Ngjarje/Personazhe

Ujësjellësi i Elbasanit, si ranë brezat e mbrojtjes nga ndotja përballë dyndjes së ndërtimeve pa leje

15 shtator 2019/ Bardha Nergjoni/ Porta Vendore/ Elbasan

Ndërtuan shtëpi pranë ujësjellësve, 100 familje rrezikojnë të mos marrin legalizim, pasi nuk kanë respektuar perimetrin e sigurisë. Ndërsa ekspertët e ujit të pijshëm ngrenë alarmin për rreziqet që i kanoset ujit të pijshëm në rrjet nga pakujdesia e banorëve, institucionet nuk kanë ende një përgjigje se si do ta menaxhojnë këtë situatë, i cili është një problem prej vitesh në Elbasan.

Dyndjet e ndërtimeve pa leje nga viti 1992 e deri vonë, sidomos në periferi të qyteteve, sollën probleme jo vetëm në nevojën e urbanizimit, por edhe të ruajtjes së objekteve të rëndësisë së veçantë, si në rastin e ujësjellësit të Elbasanit. I vendosur në Krastë të Vogël dhe Mengël sistemi i pompave nxjerrëse të ujit të pijshëm shumë shpejt u rrethua nga ndërtime pa leje që po i afroheshin dalëngadalë rrethimit kryesor, duke shkelur të gjitha masat e sigurisë të parashikuara për t’i ruajtur ujësjellësit nga ndotja.

Në vitin 2008 u evidentuan të paktën 100 objekte që sipas procedurave standarde të sigurisë nuk duhet të legalizoheshin. Banorët përreth ujësjellësit ngrenë supet kur i pyet se çfarë do të bëhet me shtëpitë e tyre në të ardhmen. Ata kanë ardhur nga zona të thella të qarkut , si Librazhdi, Gramshi, por edhe Malësia e Elbasanit, duke hedhur të gjithë kursimet e punës në emigracion në një shtëpi.

Ali Biçaku ka ardhur nga Librazhdi dhe jeton 100 metra larg pusit kryesor të ujit të pijshëm të Ujësjellësit Elbasan. Ai ka ndërtuar relativisht vonë shtëpinë e tij, në vitin 2006. “Më kanë thënë që nuk legalizohen deri në 100 metra. Nuk na tha njëri gjë se po të na kishin thënë nuk do kishim ndërtuar këtu. Vetëm aplikimin kemi dhe asgjë tjetër. Kush e dinte që këtu nuk ndërtohej. Ne ia kemi blerë elbasanllinjve. Në momentin që u bënë kanalizimet filluan të ndërtohen edhe më shumë dhe menduam se ishte e lejueshme. Rrezja është problemi që nuk na i legalizojnë. Nuk dinim se çfarë do bëhej në atë kohë. Tani që na kanë ardhur mendtë, s’kemi çfarë bëjmë. Çfarë të jetë shkruar tani. Na thanë bëjini dhe një herë letrat dhe aplikuam sërish. Presim më shumë nga zoti sesa nga robi”, rrëfen ai.

Ndërkohë një tjetër qytetar i prekur nga kjo situatë është edhe Hajdar Toska, i ardhur nga Gramshi. Ai mendon se shtëpia e tij do të shpëtojë nga prishja, por pavarësisht aplikimit sërish nuk ka një leje legalizimi në dorë, gjë që e bën sërish të pasigurt, nëse do të legalizohen ose jo. “I kemi futur dokumentet për legalizime, por nuk na kanë dalë deri tani. Askush nuk na lajmëroi të mos ndërtojmë. Kemi investuar gjithçka. Kanalizimet i kemi bërë vetë si lagje. Nuk do ndërtoja këtu nëse do ta dija, pasi janë kursimet e të gjithë jetës. Fëmija im mund të mbetet pa shtëpi nëse një ditë shteti vendos t’i prishë”, tregon Toska.

Hajdar Toska, qytetar i zonës. Foto: Bardha Nergjoni

Nisur nga fakti që kjo zonë është pajisur tashmë me kanalizime, banorët shpresojnë që një ditë shtëpitë e tyre do të bëhen të ligjshme, edhe pse janë të vetëdijshëm tashmë se ligji është ligj dhe mund të ndodhë që këto shtëpi të prishen. Në fushata ata marrin premtimin se kufiri në metër/katrorë do të ndryshojë dhe shtëpitë e tyre do të shpëtojnë.

E gjithë zona përreth ujësjellësit duket e bekuar. Shfrytëzimi i ujit të pijshëm për vaditje është mjaft evident. Vështirë se e kuptojnë që uji i çezmës është për t’u pirë dhe asnjë nga ata nuk ka tentuar ta zgjidhë nëpërmjet puseve vaditjen.

Sipas ekspertit Bardhyl Samarxhiu, ujësjellësi i Elbasanit prodhon ujë për 800 mijë deri në 1 milion banorë, ndërkohë që në Elbasan aktualisht mund të jenë rezidentë deri në 120 mijë banorë.

“Ne prodhojmë një sasi të madhe uji që humbet në rrjet. Kjo për shkak të ndërtimeve të shumta pa leje dhe fenomenit të vaditjes. Cilësia e ujit lë gjithashtu për të dëshiruar”, thotë eksperti Samarxhi.

Shtëpitë e ndërtuara pranë ujësjellësit. Foto: Bardha Nergjoni

Një ndër rreziqet më të mëdha që i kanoset dhe që mund ta lërë qytetin pa ujë është ndotja e puseve. Për këtë arsye ishte përcaktuar qartë në ligj se si do të ruheshin ujësjellësit. Ekzistonin tri zona mbrojtjeje tampon. Rrethi një150 deri në 250 metra nga ujësjellësit, rrethi i dytë rreth 1000 metra larg rrethimit të parë, ku lejohej të mbilleshin bimë por nuk lejohej spërkatja, dhe rrethimi i tretë ku lejohej një spërkatje e lehtë, por kurrsesi të ndërtoheshin objekte.

“Në këtë kohë ka rënë brezi i tretë e i dytë dhe tashmë po sulmohet rrethi i parë. Kompania gjermane në vitet 2000 ka paralajmëruar për një rrezik të tillë. Në atë kohë ishin diku te 10 shtëpi dhe prishja e tyre do ta eliminonte rrezikun e infektimit të puseve. Infektimi vjen në mënyrë graduale dhe nuk pastrohet çdo 24 orë. Kjo do të thotë që në rast ndotjeje qyteti mbetet pa ujë”, sqaron eksperti i ujit të pijshëm.

Ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime Elbasan është kufizuar vetëm në konfirmimin ose jo të kërkesave që vijnë nga legalizimet. Megjithëse shprehimisht në ligj të përforcuar me VKM të vitit 2009 shkruhet se: në zonën e parë dhe të dytë ndalohen rreptësishtë ndërtimet deri në 200 metra nga puset , dhe në zonën e tretë rreth 1500 metra nga puset ndërtimet realizohen vetëm me lejen e njësisë vendore. Por në terren duket qartë se ligjet nuk janë respektuar.

Të pyetur banorët që jetojnë rreth 200 apo 250 metra nga puset e ujit të pijshëm, kanë në duart e tyre tashmë një leje legalizimi. Të vetmit të penalizuar aktualisht janë ata të brezit të parë që shkojnë deri në 150 metra nga puset e ujit. Kështu mësohet se nga 100 shtëpi që konsideroheshin të penalizuara nga legalizimi, tashmë mbetet vetëm gjysma e tyre pa leje. “Na kanë trajtuar ca të nënës e ca të njerkës. Në fushata na kanë premtuar se do na legalizojnë, por deri tani nuk kemi asnjë lajm se çfarë do bëhet me ne” shprehet një prej banorëve pranë puseve që nuk dëshiron të identifikohet.

Shtëpitë e palegalizuara të banorëve që janë ndërtuar brenda perimetrit prej 100 metrash. Foto: Bardha Nergjoni

Përgjegjës të ujësjellësit deklarojnë se ata zbatojnë ligjet në shkresat përcjellëse, duke e përcaktuar qartë distancën e legalizimit. Drejtori i këtij Ujësjellësi, Luan Dervishi, tha se Ujësjellësi nuk ka një statistikë të ndërtimeve, por është një institucion i kujdesshëm duke respektuar ligjin kur bëhet fjalë për legalizimin e tyre. Ndërkohë në Agjencinë e Legalizimeve për faktin se janë ndërruar shumë drejtues dhe punonjës, askush nuk di të japë një përgjigje se çfarë do ndodhë me këto ndërtime.

Aktualisht bashkia në administrim të ujësjellësit është mjaftuar, duke mos dhënë leje për legalizimin e objekteve përreth puseve që furnizojnë qytetin. Sa i takon prishjes së këtyre objekteve, veç premtimit në fushata se do të ndryshojë rrezja, banorët nuk kanë marrë lajmërim. Por në rast se puset ndoten, një qytet i tërë mbetet pa ujë.

Rreth autorit:
Bardha Nergjoni është gazetare në Elbasan.