18 tetor 2019/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Vorë
Edhe 11 vite më pas, shtëpitë e bukura të Gërdecit nuk e fshehin dot dhimbjen e banorëve që u la pas tragjedia fatkeqe e 2008-ës. Me lekët e dëmshpërblimeve të tragjedisë kanë ndërtuar shtëpi të bukura, por rrugët që kalojnë përmes tyre, dhe pse një dekadë pas shpërthimit që u shënjoi jetët, vazhdojnë të jenë të mjerueshme.
“Të dënuar” nga fati, pasi thuajse çdo shtëpi e bukur që shohim sot, fsheh brenda saj një histori të madhe humbjeje, ata ndihen të harruar edhe nga shteti, i cili nuk ka vënë dorë në fshatin Marqinet 2, të rrënuar nga shpërthimi vdekjeprurës i Gërdecit.
Në vitin 2008, vetëm pak kohë pas tragjedisë me 26 viktima, qindra të plagosur dhe tre fshatra të shkatërruar (Gërdec, Marqinet 1 dhe Marqinet 2), qeveria e asaj kohe premtoi se do të jepte 8 milionë euro për rindërtimin e Gërdecit, ku do të ishte e përfshirë edhe rikonstruksioni i rrugëve kryesore bashkë me rrugët e brendshme, të fshatit Gërdec dhe atij Marqinet 1 dhe 2. Por ende sot një pjesë e konsiderueshme e rrugëve të fshatit notojnë mes baltës në dimër e pluhurit mbytës në verë.
Shtëpia e Shkëlqim Prinit ndodhet rrëzë kodrës në fshatin Marqinet 2. Ndonëse është vetëm pak metra nga rruga kryesore e Gërdecit, për të arritur deri te shtëpia e tij nuk është aq e thjeshtë. Si për ironi, kjo rrugë mban emrin “Rilindja”. Por kjo nuk është e vetmja rrugë që ndodhet në këtë situatë. Thuajse të gjitha rrugët e brendshme të fshatit Marqinet ndodhen në këtë gjendje, pasi në asnjë prej tyre nuk është vënë dorë. Shtëpitë e bukura që u ngritën me paratë e marra nga shpërthimi në fabrikën e Gërdecit, janë në kontrast të plotë me rrugën e amortizuar. Dyshues, babai i tre fëmijëve, Shkëlqimi, rrëfen se rikonstruksioni i kësaj rruge u premtohet sa herë ka zgjedhje lokale e parlamentare, por ende nuk kanë parë asnjë makinë zhavorr që të hidhet në të. “Që nga shpërthimi i Gërdecit dhe deri më sot na është premtuar 100 herë se do të na bëhen rrugët e fshatit, por siç e shikon ende ngjajmë me një fshat të thellë dhe jo që jemi buzë rrugës nacionale. Unë e kam ngritur disa herë këtë shqetësim, sa herë që vijnë e na kërkojnë votat. Të gjithë na e premtojnë, por e vërteta është se ne jemi jo vetëm pa rrugë, por kemi probleme edhe me ujin e pijshëm”, na pohon Shkëlqimi.

Shkëlqimi është baba i tre vajzave të vogla, njërën prej të cilave e takojmë në oborrin e shtëpisë. Vogëlushja ka mbaruar klasën e parë dhe çdo ditë për të shkuar në shkollë, i duhet të kalojë në këtë rrugën e pashtruar. “Në mëngjes e kemi mirë se na çon babi me makinë, por në drekë kur kthehemi nga shkolla e kemi ca të vështirë. Sidomos në dimër, pasi ka shumë baltë dhe shumë shi e ne mezi ecim“, na shpjegon e vogla, ndërsa na tregon rrugën nga duhet të kalojë çdo ditë për të shkuar në shkollë.
“Lëri rrugët se ia bëjmë si ia bëjmë, por me ujin e kemi keq punën. Uji na vjen me orar, 2 orë në ditë, por edhe kur vjen, vjen shumë pak dhe nuk na mjafton për të përmbushur nevojat tona. Ky është problemi më i madh që kemi”, na thotë një tjetër banor i Marqinetit.
Të harruar krejtësisht këto 11 vite, banorët e Marqinetit kanë shpresa se ndoshta kryetari i ri i bashkisë Agim Kajmaku, mund të ndryshojë situatën.
“Ne dolëm në këto zgjedhje vetëm sepse kemi marrë premtimin se do të ndërhyhet në rrugët e fshatit, se ndryshe ne nuk kemi asnjë arsye se përse të shkojmë të votojmë. Kemi shumë shpresa se më në fund do të na bëhet edhe neve rruga”, na thotë Bujari, një tjetër banor që e takojmë në Marqinet.
Bashkia Vorë sqaron se ndonëse pjesa kryesore e rrugës “Rilindja” është e shtruar, ajo ka mjaft degëzime, një pjesë e të cilave janë rehabilituar, por një pjesë nuk e kanë parë kurrë asfaltin. Megjithatë aktualisht ka një projekt për rikonstruksionin e dy segmenteve të saj. Bëhet fjalë për segmentin 1 dhe 2 në fshatin Marqinet, për të cilën është shpallur edhe fituesi i tenderit dhe pritet që të nisë puna. Sipas bashkisë, më konkretisht segmenti 1 ka një gjatësi për 189 metra linearë dhe segmenti 2 është 240 m i gjatë. Megjithëse dy segmentet kanë një gjatësi modeste që nuk shkojnë as tek 500 metra së bashku, buxheti i vënë në dispozicion nuk është aspak modest, por plot 32,2 milionë lekë (të reja).
“Objekti është shumë i amortizuar dhe aktualisht shtresat e rrugës janë inekzistente. Rruga nuk ka ndriçim dhe kanalizim të ujërave të bardha”, sqaron bashkia e Vorës. – “Afati për transformimin e këtyre dy segmenteve, pasi rruga “Rilindja” ka edhe disa segmente të tjera ku ka nevojë për ndërhyrje, është 5 muaj. Jo vetëm do të ketë ndërhyrje për asfaltimin e rrugës, por do të zgjidhet edhe problemi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe largimi i ujërave të shiut. Gjithashtu do të bëhet edhe ndriçimi i rrugës“, sqaron Bashkia e Vorës e cila shton se vitin e ardhshëm buxhetor do të shihet mundësia që të përfshihen në projekte edhe segmentet e tjera rrugore të këtij aksi të rëndësishëm, jo vetëm për fshatin Marqinet 2, por edhe për Marqinet 1 e Gërdec.
Bashkia po ashtu, sqaron se ka pasur investime të rëndësishme për rrugët kryesore të fshatit Gërdec, dhe këtë mandat do të jenë rrugët dytësore, brenda lagjeve.
Pavarësisht shpresave të banorëve pas zgjedhjes së kryetarit të ri, duket se pak gjëra do të ndryshojnë sa i përket infrastrukturës rrugore në Marqinet 2. Edhe pse jemi në prag të nisjes së stinës së shirave, ende nuk ka asnjë shenjë që do të nisin punimet për rehabilitimin e saj.
Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve socialenë Tiranë.