20 korrik 2019/ Brikena Metaj/ Porta Vendore/ Gjirokastër
Tre dekada demokraci dhe Shqipëria vazhdon të jetë i njëjti kosh gjigand mbeturinash, ku secili prej nesh ka kontributin e vet. E vetmja gjë e pandryshuar përgjatë gjithë kësaj periudhe është gjendja në të cilën ndodhen sot qytetet e fshatrat tona: – të pushtuara nga ndotja. Mbeturina të stazhionuara me kohën i sheh kudo përgjatë shtretërve të lumenjve. Duken se janë aq të hershme, saqë pamja e një segmenti lumor pa qeset e plastmasit mbi degët e pemëve e të shkurreve, duket gati–gati joreale për syrin, e paimagjinueshme. Tashmë e kemi pothuajse të vështirë të mendojmë se si është pamja e një lumi normal.
Ujërat e lumit Drino të shoqërojnë përgjatë udhëtimit në hyrje të qytetit turistik të Gjirokastrës. Aksionet e institucioneve qeverisëse që ndërmerren jo më shumë se një herë në vit, rezultojnë të paefektshme në përmirësimin e kësaj situate.
Lumenjtë, ndotje dhe pasoja
Edhe për ambientalistët situata ka ende shumë nevojë për angazhim serioz të institucioneve përgjegjëse dhe më shumë ndërgjegjësim qytetar. Ambientalisti Kleanthi Mandi pohon se prej vitesh lumi Drino ka qenë basen i hedhjeve urbane qytetase dhe rurale. “Koha e dekantimeve të mëdha të lumenjve evidenton përkeqësimin e kësaj situate” shprehet ai. Sipas tij, reshjet e dendura të dimrit dhe prurjet e shumta ujore ndikojnë në përhapjen e mbetjeve. Mandi thotë se edhe ujërat e zeza derdhen në lumenj, duke shkaktuar ndotje, ndërsa menaxhimi i tyre vazhdon të jetë me mjaft pasoja.Uji i lumenjve Drino dhe Vjosë përdoret nga fermerët për ujitjen e produkteve bujqësore, kryesisht perimeve të freskëta, pa marrë parasysh faktin nëse ky ujë plotëson apo jo standardet e përcaktuara për ujërat sipërfaqësore. Specialistët lokalë flasin për degradim të ekosistemit natyror përgjatë lumenjve për shkak të ndotjes dhe vendosin në themel të ndryshimeve të raporteve të gjallesave që popullojnë lumenjtë, pikërisht ndotjen. Përgjatë 10 viteve të fundit, studiuesit në Universitetin e Gjirokastrës vlerësojnë të jetë pothuajse zhdukur lundërza, një prej specieve lumore që shërben si indikator i ndotjes, lloje peshqish të ujërave të pastra si dhe shumë shpendë shtegtarë. Profesori i Asocuar Dr. Selfo Oruçi, Dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës nëUniversitetin e Gjirokastrës, pohon se “shoqëria shqiptare është ende në fazat e para të trajtimit të mbetjeve përsa i përket ndotjes në mjediset ujore”. Sipas tij,“fakti që ende nuk i ka të ndara ujërat e bardha nga ato të zeza bën që ndotja të jetë shumë e përqendruar. Ai thekson se “duke qenë se uji përdoret edhe për vaditje, një pjesë e ndotjes fatkeqësisht kalon edhe në produktet ushqimore”.
Të njëjtin mendim ndan edhe ambientalisti Mandi: “Uji i lumenjve nuk trajtohet para se të përdoret për ujitje, pasi ai mund të jetë i ndotur me ndotës mikrobiologjikë, që në shumicën e rasteve janë me origjinë urbane, industriale, bujqësore etj. Për pasojë perimet e freskëta mund të kontaminohen kryesisht nga uji i lumenjve i përdorur për ujitje, pasi në përgjithësi, mbetjet urbane dhe kryesisht ujërat e zeza nuk i nënshtrohen një procesi pastrimi para se të derdhen në ujërat e lumenjve” shton ai.
Drino, në listën e të ndoturve.
Rrjedha e lumit Drino që përfaqëson edhe pellgun e dytë më të madh ujor në Jug pas Vjosës, sipas Inspektoratit Rajonal të Mjedisit është në disa segmente e pakëshillueshme të përdoret për t’u larë apo për peshkim.Me rënien e nivelit të ujit prej thatësirës së verës dhe rritjen e pranisë së ndotjes organike dhe plastike, ky pellg konsiderohet i rrezikshëm. Dino Selimi, drejtor i Inspektoratit Rajonal të Mjedisit shton se ndotja nis që në territorin e Bashkisë Dropull, për të vijuar në Gjirokastër e deri në pikën ku lumi Drino bashkohet me Vjosën. Pikat më kritike gjenden pranë qytetit të Gjirokastrës,në rrjedhën përballë Lazaratit, në Virua dhe pranë Urës së Leklit. Ndotja me substanca kimike shkaktohet nga veprimtaria e disa bizneseve si regjje e përpunim lëkure, prodhim bojërash, apo prodhim këpucësh, biznese të cilat paralajmërohen në mënyrë të vazhdueshme nga Inspektorati për respektimin e rregullave në bazë të ligjit për mbrojtjen e mjedisit.
Sipas OBSH, rreth 80% e të gjitha sëmundjeve dhe mbi 1/3 e vdekjeve në vendet në zhvillim shkaktohen nga përdorimi i ujit të kontaminuar. Megjithëse ende nuk ka një raport të monitorimit dhe matjes së ndotjes për këtë vit, specialistët flasin për cilësi të mirë të ujërave të Vjosës dhe cilësi jo të pranueshme të ujërave të Drinos, e vërtetuar kjo edhe nga analizat e rregullta të kryera nga Drejtoria e Shëndetit Publik në Gjirokastër që kanë treguar se lumi Drino ka ndotje të lartë në disa pika të ndryshme të tij.
Specialisti i DSHP, Bledar Ahmeti, pohon se shkarkimi i pesticideve në lumenj vepron direkt mbi organizmat, duke i toksikuar dhe shkaktuar ngordhje masive me pasojë mjedisore, por dhe shëndetësore për shkak të konsumimit të tyre dhe përdorimit të ujit të lumit të ndotur nga popullata.
E njëjta panoramë e veshur me petkun e mbeturinave inerte dhe organike ndeshet edhe më tej, pasi ujërat e lumit i fshihen rrezes së vështrimit. Në hyrje të qytetit të Gjirokastrës, në atë që njihet si“Ura e lumit”, mbeturinat dhe ujërat e zeza kanë krijuar shtratin e tyre natyral.Në stinën e dimrit dhe gjatë reshjeve të dendura të shiut, ujërat e Drinos arrijnë nivelin e tyre maksimal dhe shpesh e tejkalojnë atë.Ajo që mbetet e pandryshuar në këtë degë lumi janë depozitimet e mbetjeve dhe ujërat e zeza që derdhen pa reshtur, të cilat lehtësisht i sheh me sy të lirë.“Ka vite që ujërat e zeza të qytetit derdhen në Drino. Në kohën e përmbytjeve kur Drino del nga shtrati ai përhap mbetjet. Plastika mbetet majë pemëve e shkurreve. Rrugës për në Tepelenë kjo panoramë është lehtësisht e dallueshme”, shprehet ambientalisti Mandi.
Sipas specialistëve, mbrojtja e natyrës dhe lumenjve në veçanti do të thotë mbrojtje e diversitetit dhe proceseve ekologjike, ndërsa situata mjedisore rëndon edhe në imazhin e krijuar në sytë e turistëve.Ura mbi lumin Drino lidh qytetin e Gjirokastrës me fshatrat e Lunxhërisë, një zonë e frekuentuar së tepërmi edhe nga turistët. Por para se të mund të vizitojnë pamjet e mrekullueshme të fshatrave të kësaj zone, turistët duhet të përballen fillimisht me pamje ku mbizotëron ndotja.
“Të gjithë duan të vijnë dhe ta vizitojnë Gjirokastrën. Një ndër gjërat që turistët parapëlqejnë të bëjnë kur vijnë në Gjirokastër është të vizitojnë pikat turistike, por mbeturinat e zbehin bukurinë e tyre. Një mjedis i pastër është i rëndësishëm për të nxitur zhvillimin e turizmit, që është e ardhmja e Shqipërisë dhe qyteteve si Gjirokastra” shprehet Andrew Craig, vullnetar i Korpusit të Paqes, që prej dy vitesh jeton në Gjirokastër.
Përrenjtë malorë në Gjirokastër, mjediset më të ndotura në qytet
.Tonelata të tëra mbeturinash familjare dhe inerte derdhen çdo ditë në përrenjtë e lagjeve të qytetit të gurtë. Përrenjtë që përfaqësojnë thyerjet më interesante në relievin e qytetit dhe që për vetë pozicionin gjeografik të Gjirokastrës një numër i konsiderueshëm i tyre përshkojnë lagjet e këtij qyteti, grumbullojnë sot mijëra tonelata mbeturinash shumëvjeçare të paabsorbueshme prej terrenit.
Përgjatë shtretërve të përrenjve të Palortosë, Varoshit, Dunavatit, Manalatit, etj banorët apo subjekte të ndryshme hedhin pa kriter mbeturina. Ndotja që ka tejkaluar çdo normë të pranueshme kërkon sipas autoriteteve bashkiake masa shtrënguese, gjobitje të banorëve, por edhe ndërgjegjësim të tyre. Sipas tyre, rehabilitimi kërkon një fond tepër të lartë që është aktualisht i pamundur të sigurohet prej të ardhurave lokale për pastrimin dhe mirëmbajtjen.
Kryebashkiakja Rami tregon se përrenjtë janë pjesa më problematike në ndotje. “Përveç vështirësisë së terrenit ndeshemi edhe me ripërsëritjen e vazhdueshme të ndotjes pas çdo aksioni pastrimi që ndërmerr bashkia” pohon ajo. Ndonëse pranon se “Sensibilizimi qytetar duhet të vijë vetëm me masa shtrënguese dhe ndihmesën e bashkëpunimin e komunitetit për të denoncuar rastet e përsëritura”, Rami pranon se pikërisht vendosja dhe vjelja e gjobave është një praktikë e vështirë për t’u zbatuar.
Situata bëhet më shqetësuesegjatë stinës së dimrit kur shirat e rrëmbyeshëm, karakteristikë për qytetin e Gjirokastrës bëjnë që rrjedha e përrenjve të marrë me vete mbeturinat e depozituara duke mbuluar me to edhe pjesën e poshtme të qytetit, ndërsa stina e verës shton rrezikun e epidemive.
Nisma vullnetare “Pastrojmë qytetin”
Së fundmi një grup të rinjsh gjirokastritë kanë ndërmarrë një nismë për pastrimin e ambientit nga ndotja duke pastruar në mënyrë vullnetare disa prej rrugëve që të orientojnë drejt pikave turistike si “Ura e Ali Pashës” në Dunavat apo “Ura e Zerzebilit” pas kalasë në lagjen Cfakë. Nisma e tyre ka gjetur edhe mbështetjen e këshillit bashkiak që ka miratuar kërkesën e 25 firmëtarëve për vendosjen e gjobave dhe masave administrative ndëshkuese për të gjithë ndotësit. Në peticionin e drejtuar dhe më pas të miratuar nga këshilli bashkiak i Gjirokastrës propozohej si masë ndëshkimore një vlerë fillestare e gjobës prej 5 mijë lekësh, që dyfishohej në rast përsëritjeje, ndërsa në rast mospagese personit të gjobitur do t’i mohohen shërbimet në bashki. Situata e ndotjes së ambientit është konsideruar tepër e rënduar dhe alarmante nga këshilltarët, të cilët kanë theksuar përgjegjësinë shoqërore të kësaj situate dhe kanë kërkuar më shumë ndërgjegjësim në komunitet. Petrit Brahimi, këshilltar i këshillit bashkiak të Gjirokastrës ka shpërndarë përgjegjësinë midis komunitetit gjirokastrit dhe pushtetit lokal. “Jemi të gjithë bashkëfajtorë pasi e kemi anashkaluar këtë situatë që duhet marrë seriozisht” ka thënë ai.
Të rinjtë iu përgjigjën ankesave të tyre për mungesën e koshave si arsyen kryesore pse i depozitojnë mbetjet në përrua, duke vendosur në lagje dy kosha të improvizuar, por që më pak se një javë më pas, nuk ndodhen më aty duke u marrë nga banorët e duke e rikthyer situatën në gjendjen fillestare.
Bizneset, ndotës potencialë dhe taksapagues të rregullt
Bizneset që operojnë në Gjirokastër ndeshen gjithashtu me këtë fenomen shqetësues. Ata cilësohen si një prej ndotësve potencialë, por ndonëse taksapagues të rregullt ata ende nuk kanë mundur të sigurojnë dakordësinë institucionale për sigurimin e një vendgrumbullimi të mbetjeve të tyre.
Maksim Hoxha, kryetar i Dhomës së Tregtisë në Gjirokastër pranon faktin se Gjirokastra si qytet dhe bashkia në tërësi është problematike përsa i përket ndotjes. “Shumë biznese industriale nuk kanë as vend depozitimi të mbetjeve të tyre. Edhe pse paguajnë tarifën e pastrimit mbetjet i transportojnë vetë në pikat më të afërta duke shtuar kostot e tyre financiare. Qeveria qendrore duhet të hedhë sytë nga Rajoni i Jugut për ndërtimin e një landfill dhe duke pasur parasysh rënien e vazhdueshme të numrit të banorëve mund të ishte një vendgrumbullimi i përbashkët për bashkitë e qarkut”, thotë ai.
Grumbullimi i mbetjeve, pranë zonave të banuara
Mbipopullimi me mbetje urbane të hedhura pa kriter në shuma zona të qytetit e sidomos në zonat informale janë bërë një problem i mprehtë prej shumë vitesh në Gjirokastër. Edhe pse jo të pakta në numër, iniciativat e Ndërmarrjes Komunale për rehabilitimin etyre nuk kanë gjetur zgjidhje, ndërsa prej kohësh diskutohet ndërtimi i një landfilli, projekti i të cilit ka mbetur vetëm në letër. Aktualisht në qytetin e Gjirokastrës ka vetëm një pikë grumbullimi mbeturinash, por pa leje mjedisore.Ajo ndodhet vetëm 150 m larg zonës së banueshme duke bërë që herë pas herë tymi idjegies së mbeturinave të mbulojë si re edhe pjesën e poshtme të qytetit.
Një pjesë e shtëpive të lagjes së re të Gërhotit, i ka banesat e veta shumë pranë vendgrumbullimit të mbeturinave të të gjithë bashkisë Gjirokastër. Dikur një zonë e izoluar, larg banesave dhe në dalje të qytetit, sot situata duket krejt e ndryshme. Ndërtimet informale, migrimi i banorëve nga zonat e thella dhe vendosja e tyre në këtë hapësirë boshe, solli dhe afrimin e kësaj zone me qytetin. Era e keqe ndihet kudo dhe banorët e kësaj pjese janë ata që e vuajnë më së shumti. Moza, një grua 50 vjeçare, pohon se fillimisht ka qenë e vështirë të mësoheshin me erën e rëndë, sidomos në stinën e verës. “Nuk do të ishte keq të mos i mblidhnin më këtu. Thanë do bëjnë landfill, po akoma asgjë”.
Njësitë vendore, pa leje mjedisore
Asnjë prej 32 njësive vendore në qarkun e Gjirokastrës nuk disponon leje mjedisore për vendgrumbullimet e mbetjeve urbane. Ky fakt sipas Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjevedhe pamundësia për ngritjen e një landfill për menaxhimin e integruar të mbetjeve ka shkaktuar edhe situatën e rënduar mjedisore.20 njësi vendore janë gjobitur dy vitemë parë për shkallën e lartë të ndotjes në tokë e sidomos në ujë. Shumë prej njësive vendore i kanë të vendosura shesh grumbullimet e mbeturinave shumë pranë rrjedhave ujore dhe vetëm reshjet mjaftojnë për t’i çuar ato në lumë. Kreu inspektoratit Dino Selimi bën me dije se në segmente të caktuara rrjedha e lumenjve Vjosë dhe Drino është tepër e ngarkuar me mbeturina plastike dhe kjo për shkak të keqmenaxhimit ndër vite prej njësive vendore.Gjobat e ngarkuara krerëve të njësive vendore në vlerën e 500 mijë lekëve nuk kanë përjashtuar as bashkitë kryesore në nivel qarku, por asnjë prej gjobave ende nuk është vjelë. Të gjitha njësitë I kanë ankimuar gjobat dhe disa I çuan çështjet në gjykatë. Kreu i Bashkisë Këlcyrë që u gjobit për segmentin e tejmbushur me mbetje plastike në Vjosë, nga Dragoti në Këlcyrë, arriti ta fitonte betejën e vet duke anuluar gjobën e vendosur. Prej këtij procesi të gjatë gjyqësor,duket se pas një viti vetëm disa prej njësive vendore kanë ekzekutuar çështjet e tyre të humbura me Inspektoratin e Mjedisit, si komuna Qendër-Tepelenë për ndotjen në zonën e mbrojtur të Ujit të Ftohtë, Bashkia Përmet për derdhjet e mbeturinave në Vjosë, apo komuna e Dropullit të Poshtëm përgjegjëse për ndotjen e rëndë të lumit Drino në segmentin që ndodhet përballë saj. Ankimimi dhe koha e gjatë deri në ekzekutimin e çështjeve, sipas z.Selimi, në një farë mënyrë është duke penguar inspektoratin të mbivendosë gjoba.Asnjë prej 7 bashkivenë qarkun e Gjirokastrës nuk disponon leje mjedisore për vendgrumbullimet e mbetjeve urbane.Shumë prej njësive administrative të vendosura pranë rrjedhës së dy lumenjve derdhin mbetjet e tyre urbane në lumë, përfshi këtu edhe bizneset e vendosura përgjatë rrugës nacionale. Sipas Inspektoratit të Mjedisit në qark asnjë prej 114 bizneseve që aplikojnë për leje mjedisore nuk është i klasifikuar si ndotës i mesëm apo i lartë. Gjatë vitit të kaluar Inspektorati ka dhënë rreth 35-40 leje të tipit C, ndërsa bëhet me dije se ushtron kontrolle të vazhdueshme për të monitoruar kushtet e lejeve.Në rang qarku vetëm 2 nga 32 njësi vendore (6 bashki dhe 26 komuna) organizojnë mbledhjen e mbeturinave urbane me kosha në territorin e tyre. Në gjithë qytetin e Gjirokastrës ndodhen rreth 300 kontejnerë, ndërsa edhe pas ndarjes së re territoriale, grumbullimi i mbeturinave në fshatra vijon të mbetet shqetësues.
Fshatrat të pushtuar nga ndotja
Edhe pse vetëm 5 km larg qytetit të Gjirokastrës, fshati Valare, pjesë e njësisë administrative të Lunxhërisë, jeton mes papastërtive të mbetjeve urbane dhe bagëtive që kanë pushtuar çdo rrugicë të lagjeve të këtij fshati. Asgjë në këtë fshat nuk të jep përshtypjen e një zone banimi brenda normales. Krahas vilave shumëkatëshe gjenden edhe stallat e bagëtive dhe mbetjet e tyre, ndërsa mbeturinat i ndesh kudo. Banorët ankohen për praninë e shumtë të mbetjeve. Ata ankohen se jetesa mes bagëtive po bëhet shqetësuese për shkak edhe të sëmundjeve që përhap prania e tyre. Sipastyre edhe pse është premtuar nga bashkia e qytetit largimi i bagëtive nga fshati, situata vijon të mbetet ende problematike. Shqetësues për këta banorë është edhe fakti që tubacioni i ujit të pijshëm kalon pikërisht mes mbetjeve të bagëtive duke rrezikuar seriozisht edhe infektimin e ujit që rrjedh në rubinetet e tyre.Por ndërsa një pjesë e banorëve ankohen për papastërtitë dhe rrezikun e sëmundshmërisë të shkaktuar nga pisllëku në të cilin është zhytur fshati ku banojnë, një pjesë e tyre shprehen se “ndihen rehat me këtë situatë”. Janë pikërisht ata që kanëvendosur të ndajnë hapësirën e tyre jetësore me kafshët, duke ngritur stallat e bagëtive rrëzë mureve të pallateve apo banesave. Ndërtimi i stallave të bagëtive shumë pranë banesave të tyre rrezikon seriozisht shëndetin e rreth 400 familjeve që jetojnë në fshatin Valare, pjesë e bashkisë Gjirokastër.
Me një popullsi prej rreth 800 banorësh dhe jo më larg se 15 km nga qyteti i Gjirokastrës standardet e jetesës në fshatin Bulo, pjesë e Bashkisë Libohovë, duket se janë larg normales. Ndotja e ambientit, një problem shqetësues kudo, duket se në këtë fshat merr përmasa alarmante. Mbeturinat e grumbulluara prej mëse 20 vitesh e që gjenden kudo nëpër fshat, po bëjnë që ndotja të shtrihet edhe drejt fushës ku ata kultivojnë të mbjellat e tyre.
Kryebashkiakët shprehen të pafuqishëm për përballimin e kësaj situate të zaptimit të territorit nga mbetjet. Është e lehtë të themi se të gjithë jemi bashkëfajtorë, por akoma më e vështirë është të pranojmë se në çdo rast, ligji nuk funksionon, ndërsa premtimet vijnë e ikin, e ne të gjithë, qytetarë të thjeshtë e pushtetarë, me faj apo pa faj, jemi të detyruar të ndajmë hapësirën tonë mjedisore, me mbeturinat.
Kryetari i Bashkisë Memaliaj Durim Roshi tregon se ndonëse në qendër të qytetit janë vendosur kosha për diferencimin e mbetjeve, nisma nuk ka funksionuar, ndërsa mungesa e një vend grumbullimi mbetet edhe këtu shqetësimi kryesor. “Bashkia – tregon ai – nuk i ka mundësitë financiare për të krijuar vendgrumbullime të tilla ose fabrika për riciklimin e mbetjeve”.
“Një banor në qytetin e Tepelenës konsumon rreth 1 kg mbetje në ditë, në total 6 ton mbetje në ditë, që për 12 muaj të vitit shkon në 2200 ton mbetje”, shprehet kryebashkiaku iTepelenës Tërmet Peçi. Ai thekson se pastrimi në zonat e thella rurale është i pamundur për shkak të mungesës së infrastrukturës. Nga ana tjetër mungesa e masave administrative dhe mungesa e njëInspektorati Mjedisi në bashki, sipas Peçit, bën të pamundur vjeljen e gjobave nëse ato do të vendoseshin, praktikë që nuk zbatohet në asnjë prej bashkive.
Turizëm dhe papastërti
Gjirokastra vizitohet nga mijëra turistë përgjatë gjithë vitit. Ata synojnë më së shumti objektet e trashëgimisë kulturore që në Gjirokastër janë të shumta. Por panorama që shoqëron objektet tona të trashëgimisë kulturoreështë dëshpëruese. Ato nuk kanëmundur t’i shpëtojnë sulmit masiv e të vazhdueshëm të pirgjeve të mbeturinave. Godina të vjetra karakteristike, të braktisura prej vitesh, në zonën muzeale të qytetit të Gjirokastrës janë shndërruar në banja të vërteta publike. Pa harruar se pikërisht pranë tyre kalojnë edhe rrugët që të çojnë në disa prej pikave më të rëndësishme turistike të qytetit, të frekuentuara nga pothuajse të gjithë turistët që vizitojnë Gjirokastrën, e që pashmangshmërisht duhet të kalojnë pranë këtyre banesavetë braktisura karakteristike, me funksion “banjë publike”.
E nëse i pyet banorët e qytetit se “Sa e pastër është Gjirokastra sot?”, përgjigjet e tyre nuk janë aspak optimiste. “Dikur po që ka qenë e pastër, me nam ishim për pastërti. Sot na mbyti pisllëku, thotë pa e fshehur pikëllimin, nënë Vasillua, një ane tipike gjirokastrite, që e gjen përditë duke fshirë me kujdes rrugën para portës së shtëpisë së saj karakteristike, ndoshta ndër të paktat që ruan ende të gjallë këtë ritual pastërtie.
Bashkëjetesa jonë me mbetjet është kthyer prej kohësh në diçka të zakonshme dhe në një pamje tepër të njohur për syrin. Shpesh të gjithë flasin për nevojën dhe domosdoshmërinë e pastrimit të ambientit, por kudo ku shkon, është e pashmangshme të mos vëresh pasojat e mungesës së kulturës qytetare për një mjedis të pastër.
Strategji e projekte qeveritare apo iniciativa qytetare nuk kanë munguar, por në përfundim e gjithë kjo panoramë mbetet e pandryshuar, sërish e njëjta. Duke nisur nga rrugicat mes pallateve, godinave të braktisura, lumenjtë e shndërruar prej vitesh në vendgrumbullime natyrore mbeturinash, gjithçka që sheh e të zë syri është një ambient i mbuluar i gjithi nga hedhurina vend e pa vend. Shqipëria tashmë e ka kaluar limitin e vet të emergjencës. Gjithçka do të duhej, do të duhet të ishte veprimi i menjëhershëm, me efekte të drejtpërdrejta.
3