23 korrik 2019/ Anila Hoxha/ Porta Vendore/ Tiranë
Maksim Rryta, banori i “Siri Kodrës”, duke përfituar nga mungesa e infrastrukturës rrugore për daljen në unazë, ka ngritur një tra me pagesë në pronën e tij, për të gjithë ata njerëz që duan të kursejnë kohë dhe karburant, duke mos i rënë rreth e përqark rrugës.
Rruga e shkurtër të nxjerr gjatë. Kjo këshillë e dëgjuar shpesh nuk shkon në fakt për rrugën Siri Kodra në Tiranë. Në mëngjes në këtë aks, trafiku është stres më vete. Disa shpejtojnë për në punë drejt qendrës së qytetit. Të tjerë kanë drejtimin e kundërt drejt bizneseve që ndodhen në zonën e ish frigoriferit. Dhe për të dalë në aksin e unazës, shpesh duhet të presësh disa minuta. Në krahun e djathtë, në mes të lagjes, pranë disa godinave private, Maksim Rryta ka gjetur një mënyrë si të bëjë biznes me këdo që shpejton dhe kërkon të fitojë kohë. Tokën e tij, ai e ka kthyer, jo vetëm në një vend ku parkohen makinat, por edhe në një rrugë kalimi me pagesë. Për këdo që duhet të kalojë në tokën e tij, në mënyrë që të shmangë trafikun, por edhe t’i bjerë shkurt për të dalë menjëherë tek ish-Restorant Durrësi, pagesa është 20 lekë. Ai pret kuponin sa herë ngre traun dhe lejon automjetet të përshkojnë pronën e tij. Në ekstraktin e Qendrës Kombëtare të Biznesit Maksim Rryta e ka regjistruar biznesin e tij me objekt parkim dhe lavazh, një aktivitet të cilin e ushtron që prej muajit tetor 2016.
Maksim Rryta thotë se ka të regjistruar si pronë të veten dhe të familjes rreth 1269 metra katrorë. Prona është e 33 pjesëtarëve të familjes së tij për të cilën nuk kanë vendosur ende se çfarë do të bëhet me këtë truall.
“Ngela pa punë dhe toka jonë ishte kthyer në një vend grumbullimi mbetjesh. Gjithë lagja, kushdo hidhte plehra. Vendosa të pastroj, pa pasur një ide se çfarë do të bëja”, tregon Maksimi. Më pas i moshuari tregon se e ktheu në një parkim ditor, çka i solli edhe një ide tjetër, atë të ngritjes së një lavazhi. Pa humbur shumë kohë, Maksi pa se në tokën e tij kalonin shpesh për t’i rënë shkurt mjaft makina. “Atëherë mendova se kjo rrugë duhet të kthehet me pagesë”, shton Maksimi, i cili brenda ditës sapo i erdhi ky mendim vendosi një tra, me një pagesë prej 20 lekësh. Maksim Rryta këmbëngul se kjo tarifë nuk është detyruese, pasi kushdo që zgjedh të përshkojë pronën e tij, duhet ta ketë parasysh se sa është fatura.
Burbuqja është një nga përdorueset e makinës që përdor këtë rrugë në mënyrë që të shmangë lëmshin e trafikut në krye të rrugës Siri Kodra. Gruaja tregon se tarifa e prej 20 lekë i kujton kohën kur merrte urbanin për të mbërritur në punë. Por sot që ajo ka makinën e saj, fatura prej 20 lekesh për të devijuar rrugën kryesore dhe për t’i rënë shkurt mes për mes rrugës me pagesë, është siç thotë ajo “sikur të harxhoja benzinën duke pritur në trafik”.
Nga vëzhgimi që Porta Vendore bëri u konstatua se tarifa që deklarohet në faturën tatimore si “kalim rruge”, nuk aplikohet për banorët që kalojnë drejt dy pallateve të ndodhura ngjitur me rrugën me pagesë. E po ashtu tarifa nuk paguhet as për motoçiklistët dhe ata që kalojnë me biçikletë apo në këmbë.
Rreth autorit:
Anila Hoxha është gazetare për çështjet e drejtësisë dhe gjykatës në Top Channel.