Ngjarje/Personazhe

Çezmat e Beratit, si humbi tradita e hershme në qytetin muze

9 tetor 2019/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Berat

Qyteti i bardhë i Beratit ka pasur një traditë të gjatë me çezmat publike, të cilat kanë qenë pjesë e vlerave të shtuara të historisë, kulturës, trashëgimisë, traditës dhe jetës qytetare të një qyteti mbi 2400 vjeçar.
Sot, tradita e hershme çezmave ka humbur totalisht, ndërkohë që qyteti po humbet një pjesë të historisë që nuk u rrëfehet vizitorëve, të cilët enden në qytet në kërkim të një çezme pa ditur se ai e ka pasur si traditë shekuj më parë, por që për fat të keq nuk e ofron më, ndërkohë që synon të zhvillohet nëpërmjet turizmit.

Gjurmët tregojnë se sigurimi i ujit bëhej nëpërmjet puseve që kanë qenë dhe kolektive. Të gjitha këto dëshmi tregojnë qartë traditën e Beratit, jo vetëm për sigurimin e ujit të pijshëm për banorët, por me mundësi përdorimi të tij në xhami për besimtarët dhe në tregje për tregtarët. Më pas tradita vijon me ndërtimin e çezmave, të cilat sipas Nallbanit ndërtoheshin nga individë ose grupe, dhe më pas mbanin emrin e pronarit të truallit.

Të tilla janë: Çezma e Millonait, që gjendet nga ana perëndimore, e rikonstruktuar në vitin 1925, sot gjenden vetëm gjurmët. Çezma e Shëndëlliut në afërsi të kishës, e rikonstruktuar po në vitin 1925. Në afërsi të saj gjendet një çezmë tjetër që mban të njëjtin emër. Të dyja plotësonin nevojat e lagjes “Breg”. Çezma e Petrakut që gjendet në faqen veriperëndimore, në rrugën që zbret për në Burdullias. Çezma e Muzhakës ose siç quhet ndryshe dhe e Lenës ose e Veveçkës, sipas emrave të pronarëve të mëparshëm”, thotë Ajet Nallbani, specialist i trashëgimisë kulturore.

Tradita e çezmave sipas studiuesit Nallbani është mjaft e qartë, gjendej në çdo lagje, në hapësira publike, veçanërisht në xhami, kisha e tregje. Çezma të tjera janë: Çezma e Parangoit, Çezma në Qafën e Tufave në Gëricë, Çezma e Qypit (me emrin e familjes), Çezma e Shën Kollit në Gëricë, Çezma e Lajthisë, Çezma e Kroit, Çezma e Kapedanit, Çezma e Stosqindit (emër vendi midis Gëricës dhe Virjonit), Çezma e Kondasit.

“Italianët ndërtuan 36 çezma publike të shpërndara në të gjitha lagjet dhe rrugët e qytetit, madje dhe ajo që ka mbijetuar i përket kësaj periudhe”, thotë historiani Ymer Kordha, për Porta Vendore.

Dhe pse sot në pension ai nuk i ndahet studimeve të historisë, dhe shprehet me keqardhje se humbja e çezmave publike të qytetit është një humbje e një prej vlerave të tij“Historia tregon se qyteti ka pasur shumë çezma. Gati në të gjitha lagjet e tij, ka pasur dy deri në tre çezma publike, të cilat kanë humbur ndër vite dhe kjo është për të ardhur keq”, thotë Kordha.

Me krenari për çezmat që sot kanë humbur, flet në lagjen simbolike ‘Goricë” dhe At Petraqi, një prej banorëve të saj.

“Vetëm në lagjen tonë kanë qenë tri çezma. Njëra prej të cilave në qendër të lagjes. Ajo u prish gjatë sistemit të kaluar dhe aty afër u ndërtua një lapidar. Një tjetër ndodhej në zemër të lagjes dhe ajo u prish ndër vite dhe humbi. Po kështu një tjetër çezmë publike ndodhej në sheshin e lagjes që me punimet për zgjerimin e rrugës, humbi dhe ajo”, thotë At Petraqi.

Por, sot realiteti tregon tjetër gjë. Sot, kjo pjesë e rëndësishme e historisë së qytetit ka humbur. Zgjerimi i rrugëve, rikualifikimi i shumë lagjeve, ndryshimi i sistemeve, ndërtimet pa kriter bënë që këto çezma të humbasin dhe të mbesin vetëm në kujtesën e më të moshuarve.

Paradoksi qëndron se Berati e ka pasur këtë traditë të trashëguar ndër vite, por që e ka humbur falë neglizhencës të organeve kompetente. Ashtu si banjat publike që mungojnë, dhe çezmat nuk mund t’i gjesh askund, me përjashtim të së vetmes çezmë të vogël, e cila ndodhet në lulishten kryesore të qytetit, larg lagjeve muzeale.

Çezma e vetme që funksionon në qytet. Foto: Erjola Azizolli

Jo vetëm për sigurimin e ujit, por dhe si pjesë e civilizimit të qytetit, këto çezma nuk u ofrohen më as qytetarëve as vizitorëve. Këta të fundit më shumë se nevojë për konsumimin e ujit në çezma kanë dëshirë të dinë gjithçka për këtë qytet dhe në këtë pjesë, pavarësisht traditës, qyteti nuk e ofron asgjë.

Matis është një ndër qindra turistët ditorë që viziton qytetin muze në këto ditë të nxehta gushti. I pasionuar pas udhëtimeve, i riu nga jugu i Francës ka vendosur që një pjesë të pushimeve të tij të verës t’i bëjë edhe në Shqipëri, ku pas Tiranës ka ardhur të vizitojë qytetin e Beratit. Me një çantë udhëtimi në shpinë dhe një bidon plastik në dorë ai drejtohet drejt çezmës së vogël publike në qendër të qytetit, e vetmja e “mbijetuar”, një nga të 36 çezmat e dikurshme.

“Uji duket i mirë dhe pse jo shumë i ftohtë, pasi ka pak rrjedhje, por është mirë krahasuar me mungesën e ujit që po has në të gjithë qytetin tuaj”, thotë turisti për Portën Vendore.

Turisti i huaj, duke u freskuar në lulishten në qendër të qytetit. Foto: Erjola Azizolli

Bashkia e Beratit pranon faktin se në këtë fushë nuk është bërë asgjë, por kryetari i sapozgjedhur, thotë se ka në programin e vet investime për ndërtime çezmash të reja, por në prioritet do të jenë dhe ato që kanë ekzistuar, ku mund të ndërhyhet.

“Bashkia Berat ka në programin e vet realizimin e çezmave publike në qytet dhe në njësitë administrative, ku prioritet do të kenë ato çezma që janë në funksion të turizmit dhe ato që ngjallin nostalgji për qytetarët e Beratit”, tha kryetari i sapo zgjedhur i Bashkisë, Ervin Demo për Porta Vendore.

“Çezma e Luanit”, është një nga më të njohurat në Berat dhe përdoret ende si pikë orientimi nga të gjithë. Ndodhet në lagjen “Mangalem” dhe ka një ndërtim guri artistik për t’u marrë shembull. Ajo ka qenë një ndër shumë çezmat publike në qytet. Sot, ndonëse është ende në gjendje shumë të mirë, nuk nxjerr asnjë pikë ujë, ndërkohë që shumë të tjera janë dëmtuar e shkatërruar. Çezma të tjera publike në Berat ka pasur në lagjen “Goricë’, siç njihej nga të gjithë ajo e “Gjergajve”, e “Angjelit”. Në lagjen “Mangalem”, poshtë Kishës së Shën Mërisë, në qendër të qytetit, te vendi i quajtur “ish Agjencia”, etj, etj. Por, që pas viteve ‘90 nisën të shkatërroheshin, të humbisnin, si pasojë e ndërtimeve pa kriter.

Rreth autorit
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.