Ndodhi

Gratë e Zadrimës veshin ende dhe sot kostumet e zonës

29 korrik 2019/ Elisa Gjerani/ Porta Vendore/ Lezhë

Në fshatin Krajnë të Lezhës, gratë e moshuara mbajnë ende të veshur kostumin tradicional zadrimor, një traditë kjo e ruajtur brez pas brezi.

Në fshatin Krajnë me afro 100 familje, pjesë e njësisë administrative Blinisht, rreth 20 gra të moshës mbi 50 vjeçe vishen ende edhe sot si zadrimore.

Ato rrëfejnë që kështu janë veshur që në vegjëli, rreth moshës 10-12 vjeçare dhe këtë traditë e kanë ndjekur brez pas brezi, ku sot nuk mund të vishen me rroba të zakonshme, sepse kjo veshje mbi 100 vjeçare është trashëguar nga nëna ose gjyshja e tyre.

Vitore Lufi ka 43 vite që e mban të veshur veshjen zadrimore, madje ajo rrëfen që kjo veshje është përdorur deri vonë edhe për nuset e reja të fshatit, që vinin të veshura në zadrimore, pavarësisht se kjo traditë është e vështirë të gjendet sot te vajzat e reja të zonës.

“Unë, kunatat e mia i kam zadrimore, kush ka ardhur me ketë veshje nuk e ka ndërruar më. Por nuset e reja vishen me vel dhe zadrimoren në dasmë e veshin për qejf. Unë këtë veshje e adhuroj, e kam qejf dhe madje edhe jashtë shtetit kur kam shkuar, kështu jam veshur”, tregon ajo.

Vitorja punon edhe në tezgjah ku punimet e saj kryesisht ia dhuron vajzave e nuseve, madje kostumin e saj të nusërisë ia ka trashëguar nuses së vogël të djalit.

“Do vazhdoj të punoj në tezgjah se edhe gocat e lagjes duan për pajë, por më vjen keq që kjo traditë pak nga pak po shuhet”, tregon Vitorja.

Kur martohet një vajzë zadrimore, tradita e kërkon ende edhe sot që në pajë të çojë në shtëpinë e burrit, punime të bëra në tezgjah. Ashtu siç e ka kërkuar tradita, ka vepruar edhe Suela nusja e djalit të Vitores Megjithëse asaj i pëlqen kostumi zadrimor, përsëri i duket tejet e vështirë nëse do t’i duhej ta mbante për përditë.

“Veshja zadrimore është e bukur, por kur e mban, është paksa është e lodhshme. Mosha e vjehrrës sime e mban, por nuk përdoret më si veshje, ne të rejat e veshin vetëm për raste. Unë jam rritur me këtë traditë pasi edhe gjyshja ime kështu është veshur në zadrimore dhe nuk e kam pasur të vështirë të përshtatem me stilin e veshjes së vjehrrës sime”, rrëfen e reja.

Ndërsa Tonja ka 60 vite që e mban të veshur rrobën zadrimore, që nga mosha 10 vjeçare. I vetmi rast kur i është dashur ta ndryshojë veshjen, ka qenë në kohën e kooperativës.

“I kam pas ndërruar njëherë dhe u vesha si qytetare nja një vit, se na detyruan por prapë nuk u mësova dot dhe i ndryshova. Kanë ardh edhe fotoreporterë të huaj e më kanë bërë foto këtu në fshat, pasi iu duk diçka e pazakontë që ne gratë e Krajnës të mbanim ende të veshura këto tesha, të cilat për ne kanë shumë vlerë se kemi një jetë që i mbajmë”, tregon Tonja.

Për këto gra, të ndërrosh këto rroba në një moshë të rritur është turp, pasi i bie sikur mohon të kaluarën tënde.

“Nuk do t’i ndërroja kurrë. Edhe kur na vdes dikush ne përdorim përparëse ose shami të zezë por këto rroba nuk i heqim. Megjithëse me vjen keq, që kjo traditë do të shuhet avash-avash pasi vajzat e reja në Zadrimë i përdorin vetëm për të dalë në foto, me ndonjë koncert ose dasmë”, thotë ajo.

Sipas etapave të ndryshme të jetës, ndryshon koloret dhe strukturën edhe veshja zadrimore, ku kulmi i bukurisë së këtij kostumi, është në veshjen e nuses.

“Veshjet e hershme janë ruajtur deri në ditët tona. Këtë meritë ka populli jonë që e ka trashëguar traditën brez pas brezi. Etnografë të shquar e kanë vlerësuar veshjen zadrimore duke e krahasuar këtë veshje me gruan ilire”, rrëfen Lin Shtjefni, historian.

Në Zadrimë ka një sërë fshatrat gratë e të cilave vishen ende me kostumet tradicionale të zonës, edhe në të përditshmen e tyre.