Ndodhi

Rritet çmimi i ujit në Berat e Kuçovë, banorët kundër, Bashkia hesht

31 tetor 2019/ Ola Mitre/ Porta Vendore/ Berat

Prej datës 1 nëntor 2019 banorët e Beratit dhe Kuçovës do të paguajnë më shtrenjtë ujin e pijshëm dhe shërbimin për largimin e ujërave të ndotur. Përmes një vendimi që mban datën 10 tetor 2019, Enti Rregullator i Ujit ka miratuar kërkesën e shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Berat-Kuçovë” për rritjen e çmimit për konsumatorët familjarë, ndërsa ka mbajtur të pandryshuar tarifën për klientët publikë dhe ata privatë. 

Aktualisht, banorët e qytetit të Beratit dhe Kuçovës paguajnë 48 lekë/m³ për furnizimin me ujë dhe 13 lekë/ m³ për largimin e ujërave të ndotur. Ndërkohë që, me tarifat e reja do të paguhet 50 lekë/m³ për furnizimin me ujë dhe 14 lekë/m³ për ujërat e ndotur, apo një total prej rreth 5% më shumë se aktualisht. Të pandryshuara kanë mbetur tarifat vetëm për konsumatorët familjarë të Njësisë Administrative Roshnik, që do të vazhdojnë të paguajnë 40 lekë/m³ për furnizimin me ujë. Ndërkaq, Enti Rregullator i Ujit ka rrëzuar kërkesën e shoqërisë për rritje tarifash për klientët publikë dhe privatë, duke i lënë në nivelin e 130 lekë/m³ për ujin dhe 22 lekë/m³ për kanalizimet. “Kërkesa për rritjen e  çmimit është bërë vitin e kaluar, kohë kur ndërmarrja drejtohej nga një administrator tjetër. Megjithatë, me sa jam informuar, ky është një unifikim çmimi me zonat rurale, sepse në fshat çmimi ka qenë pak më i lartë se në qytet”, thotë për Porta Vendore, Pelivan Sinaj, administrator i ndërmarrjes.  “Unë mendoj se kjo rritje nuk ka ndonjë efekt apo ndikim shumë të madh te konsumatorët sepse vetë çmimi është i ulët”, shton ai. Aktualisht ujësjellësi Berat-Kuçovë është ndërmarrja e gjashtë në rang vendi që aplikon tarifat më të larta për furnizimin me ujë, ndërsa lihet pas vetëm nga Tirana, Durrësi, Korça, Fieri dhe Lezha. “Unë jam e kënaqur me shërbimin e furnizimit me ujë, por shtrenjtimi nuk është mirë për ne, sado pak qoftë ai”, thotë për Portën Vendore Kadria, një nënë që jeton me djalin e saj të papunë. “Unë jam me një rrogë dhe me vështirësi plotësoj nevojat e familjes”, shton ajo, duke theksuar se duhet mbajtur parasysh se janë shumë taksa e fatura që paguhen çdo muaj. Referuar aplikimit të bërë nga shoqëria e ujësjellës-kanalizimeve, nëpërmjet rritjes së tarifave të propozuara synon të arrijë kushtet e kualifikimit për të përfituar nga programi i ardhshëm i investimeve të financuar nga KfW, ku ndër të tjera kërkohet që mesatarja e orëve të furnizimit me ujë të jetë 8 orë/ditë dhe për zonat e investuara 24 orë/ditë. Po ashtu, kërkohet përmirësimi i cilësisë së shërbimit në zonën rurale në drejtim të rritjes së kohëzgjatjes së furnizimit me ujë, i cili aktualisht ofrohet mesatarisht 4 orë në ditë, si dhe rritja e nivelit të mbulimit me shërbimet e ujësjellës-kanalizimeve, nëpërmjet investimeve infrastrukturore dhe zgjerimin e rrjetit për zonën rurale. Ndërkaq, administratori Sinaj njofton se falë rritjes së treguesve të performancës është marrë mbështetja e radhës nga KfW, ndërsa aktualisht janë në prag të lidhjes së kontratës. “Do të investohet pjesa më e degraduar e qytetit që është lagja “Goricë” dhe lagja e “Qelepiut”, pra rreth gjysma e qytetit do të bëhet me investim të ri dhe kjo do të rrisë ndjeshëm kohën e furnizimit me ujë”,  thotë Sinaj. “Ne pretendojmë që kohëzgjatja e furnizimit me ujë të shkojë 24 orë për qytetin. Investimi fillon tani dhe zgjat 2 vjet”, shton ai.

Porta Vendore kontaktoi  përmes telefonit dhe me kryetarin e Bashkisë Berat, Ervin Demo, por nuk arriti të marrë një koment mbi vendimin e Entit Rregullator të Ujit apo mbi politika lehtësuese që mund të marrë bashkia për kategori të veçanta. “Do t’ju rikontaktoj në orët në vijim për t’ju dhënë një përgjigje”, u shpreh Demo, por më pas nuk iu përgjigj telefonatave.

Rreth autorit:
Ola Mitre është gazetare e çështjeve ekonomike në Tiranë.