Vëzhgim/Analizë

Tregu i frutave dhe perimeve në Durrës, i mbuluar nga pluhuri i harresës

24 gusht 2019/ Ervina Garo/ Porta Vendore/ Durrës

Tregu fruta-perimeve në Durrës është i vetmi i këtij lloji, në shërbim të konsumatorit. I vendosur në lagjen numër 12 të qytetit, në rrugën “Abaz Çelkupa”, ai nuk plotëson asnjë standard, duke u kthyer në një vatër të rrezikshme infeksionesh. Kushdo, që ka hyrë në këtë treg, ka vënë re rrjetat e merimangave, që varen nga tavani, i mbuluar me eternit dhe xhama, të cilat në shumë vende janë dëmtuar. Për të penguar pluhurin, që të depërtojë gjatë verës dhe shiun gjatë stinës së dimrit, tregtarët i kanë modifikuar të çarat e krijuara me copa të ndryshme apo plastmasë. Një pamje aspak e këndshme, por një zgjidhje e pjesshme e problematikës së përditshme.

Tregu i fruta-perimeve është e vetmja hapësirë në qytet, ku tregtarët e licencuar të frutave dhe perimeve, i ofrojnë qytetarëve produkte vendase ose të importit. 271 është numri i kontratave të lidhura për këtë vit, pa llogaritur ato ditore. 600 lekë (të reja) është tarifa e gjelbërimit, që duhet të paguajë çdo tregtar, që operon në këtë hapësirë, ndërsa tarifa mujore për çdo banak është 3900 lekë (të reja).

Duke qenë i vetmi treg i frutave dhe perimeve në qytet, konsumatorët janë të detyruar ta frekuentojnë çdo ditë atë, ndërsa është e pamundur të llogaritet numri i qytetarëve, që blejnë produkte këtu. Gjatë ditëve të festave bëhet e vështirë të kalosh në rrugicat e markatës, pasi pushtohet nga konsumatorët.

Tregu agro-bujqësor në Durrës shtrihet në një sipërfaqe prej 2872 metër katrorë, në të cilën përfshihen zyrat e administratës, kapanoni i djathit, hapësira ku shiten frutat e perimet, si dhe tualetet. “Tregtarët janë taksapagues të rregullt”- shprehet përgjegjësi i tregut, Edlir Cerri. Megjithatë, vetë ata tregojnë se nuk plotësohet asnjë standard, jo vetëm përsa i përket kushteve higjeno-sanitare, por edhe amortizimit të ambientit.

Pluhuri në verë dhe shiu në dimër mbulojnë produktet e ekspozuara, pasi kjo hapësirë nuk është e izoluar. Më problematike, situata paraqitet gjatë dimrit, pasi kur reshjet janë të dendura, tregu qëndron i mbyllur. Tavani është i sajuar nga vetë tregtarët, me copa lecke apo kartonë, pasi mbulesa, që formon tavanin me llamarina, xhama dhe një pjesë me eternit është dëmtuar, duke e humbur funksionin.

Gjendja e tregut Durrës. Foto: Ervina Garo

Edhe qytetarët nuk ngurrojnë të shprehin frikën e tyre për produktet që blejnë në këtë treg. Përveç faktit se, informacioni mbi origjinën dhe vlerat ushqyese të prodhimeve mungojnë plotësisht, kushtet, në të cilat tregtohen janë të papranueshme.

Si rrallë herë, tregtarët dhe konsumatorët, ndajnë të njëjtin mendim. Iliri shet produktet e tij në këtë treg prej 12 vitesh. Kur e pyesim për kushtet e këtij ambienti, zgjedh një fjalë të urtë popullore, për t’u përgjigjur: “Fshati që duket, nuk do kallauz! Nuk kam çfarë të them më shumë ! Po të ngresh kokën lart, shikon se pikon brenda. Unë kam 12 vite, që paguaj taksat dhe kjo gjendje është e mjerueshme”, thotë Iliri.

Por Iliri nuk është i vetmi, që mendon kështu. Shahe Kokaj është një e moshuar, që vjen çdo ditë në treg. Mes psherëtimash na tregon se kjo pamje e bën të ndihet keq, jo për vete, por për nipërit dhe mbesat e saj. “ Eh, moj nanë! Kemi frikë se çfarë po hamë, jo vetëm për cilësinë, por edhe pastërtinë! Më dhimbsen nipërit dhe mbesat, se për ta vij çdo ditë këtu. Përpiqem të marr më të mirat, por kur shikoj përqark, mërzitem shumë. Kam frikë ta ngre kokën lart, se mos më bie ndonjë gjë në sy dhe hajde shërohu pastaj”, na thotë nënë Shaha.

Edhe Gentian Çani është tregtar. Ai thotë se ka më shumë se 10 vite këtu dhe përgjigjet duke qeshur: “Hajde, shikoni në ditët me shi! Atëherë, nuk ecet dot nga balta! Paguajmë taksat, por deri tani njëlloj. Pluhur dhe baltë u kënaqëm!As puna nuk po ecën, as tregu nuk është në rregull! Sa herë bie shi, këtu nuk rrihet. Njëlloj si të jesh jashtë! Asnjë ndryshim! Thonë që do rregullohet, po nuk e dimë!” vazhdon bisedën ai.

Po ashtu Ylli Baraj vjen shpesh në treg. Në përgjithësi, zgjedh orët e pasdites, pasi edhe çmimet bien, edhe ka më pak rrëmujë. “Nga e keqja se nuk ka treg tjetër në qytet! Këto copat e vendosura kudo për të penguar që të hyjë brenda pluhuri apo insektet më bezdisin shumë. Nuk kemi ku të shkojmë, se nuk ka tregje të tjerë”, tregon ai. Duke na sqaruar se pasditeve mund të gjesh edhe arka të boshatisura të hedhura pa kujdes, por edhe mbeturina të grumbulluara gjatë ditës.

Kushtet e mjerueshme të tregut të Durrësit. Foto: Ervina Garo

Përgjegjësi i tregut, Edlir Cerri, shpjegon mënyrën sesi mirëmbahet kjo hapësirë. “Në orën 7 të mbrëmjes, tregu mbyllet, duke ja lënë vendin pastrimit. Hapësira, ku tregtohet peshku dezinfektohet çdo ditë, ndërsa një ditë në muaj mbyllet tregu dhe në bashkëpunim me Ndërmarrjen e UKD, bëhet pastrimi i përgjithshëm. Në organikë janë të përfshirë dy pastrues, që sistemojnë këtë amboent rregullisht çdo mbrëmje”, thotë përgjegjësi Cerri për Portën Vendore.

Në këtë treg, prej një periudhe të gjatë kohe mungojnë çezmat dhe depozitat te tualetet. Përgjegjësi i tregut të fruta-perimeve pranon problematikën, duke konfirmuar se dy nga kërkesat emergjente të tregtarëve, do të marrin zgjidhje. Bëhet fjalë për vendosjen e një çezme, si dhe dy depozita te tualetet.

Gjendja ka prekur pikën kritike. As zgjidhja e problematikave të lartpërmendura nuk mund t’ia ndryshojë pamjen tregut të fruta-perimeve në Durrës, i cili ndodhet në kushte të mjerueshme.

Edlir Cerri, përgjegjësi i tregut, konfirmon se për të mbuluar një pjesë të sipërfaqes së tregut është përdorur eternit, i cili është i ndaluar, nëse i referohemi ligjit shqiptar.

Fatmir Minguli, inxhinier durrsak shpjegon se prania e asbestit në objekt ose në materiale, (si në këto mbulesa), kur ai është i izoluar, shkakton rrezik për jetën e njeriut.

“Rreziku rritet kur ai lirohet në ajër, nga dëmtimet e ndryshme të materialeve, e posaçërisht të atyre që janë të thyera. Përmes organeve të frymëmarrjes këto fibra futen në mushkëri. Ato qëndrojnë përgjithmonë në organizëm dhe janë me pasoja fatale për njeriun. Individët e ekspozuar ndaj këtyre fibrave, nuk kanë simptoma akute, por nga momenti kur absorbohen nga trupi, ato fillojnë të shkatërrojnë organizmin”, tha inxhinier Minguli.

Tendat e sajuara nga tregtarët për të mbrojtur produktet nga dielli e shiu. Foto: Ervina Garo

Nga viti 2001, që janë vendosur në këtë mjedis, tregtarët kanë parë se si kjo hapësirë është shndërruar në një vend të ndotur, që jo rrallë herë i ka dëmtuar.

Luan Dajko, Drejtuesi i Departamentit të Taksave dhe Tarifave Vendore thotë se ka një lajm të mirë, pasi tregu agro-bujqësor në qytetin bregdetar do të rikonstruktohet plotësisht.

“60 milionë lekë të rinj është vlera e tenderit me tvsh. Fondi i çelur për vitin 2019 kap vlerën 10 milionë lekë, ndërsa shuma e mbetur do të jepet vitin, që vjen”. Me emërtimin “Markatë”, në një mjedis tërësisht të mbuluar, ky treg do të ndryshojë pamje tërësisht, nëse i referohemi projektit. Nuk ka një datë të përcaktuar, për nisjen e punimeve, por projekti dhe vlera e tij janë miratuar, duke pritur zbatimin gjatë 6 mujorit të dytë të këtij viti kalendarik.

previous arrow
IMG_20190717_103224
IMG_20190717_103234
IMG_20190717_103315
IMG_20190717_103331
IMG_20190717_103714
IMG-20190716-WA0004
IMG-20190716-WA0005
IMG-20190716-WA0006
IMG-20190716-WA0007
IMG-20190716-WA0010
next arrow

Rreth autorit:
Ervina Garo punon aktualisht tek TV Adrianet në qytetin e Durrësit.