Ndodhi

Bashkia Selenicë nxjerr në rrugë 65 punonjës, kryetari Binaj: U mbaroi kontrata

20 gusht 2019/ Porta Vendore/ Selenicë

65 punonjës të Bashkisë Selenicë janë larguar nga puna vetëm dy javë, pasi u bë ndryshimi i kryetarit të bashkisë dhe në krye të saj erdhi Pëllumb Binaj. Të gjithë punonjësit e larguar i përkasin sektorit të shërbimeve publike dhe shprehen se janë hequr nga puna pa asnjë lajmërim paraprak, ndërkohë që kryetari i ri i Bashkisë Selenicë deklaron se largimi i tyre ka ardhur për shkak të përfundimit të kontratës së përkohshme dhe që kanë qenë në shkelje me rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në bazë të një auditi të kryer në fund të vitit 2018.

Sipas të dhënave zyrtare, punonjësve u është komunikuar ndërprerja e marrëdhënieve të punës pak ditë më herët, por duke shpresuar se ata do të rimerren në punë, asnjë prej tyre nuk është ankuar. Punonjës, të cilët nuk duan të identifikohen, shpjegojnë që ata kanë qenë në marrëdhënie pune deri para pak ditësh, ndërsa nga Bashkia e Selenicës u është komunikuar se marrëdhëniet e punës u janë ndërprerë që në fund të muajit qershor, kështu që nuk do të paguhen as për korrikun.

Pas ankesës së tyre, Porta Vendore pyeti pranë Bashkisë Selenicë mbi këtë çështje, ku nga një bisedë telefonike me Kryetarin e Bashkisë Selenicë, Pëllumb Binaj u mësua që janë 65 punonjës të pastrim gjelbërimit, të cilët kanë qenë të punësuar me kontrata të përkohshme dhe u ka përfunduar afati i kontratave.

“Ata punonjës kanë qenë të punësuar jo sipas ligjit, pasi pavarësisht shkeljeve që ka konstatuar KLSH dhe rekomandime të grupit të kontrollit, nga ish-administrata e kaluar nuk është marrë asgjë parasysh, por kjo e fundit i ka rinovuar kontratat me të njëjtat kushte këtyre punonjësve deri më qershor 2019. Madje ka pasur edhe raste që nuk paraqiteshin fare në punë, por ndërkohë paguheshin, ndaj ne ishim të detyruar të zbatonim kuadrin ligjor dhe rekomandimet e KLSH-së, për të mos i paguar në të zezë këta punonjës dhe nën pagën minimale”, u shpreh Binaj.

Porta Vendore në bisedën telefonike që pati me Kryetarin e Selenicës Pëllumb Binaj e pyeti gjithashtu se përse nuk ishte krijuar mundësia për një kontratë të re sipas të gjitha rregullave që përcakton ligji, por zoti Binaj u përgjigj se e gjitha kjo nuk është në varësi të tij dhe se ende nuk është marrë vendim për vazhdimësinë e këtyre punonjësve në Bashkinë Selenicë. “Vendimi do të merret në mbledhjen e ardhshme të këshillit bashkiak për të kuptuar më shumë se si do të procedohet me këtë çështje”, tha Binaj, i cili nuk dha një datë fikse se kur është menduar të mblidhet këshillit bashkiak për të folur mbi fatin e 65 punonjësve dhe nëse ata do të jenë sërish në lista për këto vende pune.

Duke qenë se kjo lëvizje vjen vetëm dy javë pasi ai është betuar për detyrën e re, Binaj shtoi se e gjithë kjo situatë nuk ka lidhje me zëvendësimin e punëtorëve të larguar, por vetëm me një kuadër ligjor që duhet respektuar nga të gjithë e që për më tepër nuk ishte më në dorë të tij, por në dorë të këshillit bashkiak se çfarë do të vendoset për këtë çështje.

Porta Vendore verifikoi edhe pranë KLSH për raportin që i referohet Bashkia Selenicë, ku rezulton se çështja e punonjësve të gjelbërimit ka qenë një nga gjetjet e auditimit të realizuar nga janari deri në gusht të vitit 2018 dhe i publikuar në dhjetor 2018.

Sipas raportit të dhjetorit 2018, në auditimin e përdorimit të të ardhurave u konstatua se për periudhën janar 2017-gusht 2018 janë punësuar 65 punonjës të përkohshëm me kontratë, të cilët janë paguar me pagë mesatare 14,000 lekë/muaj, vlerë më e ulët se paga minimale 24,000 lekë dhe pa u deklaruar në organet tatimore. Pra janë lejuar të punojnë “në të zezë”. “Punësimi ‘në të zezë’ ka sjellë mospagim të detyrimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (vlera e mësipërme është e përjashtuat nga pagesa e TAP), me pasojë të ardhura të munguara në fondin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, në vlerën 4,833,976 lekë”, deklarohet në raportin e KLSH. Madje, Kontrolli i Lartë i Shtetit rekomandon që Bashkia Selenicë të analizojë dhe nxjerrë përgjegjësitë për situatën e mësipërme. “Në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale Tatimore Vlorë dhe me vetë punonjësit, të marrë masa për deklarimin e vonuar të punonjësve dhe për pagesën e detyrimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Të ndërpriten praktikat e punësimit të punonjësve me pagë më të ulët se paga minimale dhe mos deklarimit të tyre në organet tatimore. Këto masa të merren brenda muajit shkurt 2019”, rekomandon KLSH.

Por, pavarësisht se shkeljet rezultojnë se janë bërë nga Bashkia Selenicë dhe jo nga punonjësit, duket se autoritetet e bashkisë kanë zgjedhur rrugën më të shkurtër, që të mos rinovojnë më kontratat për 65 punonjësit sesa të marrin parasysh rekomandimet për të paguar detyrimet dhe të përpunojnë kontratat e reja me punonjësit.