2 nëntor 2019/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Elbasan
Gjinari pjesë e programit të “100 fshatrave” por rezulton të jetë ende pa asnjë investim konkret. Banorët shpresojnë se rruga e cila ka shkuar një djall e gjysmë lekë të mbarojë, ndërsa kërkojnë të kenë më shumë kushte për turistët e vizitorët që vijnë në fshat. Në këtë Gjinarin turistik tashmë ka filluar edhe ndërtimi i bujtinave të para.
Gjinari është fshati turistik në qytetin e Elbasanit, i cili prej vitesh ka mirëpritur turistë, kjo për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik që ka dhe ajrit të pastër. I ndodhur vetëm 24 km larg nga Elbasani, zona e Shpatit karakterizohet nga një reliev malor dhe klimë e pasur me oksigjen. Pika më e lartë e kësaj zone turistike është mali i Bukanikut me 1831 m mbi nivelin e detit.
Turistët që vizitojnë Gjinarin janë të shumtë, qofshin këta të huaj, të cilëve u pëlqen eksplorimi dhe aventurat nëpër vende të reja, qofshin edhe vizitorët vendas, që kryesisht fundjavave vijnë së bashku me familjen për të shijuar një drekë në natyrë pranë bujtinave të shumta që tashmë ofron ky fshat.
Por më shumë se eksplorimi në natyrë, ngjitja drejt malit të Bukanikut ose një drekë a piknik me familjen, Gjinari nuk ofron asgjë tjetër, përkundrazi megjithëse është pjesë e programit të “100 fshatrave turistik” prej dy vitesh, ende dhe sot askush nuk ka vënë dorë në të, duke ia venitur famën e dikurshme, ku Gjinarin e frekuentonin shumë.
Në vitet e fundit, si në çdo fshat tjetër ku turizmi ka pasur një fije perspektivë, edhe në Gjinar kanë lulëzuar kryesisht turizmi familjar çka pasqyron interesin e banorëve për ta zhvilluar këtë zonë dhe për ta bërë të njohur. Aktualisht ekzistojnë rreth 23 struktura pritëse, e shumë të tjera janë në proces hapjeje, për t’i ardhur në ndihmë turistëve që frekuentojnë këtë zonë, e që kryesisht janë holandezë, gjermanë dhe francezë.

Një nga investuesit në këtë zonë është Petriti, i cili ka punuar si emigrant prej një jete në Greqi, por kur kriza në vendin fqinj e puna filloi të pakësohej, ai pa si zgjidhje kthimin në vendlindje dhe investimin në të, duke iu bashkuar kështu bujtinave të tjera që vendasit kanë hapur në zonën e Gjinarit.
“Jam investuar në këtë bujtinë me mish e me shpirt, pasi doja që të bëja diçka të mirë për vendlindjen time dhe jam i kënaqur pasi fundjavës ka goxha punë qoftë me vizitorë por edhe me turistë. Madje gjatë fundjave funksionon vetëm me rezervim. Këtu punoj bashkë me bashkëshorten time e cila gatuan kuzhinë shqiptaro-greke”, thotë Petrit Mufali.
Megjithatë në Gjinar është e vështirë të orientohesh, sidomos për turistët e huaj, pasi mungojnë tërësisht sinjalistika dhe tabelat informuese. Rruga e ngushtë nga Elbasani deri në këtë fshat, është e mirëmbajtur, por duhet të jesh i kujdesshëm. Madje në qendër të fshatit nuk ka asnjë investim infrastrukturor. Gjithashtu banorët ankohen për mungesën e ujit të pijshëm dhe të energjisë elektrike, që kanë probleme herë pas here.
Rruga Elbasan –Gjinar ka qenë një nga investimet në infrastrukturën rrugore më të përfolura. Ajo u ndërtua gjatë qeverisjes se PD dhe u inaugurua në vitin 2011 dhe deri me sot ka pasur disa rrëshqitje dherash dhe gurësh duke e kthyer në shqetësim këtë rrugë shumë milionëshe për drejtuesit e automjeteve, banorët e zonës si dhe turistët.
Madje, për abuzimet me këtë rrugë u hap edhe një hetim nga prokuroria për funksionarë të ndryshëm shtetërore, deri në funksionet më të larta të Autoritetet Rrugor Shqiptar, proces i cili vazhdon të jetë ende në gjykim nga drejtësia shqiptare.
Por investimet nga pushteti vendor e përkatësisht nga Bashkia Elbasan deri më tani kanë qenë zero, duke e lënë fshatin turistik në harresë e duke premtuar vetëm në kohë fushate, për rrugë, ujë e drita. E kjo duket që nga qendra e fshatit, e cila është në një kaos të vërtetë, e pashtruar, e mbushur plot pluhur e baltë në varësi të stinës, kur shkon të vizitosh Gjinarin, ndërsa ka pak shpresa nga banorët që ky fakt të ndryshojë, megjithëse ata e dinë fortë mirë që gjenden në projektin e 100 fshatrave turistikë.
“Nuk e di çfarë kanë ndërmend të bëjnë tani e tutje ku na ndryshoi edhe kryetari i bashkisë, por kam pak shpresa se rruga nacionale, e qendra e Gjinarit do të ndryshojë. Kur se bëri ai që ndenji 12 vite në pushtet do ta bëjë ky i riu? Mjerë ne thuaj, që besojmë tek premtimet elektorale një herë në 4 vite, e tek rilindja bashkë me 100 fshatrat turistik. Qendra duhet rregulluar një minutë e më parë, pasi nuk lë një shije të mirë e dinjitoze për turistët, është për faqe të zezë”, tha për Portën Vendore Ardiani, banori i Gjinarit.
Në Gjinar nuk ka gjithashtu një shteg për të gjithë turistët që duan të vizitojnë majën e malit Bukanik, duke e bërë një sfidë më vete vajtjen në atë pikë.
Megjithatë, Gjinari mund të ofrojë shumëçka për vizitorët e jo vetëm, duke filluar nga Kisha e Shënkollit në Shelcan, e ndërtuar në mesjetë dhe pikturuar nga Onufri më 1554, Kisha e Shënepremtes në Valësh, e ndërtuar në mesjetë dhe pikturuar në faqet e murit me afreske nga Onufri (1554) në stilin bizantin, Varri i Kostandin Shpatarakut (Ogës) në Valësh (Piktor ikonash në mbi gjashtë kisha të Shqipërisë së Mesme, nga viti 1736 deri në vitin 1767) e deri te Derstilat artizanale në shfatin Dërstilë, që është një mekanizëm që punon me forcën e ujit dhe përpunon (me rrahje e zhytje) pëlhurat e leshta që bëhen në vegjë (tezgjah).
Por për fat të keq nga mosvënia dorë, edhe monumentet e kësaj zone janë drejt degradimit. Bashkia Elbasan e pyetur nga Porta Vendore tha se: “Lidhur me rikonstruksionin e qendrës së Gjinarit, ju bëjmë me dije se Njësia Administrative Gjinar është fituese e projektit për “100 fshatrat”. Zhvillimi i zonës do jetë në përputhje me këtë projekt. Ndërsa lidhur me investime për të përfunduar punimet në aksin rrugor Elbasan – Gjinar , ju sqarojmë se ky aks rrugor kalon në territorin e Bashkisë Elbasan, por është në inventarin e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Nisur nga ky fakt, edhe investimet, mirëmbajtja dhe sinjalistika për këtë aks rrugor kryhen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar” tha Bashkia Elbasan në kërkesën për informacion duke shtuar gjithashtu se: për investime afatmesme dhe afatgjata gjatë këtij mandati është duke u hartuar një strategji nga Bashkia Elbasan e cila do të do marrë jetë në buxhetin e viteve 2020 e në vijim, ku dhe Gjinari do jetë përfitues .
Në programin e “100 fshatrave turistik” pritej të rriteshin kapacitetet pritëse, të vendoseshin sinjalistika turistike, të kishte përmirësim të infrastrukturës publike dhe të kapitalit njerëzor. Por deri më tani, banorët dhe investitorët e Gjinarit presin me sytë nga rruga, duke shpresuar se gjithçka do të ndryshojë në fshatin e tyre turistik, në tokën e të parëve. Pasi deri më tani nuk ka asnjë investim në kuadër të projektit ambicioz të “100 fshatrave turistik” nga qeveria shqiptare.