27 tetor 2019/ Ervina Garo/ Porta Vendore/ Durrës
Varrezat e vjetra publike në Durrës janë të vendosura në periferi të qytetit. Me një sipërfaqe prej 160 mijë metra katrorë, në këtë hapësirë përballesh me një zinxhir problematikash. Mungesa e mirëmbajtjes është shqetësimi kryesor i qytetarëve, të cilët janë bashkëfajtorë të situatës së krijuar, e cila daton që në vitin 1997. Në muajin mars të këtij viti, këshilli bashkiak ka miratuar një fond prej 5’840’000 lekë (të rinj) për vitin 2019, për sipërmarrjen private të shërbimit të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave publike të qytetit të Durrësit. Megjithatë, burime zyrtare nga institucioni i qeverisjes vendore shprehen se brenda këtij fondi nuk përfshihet asnjë ndërhyrje në varrezat e vjetra të qytetit përgjatë pjesës së mbetur të këtij viti kalendarik, duke mos i dhënë zë shqetësimit të taksapaguesve. Për shkak të mungesës së shërbimeve, qytetarët kanë nisur të kërkojnë zhvarrimin e të afërmve të tyre, për t’i vendosur në varrezat e reja të qytetit.
Cilido, që jeton në Durrës e di që ka dy hapësira publike të përcaktuara për t’u kryer ceremonitë mortore: varrezat e vjetra dhe të reja. Një sipërfaqe prej 370 mijë metra katrorë, nga të cilat 160 mijë katrorë i përkasin atyre të vjetra.
Varrezat e vjetra gjenden në lagjen numër 18, në rrugën “Aleksandër Goga”, në periferi të qytetit.
Mirëseardhjen e parë në dyert që qëndrojnë gjithmonë të hapura, ta japin shitësit ambulantë. Bidonët e ujit janë një nga shërbimet më të zakonshme që të ofrojnë, pasi në brendësi të këtij mjedisi çezmat, që do t’i vinin në ndihmë qytetarëve, janë dekorative, pasi ato kanë kohë që nuk funksionojnë. Lulet natyrale apo artificiale janë produkti më i kërkuar, së bashku me qirinjtë, që ndizen në kujtim të atyre që janë ndarë nga jeta. Buqeta, kurora dhe vazo, që shiten gjatë ditëve dhe vidhen netëve, për t’u tregtuar përsëri të nesërmen. Pa harruar shkronjat e grabitura, që gjymtojnë jo vetëm identitetin, por edhe kujtimin e atyre, që nuk jetojnë më. Përgjatë mureve anësore janë disa të çara, që shfrytëzohen nga këta individë, që nuk i kursejnë këto asete, duke i përvetësuar për përfitime personale. Shtigje, që lidhin këtë territor me hapësirat e jashtme, pa përdorur derën kryesore.
Shkurret, ferrat, bimët kacavjerrëse dhe barërat e këqija kanë gjetur terrenin e përshtatshëm, duke u përhapur në të gjithë sipërfaqen dhe duke u kthyer edhe në pengesë për lëvizjen. Nuk mungojnë as pirgjet e materialeve inerte, që herë pas here harrohen nga punonjësit, që merren me ndërtimin e varreve. Midis tyre fshihet ndonjë varr, por më e keqja, edhe zvarranikë.
“Sa herë vij këtu përjetoj një ndjenjë frike, pasi para tri javësh motra ime pa një gjarpër dhe u largua e tmerruar. Vijmë në këtë vend, për të vizituar të afërmit tanë, por na qan zemra kur shikojmë rreth e përqark. Asnjë kujdes nuk tregohet!”, shprehet Elida Meçe, një zonjë, që e takojmë te dera kryesore.

Ky vend do të duhej të ishte më i paqti në botë, por varret e thyera dhe të dëmtuara, dëshmojnë të
kundërtën. Varre të dëmtuara, pllaka të thyera, pirgje mbeturinash, diku të shoqëruara me tym, për shkak të djegies. Kjo është gjendja aktuale e varrezave të vjetra të qytetit të Durrësit.
Në të njëjtën kohë, në këtë hapësirë kalon edhe një pjesë e segmentit të kanalit të ujërave të zeza. I pushtuar nga ndotja në të gjithë gjatësinë e tij, ai përhap një erë të rëndë e të padurueshme, në të gjithë zonën.
Milika Shkokotaj, qytetare e Durrësit, e cilëson gjendjen alarmante. “Bashkia duhet të ndërhyjë menjëherë, pasi gjendja është alarmante. Kanali i ujërave të zeza, varret e dëmtuar, kangjellat janë një shqetësim për ne, qytetarët”, tregon ajo. Një situatë që nuk është krijuar sa hap e mbyll sytë, por është thelluar dhe trashëguar ndër vite.
Një zinxhir problematikash, që i adresohet Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale, e cila është përgjegjëse për pastrimin dhe mirëmbajtjen e këtyre hapësirave. Kjo e fundit është në varësi të Bashkisë Durrës. “Prania e kangjellave të vendosura pa leje nga familjarët ka sjellë bllokimin e mjeteve, që e kanë të pamundur lëvizjen, për të pastruar dhe sistemuar. Vështirësi kanë edhe vetë qytetarët”, shprehet për Portën Vendore, Përgjegjësi i Sektorit të Shërbimeve, Fadil Ago.
Ndërsa, Syhri Gjergji, kryeinxhinier prej më shumë se 20 vitesh, pranë kësaj ndërmarrjeje tregon se zanafilla e këtij problemi daton që në vitin e errët dhe të largët, 1997. “Viti ‘97 kur varrimet ishin në masë dhe të pakontrolluara bëri që këto varreza të zihen nga qytetarët nëpërmjet kangjellave. Kjo krijon vështirësi në pastrimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Hapësirat e ndara me kangjella pengojnë kalimin e mjeteve motorike, që do të shërbenin për pastrimin e thelluar të kësaj sipërfaqeje”. Zoti Ago gjithashtu thotë se zgjidhja për pastrim do të vinte nga një vendim i këshillit bashkiak, për heqjen e këtyre kangjellave. “Me një vendim të këshillit bashkiak, ne si ndërmarrje për dy deri në tri javë mund t’i zerojmë”, sqaron ai.
Bimësia është një tjetër shqetësim i ngritur nga qytetarët durrsakë. “Pemët e mbjella dekada më parë nga qytetarët janë një rrezik i shtuar. Rrënjët e tyre thahen dhe nga fortunat mund të rrëzohen. Edhe, nëse i presim do të bien mbi varre, duke krijuar ndjeshmëri sociale. Nga ana tjetër; shkurret, barërat e këqijat, ferrat, që janë të pranishme duhen pastruar, sidomos sipërfaqet me varre të hershëm, pothuaj të humbur të fëmijëve” shpjegon përgjegjësi i Sektorit të Shërbimeve pranë Ndërmarrjes së Shërbimeve Komunale, Fadil Ago.
Në mars të vitit 2016, për shkak të motit të keq u rrëzuan disa pemë, duke nxjerrë në sipërfaqe eshtrat e të vdekurve. Fadil Ago ndalet edhe te ndotja që shkaktohet nga kanali i ujërave të larta, si një problem, që risillet në vëmendje here pas here, nga qytetarët. “Është bërë një projekt nga Bashkia Durrës, por nuk u realizua, pasi duheshin zhvendosur disa varre dhe kjo kishte një kosto të lartë”, argumenton ai.
Si pasojë e këtij zinxhiri problematikash, kohët e fundit po ndodh një fenomen shqetësues. Familjarët kërkojnë të bëjnë zhvarrime, për t’i vendosur eshtrat e të afërmve te varrezat e reja. Aksionet dhe fushatat e ndërmarra përgjatë këtyre viteve nga autoriteti vendor nuk kanë mundur t’ia ndryshojnë pamjen varrezave të vjetra të qytetit. Gjendja vijon të mbetet kritike.
Fondi i përcaktuar, që i akordohet nga institucioni i qeverisjes vendore çdo vit Ndërmarrjes, që është përgjegjëse për mirëmbajtjen e varrezave, është 8 milionë lekë të rinj. Ndërsa, fuqia punëtore është vetëm14 persona, e pamjaftueshme për të mbuluar të gjitha shërbimet. Për më shumë se 20 vite, numri i punëtorëve pranë sektorit funeral nuk ka ndryshuar.
Përgjegjësi Ago sheh si domosdoshmëri reformimin e burimeve njerëzore, duke renditur arsyet se përse duhet ndërmarrë ky hap. “Rendimenti në punë është i ulët, sepse mosha e tyre është shumë e madhe. Shumë prej punëtorëve janë me sistemin 5 orësh, si pasojë e raporteve që kanë marrë. Në bazë të Kodit të Punës, ne jemi të detyruar t’i mbajmë. Pra, numri nuk mjafton, rendimenti është i ulët, sepse sipërfaqet janë shtuar, si pasojë edhe shërbimet”, shpjegon përgjegjësi.

Kryetarja e re e autoritetit vendor, Valbona Sako, e nisi punën e saj me një aksion pastrimi, i cili ditën e dytë, në datën 4 gusht, u përqendrua te varrezat e vjetra. Puna e bërë gjeti pasqyrim si në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës, ashtu edhe në rrjetet sociale. E pyetur për Portën Vendore, kryebashkiakja Sako shprehet se gjatë mandatit të saj, do ta ketë në vëmendje mirëmbajtjen e varrezave të vjetra. Por përsëri skepticizmi i qytetarëve të cilët ankohen në dyert e Bashkisë Durrës mbi këtë problematikë, mbetet i madh.
Rreth autorit:
Ervina Garo punon aktualisht te TV Adrianet në qytetin e Durrësit.