12 tetor 2019/ Esmeralda Keta/ Porta Vendore/ Tepelenë
Ndodhet vetëm 20 km larg qytetit të Tepelenës, por për të mbërritur në Nivicë të duhet patjetër një makinë 4×4 ose një furgon. Udhëtimi që zgjat pak më shumë se një orë kalon nëpër një rrugë krejt të pashtruar e tejet të ngushtë, që i ngjitet malit deri në 1600 metra lartësi, por si këmbim të ofron një pamje spektakolare të kanioneve e honeve mbresëlënëse që varen përgjatë gjithë rrugës. Sapo dallohet tabela “Mirësevini në Kurvelesh” nis edhe rruga e shtruar që të çon drejt Nivicës, që është fshati i katërt Malësisë së Kurveleshit. E përfshirë në projektin “100 fshatrat”, ndërtimi i qendrës së Nivicës duket se ka zgjuar interesin për turistët, të cilët kanë rigjallëruar jetën e fshatit mbi kanion që flinte në mes të harresës.
Në këtë pllajë magjike, me majën e Kendrevicës në sfond, që arrin deri në 2122 metra, duket sikur gjithçka ka ngelur në vend. Rrugët e ngushta dhe të pastra, qendra e fshatit si dikur, shtëpitë dhe oborret rrethuar me pllaka guri të bardha si qëmoti, banorët që kullosin bagëtinë dhe lapidarët e dëshmorëve që të shoqërojnë gjatë gjithë këtij pejsazhi fantastik, e bëjnë të duket udhëtimin drejt Nivicës si një udhëtim në kohë. Ka dy rrugë që të sjellin në Nivicë. Ajo që vjen nga Tepelena ka nisur të shtrohet deri sa kalon Bënçen. Ndërkohë rruga tjetër, që njihet ndryshe edhe si rruga e bregdetit, pasi të nxjerr në Borsh, është krejtësisht off-road dhe është ideale për ata që janë të apasionuar pas terreneve të vështira apo turistëve që kërkojnë zona të pashkelura. Sapo kalon Bënçen fillon “aventura”, duke iu ngjitur malit, ndërsa poshtë varen hone marramendëse. “As në kohën e monizmit nuk është hedhur asnjë lopatë asfalt”, na thotë Arbeni, shoferi i furgonit që po na çon drejt Nivicës. – “Megjithëse kjo ka qenë rruga kryesore, nuk është shtruar asnjëherë. Kushton 200 lekë për të ardhur deri në Lekdush e 300 lekë deri në Nivicë. Nuk ngjitet kollaj makinë në këto rrugë”, na thotë ai si për të justifikuar çmimin e “kripur” të biletës dhe shkëmbehet me shumë vështirësi me një makinë.

Segmenti rrugor Lekdush-Bënçë-Tepelenë, aktualisht po mbështetet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili ka akorduar një vlerë prej 300 milionë lekësh të reja për asfaltim dhe sistemim të tij. Shiriti i punimeve duhet të ishte prerë një vit më parë, por kompania që po kryen punimet u detyrua të pezullojë punimet dhe të kërkojë një fond shtesë për shkak të vështirësive që hasi pasi përfundoi segmenti Bënçë-Tepelenë. Në dhjetor të 2018-ës u miratua një tjetër fond shtesë prej 56.5 milionë lekë të reja për të avancuar punimet, por duket se banorët e kësaj zonë duhet të presin edhe disa muaj që të përfundojë asfaltimi i rrugës nga Bënça deri në Lekdush, që është edhe fshati i parë e Malësisë së Kurveleshit. Ndërkohë, rruga e bregdetit duket ende një ëndërr në sirtar.
Pasi kemi lënë pas krahëve Lekdushin, Progonatin, Gusmarin, qendra e Nivicës është një surprizë më vete. Në 2018-ën, ajo është ndërtuar krejtësisht nga e para falë një projekti të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit që është mbështetur nga qeveria shqiptare. Sheshi i fshatit është shtruar komplet me gurë, ndërkohë që godinat dykatëshe, edhe ato të ndërtuara krejtësisht me gurët e Nivicës, i kanë dhënë një tjetër frymë fshatit që ka filluar të rigjallërohet. Të parashikuara që të kthehen në bujtina me një kapacitet prej 17 dhomash, me një lokal modest ku në mes vlon soba e druve, numri i turistëve që kanë zbuluar Nivicën sa vjen e shtohet. Auron Tare, krenar për nismën e marrë për të ringjallur Nivicën e harruar, nuk e ka lënë me kaq. Ai ka sjellë grupe arkeologësh nga Universiteti i Bristolit në Amerikë, të cilët prej muajsh kryejnë gërmime në fshatin Nivicë, i cili ka një histori 2400-vjeçare. “A ia ka vlejtur ky projekt? Mjafton të pyesësh vetë banorët, të cilët tashmë kanë filluar e shijojnë frytet e para të turizmit. Fshati është rigjallëruar, e gjen gjithmonë plot me turistë“, na thotë Tare, i cili e ka për zemër shumë edhe rrugën e Borshit, pasi, sipas tij do të sillte shumë turistë nga bregdeti.

Aktualisht bujtinat e qendrës së Nivicës nuk janë në punë, pasi po shikohet mundësia e një bashkëpunimi me privatët për t’i vënë në punë. “Është një kompani suedeze që ka shfaqur interes për ta marrë në përdorim kompleksin e qendrës së Nivicës, por ende nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete. Koncension është fjalë e madhe, por ka pasur interes nga privatët për ta zhvilluar më tej”, sqaron Tare, i cili ka drejtuar Agjencinë Kombëtare të Bregdetit nga 2014 kur edhe u krijua deri në mars të 2019-ës. Projekti i qendrës së Nivicës ka kushtuar 450 milionë lekë, por duket se ia ka dalë të tërheqë turistë. Dhe banorët e fshatit, mes shumë të panjohurave, kanë hapur dyert duke i kthyer shtëpitë e tyre në bujtina. Dallëndyshe dhe Petrit Merjo së paku e kanë bërë këtë gjë dhe deri më tani janë të kënaqur.

Ata janë të zotët e bujtinës më të famshme për momentin në Nivicë. Shtëpia e vjetër e familjes Merjo,
tashmë është e famshmja “bujtina mbi kanion” e Nivicës, për arsye se ajo ndodhet vërtet mbi kanion. Me rrënojat e kalasë ngjitur, më shtëpitë e vogla prej guri tipike shqiptarçe, me një oborr modest përpara, familja Merjo ka improvizuar një lokal në bahçen e shtëpisë, e cila padyshim është vendi ku kafeja shijohet më së mirë. E vendosur në mes të natyrës së mrekullueshme, poshtë këmbëve shtrihet kanioni i cili arrin në 300-400 metra thellësi. Pamja që të ofrohet nga ballkoni i “bujtinës mbi kanion” është vërtetë spektakolare.
Dallëndyshja ka një vit që ka lënë Vlorën, ku ishte zhvendosur familjarisht që pas rënies së monizmit, pasi në fshat “vdiq, thuajse çdo gjë”, siç thotë vetë ajo.
“Unë merresha me rrobaqepësi dhe kemi jetuar 18 vite në qytetin e Vlorës, pasi këtu në fshat nuk kishim se çfarë bëje. Kishte shumë pak njerëz e punë thuajse fare, por ne as toka nuk kemi shumë që të jetojmë me bujqësi, – tregon Dallëndyshja. – Deri para një viti, kur e rregullua qendra e fshatit dhe ne vendosëm të ktheheshim në Nivicë dhe ta kthenim shtëpinë në bujtinë. Deri tani jemi të kënaqur“, – na thotë Dallëndyshja ndërsa na shërben byrekun tradicional me lakra të egra të pjekur në saç.

Ajo tregon se djali i madh është diplomuar për ekonomik dhe këtë vit është kthyer në fshat. “Do të qëndrojë këtë vit në fshat. Ai merret me turistët, pasi flet edhe anglisht, por i shoqëron edhe si guidë për të parë destinacione të ndryshme. Nëse gjërat ecin mirë do të qëndrojë“, – na thotë Dallëndyshja, e cila rrëfen edhe për vështirësitë që hasin në këtë “biznes” të ri që po përpiqen të ndërtojnë.
“Ne nuk jemi marrë më parë me këtë gjë dhe e kemi pak të vështirë, sidomos kemi problem anglishten. Unë marr vajzën në telefon dhe i kaloj turistët për çdo kërkesë apo kusht që ata duan që t’u plotësoj në shtëpi dhe ajo më tregon se çfarë duan. Është pak e vështirë kjo puna e gjuhës, por po mësoj nga pak“, – na thotë duke qeshur Dallëndyshja, e cila nxiton t’u servirë dikujt çajin e malit e dikujt dhallë të freskët. Shtëpia është plot me turistë. “Amerikanë na vijnë shumë, por edhe polakë, francezë, suedezë, por edhe shqiptarë kanë filluar e vijnë shumë“, – shpjegon ajo.
“Është një mrekulli, kemi mbetur pa frymë. Pastaj ata perimet që mund ti marrësh vetë nga kopshti, është fantastike. Deri më tani unë i kisha parë perimet apo frutat vetëm në arkat e supermarketeve“, – na thotë një turiste amerikane që e takojmë tek “Bujtina mbi kanion”.

Ndërsa Lorena ka ardhur së bashku me një grup shoqëror nga rruga e bregdetit. “Deti kishte dallgë sot dhe e kishim me mëdyshje nëse duhet të vinim apo jo. Por ishte një mrekulli e vërtetë. Rruga që ecte gjatë gjithë kohës buzë lumit, ndaluam bëmë edhe plazh në lumë, blemë djathë. Pastaj këtu tek bujtina qenka një parajsë”, thotë ajo.

Familja Merjo ka vendosur që gjithçka të jetë tipike shqiptare. Shtëpisë së vogël njëkatëshe nuk i është ndryshuar asgjë, në dritare varen hijshëm perdet e bëra me grep dhe të qëndisura me fiston, me çarçafët e bardhë të kambrikut, qilimin me motive popullore. Kushton 25 euro personi bashkë me mëngjesin.
“Nuk ka qenë e lehtë, sepse çdo gjë ishte rrënuar, duke qenë se këtu nuk ka jetuar njeri prej vitesh. Kemi harxhuar 2 milionë lekë të vjetra për të bërë atë murin në oborr dhe sistemuar vendin. Shtëpia po ashtu ishte rrënuar, dhe na u desh të investonim goxha para për ta sjellë në jetë. Pastaj dimri këtu është i egër“, na tregon Petriti, bashkëshorti i Dallëndyshes, por kur sheh shtëpinë plot me turistë nuk bëhet pishman për vendimin që kanë marrë. “Jo, jo, nuk bëhemi pishman. Ku ka më mirë se vendi yt”, na thotë Petriti, i cili shton se edhe vajza, e cila po ashtu po ndjek studimet e larta është angazhuar me bujtinën dhe ndoshta edhe ajo do të kthehet për të ndihmuar me mbarëvajtjen e punëve. “Punë ka plot, sepse ne çdo gjë e bëjmë vetë. Edhe prodhimet bujqësore, bulmetin, mishin e sigurojmë vetë ose nga banorët e tjerë të fshatit. I gjithë fshati ka se me çfarë merret, janë futur në punë të gjithë. Dikush sjell vezët, dikush patatet, dikush fasulet…sepse turistët sapo vinë e po shtohen. Ka punë plot, po të shohim”, – thonë çifti Merjo.

Kanionet e Nivicës janë një monument natyror, të cilat mbrohen me ligj që nga viti 2002. E megjithatë qeveria në vitin 2012 dha leje për ndërtimin e 5 hidrocentraleve, 2 prej të cilëve u rikonfirmuan edhe pas ndryshimit të qeverive. Banorët e kësaj zone dhe Bashkia e Tepelenës e kundërshtuan projektin që solli edhe anulimin e njërit prej HEC-eve. Vetë banorët janë kundër projektit me HEC-e. “Por për çfarë vijnë turistët këtu? Pikërisht për natyrën e paprekur, nëse ndodh që ndërtohen HEC-e nuk do të jetë më njësoj. Ndaj jemi kundër tyre”, – na thotë çifti Merjo, të cilët tashmë i njohin mirë çështjet e HEC-eve në Nivicë.
Ata po mendojnë ta zgjerojnë fokusin e shërbimeve që ofrojnë dhe e kanë çuar edhe më tej idenë e bujtinës. Të gjitha prodhimet vendase i bëjnë komposto apo reçelra të ndryshme, apo edhe çajra e fruta të thata, të cilat i ambalazhojnë dhe i shesin me logon “House on canion”. Dhe ata që i shijojnë po rriten gjithnjë e më shumë. “Asgjë nuk shkon dëm, atë që nuk e konsumojmë dot, e bëjmë zahire. Dimri vjen shumë shpejt, por edhe të huajt i pëlqejnë shumë. Ky viti i parë ishte si provë edhe për ne, por them se e kaluam me sukses“, na thotë çifti Merjo që nxitojnë, Petriti të rregullojë kokën e dushit që iu ankua një turist dhe Dallëndyshja t’i japë qumësht të freskët një fëmije të vogël që është në grupin e turistëve që po shijojnë natyrën te bujtina e tyre. “Duam që të mbeten të kënaqur e të kthehen prapë”, e përmbledhin ata në një fjali të gjithë filozofinë e të bërit turizëm.
Rreth autorit:
Esmeralda Keta është gazetare e çështjeve sociale në Tiranë.