Vëzhgim/Analizë

Të luftosh zjarrin me flotën zjarrfikëse më të vjetër në Ballkan

6 shtator 2019/Bledar Gilaj/Ervin Koçi/Porta Vendore

Rritja e temperaturave gjatë sezonit veror ka rindezur edhe një herë sinjalin e emergjencës për nisjen e sezonit të zjarreve në Shqipëri, ndërsa shërbimi zjarrfikës ende është shumë larg pritshmërive dhe që përdor flotën zjarrfikëse më të vjetër në Ballkan. Gjatë katër viteve të fundit, nga momenti që nisi transferimi i këtij reparti nga pushteti qendror drejt pushtetit vendor, shpenzimet e bashkive për këtë shërbim në shumë raste janë minimale, duke ngritur pikëpyetje të mëdha sesi mund të përballohen rastet emergjente. Porta Vendore bëri një vëzhgim të gjerë në 61 bashkitë e vendit, ku rezulton se shërbimi zjarrfikës në Shqipëri vuan si nga mjetet personale të punonjësve, por edhe për makinat zjarrfikëse që kanë pasur në dispozicion në luftën kundër flakëve.

Zonat bregdetare, pa stacion zjarrfikës

Një nga shqetësimet kryesore në vend që vihet re nga ekspertët zjarrfikës, mbeten zonat bregdetare. Sipas të dhënave zyrtare, të siguruara nga Porta Vendore rezulton se pa stacion të shërbimit zjarrfikës janë një pjesë e madhe e zonave bregdetare, konkretisht: Velipoja, Golemi, Divjaka, Dhërmiu, Zvërneci, Jala, Spilleja. Sipas ish-drejtorit të emergjencave civile, Shemsi Prençi, bashkitë e mësipërme mbulohen me këtë shërbim nga bashkitë më të mëdha të qarqeve. Po ashtu, ai ngre shqetësimin se një tjetër mangësi serioze në shërbimin zjarrfikës në vend, është edhe autoshkalla, e cila disponohet vetëm nga 10 qytete (Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora, Elbasani, Shkodra, Saranda dhe Lezha). Kjo shkakton që për një pjesë të madhe të zonave urbane, edhe pse zjarret mund të bien në katet e larta, ky shërbim nuk ofrohet.

Flota e amortizuar

Sipas ish-kreut të Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, “punonjësit e shërbimit zjarrfikës në Shqipëri duhen konsideruar si heronj, jo thjeshtë për faktin se puna e tyre është një prej më të vështirave, por edhe se ata punojnë me automjete dhe pajisje tejet të vjetra, të amortizuara, por hera-herës edhe pa pajisje të domosdoshme”. 

Sipas Prençit, “në një pjesë të mirë të stacioneve zjarrfikëse të vendit, syri mund të të kapë automjete zjarrfikëse që nga koha e komunizmit (Pogradec, Korçë, Durrës, Fier etj), e deri tek ato të ardhura në formë ndihme a dhuratë në 10-15 vitet e fundit”. Por Prençi përmend edhe faktin se, ka pasur raste ku ka bashki me stacion zjarrfikëse, por pa automjet zjarrfikës, pasi nuk kanë fonde për të blerë një mjet të tillë. Ndërkohë, sipas një raporti të Ministrisë së Brendshme, i realizuar në vitin 2017 për evidentimin e zjarrfikëseve në Shqipëri, rezulton se flota e mjeteve që shërbejnë për mbrojtjen nga zjarri në vend është e amortizuar në masën 70% dhe automjetet në masën dërmuese janë të vit-prodhimeve 1960-1970-1980. Sipas raportit, krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria ka flotën më të vjetër të mjeteve zjarrfikëse.

Investimet për mjete zjarrfikëse

Për të parë nëse flota e zjarrfikëseve është rinovuar gjatë katër viteve të fundit, kur ky shërbim filloi transferimin te pushteti vendor, Porta Vendore verifikoi pranë çdo bashkie për investimet e bëra në këtë fushë. Nga informacionet zyrtare të marra pranë 61 bashkive rezulton se gjatë katër viteve, 25 bashki kanë blerë nga një mjet zjarrfikës të ri, por që edhe ato janë tejet të vjetra, 10-20 vjeçare. Sipas të dhënave, bashkitë që kanë blerë zjarrfikëse janë gjatë katër viteve janë Ura Vajgurore, Klos, Shijak, Elbasan, Cërrik, Belsh, Prrenjas, Divjakë, Mallakastër, Roskovec, Patos, Libohovë, Memaliaj, Këlcyrë, Kolonjë, Maliq, Kurbin, Pukë, Fushë Arrëz, Vau i Dejës, Vorë, Selenicë, Sarandë, Finiq dhe Konispol. Nga 25 bashkitë që kanë blerje automjete zjarrfikëse vetëm një prej tyre, konkretisht Bashkia Maliq rezulton se ka blerë 2 automjete zjarrfikëse.

Ndërsa sa i përket investimeve në total që 61 bashkitë kanë bërë për shërbimin zjarrfikës në katër vite, që nga veshjet, uniformat, mjetet e nevojshme të punës, rikonstruksion godinash, karburant etj, siç tregohen në tabelën përkatëse, rezulton se 61 bashkitë e vendit kanë shpenzuar një shifër të papërfillshme parash në krahasim me buxhetin total që kanë shpenzuar ato në mandatin e parë pas reformës territoriale. Konkretisht, 61 bashkitë për 221 tenderë të realizuar për shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri kanë shpenzuar në 4 vite rreth 223 milionë lekë të reja. Duke iu referuar të dhënave nga openprocurement.al, shifra 223 milionë lekë, krahasuar me totalin e shpenzimeve në 4 vite të 61 bashkive që është rreth 102 miliardë lekë, rezulton se paratë e harxhuara për shërbimin zjarrfikës përbëjnë vetëm 0.2 për qind të buxhetit. Madje, në disa bashki, sipas të dhënave zyrtare janë shpenzuar shifra të papërfillshme për shërbimin e MZSH-së (Mbrojtjen nga Zjarri dhe Shpëtimin), ose nuk është shpenzuar asnjë lek për këtë shërbim, siç rezulton në bashkitë Skrapar, Gjirokastër, Pustec, Kamëz, Kavajë dhe Himarë.

Pra edhe pse zjarret nga viti në vit kanë shkaktuar miliona lekë dëme, si në pasuri kombëtare, ashtu edhe në pasuri private, madje edhe me pasoja në njerëz, investimet për këtë shërbim duket qartë se lënë shumë për të dëshiruar që të arrihet një shërbim, të paktën që të krahasohet me vendet e rajonit.

“Shpikjet” nga halli të zjarrfikësve

Në këto kushte të rënda pune, nuk janë të pakta edhe rastet kur vetë punonjësit e stacioneve zjarrfikëse nëpër bashki të ndryshme, i kanë sajuar si të mundin automjetet e tyre të punës, ku në disa raste kanë përshtatur autobote për furnizim me ujë, apo dhe kamionë të vjetër ushtarakë, për zona më të thella e të vështira. Një iniciativë krejt origjinale dhe e guximshme është bërë nga disa zjarrfikës të stacionit të Bashkisë Gramsh. Dy vite më parë, zjarrfikësit e Gramshit, me shumë mund dhe vullnet kthyen brenda disa javësh punë një kamion të vjetër ushtrie tip “FIAT Iveco” në një zjarrfikëse 4×4 për të ndërhyrë në zonat e thella dhe të vështira malore ku infrastruktura rrugore është tepër e amortizuar. Ajo iniciativë e cila duhet thënë se ishte vërtetë e gjetur, konsiderohet si një prodhim “Made in Albania”, ose më saktë si një shpikje “Made in Gramshi”. Dhe nuk vonoi shumë kur “super-mjeti” i domosdoshëm i prodhuar nga vetë zjarrfikësi e Gramshit, e justifikoi mundin, duke shpëtuar nga shkrumbimi një pyll të bukur me pisha e bredha pranë qytetit dy vite më parë.

 

Historiku i Shërbimit Zjarrfikës

Shërbimi zjarrfikës shqiptar tradicionalisht ka funksionuar si shërbim shtetëror dhe shtrihet gati në të gjitha qytetet e Shqipërisë, me stacionet e tij zjarrfikëse të gatishmërisë së përhershme. Ky shërbim pati zhvillimin i tij dhe u vu mbi baza moderne, me norma, standarde, rregulla, në vitet ‘55-56, meritë kjo e 5 oficerëve shqiptarë, të cilët kryen shkollat përkatëse në Bashkimin Sovjetik, duke sjellë që andej metodikat, normat, rregullat, rregulloret, se si duhet të funksiononte ky shërbim, për atë kohë. Po këta oficerë hapën gjithashtu shkollën e parë teknike 2-vjeçare për zjarrfikësit në Patos, në vitin 1975, e cila nxori 21 oficerët e parë dhe të fundit zjarrfikës.

Në pjesën më të madhe të kohës, shërbimi zjarrfikës ka funksionuar me një urdhëresë Nr. 2 të Këshillit të Ministrave të vitit 1964 me gjithsej 11 nene. Në këtë periudhë shërbimi zjarrfikës shqiptar kishte një personel prej 1400 zjarrfikësish në të gjithë territorin e Shqipërisë. Në vitin 1991 u miratua një ligj, i cili për kohën solli efektet e tij pozitive. Në vitin 2001 ishin normale ndryshimet dhe miratohet një ligj tjetër, me të cilin sot punon shërbimi zjarrfikës shqiptar. Gjatë kësaj kohe, çuditërisht numri i personelit zjarrfikës shkurtohet sistematikisht dhe nga 1400 shkon në rreth 700 -750 zjarrfikës, për gjithë territorin e Shqipërisë. Por aktualisht standardi evropian, për personelin zjarrfikës është për 1000 banorë duhet të ketë 1 zjarrfikës. Shqipëria ka afërsisht 2 milionë e 800 mijë banorë (sipas censusit të fundit) dhe ka aktualisht rreth 1200 zjarrfikës në të gjithë stacionet zjarrfikëse të vendit, por përsëri raporti është larg standardit europian.

Krahasim mes Shqipërisë dhe Malit të Zi

Podgorica, ka 250.000 banorë (sipas Google) dhe ka 250 zjarrfikës me kohë të plotë, me 4 stacione dhe 30 automjete zjarrfikëse, pra aty kemi zbatimin e standardit europian, 1 zjarrfikës/ 1000 banorë. Ndërkohë Tirana numëron rreth 800-900 mijë banorë (shifrat e vitit 2018) dhe ka rreth 80 zjarrfikës, me 4 stacione dhe rreth 12 automjete zjarrfikëse, pra kemi 1 zjarrfikës për 10 mijë banorë, jemi 10 herë larg Podgoricës në Malin e Zi. Nga ky numër i përgjithshëm vetëm rreth 20 zjarrfikës janë në detyra të përditshme, sepse shërbimi është me sistem 4 turnesh. A mundet rreth 20 zjarrfikës të mbulojnë gjithë qytetin e Tiranës, në rastin më të thjeshtë, kur bien 2-3 zjarre, apo kur duhet të ndërhyhet për misionin e shpëtimit në të njëjtën kohë? Mal i Zi ka një Qendër Trajnimi Zjarrfikësish model për rajonin, Kosova ka një Qendër Trajnimi në Vushtri, Maqedonia ka një Qendër Trajnimi Zjarrfikësish, Greqia ka një Akademi për Zjarrfikësit. Ndërkohë në Shqipëri Qendra e Trajnimit për Zjarrfikësit që ishte në një ndërtesë në lagjen nr. 6 në Tiranë, e lënë në mëshirën e fatit për një kohë të gjatë, u kthye në komisariat policie duke i lënë zjarrfikësit pa një qendër trajnimi, në një kohë kur shërbimin zjarrfikës gjithë bota e konsideron dhe e ka ndër shërbimet prioritare.

Qarku Bashkia Tendera të shpallur Tendera të realizuar Vlera Lloji
BERAT Berat 16 12 5,347,300 Veshje, mjete pune
Ura Vajgurore 1 1 4,098,800 Automjet zjarrfikës
Kucovë 2 2 158,000 Pajisje materiale
Polican 3 3 285,147 Veshje, karburant, mirëmbajtje
Skrapar 2 0 0  
DIBER Dibër 2 2 477000 Uniforma dhe dru
Bulqizë 2 2 446,800 Uniforma
Mat 1 1 189000 Pajisje
Klos 5 3 4,718,333 Dyer, naftë, makinë
DURRES Durrës 24 21 13,477,012 Riparim mjeti, tuba, këpucë, rikonstruksion godine
Krujë 4 3 492,900 Pajisje
Shijak 3 2 3,479,000 Blerje mjeti, uniforma
ELBASAN Elbasan 22 18 29,483,812 Automjet, uniforma, sigurim
Cërrik 7 4 17,499,454 rikonstruksion godine, zyra, blerje automjeti
Peqin 14 7 923,400 Tuba materiale, riparim
Belsh 1 1 3,190,000 Blerje mjeti
Gramsh 1 1 490,946 Karburant
Librazhd 1 1 329,000 Rikonstruksion kapanoni
Prrenjas 5 5 4,646,000 Mjet zjarrfikës, materiale
FIER Fier 1 1 97,300 Sigurim punonjësish
Lushnje 17 13 1,657,857 Materiale karburant
Divjakë 10 7 7656548 Makinë zjarrfikëse, uniforma, pajisje
Mallakastër 1 1 4,375,000 Automjet zjarrfikës
Roskovec 6 4 11038555 Automjet zjarrfikës, uniforma, karburant
Patos 4 4 4813998 Automjet zjarrfikës, uniforma, pjesë këmbimi
GJIROKASTER Gjirokastër 0 0 0  
Libohovë 4 2 3339000 Blerje automjet, uniforma
Dropull 4 3 199569 Riparim zjarrfikëse, sigurim mjeti zjarrfikes
Tepelenë 4 2 782,500 Garazh për mjetin zjarrfikës, uniforma
Memaliaj 3 2 3739000 Automjet zjarrfikës, uniforma, pajisje
Këlcyrë 4 4 3,499,900 Automjeti zjarrfikës, vaj, uniforma, veshje speciale
Përmet 3 3 340900 Garazh për mjetin zjarrfikës, uniforma, goma
KORCE Korçë 4 4 2084361 Veshje, siguracion, rikonstruksion godine
Kolonjë 1 1 2,890,000 Makinë zjarrfikëse
Pogradec 3 3 3,076,000 Goma për zjarrfikëse, karburant
Pustec 0 0 0  
Maliq 8 5 7,942,752 Blerje e dy zjarrfikëseve, rikonstruksion godine dhe mjete pune
Devoll 3 3 79,444 Pjesë këmbimi për mjetin, karburant
KUKES Kukës 10 5 7504566 Karburant, servis mjeti zjarrfikës
Has 4 3 1315900 Uniforma, pjesë këmbimi për mjet zjarrfikës
Tropojë 2 2 291600 Riparim mjeti zjarrfikës 1989, uniforma veshje
LEZHE Lezhë 3 3 11,000,000 Riparim mjetesh edhe për drejtoritë e tjera
Mirditë 1 1 365,000 Goma dhe pjesë këmbimi
Kurbin 12 12 10616172 Blerje zjarrfikëse
SHKODER Shkodeër 3 2 1,988,750 Aparate frymë- marrje, veshje
Malësi e Madhe 1 1 164,000 Shkumë zjarrfikëse
Pukë 8 6 2754577 Blerje automjet zjarrfikës, blerje uniforma dimërore
Fusheë Arrëz 2 1 3,333,325 Blerje zjarrfikëse
Vau i Dejes 1 1 3,200,000 Blerje automjet zjarrfikës
TIRANE Tiranë 6 5 2,745,111 Ndërtim zjarrfikëse në QS, tuba për zjarrfikëse
Kamëz 0 0 0  
Vorë 2 2 7,550,000.00 Blerje zjarrëfikëese, Bote Uji dhe Pajisje funksionale për zjarrfikës
Kavajë 0 0 0  
Rrogozhinë 1 1 1,731,000 Blerje uniforma,veshje
VLORE Vlorë 13 12 2558000 Riparime servis
Selenicë 4 1 3,150,000 Blerje zjarrfikëse
Himarë 0 0 0  
Sarandë 6 6 5533472 Blerje zjarrfikëse, blerje motorri, uniforma
Delvinë 4 3 607,300 Uniforma, riparim mjeti, rikonstruksion godine
Finiq 2 2 5,876,300 Automjet dhe uniforma
Konispol 1 1 3,100,000 Mjet zjarrfikës
TOTALI 61 282 221 222,729,661