Ngjarje/Personazhe

Migrimi në Gramsh lë fshatin Mukaj me vetëm dy familje

30 shtator 2019/ Elisa Gjerani /Porta Vendore/ Gramsh

Fshati Mukaj, pjesë e njësisë administrative Kukur është drejt shpërbërjes totale. Banorët po largohen çdo ditë, thuajse pa asnjë pendesë. Të etur për investime, ata shkojnë në drejtim të Gramshit, Elbasanit, Durrësit, Tiranës e Beratit. E drejta e tyre për një jetë më të mirë ka bërë që sot shumë fshatra të Gramshit të mbeten thuajse bosh.

Për të mbërritur deri në fshatin Mukaj është një sfidë tejet e vështirë, pasi as një makinëfuoristradë nuk të zgjidh punë. Megjithëse vetëm pak km larg qytetit të Gramshit, për të arritur në zemër të fshatit të varfër me pak banorë, të duhet rreth 3 orë me makinë, e më pas, kur as makinat e larta nuk e çajnë dot rrugën e sajuar para viteve ‘90 e të amortizuar nga erozioni, të duhet të vazhdosh për rreth 1 orë në këmbë ose me gomar. Gomari në këto zona shërben si mjet transporti, e ku shpesh marrin edhe ushqimet në fshatin më të afërt, për të siguruar jetesën, sidomos gjatë muajve të dimrit kur bora mbulon gjithçka e ku masat merren disa muaj para.

Ky fshat për kryeplakun do të thotë shumë se familja e tij është këtu prej shumë brezash, por edhe ai vetë mendon se jetesa është bërë tejet e vështirë dhe që do të dëshironte të jetonte në zonë më urbane.

“Këtu jam në tokën e babës, megjithëse nuk kam mundësi ekonomike. Po të kisha pasur mundësi ekonomike do të kisha ndërtuar nja dy dhoma dhe qëndruar. Por në fakt vështirësitë ekonomike këtu të bëjnë të ikësh natën”, rrëfen Tajar Seda, kryeplaku i fshatit Mukaj.

Shtëpia e Tajarit është gjysmë e rrënuar dhe ajo mund të bie nga çasti në çast. Pavarësisht përpjekjeve të tij që të mund të gjente një mundësi rikonstruksioni nga Bashkia Gramsh, ende nuk është bërë asgjë. Varfëria dhe pamundësia ekonomike, aq sa janë një arsye ekonomike për të ikur, siç thotë kryeplaku, aq kanë qenë një arsye e fortë, që ai së bashku me bashkëshorten e djalin e vogël të mos ikin dot nga Mukaj.

“Fshati këtu mendoj unë ka mbaruar, por unë s’kam mundësi të lëviz. Me 50 mijë lekë asistencë ça do bëj. Më japin mua 30 mijë lekë në muaj si kryeplak. Nuk më thotë njeri nga kushërinjtë që kanë ikur, hajde në qytet, jo. Tani që gjendja po vështirësohet dhe më shumë, po të kisha mundësi do ikja, se ka spitale andej, e ne jemi të sëmurë”, tregon 55-vjeçari i dëshpëruar.

Para një viti gruaja e tij,Luftija është bërë operacion dhe nuk del as te pragu i derës, duke bërë kështu që i vetmi krah pune në shtëpi të jetë Tajari, duke u marrë me atë pak tokë e duke siguruar prodhime sa për të shtyrë ditët si dhe me dy dhitë e tij.

Ndërsa tre vajzat e martuara, i vijnë vetëm atëherë kur kanë mundësi financiare, gjithnjë e më rrallë. “Tërë ditën në shtëpi, ça të bëjmë, punët e shtëpisë. S’dalim dot, që të punoj unë s’dal dot. Çuni në shkollë. Ja me të keq, merr andej e këtej. Pamundësia çdo gjë e pranon” rrëfen Lutfija.

Në Mukaj para 10 vitesh ka pasur mbi 100 familje, ndërsa tani në fshat kanë mbetur vetëm dy familje, të cilat janë thuajse të izoluara nga njëra-tjetra dhe duhen rreth 30 minuta për të shkuar në këmbë nga shtëpia e kryeplakut, e cila ndodhet në fillim të fshatit deri te familja Meta.

Vështirësitë e grave janë të shumta, kjo jo vetëm për punët e rënda të fshatit, për mos-komunikimin me njëra-tjetrën për shkak të largësisë së shtëpive, por edhe për problemet shëndetësore, të cilat nuk kanë munguar.

Në skajin tjetër të fshatit na pret Valbona, e cila prej 16 vitesh ka ardhur nuse në fshatin Mukaj. Ajo sot është 40 vjeçe, por hallet e sakrificat e kësaj gruaje nuk njohin moshë.

Valbona ka 16 vite që është martuar në fshat. Ajo sot është 40 vjeçe, por hallet e sakrificat e kësaj gruaje nuk njohin moshë.

Djalin e madh e kam lindur në Gramsh kurse të voglin këtu në shtëpi. Një infermiere nga fshati,që e mori burri, ndenji tërë natën këtu. Do hahesh me jetën. Ça të bëjmë, makinë s’ka, gjë jo, ta faturosh për në Gramsh do 100 mijë lekë”, tregon ajo.

Varfëria e ka detyruar që të harrojë veten e të merret vetëm me punët e fushës për të siguruar speca, domate e patate në një tokë që ia kanë marrë me qira komshiut, sa për të mbajtur frymën gjallë.

“Bagëti s’kam, vetëm një lopë dhe një hajvan që marr ushqime se s’kemi gjë tjetër. Nuk hyn makina, ndaj marrim që në fshat andej larg miell e çdo gjë dhe e sjellim në krahë, se nuk ka rrugë”, rrëfen Valbona Meta, banore e fshatit Mukaj.

Familja Meta duket se i ka shuar shpresat se vetë mund të lëvizë nga fshati, pavarësisht dëshirës që fëmijët e tyre të kenë një të ardhme më të mirë.

Edmonda është heroina e familjes, e cila së bashku me vëllain e saj në dimër, ecin çdo ditë përmes përroit, për të shkuar në shkollën e Sojnikut, fshatit më të afërt, ku duhen rreth 40 minuta në këmbë. Por ajo është rritur me vuajtje e vështirësi, ndaj nuk i bën më përshtypje asgjë.

“Është shumë e vështirë , fëmijët i përcjellin vetë mësuesit e fshatit deri te përroi. Na thërrasin mësuesit atje matanë dhe dalim e i marrim”, tha Valbona, mamaja e Edmondës.

Mosha dhe infrastruktura rrugore krijojnë një binom të gabuar për banorët e mbetur të Mukajt, të cilët nuk kanë asnjë perspektivë, qoftë edhe për të shitur produktet e tyre në qytet, në mënyrë që të mund të fuqizonin sadopak ekonominë e brishtë familjare.

Por pavarësisht vështirësive të shumta ndaj të cilave mbijetojnë, për banorët e mbetur të Mukajt prioritet është vetëm rruga.

 “Unë në asnjë vend nuk kam vajtur me thënë të drejtën, vetëm në Gramsh edhe këtu”, tregon me sinqeritet therës Valbona.

Në fakt në të tillë pozitë nuk është vetëm Mukaj, shumë fshatra të zonës së Gramshit duken të harruar, të tillë si Rashtani e Sojniku, po në njësinë administrative Kukur, por aty banorët nuk numërohen me gishtat e dorës. Mungesa e investimeve bie në sy kudo. Këto fshatra vuajnë mungesën e infrastrukturës rrugore, shërbime sociale, shëndetësore, si dhe arsimore.

“Infrastruktura është arsyeja kryesore e largimit të 80% të banorëve. Me atë popullsi që kanë mbetur ata, është e vështirë që të planifikosh diçka për ato fshatra. Edhe mundësitë e bashkisë nuk janë aq të shumta sa t’i mbulojnë të gjithë ato fshatra. Njësia Kukur është në një terren shumë të vështirë, por që ka resurse shumë të mira, por vetëm infrastruktura ka bërë që banorët të largohen nga kjo zonë”, tha për Portën Vendore, Luan Kokla, administrator i njësisë Kukur.

Pas reformës territoriale të vitin 2015, njësia administrative Kukur ka nën administrim 10 fshatra në zonën e Gramshit. Para ardhjes së demokracisë, kjo zonë kishte rreth 7000 banorë, ndërsa sot është ulur me 50% numri i tyre.