Ndodhi

Dëmtohen info-kioskat në qytetin muze të Beratit, shkon dëm investimi 135 milionësh

 24 tetor 2019/ Artan Diko/ Porta Vendore/ Berat

Risia e informacionit multifunksional në Berat info-kioskë nuk ka mbijetuar gjatë në qytetin që synon të zhvillohet nëpërmjet turizmit. Dy vite pas inaugurimit të dhjetë info-kioskave që i vijnë në ndihmë turistëve për informacion, sot kanë mbetur vetëm dy të padëmtuara, përkatësisht ajo në hyrjen e kalasë dhe një tjetër në lagjen “30 vjetori”, ndërkohë që askush duket se nuk do të mbajë përgjegjësi për këtë shkatërrim të hapësirës publike.

Fillimi i muajit tetor ka gjetur të thyer tetë info-kioska që ofronin shërbimin e guidës për çdo vizitor të huaj dhe vendas. Info-kioska që ndodhet në qendër të qytetit është dëmtuar në pjesën e xhamit sensor dhe për këtë veprim nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar as nga organi blu, edhe pse janë bërë denoncime.

Investimi prej 135 milionë lekë (të vjetra) u realizua dy vite më parë, kohë kur bashkia e qytetit rezultoi fituese e projektit “Shqipëria dixhitale”.

“Bashkia duhet të vendosë një person që t’i ruajë këto info-kioska në pjesët më të rëndësishme të qytetit” shprehet Servet Dino, banor i qytetit të Beratit.

Çdo vizitor që shkel në qytetin e mbrojtur nga UNESCO, falë kësaj teknologjie mund të marrë në kohë reale çdo informacion në lidhje me lagjet muze, qendrat muzeale, hotelet, restorantet dhe çdo gjë që i nevojitet gjatë qëndrimit.

Shërbimi në to është lehtësisht i aksesueshëm dhe ofrohet në gjuhët shqip dhe anglisht. Mjafton një klikim dhe këto platforma zëvendësojnë fletë-palosjet dhe hartat, por nëse nuk merren masa për ruajtjen e tyre, shumë shpejt ato do të humbasin funksionin.

“Ne kemi denoncuar pranë Policisë Berat për të gjetur autorët e thyerjes së këtyre info-kioskave. Por për t’i vënë përsëri në funksionim presim që të zhvillohet tenderi, që të jenë përsëri funksionale, në mënyrë që të kryejnë funksionin e tyre, për t’i ardhur në ndihmë turistëve”, shprehet specialisti i IT pranë Bashkisë Berat, Altin Hoxha.

Por e gjithë kjo situatë ka sjellë pakënaqësitë e para te turistët që vizitojnë qytetin e 1001 dritareve.

“Info-kioska këtu në qendër nuk punon, këtë e kuptova, pasi u afrova për t’i përdorur”, thotë një turiste spanjolle.

Ndërkohë, qyteti muze i Beratit vetëm gjatë 6 mujorit të parë të 2019-ës është vizituar nga rreth 90 mijë banorë, shifër kjo që mendohet që të shkojë në 140 mijë deri në fund të këtij viti.

Rreth autorit:
Artan Diko është korrespondent i Beratit për ABC news dhe Report TV.