21 gusht 2019/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër
Qyteti turistik i Gjirokastrës ka njohur zhvillime në tregun e turizmit, pasi vetëm një vit më parë u vizitua nga 100 mijë turistë, duke rritur kështu nevojën për fuqi punëtore, ndërsa nga ana tjetër regjistron një numër të lartë papunësie. Edhe pse ka një shkollë profesionale, universitet dhe biznese të shumta që kërkojnë fuqi punëtore, duket se institucionet shtetërore dhe subjektet private nuk kanë një koordinim për të ulur papunësinë.
Drago Kalemi është pronar i dy hoteleve më të rëndësishëm në Gjirokastër, por shtimi i aktivitetit të tij të biznesit turistik shoqërohet edhe me nevojën për një staf të kualifikuar. Kalemi tregon se fluksi i turistëve shoqërohet me ritme të shtuara sidomos në sezonin turistik veror, kohë kur lind nevoja edhe për shtim të personelit, por “së fundmi – shprehet ai – po hasemi me vështirësinë e gjetjes së personave të gatshëm të shërbejnë në sektorin e shërbimeve në turizëm, ndërsa duket e vështirë të flasim për kualifikimin e tyre”.
Ndërsa Kalemi kërkon punonjës, nga ana tjetër ka të diplomuar që nuk po gjejnë një vend pune. Studentja ekselente Miranda Mamani, e sapodiplomuar për kontabilitet – financë në Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës, është në kërkim të një vendi pune. “Që prej vitit të fundit të studimeve bachelor jam përpjekur të gjej një mundësi për të kryer praktikën pranë ndonjë biznesi dhe kryesisht këtyre turistikë, meqenëse në Gjirokastër, biznesi është i fokusuar te turizmi dhe gjen më shumë biznese të tilla. Por e kam pasur të pamundur. Së fundmi, vendosa të aplikoj pranë Zyrës së Punës, në progamet e punësimit për studentët e sapodiplomuar, me një afat deri 6 muaj”, shprehet ajo.
Por pse ndodh kjo?!
Gjirokastra në fakt i ka mundësitë për t’iu përgjigjur tregut të punës, edhe kur vjen puna për profesione, pasi është ndër qytetet ku nuk mungon edhe arsimi profesional. Me eksperiencën e vet 50 vjeçare, shkolla e mesme profesionale në Gjirokastër, është e vetmja e kësaj natyre në të gjithë rajonin jugor. E fokusuar më së shumti në zanate si hidraulikë apo elektricistë, vitet e fundit janë shtuar përpjekjet për afrimin e nxënësve me tregun e punës. Hapja e re e degës së teknologji – informacionit u krijon një mundësi më shumë të rinjve për t’u punësuar në një prej sektorëve më të kërkuar aktualisht. “Pavarësisht përpjekjeve, regjistrimet në këtë degë kanë qenë minimale, duke rrezikuar mbylljen e saj. Pjesa më e madhe e të rinjve synojnë arsimin e përgjithshëm duke anashkaluar atë profesional”, tregon Drejtoresha Renata Puleri .
Kreu i Dhomës së Tregtisë Maksim Hoxha hedh idenë e nevojës së arsimimit në shkollat profesionale dhe ato të larta, në fushat që i përkasin sektorit të turizmit e për të cilat ka nevojë sot Gjirokastra. “Shkolla e mesme profesionale duhet të marrë një orientim drejt specialiteteve turistike, pasi strukturat akomoduese janë shtuar dhe është rritur kërkesa për fuqi punëtore. Punë e garantuar dhe sezon i gjatë, kjo është ajo që u ofrohet”, shton ai.
Nga ana tjetër, drejtoresha Puleri tregon se është bërë në Ministrinë e Arsimit kërkesa për hapjen e degës së Hoteleri – Turizmit dhe pritet që prej vitit të ardhshëm akademik 2020 – 2021 në shkollën e mesme profesionale “Thoma Papapano” në Gjirokastër, të hapet edhe kjo degë që do të nxjerrë punonjës të kualifikuar në sektorin e turizmit.
Vitet e fundit treguesit turistikë vijnë gjithnjë e në rritje duke krijuar mundësi për hapjen e vendeve të punës në këtë sektor. Dega e Turizmit u rikthye në Universitetin e Gjirokastrës në vitin 2015, pas disa vitesh ndërprerjeje. Ajo erdhi si nevojë e kërkesës nga sektori i turizmit pas fluksit të shtuar të turistëve në qytet, ku mjaft shërbime kërkojnë personel të kualifikuar. Kjo degë studimi që ofron një përgatitje të të rinjve për të qenë të aftë në aspektin profesional në fushën e turizmit, u jep më shumë mundësi studentëve të përshtaten në tregun e punës.
Por për bizneset turistike kjo nuk është mjaftueshëm.“Në Universitet dega e Hoteleri – Turizëm është e orientuar drejt financës, kurse menaxhimi i strukturave akomoduese është problem evident. Deri më sot janë pronarët që bëjnë menaxhimin, por ne kemi nevojë për specialistë menaxhimi”, thekson Hoxha.
Pra, sipas bizneseve, arsimi profesional është orientuar në rrugën e gabuar dhe nuk i përgjigjen nevojave të tregut, duke shkaktuar kështu edhe pasoja të tjera. Kreu i Dhomës së Tregtisë në Gjirokastër, Maksim Hoxha thekson se në Gjirokastër ka një numër të lartë vendesh vakante që kërkojnë krah pune. Sipas Hoxhës, tashmë hotelet dhe restorantet e qytetit turistik kanë ulur kërkesat për personel shërbimi të kualifikuar, pasi mungesa e krahut të punës, i ka detyruar të vihen në kërkim edhe të punonjësve të pakualifikuar. “Kualifikimi i punonjësve ka pësuar rënie. Nëse deri dje flisnim për kërkesë të punonjësve të kualifikuar, sot kemi mungesë personeli, qoftë edhe të pakualifikuar. Së fundmi, në Gjirokastër ka pasur shtim të kapaciteteve, por nuk kemi personel shërbimi. Në Gjirokastër sot ka shumë vende pune bosh”, thekson Hoxha.
Rreth 390 vende të lira pune u shpallën në Panairin Rajonal të Punës në Gjirokastër, të organizuar në fillim të muajit qershor ku u mblodhën rreth 55 biznese nga i gjithë rajoni. Biznese me fokus artizanatin ofruan në panair mundësi punësimi, por edhe kualifikimi për ata që dëshirojnë të vetëpunësohen. Bizneset që e panë eventin si një mundësi të mirë shkëmbimesh, treguan për vështirësi që lidhen me kualifikimin e punëkërkuesve.
Por nga ana tjetër, të dhënat zyrtare të Zyrës së Punës në Gjirokastër flasin për një shifër të lartë të punëkërkuesve të papunë, ndërkohë që kësaj shifre i shtohen edhe të papunët e paregjistruar në zyrat e punës. Kreu i Zyrës së Punës në Gjirokastër, Edi Pesha, tregon se “në të gjithë qarkun ka një shifër prej 3513 punëkërkuesish të papunë, ku kryeson Gjirokastra me 1458 të papunë dhe Përmeti me 1064”. Në Gjirokastër janë aktualisht 1210 punëkërkues të papunë që i përkasin grupmoshës 25 – 44 vjeç.
Referuar të dhënave nga Zyra e Punës, numrin më të lartë të punëkërkuesve të papunë në rang qarku e zënë ata me arsimin 9 – vjeçar, në një shifër prej 1623 personash punëkërkues, ndërsa vetëm 300 punëkërkues të papunë zotërojnë një diplomë universitare, ndërsa të dhënat lokale në Jug tregojnë se vetëm 1/5 e të diplomuarve në universitete arrijnë të punësohen sipas profilit ku kanë studiuar, në kohën kur tregu aktual i punësimit ka nevojë për profesionistë të një spektri më të gjerë.
Rreth autorit:
Brikena Metaj është korrespondente për News 24 në Gjirokastër.