18 shtator 2019/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Tiranë
Fshati Mënik në periferi të Tiranës do të ketë një rrugë të re, çka do të lehtësojë lëvizjen e banorëve dhe tregtimin e produkteve të tyre. Pavarësisht premtimeve elektorale të herëpashershme për rregullimin e rrugës prej 2 km, ishte një biznesmen i lindur e rritur në këtë fshat, që bëri realitet ëndrrën e banorëve të zonës.
Fshati Mënik i cili ndodhet vetëm 15km larg nga qendra e Tiranës vuante prej dekadash mungesën e një rruge. Rruga prej vetëm 2 km që lidh fshatin e ri të populluar pas viteve ’90, me fshatin e vjetër buzë kodrës, ku banorët kanë ende shtëpitë e tokat, ishte e pakalueshme. Si rrugë ajo ishte hapur që në vitin 1985, por pa u investuar asnjëherë në të, duke e bërë të pamundur kalimin me kafshë të banorëve të zonës, për të zbritur në qytet atë pak prodhime bio të tokës së tyre.
Fshati Mënik,pjesë e njësisë administrative Ndroq, herë pas herë kishte marrë një sërë premtimesh për rregullimin e kësaj rrugë, por megjithëse ishte e vetmja emergjencë për zonën sërish nuk ishte bërë asgjë.
Por rreth një muaj më parë nisi puna për rregullimin e kësaj rrugë, e cila ndihmon rreth 250 familje për bujqësinë e blegtorinë, duke i dhënë kështu një dritë shprese banorëve që ndodhen kaq pranë me Tiranën, në mënyrë që të mund të shisnin produktet e tyre, duke rritur kështu ekonominë familjare.
Kjo nismë u ndërmor nga Altin Hysa, biznesmen i një rrjeti dyqanesh në Tiranë e më gjerë, që fatmirësisht nuk i harroi rrënjët e tij asnjëherë. Lindur e rritur në fshatin Mënik, ai deshi të kontribuonte për 1000 banorët e mbetur që të mund t’ua lehtësonte jetën sadopak, duke investuar në rregullimin e kësaj rruge, si e vetmja rrugë në fshat.
“Është hera e dytë që e bëj këtë rrugë, fillimisht para 7 vitesh e shtruam nëçakëll dhe tani po bëjmë një sistemim më të mirë, ku përfshihet edhe sistemimi i kanalizimeve. Në 2012 kam shkuar për nostalgji në fshat, për të kujtuar fëmijërinë. Aty më pas mendova të bëja një investim minimal për bashkëfshatarët e mi. E njëjta gjë ndodhi edhe këtë radhë, kur shkova. E kuptova që kishte nevojë që kjo rrugë të riparohej për të bërë të mundur kështu aktivitetin e tyre tregtar”, tregon Altini.

Banorët e vënë herë pas herë në dijeni Altinin për mungesat që ka fshati, por megjithëse ky fshat ka nxjerrë edhe biznesmenë të tjerë, duket se Altini është ai që kontribuon më së shumti.
“Altinin e kemi superior, ne me të krenohemi. Kjo rrugë i vjen në ndihmë gjithë fshatit, rreth 1000 banorëve që jetojnë këtu, pasi më parë prodhimi (si frutat e perimet) që bëhej në tokat lart në kodër, edhe mund të prishej për shkak se nuk kishim si ta transportonim poshtë për në qytet, por tani kjo punë duket e zgjidhur. Fshati e ka pasur të pamundur të investojë vetë sepse një fshatar maksimumi 10 bidonë qumësht shet në ditë”, tregon Artur Pojana, banori Mënikut.
Rruga tanimë është drejt përfundimit dhe ajo do t’i shërbejë të gjithë banorëve të Mënikut, si një dhuratë e bukur.
“Në fakt pasi filloi rregullimi i rrugës ka pasur shumë nga ata banorë që kanë dashur të kontribuojnë, kush me 5 mijë lekë të reja, kush me 10 mijë lekë të reja. Kjo më ka pëlqyer te bashkëfshatarët e mi, sepse ka ngjallur tek ata entuziazmin se gjërat mund t’i bëjmë edhe vetë në komunitet kur bëhet fjalë për investime të tilla”, rrëfen Arturi.

Tani problematikë tjetër për fshatin, sipas Arturit, mbetet vetëm rrjeti i amortizuar elektrik, që me gjasa do të riparohet në vazhdimësi.
Familja Hysa është një familje intelektuale e zonës, ku babai i Altinit ishte mësues e hoxhë. Kjo ishte një tjetër shkëndijë që e bëri biznesmenin një vit më parë të investonte edhe në shkollën e Mënikut, ku shkolla ka një abonim njëvjeçar të përhershëm me internet, çdo klasë ka nga një sobë për dimër, videoprojektor e laptop, si dhe një fushë futbolli.
“Ka shumë njerëz që vuajnë shumë dhe kjo pjesë më dhëmb. Çfarë s’kam pasur unë mundësi që të bëj gjatë fëmijërisë time, jam përpjekur që këtyre fëmijëve të mos i mungojnë. Pasi vazhdimisht më përndjek amaneti i babës.– Bir, ktheje kokën pas. Por megjithatë duhet ta pranoj që i shmangem shpesh vajtjes në fshat, pikërisht që të mos dukem sikur ja shikoni çfarë bëra! Madje i kam dhënë një premtim shkollës, që për çdo nevojë që të ketë unë do t’i përgjigjem”, rrëfen Altini.
Nxënësit e shkollës 9 vjeçare Mënik kanë kryer edhe ekskursione në rajon, falë bujarisë së Altinit, që i ka financuar çdo udhëtim.“Në shkollë jam shkolluar, tek ajo rrugë kam ecur ndaj e ndjeja si detyrë që të mund të përmirësoja kushtet e banorëve që jetojnë ende aty, ku jetesa e tyre nuk ka pësuar shumë ndryshime nga ajo e përpara 20 vitesh”, përfundon Altini.
Një vit më parë në fshatin Mënik është ndërtuar edhe ura, e cila ishte një vështirësi e mbartur prej më shumë se 30 vitesh, një investim prek 18 milion lekësh (të reja) i Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, për strukturën e Urës.