18 gusht 2019/ A.H/ Porta Vendore/Pogradec
Pogradeci është në pikun e sezonit turistik, por me nisjen e tij edhe për këtë vit nuk mungon stresi i atyre që frekuentojnë plazhin e ashtuquajtur publik në këtë qytet! Në fakt këtij plazhi vetëm emri i ka mbetur publik, pasi prej disa vitesh ai është kthyer në pronë private në shërbim të secilit subjekt që ka marrë një leje nga pushteti lokal për të shtruar shezlonge, ndërsa këtë vit qytetit liqenor i është shtuar dhe zhurma e tallazeve gjatë natës.
Vitet e fundit, ky fenomen ka stresuar mjaft vendasit. Pogradecarët ankohen se nuk kanë ku të ngulin çadrën për të bërë disa orë plazh, kjo pasi hapësirat më të mira për të marrë pak rreze dielli janë zaptuar. Ato që janë lënë publike, janë zona të pa mirëmbajtura, të pa pastruara dhe nuk mund të qëndrosh 5 minuta e jo më disa orë. Edhe pse me rregullore nga ana e Ministrisë së Turizmit është përcaktuar që 20% e hapësirave në plazh të jenë publike, në qytetin liqenor diçka e tillë nuk ndodh. Njëra prej këtyre zonave publike është pranë banjave publike, aty ku era e rëndë nuk të lejon të qëndrosh as për disa momente. Ndërsa një zonë tjetër është në fund të shëtitores, pranë pompave të ujit, ku edhe atje situata nuk është aspak normale, pasi mungon mirëmbajtja.

Pushteti qendror dhe ai vendor, pavarësisht se janë pronarë e administratorë të këtyre hapësirave, nuk ndërhyjnë ose ndërhyjnë shumë pak për të ndaluar këto pushtime të dhunshme që u bëhen sipërfaqeve, e ku shumica e tyre kanë edhe bekimin e institucioneve me lejet abuzive. Këto subjekte, të cilat licencohen për 10 apo 20 çifte shezlongesh, në fakt po t’i numërosh fizikisht në terren, do zbulosh dyfishin e sasisë për të cilën janë licencuar. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm dhe që nga viti në vit, pushteti lokal e humb ‘luftën’ përballë këtij fenomeni që në tavolinë, pa dalë fare në terren, që në fund pasojat janë për qytetarët. Pogradecarët në përgjithësi ishin mësuar që të kishin hapësira të bollshme publike në plazh, por vitet e fundit duhet që ta kërkojnë me lupë një copëz vend ku të vendosin çadrën e tyre.

Task Forca dhe siguria që ofrojnë subjektet
Dukuria e përvitshme tashmë e zaptimit të hapësirave publike nuk kishte si të mos binte në sy edhe të Ministrisë së linjës. Kjo nisur edhe nga ankesat e shumta që nisen nga ana e qytetarëve si në drejtim të saj ashtu edhe në drejtim të institucionit të Prefektit. ‘Luftën’ ndaj privatëve abuzues dhe infromalëve e shpalli nga Pogradeci edhe Ministri Blendi Klosi, ndërsa tha se jo vetëm në Pogradec, por edhe në Durrës, Vlorë e zona të tjera bregdetare privatët ishin duke bërë batërdinë me zaptimet.
Sipas Klosit, vetëm në Pogradec nga monitorimet kishin rezultuar se 14 nga 50 subjekte të kontrolluara nuk kishin asnjë lloj kontrate me bashkinë dhe se nuk zbatonin edhe ligjin njëkohësisht. “Ne jemi të vendosur tha ai që t’iu kthejmë qytetarëve dhe pushuesve plazhet dhe hapësirat që u takojnë. E në rast se diçka e tillë nuk do të nisej vetë nga subjektet, atëherë task forca do të vijojë me masat administrative deri edhe në sekuestro” tha Klosi.

Pas kësaj deklarate, me urdhër të Kryeministrit, task-forca e ngritur nga prefektura nisi aksionet e kontrollit në të gjithë vijën liqenore të Pogradecit, nga Lini deri në Tushemisht. Një task forcë, e cila në përbërje të saj ka përfaqësues të Prefekturës, Bashkisë Pogradec, Policisë së Rendit dhe asaj Kufitare. Ky grup monitorimi ka në fokus jo vetëm hapësirat publike por edhe sigurinë që ofrojnë stacionet e plazhit në vijën liqenore. Grupi i Monitorimit nisi nga puna më 15.07.2019, ku ushtroi kontrolle për zbatimin e dispozitave ligjore në ushtrimin e aktivitetit të subjekteve private në drejtim të sigurisë në plazhin e Pogradecit.

Nga monitorimi rezultuan një sërë shkeljesh nga ana e subjekteve, ku 6 prej tyre rezultonin pa leje, ndërsa të tjera, pavarësisht se kishin aplikuar për leje, nuk e kishin tërhequr për shkak të detyrimeve të pashlyera.

Porta Vendore mori komunikim edhe me Prefektin Dhori Spirollari, i cili pranoi që situata në plazhin e Pogradecit, është problematike, ndërsa ngriti shqetësimin se mungojnë rojet apo pjesa tjetër e elementëve të sigurisë. “Pogradeci është në kulmin e sezonit. Është e vërtetë që përveç masave të mira që janë marrë nga hoteleria, në fakt çalohet tek elementët e sigurisë. Edhe pse është vend i vogël dhe të gjithë kontrollohen kollaj, kjo nuk justifikohet me mungesën e rojeve dhe elementëve të tjerë të sigurisë. Kam kërkuar disa herë nga Bashkia qoftë me shkrim apo edhe me kontakte të drejtpërdrejta që të marrin masa, ka edhe një projekt të BE për certifikimin e rojeve të plazhit dhe jemi në pritje që ky projekt të japë frytet e veta. Iu kam kërkuar që të bëhet sa më shpejt certifikimi i rojeve dhe kullat të pajisen me nga një person vrojtues. Ne kemi zhvilluar disa kontrolle, por nuk do ta lëmë me kaq. Ne do të vijojmë me kontrollet tona dhe në rast se paralajmërimet tona nuk janë marrë parasysh nga subjektet apo bashkia, do të aplikohen nëpërmjet inspektorateve përkatëse edhe masat administrative”, pohon Prefekti Spirollari.

Ndotja akustike, problem më vete
Nëse përgjatë ditës qytetarët apo edhe pushues të ndryshëm përballen më të gjitha ç’ka përmendëm, si mungesa e plazheve publike, rojeve të plazhit, bovave të sigurisë në ujërat e liqenit etj. Një tjetër problem edhe më shqetësues janë lokalet e natës ose beach baret që operojnë në brendësi të qytetit. Vitet e fundit, siç nuk kishte ndodhur asnjë vit më parë, bashkia ka vendosur që të japë leje aktiviteti për disa beach bare. Këto lokale nate që frekuentohen kryesisht nga të rinjtë, operojnë me një rregull, muzikë të lartë deri në orët e vona të natës. Edhe pse orari zyrtar i bashkisë është ora 23;00 që të mbahet hapur muzika, askush nga këto subjekte nuk e zbaton këtë gjë. Jo vetëm që tejkalojnë oraret, por edhe decibeli i muzikës është goxha i lartë duke shkaktuar një bezdisje të madhe te banorët e pallateve që janë përreth tyre apo edhe pushuesve. Ankesa të shumta janë nisur në drejtim të bashkisë, prefektit apo inspektoratit mjedisor.
Nga ana e këtyre të fundit janë ndërmarrë disa monitorime përgjatë natës dhe janë lënë detyra për mbajtjen në nivele jo shqetësuese të muzikës, por se me largimin e tyre, rikthehet avazi i vjetër dhe tallavaja shkon deri në kupën e qiellit.
Por edhe për lokalet me muzikë të lartë nuk kanë munguar kontrollet. Prefekti Spirollari komunikon për Porta Vendore se task-forca ka vepruar pas disa ankesave që janë drejtuar nga pushues dhe qytetarë. Për pasojë dy lokale nate në Pogradec janë gjobitur si edhe iu është pezulluar aktiviteti për disa ditë deri në certifikimin e pajisjeve audio që përdornin. Ndërkohë, në disa lokale të tjera është vepruar me këshillime dhe paralajmërime për kushtet që duhet të plotësojnë sidomos për nivelin e zhurmave në mënyrë që të mos shqetësohen qytetarët apo pushuesit. Është i disati vit radhazi që Pogradeci liqenor, Pogradeci i luleve ka degraduar nga njëra anë me privatin dhe shezlonget ditën dhe nga ana tjetër këtë vit i janë shtuar tallava dhe muzikë në kupë të qiellit natën, që nuk të lejon të pushosh.