21 shtator 2019/ Arben Vata/ Porta Vendore/ Kukës
Kushtet në të cilat ndodhet aktualisht Qendra Sociale e të moshuarve në Kukës, janë me të vërtetë të mjerueshme dhe gjendja sa vjen e rëndohet. Nëse kapaciteti i saj maksimal lejon 75 të moshuar, por as gjysma e tyre nuk e frekuentojnë qendrën.
“Nëse do të kesh sukses në jetë, atëherë konsultohu me tre të moshuar”, mu kujtua kjo thënie kineze teksa kaloja përballë qendrës së Shërbimeve Sociale në Kukës. Qyteti im mes shumë komplekseve vuan dhe pjesën e prezantimit të institucioneve të tij publike. Janë shumë sektorë publikë, të cilët nuk kanë një tabelë a pllakë orientuese për të treguar se ç’vend është dhe se çfarë shërbimesh ofrohen aty.

Qendra Sociale e të moshuarve Kukës sipas dokumenteve dhe publikimeve zyrtare (www.sherbimisocial.gov.al) ka një kapacitet maksimal prej 75 personash dhe ka të punësuar një punonjës social të cilin shumica e të moshuarve nuk e njohin, as e kanë takuar ndonjëherë, për aq sa frekuentojnë qendrën. Është edhe një sanitare, e cila pastron ambientet e qendrës dhe të katit të parë të shërbimeve sociale.
Brenda qendrës ndodhen gjithsej 6 tavolina me nga 4 karrige të shpërndara në tre dhoma, ku në njërën prej tyre janë të stivuara më shumë se 20 karrige, që i japin pamjen e një magazine ku depozitohen mallrat e amortizuara.

Një karrige peshon më shumë se gjysmë kilogram dhe shumica prej tyre janë të shtrembëruara, me këmbë të thyera, e me veshjen e jashtme të grisur. Dy komodina prej druri të mbyllura në dry, shërbejnë për të ruajtur dominotë dhe tabelat e shahut. Një frigorifer, aspak i kërrusur nga pesha e viteve, qëndron në këmbë edhe pse bosh nga brenda. Një kosh mbeturinash është përballë e ngjitur me derën e frigoriferit. U është pohuar që është në inventar dhe asnjë nuk e heq dot nga aty, qoftë dhe pse zë vendin e hapësirën e tyre.
Një orë e vjetër, për të mos humbur sensin e kohës, aq sa iu ka mbetur, qëndron e varur mbi hyrjen në tualetin e qendrës. Orën e ka marrë nga shtëpia një i moshuar dhe e ka vendosur aty për të gjithë frekuentuesit e qendrës. “Për tualetin jemi ankuar shpesh se përveçse kushteve të rënduara përdoret edhe nga punonjësit e Shërbimeve Sociale sepse ata nuk kanë një tualet të vetin. E për këtë arsye vijnë këtu tek ne”, shprehet R.V për Portën Vendore.
Muret e qendrës nga brenda janë të çara dhe të prekura nga lagështira e hera-herës ngjajnë me një pikturë të lënë përgjysmë. Qendra kufizohet nga njëra anë me Zyrën e Ndihmës Ekonomike dhe nga ana tjetër me një shtëpi private. Banorët e shtëpisë private janë ankuar për zhurma që vijnë nga Qendra Sociale e të Moshuarve dhe për pasojë Drejtoria e Shërbimit Social ka ndërmarrë një vendim duke mbyllur dritaret e qendrës, duke e bërë gati hermetike dhe ajri qarkullon vetëm nëpërmjet derës kryesore. Ndaj të moshuarit kanë filluar ta frekuentojnë gjithnjë e më pak qendrën, nga frika e asfiksimit dhe mungesës së ajrit në ambientet e brendshme, dhe ata pak të moshuar që vijnë rrinë jashtë.

“Nuk dimë ku të ankohemi sepse nuk na dëgjon njeri ne. Bashkia ka probleme më të mëdha dhe kjo e jona kushedi si u duket”, shprehet një nga të moshuarit, i cili është ulur në shkallët e një objekti përballë qendrës, ku pemët e rrugës krijojnë hije, çka tërheq të moshuarit për të ndenjur aty në ditët e nxehta të verës.
“Na ndërruan vendin nga atje ku ishim e na nxorën këtu. Tani më duket që duan të na e heqin dhe këtë qendër”, shprehet A.N, profesori i pasionuar pas shahut, i cili vjen çdo ditë në qendër për të luajtur vetë por dhe për të mësuar shahistë të rinj që të marrin pjesë në kompeticione kombëtare e më gjerë.
I kontaktuar nga Porta Vendore, sekretari i bashkisë, Bujar Muçmata thotë që ka dijeni për gjendjen e krijuar, ndërsa mbyllja e dritareve është menduar si zgjidhje e përkohshme deri në një moment të dytë, tregon ai, por pa dhënë detaje nëse do të ketë një rikonstruksion të mundshëm ku mungesat migjeniane të mund të marrin fund.

Dikur në një media lokale, në Ditën Ndërkombëtarë të Rinisë, një i ri nga gjimnazi “Havzi Nela” u shpreh që Kukësi është një vend shumë i mirë për tu plakur dhe për të vdekur dhe jo për të jetuar. Tanimë duket që i ka humbur të dyja lukset, të jetuarit dhe të plakurit, për të mos përmendur vdekjen, pasi nuk është kohë e përshtatshme për të folur rreth vdekjes.
Rreth autorit:
Arben Vata është gazetar në qytetin e Kukësit.