpi të vjetra karakteristike. Në Sllovaki nuk kemi ndërtime të tilla. Jemi vërtet të lumtur që zgjodhëm Shqipërinë”, shprehet Koçis.

Kurse Adriana, profesoreshë në Universitetin e Padova -s tregon se ka ardhur në Gjirokastër me një grup kamperistësh. “Jemi ndjerë vërtet të mirëpritur”, pohon ajo, ndërsa shton “Kemi parë qytete që të përcillnin jo vetëm shumë ngrohtësi, por edhe shumë kulturë, në mënyrë të veçantë Gjirokastra që është një muze i madh kombëtar. Nuk është rastësi që e kanë cilësuar të tillë dhe e meriton vërtetë. Ne kemi vërtet paragjykime për shqiptarët duke i cilësuar si njerëz që nuk kanë shumë kulturë, por këtu kemi parë shumë mikpritje, zemërgjerësi nga shqiptarët. Unë mendoj se mes dy popujve tanë nuk ka ndryshime të mëdha, ka thjesht më shumë rrugë për të bërë nga shqiptarët që tashmë janë si Italia në vitet ’50 – ’60, por mund të themi se po ecni në drejtimin e duhur. Ju lumtë shqiptarëve!”.

Por këta nuk janë turistët e vetëm me të njëjtat perceptime për Shqipërinë. Angelica është një 18-vjeçare nga Ekuadori. Ajo pohon se në të vërtetë pritshmëritë e saj nuk kanë qenë pozitive për Shqipërinë, “por gjithçka shoh është shumë e bukur – shton ajo – “nuk prisja të shihja gjëra kaq të bukura në Shqipëri”.

Kemi shëtitur në disa qytete të Shqipërisë dhe kemi mbetur të mahnitur sepse ne në fakt vijmë këtu plot paragjykime. Kjo për faktin se ne e njohim pak Shqipërinë, vetëm nëpërmjet atyre që kanë ardhur në Itali që para 20 vitesh dhe paragjykimet janë ende, por në fakt gjithçka këtu është pabesueshmërisht e bukur”, thotë një çift nga Torino.

Për turistët, Shqipëria është një vend ende i paeksploruar, me të kaluar interesante dhe vende të bukura, ndonëse ka probleme në infrastrukturën pritëse dhe shërbime. Paolo vjen nga Barcelona. Së bashku me të dashurën e vet ata vendosën të zgjedhin Shqipërinë si një vend i pazbuluar. “Ne na pëlqen të shkojmë në vende të paeksploruara ku miqtë tanë nuk kanë qenë më parë. Na pëlqen të vizitojmë vende që nuk janë shumë të vizituara dhe menduam se Shqipëria ishte një vend i tillë, por na rezultoi e kundërta. Shqipëria është një vend i bukur. Kemi udhëtuar prej disa ditësh, na pëlqen shumë panorama, natyra përreth, fermat dhe stili i jetës”, thotë ai.

Sara Hervouet është franceze dhe nënë e tre fëmijëve. Ajo më familjen e vet ka ardhur këtu nga Franca dhe ka shpenzuar tre javë në Shqipëri. “Kemi dëgjuar më parë për plazhet e Shqipërisë dhe historinë e saj komuniste. Kemi vizituar qytete si Shkodra, Tirana, Berati, Qeparo, Korçë etj. Është një vend shumë më i bukur nga sa e kishim menduar. Jemi të surprizuar me bukurinë e qyteteve dhe plazheve. Ka ende probleme në shërbim, që për hir të së vërtetës nuk ishte shumë i mirë. Ne jemi francezë dhe e kemi të rëndësishme që shërbimi në tavolinë të bëhet njëkohësisht, jo një nga një, por kjo nuk është se na prishi punë. Ju thjesht duhet të përmirësoheni në këtë drejtim”, thotë ajo.

Muzeumet, ndër objektet më të vizituara

Kalaja e gurtë e qytetit, shtëpitë karakteristike apo muzetë janë objektet më të vizituara. Besnik Shehu, përgjegjës i muzeumeve në kala tregon se zhvillimet politike që përkuan me çeljen e sezonit turistik veror, që në Gjirokastër nis prej fundit të muajit Mars, dhe punimet në pazarin karakteristik, reflektuan ndjeshëm në turizmin e zonës. Mesi i muajit Korrik dhe Gushti shënuan ritme të shtuara të fluksit turistik. Por pavarësisht kësaj, reflektimi i prurjeve turistike në muzeume është më i ulët se ato në kala.

Nga janari deri në fund të prillit kishim fluks më të madh turistësh, krahasuar me vitin e kaluar, por punimet në pazarin karakteristik dhe klima politike patën ndikimin e tyre në turizëm. Pas 15 korrikut pati rritje të turistëve, por jo të gjithë vizitorët në Gjirokastër frekuentojnë muzeun. Fakti që muzeumet ndodhen brenda kalasë, jo gjithmonë është favorizues”, tregon Shehu.

Shqetësues për vizitorët në kalanë e Gjirokastrës mbetet ekzistenca disavjeçare e sistemit të dy biletave. Një biletë duhet ta paguajnë për vizitimin e kalasë që administrohet nga Ministria e Kulturës dhe një biletë për të vizituar muzeumet që ndodhen brenda kalasë, që menaxhohen nga bashkia e qytetit.

Turistët në qytetin e Gjirokastrës. Foto: Brikena Metaj

Të dhënat nga Zyra e Turizmit në Bashkinë e Gjirokastrës tregojnë se nga 80 mijë vizitorë që kanë vizituar Gjirokastrën për periudhën Janar – Gusht 2019, vetëm 17 mijë prej tyre kanë vizituar muzeumet e qytetit. Në Gjirokastër janë aktualisht 4 muzeume: Muzeu i kalasë me tre pavijone: muzeun e armëve, burgu dhe Muzeu Gjirokastra kanë edhe numrin më të madh të vizitorëve me rreth 9000 vizitorë përgjatë muajve Janar – Gusht 2019, ndjekur nga Muzeu Etnografik që tërheq përherë e më shumë vëmendjen dhe interesin e vizitorëve. Shtëpia Kadare renditet e treta në listën e muzeumeve të vizituara nga turistët në Gjirokastër, ndjekur nga Tuneli i Luftës së Ftohtë.

Shtëpia Kadare, destinacion i rëndësishëm turistik

E shndërruar tashmë në një qendër multikulturore, shtëpia e lindjes e shkrimtarit Ismail Kadare renditet ndër më të vizituarat nga turistët, edhe pse emri i Ismail Kadare-së për jo pak prej tyre mbetet i panjohur. Prej janarit 2016, kur shtëpia – muze çeli dyert, numëron rreth 30 mijë vizitorë vendas e të huaj, me një rritje prej 10% në vitin e tretë të funksionimit të saj. Prej Janarit 2019 shtëpinë e lindjes së shkrimtarit e kanë vizituar rreth 6 mijë vizitorë. Ajo renditet sot ndër objektet më të vizituara në qytetin turistik të Gjirokastrës, krahas kalasë së gurtë dhe shtëpive karakteristike.

Risi e këtij viti në shtëpinë Kadare është ekspozimi i një pjese të kolanës së titujve të autorit. Ndonëse turistët shprehin interes për të blerë botimet e autorit, shtëpia muze ofron vetëm një prezantim të titujve në gjuhën shqipe.

Bruno Pjetri, përgjegjës i shtëpisë Kadare, thotë se turistëve u bëhet një guidë e mirëfilltë brenda shtëpisë. Ai shton se numri i vizitorëve ka ardhur në rritje progresive nga viti në vit. Kuriozitet sipas tij kanë kryesisht turistët francezë dhe gjermanë, ndërsa risi mbetet numri i lartë i turistëve nga vendet skandinave.

Max dhe Barbara janë një çift turistësh gjermanë që vijnë për herë të parë në Gjirokastër. Ata kanë dëgjuar më herët për emrin e Ismail Kadaresë dhe vizita në shtëpinë e tij të lindjes ka qenë vërtet interesante. Ata shprehën interes për të blerë një prej veprave të autorit, por shtëpia muze u ofronte vetëm një ekspozitë të disa prej titujve. “Kur menduam të vinim në Shqipëri morëm informacion jo vetëm për natyrën dhe peizazhet, por edhe për kulturën, letërsinë, artin dhe historinë e vendit tuaj. Gjatë këtij kërkimi informues unë njoha Kadarenë dhe mësova se ai ishte një shkrimtar i njohur dhe kandidat nobelist, por nuk e njihja më parë atë – tregon Barbara. Kështu nisa të lexoj librat e tij duke e nisur me “Prilli i thyer” që na nxiti të vizitojmë Alpet e Shqipërisë. Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme”, shprehen ata. Shqipëria dhe Kadareja kanë qenë të panjohur për turistët gjermanë që kanë mbetur të impresionuar nga natyra dhe mikpritja shqiptare. “Për ne Shqipëria ka qenë një vend i mbyllur për një kohë të gjatë. Kam dëgjuar shumë për Shqipërinë, por nuk kam njohur askënd që ka qenë më parë këtu. Ndaj mendova se do të ishte me interes të vija. Kam mbetur i mrekulluar nga natyra dhe malet shqiptare. Kemi ndeshur edhe me ndërtimet që bëhen në Veri, pikërisht përgjatë liqenit, dhe mendojmë se shkatërrojnë atmosferën. Ka shumë vende që nuk e kanë origjinalitetin e Shqipërisë dhe nëse kujdeseni në mënyrën e duhur Shqipëria mund të bëhet një vend i veçantë”, shton Max. Këshilla e tyre e vetme është ta ruajmë natyrën sa më të paprekur nga ndërhyrjet njerëzore. “Mos e prishni vendin tuaj. Mos bëni të njëjtin gabim si disa vende të tjera. Mbajeni sa më origjinale të jetë e mundur. Të gjithë janë miqësorë në këtë vend ku është vërtet shumë e lehtë të udhëtosh. Rrugët janë jo të gjitha të përshtatshme, por nuk na shqetëson. Shqipëria është tashmë destinacioni ynë i ri i preferuar”, thonë bashkëshortët gjermanë.

Polifoni dhe turizëm

Ndërthurja e veçantë e vlerave të trashëgimisë kulturore që mbart isopolifonia dhe shtëpitë karakteristike gjirokastrite, po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve të huaj. “Netët e këngëve polifonike gjirokastrite” është aktiviteti i ndërmarrë nga Bashkia Gjirokastër, që çdo mbrëmje mbledh së bashku turistë vendas e të huaj, për të dëgjuar këngët labe të grupit të mirënjohur gjirokastrit “Ergjëria” në zonën muzeale të qytetit. Udhëheqësi i grupit Arjan Shehu, pohon se këndimi i këngëve polifonike është kthyer në një praktikë tepër të kërkuar për turistët, pjesa më e madhe e të cilëve nuk e njohin atë. Sipas tij kjo është mënyra e duhur për prezantimin e vlerave më të mira të traditës sonë. Këngët e përzgjedhura, thotë Shehu, sjellin traditën e vjetër të polifonisë.

Grupi i polifonisë në qytetin e Gjirokastrës. Foto: Brikena Metaj

Kreu i Agjencisë së Kulturës në Bashki, Kudret Alikaj, tregon se netët e polifonisë do të jenë të pranishme në rrugët e kalldrëmta, çdo mbrëmje, deri në fund të muajit Shtator. “Çdo natë një biznes këtu në Pazar, mirëpret grupin polifonik dhe shfaqjen e tyre artistike”, thotë Alikaj.

Vetë turistët pranojnë se mbeten të mrekulluar nga gjithçka u ofrohet në Gjirokastër, ndërsa e vlerësojnë muzikën tonë polifonike si më të veçantën dhe më të bukurën në Evropë e ndoshta edhe më gjerë. “Jam i impresionuar nga gjithçka kam parë në këtë qytet që është kaq origjinal dhe i mbushur me objekte të periudhës kur është ndërtuar e nëse shtojmë këtu edhe këtë lloj këndimi, ato bëhen një të vetme. Kam dëgjuar muzikë të ngjashme në vende të ndryshme të Evropës, por do të thosha me bindje se për mua kjo është më origjinalja dhe më e bukura nga të gjitha”, pohon Tomas, një turist nga Gjermania.

Për Bolek është hera e parë në një mbrëmje me muzikë polifonike gjirokastrite. Ai tregon se ka ndjekur një aktivitet të tillë me muzikë polifonike në Sarandë, por gjithçka pa dhe përjetoi në Gjirokastër, është krejt e ndryshme. “Ishte bukur, por jo aq origjinale sa këtu sepse muzika aty ishte më shumë e ngjashme me muzikën që kërcehet, ndërsa këtu kemi këtë gërshetim të banesave karakteristike me muzikën tradicionale, gjë që vërtet të impresionon dhe gjithçka të duket kaq e vërtetë, sikur jeton kohë pas. Kam dëgjuar këngë polifonike edhe në Gjeorgji. Ishte këndshëm gjithashtu, por këngët tuaja janë shumë të ndryshme dhe mund të them me bindje se janë shumë më interesante“, thotë Bolek. “Mendoj se është vendi i vetëm në Evropë, ndoshta në botë ku ne mund të dëgjojmë tinguj të tillë”, vijon më tej ai.

E futur që prej vitit 2005 në listën e pasurive botërore të UNESCO-s si “trashëgimi kulturore e paprekshme”, isopolifonia shqiptare mbetet një ndër vlerat më të rralla të trashëgimisë sonë kulturore, e vlerësuar dhe e kërkuar nga turistët e huaj. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve edhe pse ai vazhdon të jetë i lartë vetëm gjatë sezonit veror, pavarësisht se Gjirokastra pretendon për një turizëm gjithëvjetor. Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth, e përtej të gjitha paragjykimeve me të cilat vendosin të vizitojnë për herë të parë Shqipërinë, të gjithë ata që e vizitojnë një herë, nuk ngurojnë të kthehen edhe një herë të dytë, duke mos harruar të marrin me vete edhe një suvenir si kujtim nga vizita në Shqipërinë e paragjykuar.

Promovimi në rritje i qytetit të gurtë të Gjirokastrës ka rezultuar në shtim të numrit të turistëve që kanë vizituar qytetin muze. E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Sipas të dhënave zyrtare, numri i turistëve që vizitojnë qytetin pasuri të UNESCO, në dy vitet e fundit është dyfishuar (2018-2019) dhe që prej muajit janar deri në gusht të 2019–ës qytetin muze të Gjirokastrës e kanë vizituar rreth 80 mijë vizitorë.

Rreth autorit:
Brikena Metaj është korrespondente për News 24 në Gjirokastër.