30 gusht 2019/ A.H/ Porta Vendore/ Pogradec
Qindra familje në fshatin Blacë të Pogradecit prej 22 vitesh nuk mund të kryejnë asnjë veprim ligjor me pronat e tyre. Shkak për këtë është mungesa e hartave dhe regjistrave hipotekorë, të cilat rezultojnë të jenë djegur në trazirat e 97-ës. Prej 22 vitesh banorët marrin premtime, por se ato mbeten thjesht në letër.
Mund të tingëllojë çuditshëm, por në Shqipëri ka ende fshatra, të cilët mund të quhen ‘fantazmë’ sepse nuk kanë asnjë dokument hipotekor apo të figurojnë në ndonjë regjistër. Një rasti i tillë unik mbase në llojin e vet, është në Pogradec. Fshati Blacë që sot banohet nga mbi 600 familje, prej 22 vitesh nuk ka asnjë certifikatë pronësie për shkak se ato janë djegur në trazirat e vitit 1997. Nëse do drejtohesh në ZVRPP Pogradec dhe të pyesësh rreth këtij fshati, do kuptosh se Blaca nuk ekziston në asnjë regjistrat apo hartat e hipotekës, e për pasojë edhe banesat dhe bizneset janë të paregjistruara. Banorët pohojnë se kjo situatë i ka penalizuar ata për gjithçka dhe se nuk mund të kryejnë asnjë veprim ligjor me toka, të cilat i zotërojnë vetëm fizikisht.
“Skam regjistruar asnjë pronë, hiç fare. Kam shumë vite që vërtitem sa në një zyrë në tjetrën dhe sërish pa asnjë rezultat. Pyesim nëpër zyra për të marrë tokën në pronësi me dokumente, na thonë që fshati jonë është pa asnjë lloj karte. Ndërkohë, ne ua paguajmë të gjitha taksat edhe të tokës rregullisht këtyre të pushtetit lokal. Të duash të shesësh apo të blesh hiç, ka njerëz që kanë lekë dhe duan të blejnë, ka njerëz që iu duhen lekë dhe duan të shesin, por asnjëra nga këto nuk ndodh”, tregon Hyqmet Miminllari për Portën Vendore.
Mungesa e certifikatave të pronësisë për banorët e këtij fshati është problem me të cilin ata përballen prej vitesh, por është edhe premtimi kryesor në fushatat elektorale për zgjedhje lokale apo edhe parlamentare. Shumë kryetarë komunash kanë ardhur e ikur, deputetë e ministra dhe sërish fshati mbetet pa asnjë dokument. Tashmë të gjithë janë lodhur dhe i kanë humbur shpresat se 1 ditë ky ngërç do marrë zgjidhje.
Myfit Miminllari sot është 70 vjeç dhe ashtu si shumë banorë të tjerë ka të njëjtin problem, as nuk e shet dot tokën, e as nuk e lë dot trashëgimi. “Këtë problem kemi vite që e vuajmë, fshati tonë nuk ka as shitje as blerje, as certifikata toke dhe as certifikata banese. Nëse sot ne shesim diçka nesër mund të vijnë të na i marrin lekët sërish, pasi nuk bëjmë dot asnjë lloj dokumenti, pasi në të vërtetë për fshatin tonë nuk ka asnjë lloj dokumenti” tregon banori.
Banorët e fshatit Blacë kanë arritur që këto toka ti përfitojnë me anë të ligjit 7501 qysh në vitin 1991, por se i gjithë dokumentacioni që u përgatit për ta u bë shkrumb e hi në vitin 97, kohë në të cilën zyra e atëhershme e kadastrës dhe arkivi u përfshinë nga flakët, e për pasojë dokumentat të këtij fshati dhe shumë të tjera u dogjën.
Ngërçi institucional
Bashkia e Pogradecit si institucioni, që ka nën administrim zonën e njeh problemin, jo vetëm sepse është i mbartur prej vitesh, por edhe për faktin se kërkesat e banorëve kanë qenë të kahershme për një zgjidhje. Kryetari i Bashkisë në detyrë, Eduard Kapri thotë për Portën Vendore se nga ana e bashkisë kanë nisur prej kohësh përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi të madh për këta banorë.
“Fshati Blacë është e vetmja zonë në të cilën nuk është kryer regjistrimi i pasurive. Në mënyrë të vazhdueshme ne kemi mbajtur kontakte me zyrën e regjistrimit, ku siç na kanë bërë me dije e kanë të pamundur që të realizojnë vetë këtë regjistrim, pasi nuk kanë fonde”, thotë Eduard Kapri. Kujtojmë se Kryebashkiaku Eduart Kapri e ka pasur një ndër premtimet e tij elektorale realizimin e këtij regjistrimi, por që sërish ashtu si ish kryetarët e komunave në këtë zonë nuk e mbajti këtë premtim.
Ndërkohë Porta Vendore u interesua edhe pranë Nexhmi Torrës, koordinator i njësive administrative në Bashkinë Pogradec, sipas tij nga ana e kësaj të fundit janë ndërmarrë dy herë hapat për zgjidhjen e problemit, por në të dyja rastet nuk ka pasur rezultat.
“Jemi të njohur me problemin që ngrini ju si media. Në fakt kemi bërë edhe përpjekje për zgjidhjen e tij. Tentuam në vitin 2018, por diçka e tillë nuk u arrit të realizohej për shkak se nuk kishte fonde të mjaftueshme nga buxheti i bashkisë, si pasojë e tenderimeve që lidheshin me disa investime madhore në infrastrukturë si, shkolla “Muharrem Çollaku” apo lagja e ish Fermës. Kjo na detyroi që fondet të cilat i kishim parashikuar për regjistrimin fillestar të tokave në Blacë ti devijonim për shkak të këtyre investimeve madhore për komunitetin”, tregon administratori Torra. Ai shpjegon më tej se nga fondet e bashkisë duhen vënë në dispozicion 5 milionë lekë (të reja) për kryerjen e regjistrimit fillestar dhe azhornimin e hartave.
“Hera e parë dështoi pasi nuk u arrit të sigurohej fondi përkatës, ndërsa tashmë nga ana e bashkisë janë bërë të gjitha llogaritë për të alokuar fondet, por duhet të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë e Kadastrës dhe jemi duke përpiluar dokumentacionin dhe arritjen më pas të marrëveshjes me këtë agjenci”, sqaron Torra për Portën Vendore.
Por për të kuptuar se ku qëndronte faji i mos fillimit të regjistrimit të këtyre tokave Porta Vendore mori një komunikim edhe me kryeregjistruesen e ZVRPP Pogradec Klajda Gusho, e cila deklaron se Bashkia e Pogradecit nuk është ankuar asnjëherë për këtë problem. “Në tavolinën time të punës nuk ka pasur dhe nuk ka ende asnjë dokument marrëveshjeje të paraqitur nga Bashkia Pogradec për rastin në fjalë. Unë jam e njohur mjaft mirë me këtë rast edhe pse kam pak kohë që drejtoj këtë zyrë, por në asnjë moment nuk është kërkuar bashkëpunim zyrtar nga ana e bashkisë. Ne si zyrë regjistrimi nuk kemi fonde për ta realizuar vetë këtë gjë, por jemi duke koordinuar një projekt me Agjencinë e Kadastrës për ta përmbyllur këtë regjistrim me apo pa bashkëpunimin e pushtetit vendor”, pohon Gusho.
Porta Vendore kontaktoi edhe me kryetarin e zgjedhur nga zgjedhjet e 30 Qershorit Ilir Xhakolli, për ta pyetur nëse ka ndonjë projekt për regjistrimin fillestar të tokave në Blacë. Xhakolli konfirmoi se është i njohur në brendësi për problemin qysh në kohën kur ishte deputet dhe se nga ana e bashkisë që do drejtojë, do të punohet fort që ky regjistrim të kryhet. Kjo do të bëhet nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me Agjencinë e Kadastrës, qysh në vitin e parë të mandatit.
Nëse e gjithë kjo situatë zgjidhet banorët do të kenë mundësi të kryejnë veprime ligjore me pronat e tyre , duke bërë që ky proces i domosdoshëm, të mos jetë më premtim i fushatave elektorale .