11 shtator 2019/ Dritan Kurti/ Porta Vendore/ Klos
Turizmi malor dita ditës po merr një vëmendje të veçantë në vendin tonë e këtë e tregon më së miri zhvillimi i zonave turistike në veri të vendit, si Valbona në Tropojë, Thethi në Shkodër apo Lura në Dibër. Por këto nuk janë të vetmet zona, të cilat mund të kenë një zhvillim të tillë pasi bukuri të tilla me resurse të mëdha turistike ka edhe në verilindje. Në rrethin e Matit janë dy zona, të cilat mund të kthehen në një atraksion turistik të turizmit malor, është Macukulli në Bashkinë e Matit dhe Mali i Balgjajt në Bashkinë e Klosit.
Mali i Balgjajt në Bashkinë e Klosit ndodhet mbi fshatrat Kurdari dhe Patin. Ai është me lartësi 2101 metra mbi nivelin e detit. Relievi është i copëtuar, ku majat më të larta janë: maja e Micekut (2100 m), maja Gurrat e Zeza (2079 m) dhe maja e Arnishtës (2073 m) etj. Proceset akullnajore e kanë përpunuar kurrizin e këtij mali dhe kanë formuar cirqe, lugje e kreshta akullnajore, në të cilat gjenden rreth 15 liqene akullnajore, të përhapura kryesisht në pjesën veriore dhe qendrore të kurrizit që i përkasin Bashkisë Klos.
Pamja që të ofron ky mal teksa qëndron në të, është vërtetë mahnitëse, e ndërthurur me bimësi, ujë e male.

Për ekspertët e mjedisit, mali i Balgjajt ka resurse të jashtëzakonshme për zhvillimin e turizmit malor si në verë, ashtu edhe në dimër, ndaj ata rekomandojnë shfrytëzimin e tij turistik.
Inxhinieri i Pyjeve Hazis Porja, i cili ka punuar dy dekada në pyjet e Matit e veçanërisht në
masivin pyjor të Balgjajt, tha për Portën Vendore se Balgjaj ka vlera të mëdha të biodiversitetit.

Ai veçon rritjen e bimës së boronicës, mjedrës së egër, etj. Në këto pyje rriten pemët halore si arneni, Bredhi i Bardhë, ahu, Pisha e zezë, Mështekna si dhe disa lloje dushqesh si, Frashëri i bardhë, vadhëviçja e egër, dëllinja, bushi etj.
“Ekonomia pyjore Balgjaj ka një sipërfaqe rreth 4500 ha. Vetëm pllaja ku gjenden Liqejtë e bukur të Balgjajt ka një sipërfaqe rreth 400 ha. Pyjet e Balgjajt shtrihen nga 800 deri 2101 m mbi nivelin e detit. Rreth e qark kurorës së Malit të Balgjajt ndodhen rreth 40 liqene akullnajore me sipërfaqe nga 0.5 deri 10 ha. Pllaja e liqeneve të Balgjajt shtrihet nga 1800 deri në 2101 m mbi nivelin e detit. Në pyjet e Balgjajt ka një biodiversitet të rrallë dhe me shumë vlera natyrale, ekologjike dhe medicinale”, tha Porja.

Kushdo që shkel në Balgjaj gjen një bukuri të rrallë natyrore, megjithëse në dy dekadat e fundit është abuzuar me prerjen e pemëve duke dëmtuar një sipërfaqe të konsiderueshme të masivit pyjor të malit të Balgjajt. Por Porja tregon edhe mënyrat se si mund të rivitalizohen zonat e dëmtuara aty.
“Masivet pyjore të Balgjajt dhe të liqeneve të mrekullueshme të tij, që të rigjenerohen dhe të marrin vlerat që kanë pasur para viteve 90-të duhet të mbrohet në një mënyrë strikte biodiversiteti natyror, duke e ndihmuar edhe me ripërtëritje artificiale me farë dhe me fidanë kryesisht të llojeve halorë”, u shpreh Porja.

Inxhinieri Porja, i cili e njeh Balgjajn që nga viti 1974, thotë se para viteve 90-të, ky masiv pyjor ka qenë një atraksion i rëndësishëm turistik e ekonomik.
“Para viteve 90-të Balgjaj ka qenë një ndër destinacionet më të frekuentuara turistike, kryesisht në fundjava, nga nxënësit e shkollave, banorët e zonave përqark të Rrethit të Matit dhe të atyre fqinje të Dibrës, nga punonjës të kooperativave bujqësore dhe të ndërmarrjeve të ndryshme ekonomike të Matit e më gjerë. Kjo zonë ka qenë në vëmendjen e vazhdueshme dhe të përzgjedhur për studiuesit dhe shkencëtarët e Universiteteve dhe institucioneve shkencore. Ata vinin në Balgjaj për 1 ose 2 ditë, por pasi njiheshin me bukuritë dhe vlerat e rralla natyrore të këtij ekosistemi kërkonin të rrinin me javë, dhe ndoshta edhe muaj për të pushuar dhe për të studiuar këtë zonë”, tha Porja.

I vetmi banor i tre muajve të verës në këtë masiv pyjor në Balgjaj është Gentjan Lica. Ai është zhvendosur në Balgjaj bashkë me tufën e bagëtisë për të veruar.
“Unë vij çdo vit që nga muaji Qershor e deri në Shtator. Të them të drejtën është një vend shumë tërheqës që t’i ofron të gjitha. Për fat të keq vizitorët janë të pakët në numër. Kryesisht këtu vijnë polak e çek, ata turistët e aventurës. Për shkak të rrugës së keqe ata nuk rikthehen më. Para dy javësh ishin tre makina, por në një pjesë rruge që të dërgon tek liqenet e Patinit iu është dashur të rrinë më shumë se 1 orë, për vetëm 100 metra rrugë, pasi nuk mund ta kalonin për shkak të malores së madhe dhe gurëve në të. Të gjithë ata që vijnë e pëlqejnë natyrën e bukur këtu, por ankohen për rrugën “, tha Lica.

Aktualisht nga qytetet Burrel dhe Klos për të shkuar në Balgjaj ka një distancë prej vetëm 30 km, por të duhen 2 orë kohë për shkak të rrugës së amortizuar. Rrugët për të shkuar në malin e Balgjajt janë alternative por të vështira për t’u përshkuar nga mjete të zakonshme. Që të udhëtosh nga Burreli apo Klosi në këtë masiv pyjor, së pari duhet të kesh mjetin e posaçëm e të jesh një shofer i mirë.
Që të kthehet në një atraksion të rëndësishëm turistik, fillimisht duhet që të investohet në infrastrukturë e më pas do të jetë vetë biznesi që do të investojë për ta bërë zonën të frekuentuar nga të gjithë.
Administratori i Njësisë Administrative Suç në Bashkinë e Klosit, Ilirian Çeliku tha për Portën Vendore se pushteti vendor nuk ka pasur mundësi investimi për ta kthyer zonën të vizitueshme nga turistët.

“Bashkia Klos e sheh si kapacitet dhe resurs turistik kurorën e Balgjajt por deri tani nuk ka pasur asnjë qindarkë investim për të. Balgjajn duhej ta kishim shpallur minimalisht zonë të mbrojtur, duke përfshirë edhe liqenet e Kacnisë dhe ato të Bulqizës, gjë e cila është neglizhuar. Rrugët që mund ta lidhin Balgjajn me qendrat urbane janë: Suç – Kurdari-Balgjaj, Klos-Cerujë – Balgjaj, Selishtë – Kacni – Balgjaj dhe Bulqizë – Balgjaj. Investimi për këto rrugë kërkon buxhet të konsiderueshëm të cilin nuk mund ta përballojë buxheti i Bashkisë Klos, pasi ky investim kushton mbi 1 milion euro. Për fat të keq, jo vetëm që nuk kemi para për t’i investuar por nuk kemi as një projekt të mirëfilltë për ta kthyer këtë kurorë në një burim të ardhurash për familjet dhe vetë bashkinë.”, tha ndër të tjera Çeliku.
Teksa dëmtimi i pyjeve dhe subjektet minerare që deformojnë gjatë shfrytëzimit të tyre autenticitetin natyral të zonës si dhe gjuetia e paligjshme që dëmton rëndë faunën në zonë, vazhdon ende, shpresat janë tek ndërtimi i rrugës së Arbrit, që do ta afrojë këtë zonë me kryeqytetin, ku për vetëm 60 km rrugë, kryeqytetasit mund të kalojnë një ditë ose fundjavë të bukur në këtë perlë të natyrës shqiptare.
Rreth autorit:
Dritan Kurti ka studiuar Gazetari dhe Komunikim, prej dhjetë vitesh është i angazhuar dhe punon në median lokale e kombëtare për Qarkun Dibër.