12 gusht 2019/ Erjola Azizolli/ Porta Vendore/ Bera
Zyrtarisht numëron plot 1 mijë banorë të regjistruar, por aty jetojnë vetëm diku te 200 banorë. Tomori është fshati prodhimtar, ku puna e trashëguar e banorëve e ka identifikuar ndër vite, ndërkohë që sot po braktiset, pasi askush nuk do të martohet në Tomor, askush nuk do të jetojë në një fshat, ku rruga izolohet me shirat e parë të stinës, e ku prodhimet organike kalben si pasojë e mungesës së tregut. Tomori është fshati nën hijen e malit, ku vizitorët duan të kalojnë disa ditë, ndërsa banorët e mbetur kanë vetëm një ëndërr, të largohen.
Nga rruga nacionale Berat-Skrapar janë 12 kilometra që ndajnë fshatin Tomor me qytetin, por që duhet më shumë se një orë për t’i përshkuar si pasojë e një rruge që vetëm emrin ka të tillë. Pasi lë nga pas aksin kryesor, zonën e quajtur “Fushë-Peshtan” dhe kupton që ke hyrë në një territor fshati, ku natyra të tërheq përpara me peizazhin malor dhe ajrin e pastër, ajo me të cilën përballesh direkt është rruga.
E pashtruar kurrë, ku çakulli është mbulesa e vetme që rruga ka parë ndonjëherë. Ajo lidh fshatrat Rabjak e Karkanjoz me fshatin Tomor, të cilët bashkohen mes tyre me hallin e rrugës, por ndahen nga ana administrative. Dy të parët i përkasin Njësisë Administrative Roshnik dhe janë pjesë e Bashkisë së Beratit, ndërsa fshati Tomor është një ndër 12 fshatrat e Njësisë Administrative Vërtop të Bashkisë së Poliçanit. Kjo njësi administrative ka dy fshatra me emrin Tomor, atë të madh dhe të vogël, por fshati Tomori është jo vetëm më i madhi, por dhe më i njohuri.
Prodhime si domatja apo patatja që shiten në Berat dhe më gjerë, mbajnë markën e prodhimeve të Tomorit. Ndërsa aktiviteti i konservimit njeh prodhimin e qepujkave të Tomorit, të cilat janë mjaft të kërkuara. Me Tomorin është e lidhur dhe rruga që të çon drejt Kalasë së Dodonës, një atraksion turistik i kërkuar sot nga turistët. Tomori është një “minierë” e bimëve medicinale. Legjendat në Tomor janë të lidhura me malin që i bën hije në krah, me banorët punëdashës dhe mjaft mirëpritës, të cilat kanë ruajtur traditat.
“Është vetëm një rrugë ajo çfarë kërkojmë, pasi janë vetëm pak kilometra që na lidhim me asfaltin dhe shtrimi i saj do të na ndryshojë jetën”, thotë Aredin Azizaj, banor i fshatit.
Pas viteve 1990 dhe banorët e kësaj zone emigruan dhe me të ardhura e para këtu familjarët e emigrantëve siguruan mjete pune, ujin e pijshëm në çezma, sistemin e kanalizimeve dhe atë të vaditjes.
“Banorët e Tomorit janë cilësuar si punëtorë të mëdhenj, ku për shkak të terrenit dhe mungesës së rrugës puna e krahut shoqëronte jetën e çdo banori, ndaj dhe historikisht Tomorit malor i trembeshin vajzat e reja për tu martuar”, thotë Azizaj.
Banorët kanë investuar vetë për të sjellë ujin e burimeve në shtëpitë e tyre, si dhe sistemimin e ujërave të zeza dhe atë të vaditjes, por e kanë të pamundur të rregullojnë edhe rrugën.
Problemin e rrugës e shpreh edhe kryeplaku i fshatit, i cili e cilëson zonën si të bekuar nga vetë natyra.
Të larguarit drejt qyteteve kthehen ne stinën e verës ku dhe punët e bujqësisë janë më të mëdha, por dhe rruga është më e lehtë për tu kaluar për shkak të mungesës së reshjeve.
Për të udhëtuar drejt Tomorit duhet faturosh një nga fuoristradat apo kamionçinat e banorëve të fshatit. Furgoni i mësuesve, siç e quajnë të gjithë në fshat, u vjen në ndihmë banorëve që s’kanë mjete për të lëvizur drejt qytet. Për shkak të mungesës së rrugës asnjë nga linjat e transportit publik nuk pranon të kryejë këtë linjë udhëtarësh.
Për çdo rast nevoje banorët u vijnë në ndihmë njeri-tjetrit, ndërkohë që transporti i prodhimeve është shqetësimi më i madh.
Kamber Myzyri, një emigrant i rikthyer në Tomor mbledh dhe shet bimë medicinale, ndërkohë që disa prej tyre ka arritur ti kultivojë edhe vetë. Myzyri e shikon të ardhmen e fëmijëve të tij në fshat për potencialet që ai ka, por i tremben faktit se ata do të largohen një ditë, nëse rruga nuk do të rregullohet.
“ Puna ime nuk është sfida kryesore, pasi kam arritur që të gjejë mundësitë për të punuar, duke mbledhur bimë medicinale që zona i ka pa fund, por sfidë është se si ti çojmë ato drejt tregut”, thotë Myzyri për Portën Vendore.
Çdo ditë, Myzyri dhe të tjerë banorë të zonës çohen në mëngjes me agimin e parë, duke u organizuar si të munden me qëllim që të shkojnë nëpër tregje që herët, pasi nëse pranojnë të shesin mallin në fshat ku vijnë tregtarët, çmimet e shitjes nuk justifikojnë koston.
“Si mund ti shesim prodhimet tona bio me çmimet që kërkojnë ti marrin tregtarët që përfitojnë nga mungesa e rrugës dhe vijnë që ti marrin këtu”, thotë banori Azizaj.
Në këtë periudhë domatja dhe patatja e Tomorit në treg janë më të kërkuarat, por në zonë shiten me çmime thuajse qesharake.
Pozicioni i fshatit në shpat të malit bën që këtu të prodhohet gjithçka që nga perimet e frutat, por rruga i pengon që ato të mbërrijnë lehtësisht në treg.
Me humor banorët kujtojnë se dikur prodhimet e Tomorit shkonin vetëm si dhurata për miqtë dhe byronë e kohës, ndaj dhe qytetarët nuk i shijonin dot, ndërkohë që sot në treg i çojnë me vështirësi.
Gjendja e rrugës, gjithë gropa, e shtruar vende-vende me çakull, vetëm shton hallet e këtyre banorëve, ndërkohë që shpresat të gjithë i kanë drejt ikjes.
Për kryeplakun e fshatit tjetër hall në fshat janë dhe martesat, veçanërisht ato të djemve. Nëse dikur në Tomor nuk preferonin t’i martonin vajzat për shkak se puna këtu ishte e rëndë, sot nuk preferojnë fshatin për shkak të mungesës së rrugës.
“Janë 25 djem të rinj në fshat, në moshë martese, të gjithë punëtorë, por nuk po arrijnë dot që të martohen”, thotë kryeplaku i fshatit.
Dhe në rastet kur djemtë realizojnë vetë njohjet e reja, por dhe në rastet kur lajmësi siç e quajnë në fshat vjen në derë, martesat nuk po finalizohen, pasi vajzat nuk preferojnë Tomorin për shkak të mungesës së rrugës.



Fshati Tomor ndodhet në zemër të Parkut Kombëtar të Tomorit dhe nga ky fshat duke përshkuar vetëm dy kilometra mund të mbërrish në një destinacion turistik, siç është kalaja e Tomorit.
Banorët këtu së fundmi po bëhen mirëpritësit e vizitorëve të huaj, të cilët i drejtojnë drejt kalasë, por s’kanë se çfarë të ofrojnë më shumë, pasi nuk kanë as bujtina pritëse, as lokale. Këto i shohin si ëndrra të së ardhmes, por që lidhen vetëm me përmirësimin e gjendjes së rrugës, pasi vizitorët ende janë të limituar.
“Këtu po vijnë vizitorë. Të gjithë duan të kalojnë ditë këtu, sepse, natyra, ajri, uji gjithçka është e shëndetshme, por vetëm në verë, pasi dimrit këtu bllokohet gjithçka”, thonë banorët. Ata kanë nisur të shoqërojnë drejt kalasë së Tomorit turistët e parë dhe urojnë që rregullimi i rrugës të shtojë vizitorët.
“Potencialet që fshati Tomor ka janë të mëdha, ndaj dhe zgjidhja e problemit të rrugës do të shtonte mundësitë për zhvillimin e turizmit”, tha Behar Zylyftari, Administrator i njësisë Vërtop.
Nga ana tjetër burime të Bashkisë së Poliçanit bëjnë me dije se aktualisht ka projekte konkrete për fshatin Tomor, për rikonstruksionin e plotë të rrugës, por dhe projekte mbi turizmin malor, për kthimin e kësaj zone në një atraksion turistik. Por ajo çfarë ka mundur që të bëjë ky institucion me të ardhurat e tij është ndërhyrja vetëm në disa pjesë të rrugës, veçanërisht në stinën e dimrit, duke mbushur gropat në ato pjesë më të vështira, pa mundur që të financojë projektet.

“Konkretisht projekti i rrugës ka një vlerë prej tetë miliardë lekë të vjetra, vlerë e cila është e papërballueshme, krahasuar me buxhetin dhe të ardhurat e Bashkisë Poliçan. Nga ana tjetër bashkia ka dhe një projekt për zhvillimin e agroturizmit në këtë fshat në përshtatje të plotë me natyrën që ai ofron. Nga ana e bashkisë do të ezaurohen të gjitha mundësitë për financimin e këtyre projekteve”, bëhet e ditur në përgjigjen zyrtare që Bashkia Poliçan i dha Portës Vendore. Por, deri në gjetjen e investimeve për projektin e rrugës, fshati Tomor duket se do të lëngojë nën hijen e malit, me frikën se do të braktiset nga të gjithë banorët e tij.
Rreth autorit:
Erjola Azizolli është gazetare në qytetin e Beratit.