29 tetor 2019/ Rigels Xhemollari/ Porta Vendore
Rinia shqiptare në raport me politikën dhe partitë është përballur me sfida nga më të ndryshmet. Partitë politike shpesh e shmangin ose e paraqesin si shtojcë në programet e tyre çështjen e rinisë, madje edhe kur përmendin punësimin e tyre si objektiv të fushatës i referohen numrave të të punësuarve, e jo mundësive se si do të krijohen vendet e punës. Nga ana tjetër forumet rinore politike kanë qenë në përgjithësi jo të përfaqësuara nëpërmjet karrierës së brendshme në pozicione ekzekutive në qeveri, por kryesisht nëpërmjet lidhjeve me liderin e partisë dhe konjukturave të brendshme. Protesta e studentëve ishte një ‘revolucion’ i bashkuar i të rinjve me dhe pa parti që demonstroi më së shumti mungesën e përfaqësimit dhe të vëmendjes ndaj tyre.
Në terma vendimmarrjeje në nivel lokal, vihet re se ka një diferencë të kandidatëve dhe të përzgjedhurve në moshë të re. Ky fenomen ka ndodhur ndër vite, pasi të rinjtë vendosen në fund të listave të kandidimit që partitë politike dërgojnë në KQZ, çka ul shanset e përzgjedhjes së tyre në pozicione përfaqësuese. Në zgjedhjet vendore 2015, vetëm 4.91% (3 nga 61) kryetar bashkie ishin nën moshën 30 vjeç. Ndërsa zgjedhjet e organizuara në 30 qershor 2019 nuk prodhuan asnjë Kryetar Bashkie të ri, apo nën moshën 30 vjeç, moshë maksimale në të cilën Strategjia e Bashkimit Europian për të rinjtë, por edhe legjislacioni ynë vendas i konsideron të rinjtë.[1] Ndërsa sipas Eurostat të rinj konsiderohen popullata prej 15 – 29 vjeç.[2]
Ky hendek mes të rinjve dhe përfaqësimit të tyre në qeverisje, programe elektorale dhe vendimmarrje ka ulur interesin e tyre për politikën, dhe kjo vërehet edhe në studimin e fundit të publikuar nga Fondacioni Friedrich Ebert “Rinia Shqiptare”, ku 62% e të rinjve pohojnë se nuk janë fare të interesuar për politikën, ndërsa 31% e të intervistuarve thonë se nuk janë aspak të përfaqësuar në politikë.[3]
Ky mos interesim për politikën dhe vendimmarrjen ka sjellë edhe një mungesë njohurish të të rinjve mbi kompetencat e bashkive, këshillave bashkiake dhe personave që i përfaqësojnë në to. Sipas anketimit të Kongresit Rinor Kombëtar “Përfaqësimi dhe Pjesëmarrja e të Rinjve në qeverisjen vendore”, 63 % e të rinjve shprehen se nuk i njohin kompetencat e Këshillave Bashkiake dhe 36.6% e tyre nuk njohin asnjë Anëtar Këshilli të Bashkisë së tyre. Referuar të njëjtit anketim rreth 80% e të rinjve të pyetur nuk ndihen të përfaqësuar në programet dhe punët e kryera nga bashkitë me fokus rininë në 4 vitet e fundit (2015 – 21019), ndërsa 20% e tyre pohojnë se e gjejnë veten të përfaqësuar në punën e bashkive.
Sa peshon “kartoni” i të rinjve pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit?!
Për të analizuar edhe në terma krahasimor përfaqësimin e të rinjve në nivel vendor, Kongresi Rinor Shqiptar ka marrë në shqyrtim të dhënat e publikuara nga KQZ për tre bashki të mëdha (Tirana, Korça dhe Shkodra), referuar fashës moshore të anëtarëve të zgjedhur në zgjedhjet lokale të vitit 2015 dhe 2019.
Gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2015, reforma administrative – territoriale ngushtoi numrin e bashkive dhe rrjedhimisht të Këshillave Bashkiake, fakt që vështirësoi akoma më tepër depërtimin e të rinjve në vendimmarrjen lokale.

Pesha e përfaqësimit rinor në Këshillat Bashkiake të pas zgjedhjeve të vitit 2015
Përfaqësimi i të rinjve në Këshillat Bashkiake në zgjedhjet lokale të vitit 2015 ishte përkatësisht: në Bashkinë Tiranë pesha e të rinjve ishte 21% me 13 anëtarë, Bashkia Shkodër përfaqësohej me 18 % të këshilltarëve të rinj ose 9 nga 51, dhe Bashkia Korçë me vetëm 11 % apo 4 të rinj nga 41 Anëtarë të Këshillit Bashkiak.
Sa i përket përfaqësimit të të rinjve në Këshillat Bashkiake, vihen re diferenca mes tri Këshillave Bashkiake të marra në shqyrtim në zgjedhjet lokale 2015 dhe atyre të vitit 2019.

Pesha e përfaqësimit rinor në Këshillat Bashkiake pas zgjedhjeve të vitit 2019
Në Bashkitë Korçë dhe Shkodër pjesëmarrja e të rinjve (18 – 30 vjeç) si anëtarë të Këshillave Bashkiake është rritur ndjeshëm, respektivisht në Bashkinë Shkodër nga 9 anëtarë të rinj të zgjedhur në 2015, numri ka shkuar në 25 në vitin 2019, duke dominuar 61% të peshës së vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak, ndërsa në Bashkinë Korçë numri i këshilltarëve të rinj është rritur nga 4 në 2015 në 12 këshilltarë në 2019 apo thënë ndryshe në 30 % të vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak.
E kundërta ka ndodhur në Bashkinë e kryeqytetit, ku edhe gara është më e fortë për të qenë pjesë e Këshillit Bashkiak. Nga 12 Këshilltarë të rinj të zgjedhur në vitin 2015 numri shkoi në 9 anëtarë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, apo në zotërimin e vetëm 15 % të vendimmarrjes së Këshillit nga të rinjtë, në kundërshtim me premtimin e kandidatit të Partisë Socialiste gjatë fushatës për një pjesëmarrje deri në 30% të të rinjve në Këshillin Bashkiak.
Sa i përket përfaqësimit gjinor në vendimmarrjen lokale, Këshilli Bashkiak Tiranë dhe Shkodër e kanë respektuar barazinë gjinore madje duke shkuar deri në diskriminim pozitiv me diferenca të larta, ndërsa Këshilli Bashkiak Korçë ashtu si në vitin 2015, vijon të dominohet nga djemtë dhe burrat në masën 75 % sa i përket fashës moshore të të rinjve.
[1] https://eur-lex.europa.eu/LexUriServ/LexUriServ.do?uri=COM:2009:0200:FIN:EN:PDF
[2] https://fra.europa.eu/en/publication/2017/mapping-minimum-age-requirements/age-majority
[3]http://library.fes.de/pdf-files/bueros/albanien/15257.pdf